HOMOLOGIME DHE PROFKA

bullshitShpesh gjen në programet e partive politike shqiptare formulime që janë kaq të përgjithshme e kaq të pakundërshtueshme, që të bëjnë të mendosh se ç’kanë pasur parasysh autorët kur i kanë përfshirë atje.

Për shembull, në programin e njërës prej partive kryesore në politikën Shqiptare lexon:

Ne duam një Shqipëri që përballon me dinjitet, e sigurtë dhe me besim sfidat e mijëvjeçarit dhe të integrimit.

Ne synojmë një shoqëri ku sundon mirëqënia ekonomike, drejtësia, ligji dhe dinjiteti njerëzor.

Ne duam një shtet modern dhe demokratik, të ngritur mbi votën e lirë.

XXX kërkon të ndërtojë një shoqëri ku burrat dhe gratë jetojnë së bashku në liri, në barazi dhe në solidaritet.

XXX beson se politika është instrumenti që materializon shprehjen e vullnetit të përbashkët të shtetasve për t’u qeverisur.

Ndërsa në programin e një partie tjetër:

YYY eshte per nje shtet ligjor modern, te bazuar ne pervojen nderkombetare e te vendit dhe ligjet e tij, ku te percaktohen qarte pa ekuivoke , te drejtat e lirite themelore te njeriut, pozita e tij ne shoqeri, raportet e tij me shtetin; ku te garantohen e mbrohen keto liri e te drejta nepermjet institucioneve perkatese e vecanerisht Kushtetues, ligjeve e nje sistemi gjygjesor kompetent e te pavarur.

YYY e konsideron zhvillimin e zgjedhjeve te lira, te fshehta, te drejtperdrejta e pluraliste, me procedura te rregullta demokratike,ne baze te Kushtetutes dhe te drejtes nderkombetare, si te domosdoshme per nje shtet demokratik.

Ne perputhje me konceptin bashkekohor te shtetit ligjor, YYY eshte per vendosjen e nje rendi publik te afte, per te realizuar zbatimin rigoroz te ligjeve dhe per te garantuar siguroine e jetes normale, te drejtat e lirite e njeriut.

Ne politiken e jashtme te YYY, ceshtja kombetare mbetet nje nga prioritetet e saj. Ajo ka te beje me interesimin e ligjshem per te mbrojtur interesat e kombit shqiptar, te gjuhes, te kultures e traditave te tij, te ruajtjes e te zhvillimit te lidhjeve te natyrshme dhe historike mbareshqiptare jo vetem ne rajonin e Evropes Juglindore, por kudo ku ka e jetojne shqiptare.

Natyrisht, askush nuk mund të marrë me mend se cilës parti i përkasin pikërisht këto pika programi, meqë ato tingëllojnë mirë në gojën e kujtdo.

Dukuria njihet edhe si homologim i programeve partiake, dhe lidhet drejtpërdrejt me flakjen e pluralizmit nga një sistem politik që ende u bindet precepteve moniste, ose parimit se politika është një lloj qasjeje (shkencore ose autoritare) ndaj së vërtetës.

Në ligjërimin politik, homologimi shprehet në rritjen shqetësuese të profkave (bullshit), ose të pohimeve që kërkojnë të tërheqin vëmendjen e publikut ndaj autorit të tyre.

Unë kam përdorur me sukses një metodë praktike për t’i dalluar profka të tilla, nga deklaratat politike serioze.

Për shembull, për të vlerësuar një pohim të tillë si:

Partia XXX do të luftojë për të rritur mirëqenien e qytetarëve shqiptarë.

Kryej një transformim të thjeshtë gramatikor ose kuptimor të mohimit, duke përftuar pohimin tjetër:

Partia XXX do të luftojë për të ulur mirëqenien e qytetarëve shqiptarë.

Alternativisht:

Partia XXX nuk do të luftojë për të rritur mirëqenien e qytetarëve shqiptarë.

Partia XXX do të luftojë për ta mbajtur të pandryshuar mirëqenien e qytetarëve shqiptarë.

Partia XXX do të luftojë për të rritur mirëqenien e qytetarëve të huaj.

Tani, nëse ky transformim rezulton në pohime absurde, të cilat asnjë politikan nuk do të guxonte t’i shqiptonte e t’i mendonte, atëherë pohimi fillestar mund të kategorizohet pa frikë si profkë.

Përkundrazi, një pohim tjetër, i tipit:

Partia YYY do t’i japë përparësi marrëdhënieve me fqinjët.

Mund të riformulohet kështu:

Partia YYY do t’i japë përparësi marrëdhënieve me institucionet ndërkombëtare dhe fuqitë globale, si SHBA.

Pohimi i dytë, edhe pse i kundërt me të parin, nuk është absurd.

Po ashtu:

Partia XXX do të luftojë që grave dhe vajzave t’u njihet e drejta për të vendosur në lidhje me ecurinë e shtatzanisë së tyre.

E kundërta e këtij pohimi do të ishte:

Partia XXX është për mbrojtjen e embrionit dhe kundërshton çdo formë të legalizimit të abortit.

Të dyja pozicionet janë të pranueshme; dhe në të vërtetë ushqejnë konflikte politike në vende të tilla si SHBA ose Italia.

Kur programi i një partie ka inflacion profkash, atëherë lexuesi i vëmendshëm do të nxjerrë përfundimin se kjo parti vërtet synon pushtetin, por ka asgjë për t’i thënë publikut ose zgjedhësve.

Për shembull, pohimi i mëposhtëm, i nxjerrë nga programi real i një partie politike në Shqipëri, tingëllon bukur, edhe pse nuk ndihmon aspak për ta diferencuar këtë parti nga simotrat e veta:

Ne duam një Shqipëri që përballon me dinjitet, e sigurtë dhe me besim sfidat e mijëvjeçarit dhe e ato integrimit.

Mirëpo një Shqipëri që t’i përballojë me dinjitet, e sigurtë dhe me besim sfidat e mijëvjeçarit e duan të gjithë; sepse askush nuk do të ngrihej të thoshte se:

Ne duam që Shqipëria t’u qaset sfidave të mijëvjeçarit pa dinjitet, e pasigurt dhe pa besim në vetvete.

Kjo është një tjetër e keqe e profkës homologuese – ia pret rrugën debatit, ballafaqimit dhe dialogut; meqë profka formulohet në mënyrë të tillë, që kundërshtimi i saj do të tingëllonte vetvetiu armiqësor.

Kësisoj, duke e mbushur programin me profka, partia XXX vetvetiu i damkos si armiq të Shqipërisë, të popullit shqiptar dhe të kombit shqiptar të gjithë kundërshtarët e vet.

Ky infantilizëm politik, ose kjo dëshirë e papërmbajtur për të shprehur në program të vërteta të amshuara e degradon procesin politik, meqë e katandis në një përplasje personalitetesh, që dallohen mes tyre ngaqë njëri e ka emrin Myfit dhe tjetri Haki, njëri Jorgji dhe tjetri Gjovalin; por që përndryshe të gjithë janë për dinjitetin, qytetarin, zhvillimin ekonomik, barazinë gjinore, nxitjen e investimeve…

Pluralizmi politik përfundon kështu i reduktuar në çështje dinamikash të turmës.

6 Komente

  1. Ftohte i hidhur ne shetitjen e pare ne bregun e liqenit te qytetit ku banoj. Vite tashme… kujtoj, shkruhej ne nje tabel aty ne buze te ujit: Kujdes, se uji eshte rrezikshem shume i ftohte!

    Ashtu si linja e mendimit te Xha, edhe une mendova se ish pa vend per nji njeri normal, qe ndjen ftohtin, ta shoh te shkruar per te kuptuar sa i ftohte duhet te jet uji ne nje te ftote qe te ngrin lotin e ftohtit ne faqe. Aq me teper qe nuk kish tabela te tjera per ajrin, kudo qe shkelje, te lajmeronin ate te ftohte, pervec atje per ujin te bregu i liqenit.

    Tjetra; Dite feste, rruget e qytetit pa trafik. Ne nji kryqezim vetem nje makin, ndaluar. Me drite te kuqe semafori, dhe as nji makin ne rrugen qe kryqezon. Une me biciklet ne nje drejtim me te makines, s’ndaloj, vazhdoj. Po ashtu si edhe nji qe nuk eshte ne rrolin e atyre rregullave te partive ne fjale, diskuton ne kete forme si Xha edhe une me biciklet ne rruge.

  2. Fakti që janë aq të zotë në përzgjedhjen e profkave të përsosura tregon 2 gjëra:
    – Që nuk është se nuk e dinë se cila do të ishte e mira
    – Që (duke parë aftësinë e treguar tek e para), NUK DUAN të ekspozohen, për hir të llogarive elektorale, që të gabojnë me ndonjë formulim ndryshe të programeve të tyre.

    Në ’45, një parti 4vjeçare, në një vënd ku 50% e tij as që e dinin se egzistonte, arriti që të përcaktonte e të zbatonte një program politik e ekonomik.
    Nëse “ata” 4 vjeçarët, që as nuk ju afroheshin për nga formimi kulturor dhe bagazhi teorik të cilin gëzojnë politikanët e sotëm, arritën që, edhe në rastin më të keq, të kopjonin eksperiencën ruse apo jugosllave, atëherë ÇFARË ju mungon këtyre të sotëmve që të ndjekin eksperiencat pozitive bashkëkohore?

    18vjet janë mosha kur edhe një kalama hyn në rangun e të mëdhenjve… pas 18 vjetësh, partitë tona vazhdojnë të tregojnë aftësi foshnjarake arsyetimi e veprimi dhe vazhdojnë akoma të fitojnë vota me deklarime prej miss-esh (Dua paqen në gjithë botën!!).

  3. Këto programet politike më sjellin ndër mend një zyshën time të letërsisë, që një e dy e na pyeste: Ç’ka dashur të thotë me këtë autori? dhe ne ia kthenim aty për aty: Vërtet, zyshe, çfarë ka dashur të thotë autori! Eh, kujtime të largme…
    Sa për paqen në botë për gjithë njerëzit vullnetmirë, këtë nuk e kanë kërkuar vetëm miss Universet, por edhe profetët hebrenj të lashtësisë!

  4. Në vendet e tjera ku ka një kulturë pak më të zhvilluar të pjesëmarrjes në politikë, partitë janë disi më të kujdesshme në hartimin e programeve sepse e dinë që kanë një elektorat të vëmendshëm. Normalisht pothuajse asnjëherë më vonë partitë nuk i mbajnë më premtimet e dhëna pak muaj më parë.
    Votuesi shqiptar nuk voton në bazë të programit. Vota jepet në bazë të numrit të mardhënieve që ke me dikë që mund të mari një post (dhe rrjedhimisht të të bëj ndonjë nder) në një parti apo në një tjetër.
    Programet janë thjesht parimore, me figura artistike ku mbizotëron hiperbola 🙂

  5. Analiza thjesht gjuhesore e problemit , ne fakt prek nje ane mjaft te gjere dhe te diskutueshme te lojrave qe luajne(luhen) nga partite politike e qe ne fakt qytetaret shqiptare(une vete jetoj jashte shtetit) i prek ne menyre te atille qe nuk marrin vesh se cbehet dhe cfare fshihet ne te vertete pas shablloneve te parrullave elektorale.
    Ceshtja eshte: a me te vertete i njohin keto hile gjuhesore politikanet tane shqiptare dhe me vetedije veprojne me to?
    Apo mos jane te paditur (sic permendi dikush) dhe ne menyre foshnjarake betohen per rruget “demokratike”?
    Aq naive jane vertet qe te mendojne se mileti vazhdon ti haje keto mbrockulla?
    Une per vete kur ndegjoj te tilla gjithmone mendoj: dridhe Bajame ……

  6. “Vendimet qe prekin ceshtjet me interes te pergjithshem te dala nga asamable njerezish te vecante, por specialiste ne fusha te ndryshme te jetes, nuk jane ndjeshem me superiore se sa vendimet qe mund te pranohen nga nje grumbullim budallenjsh.” – Gustav Le Bon

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: