MË MIRË VONË…

Andi F., profesor i oboes dhe i kornos angleze në Institutin e Lartë të Muzikës, ishte shqetësuar shumë, edhe pse pa arsye, nga vala e spastrimeve pas vetëvrasjes së kryeministrit Mumtaz G.; i dilte gjumi herët në mëngjes, i dukej sikur një pllakë e rëndë hekuri i rëndonte mbi gjoks dhe nuk përqendrohej dot për asgjë, meqë pa pushim ripërtypte në mendje skenarë në të cilët emri i tij përmendej diku, në zyra hetuesie ose bodrume torturash ose gjatë ridëgjimit krahasimtar të ndonjë përgjimi të vjetër.

I kërkoi ndihmë një shoqes të tij mjeke, e cila i këshilloi të bisedonte me psikiatrin e njohur prof. Llazi B. Një i njohur i përbashkët ndërmjetësoi për një takim, prof. Llazi rekomandoi një seancë hipnoze të ndjekur nga katër seanca psikoterapie konvencionale, të gjitha në diskrecion të plotë. Andi ra menjëherë dakord.

Gjatë seancës së hipnozës, e cila nisi normalisht, prof. Llazi i sugjeroi pacientit të vet të përsëriste me zë të lartë pohimin, në thelb të vërtetë, se ai nuk kishte fare të bënte me vetëvrasjen e armikut Mumtaz G.; teksa Andi, i hipnotizuar, thoshte me zë fjalët që ia kishte sugjeruar profesori, ky i fundit u paralizua papritur nga një dhimbje therëse në krahëror. Njoftoi sekretaren në dhomën përbri, e cila i telefonoi Shërbimit Kardiologjik; profesorin, tashmë cianotik në fytyrë, e transportuan me shpejtësi nga Klinika e Psikoterapisë në urgjencën e Spitalit no. 1, ku i diagnostikuan parainfarkt të miokardit dhe i dhanë mjekimin e nevojshëm.

Gjatë gjithë kësaj kohe, Andi kishte qenë duke përsëritur formulën e shfajësimit, i patrazuar. Kaluan orë. Pastruesja e kabinetit të hipnozës në Klinikën e Psikoterapisë u habit kur gjeti një pacient që belbëzonte diçka me vete, gjysmë i shtrirë në kolltukun prej lëkure artificiale. E trembur, e tundi nga supet, në krye lehtë, pastaj gjithnjë e më fort, derisa Andi u zgjua krejtësisht i hutuar, dhe pa e kuptuar mirë çfarë kishte ndodhur me të, doli nga klinika dhe u nis për në shtëpi. Askush nuk e vuri re që seanca e hipnozës ishte ndërprerë në mënyrë të parregullt; meqë të gjithë të interesuarit e kishin mendjen tek infarkti i profesor Llazit, me përjashtim të Andit, që nuk e mbante mend se çfarë kishte ndodhur.

Të nesërmen, Andi hyri si zakonisht në sallën e leksionit në Institutin e Lartë të Muzikës dhe u tha studentëve të pranishëm se ai nuk kishte fare të bënte me vetëvrasjen e armikut Mumtaz G., çka e përsëriti edhe herë të tjera, vend e pa vend, deri në fund të orës. Një student lajmëroi organizatën e Partisë, ndërsa një tjetër organet përkatëse të Sigurimit të Shtetit. Ndërkohë Andi e kishte rimarrë temën edhe në kafenenë aty pranë, për ta vazhduar më pas edhe gjatë provave të orkestrës për premierën e Simfonisë në Re minor, të Caesar Franck-ut. Numri i denoncimeve po rritej në mënyrë eksponenciale, teksa askush në instancat përkatëse nuk po gjente dot ndonjë precedent për këtë muzikant pak tuhaf, që deri atëherë nuk ishte përmendur kurrë, nga askush.

Kur Andi u kthye në mbrëmje në shtëpinë e vet te Shallvaret, ku jetonte me të jëmën plakë, e arrestuan te shkallët e pallatit, edhe pse u sqaroi policëve se ai nuk kishte fare të bënte me vetëvrasjen e armikut Mumtaz G. Të gjithëve në ballkonet u bëri përshtypje, megjithatë, qetësia olimpike me të cilën e kishte pritur arrestimin, qetësi që e tregoi edhe gjatë ditëve të ardhshme në qeli, kur e morën në pyetje një numër hetuesish të lartë, mes të cilëve edhe famëkeqi Nevzi H. Kaluan dy javë të pakuptueshme, por askush nuk po i jepte dot zgjidhje kësaj enigme, prandaj shoku Nevzi urdhëroi që të arrestuarin t’ia kalonin për ekzaminim komisionit psikiatrik.

Komisioni kryesohej nga prof. Llazi, i cili ndërkohë e kishte marrë disi veten nga parainfarkti dhe ishte kthyer në detyrë, megjithë këshillat e kolegëve dhe të vetë pacientëve, për të pushuar edhe pak. Kur i doli përpara pacienti i vet i papërfunduar, prof. Llazi u kujtua për seancën e hipnozës që kishte mbetur përgjysmë, teksa Andi i shpjegonte me durim të admirueshëm se nuk kishte fare të bënte me vetëvrasjen e armikut Mumtaz G. Prof. Llazi ndoqi procedurën standard për ta nxjerrë Andin nga hipnoza, dhe u kërkoi autoriteteve që i sëmuri të lirohej menjëherë nga çdo akuzë dhe diagnozë.

Tre javë kishin kaluar që nga dita e arrestimit të Andit, pa përmendur faktin që premiera e simfonisë në Re minor, të Caesar Franck-ut u anulua, meqë teatri nuk gjeti dot gjëkundi një muzikant zëvendësues për solon me korno angleze në hyrje të kohës së dytë.

 

5 Komente

  1. Në numrin e saj të fundit, gazeta e mirnjohur shqiptare “Rilindja Jonë Shekullore” kishte një artikull special ku flitej për rolin e intelektualëve disidentë gjatë periudhës së pushtimit komunist.
    Një ndër figurat më të shquara, i famshëm edhe për vuajtjet e tij gjatë regjimit (ka fakte; ka një raport mjeksor që tregon që ka patur një infrakt në atë periudhë) ishte dhe psikologu, doktori i shkencave dhe nënzëvëndësi i Hakademisë, Profesor Llazi.
    Ky person i nderuar, tregon se si vuri në rrezik jetën e tij për të shpëtuar nga burgu i sigurtë një njeri të lirë (që me thënë të drejtën, nuk do të dallonte se do të ishte më mirë në burg apo në jetën e tij me të vetmit të njohur: flautin dhe nënën plakë).
    Prof Llazi, me fjalë të thjeshta (si programet e partive) spjegoi se si kishte arritur që t’ju provonte hetuesave, se flautisti ishte nën hipnozë dhe nuk dinte se ç’fliste… sepse në të vërtetë ai as që e kishte patur më parë nën kurë profesorin e muzikës.

    P.s: Nga ana tjetër, revista “Panorama demokratike 55-99” kishte arritur që të gjente profesorin e vjetër të muzikës, i cili me kënaqësi i kishte dhënë një intervistë… në të cilën fjalia më e përsëritur ishte: Unë s’kam qënë ndonjëherë në Ngërbec

  2. Gjynah qe per premieren e simfonise ne Re minor te Caeser Franck nuk u aplikua koncepti me mire vone… Keshtu eshte kur te merr politika mendte e kokes, dhe harrohet qe nuk eshte kurre teper vone per art.

  3. Edrus, ta paska ngjit influencen Maksi:)! Nejse, me mire vone…:)

    1. Na kanë fikur financuesit e huaj që i jepnin paret atyre të Obbobonews-it… është gjynah që një dorë e mirë gazetarësh që shkruanin për atë gazetë, ta kenë lënë pas dore.
      Një fond tjetër bamirësie, duke ndjerë keqardhje për ngeljen shkretë të asaj faqe si dhe për nevojën, tashmë të kthyer në domosdoshmëri të popullit për informacionin e detajuar që ofronte ajo faqe, ka vendosur që të financiojë atë projekt me 3milion e shtatëqindepezjetekatërmijëetreqindedyzetedy euro… por ndërkohë gazetarët e asaj redaksie e kanë refuzuar… sepse nuk ishte një numër i plotpjestueshëm me 113 (që ishin dhe të gjithë shkronjësit e asaj faqeje)… prandaj, kanë vendosur që ta bëjnë vetëm vullnetarisht tashmë atë punë.
      Shkurt muhabeti, kërkohen bashkpuntorë të paangazhuar politikisht dhe ekonomikisht me mediat zyrtare pranë OKB, OJQ, Partive dhe shkollave të mesme e të larta…

      P.s: Maksi është propozuar me shumicë votash (të fshehta) që t’i bëhet një kërkesë e veçantë për të marrë pjesë në stafin drejtues… me të vetmin kusht, që t’i marrë ai të gjitha ato paratë që të tjerët refuzuan. Shpresojmë që të mos i duken pak, por në këto kohë krizash, duhet pak modesti edhe prej penave të mëdha 😛

  4. Historia e mësuesit Sergeji Kapitoniç Ahinjevit treguar në “Përgojimi” prej Anton Çehovit shkon kështu:
    Ahinjevi, që martonte të bijën, shkon në guzhinë dhe i kërkon Marfë guzhinieres ti tregonte blinin e gatuar; aq erëmirë e bukurdukur sa Ahinjevi nuk mund të mos puthte … ajrin për tu shprehur. Nga dhomën tjetër vjen Vankini, që do të dijë me kë e këmben këtë puthje pasionante Marfa e vogël.
    Ahinjevi thotë që s’po puthen, Vankini ja kthen këtë tregojua marinarëve. Kur kthehen mes miqve, Ahinjevi sheh Vankinin që çoç i pëshpëriste kunatës së inspektorit. “Po flasin për mua!” – mendon ai dhe fillon t’u tregojë me radhë të ftuarve se si ai ishte në guzhinë, se si përplasi buzët nga kënaqsia dhe se si Vankini kujtoi se ata po putheshin.
    Mbas një jave, drejtori i kërkon Ahinjevit të bëjë si ja ka qefi por mos i nxjerrë në publik, e shoqja i hakërrehet “I di të gjitha Mohamedan!” e i heq një dackë; Vankini bën be e rrufe që ai s’ka përgojuar.
    Por, kush, atëhere kush? – pyet Ahinjevi.
    Atëhere kush? Mjeshtër Çehovi pyet lexuesin.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin