GJAHTARË VIRGJINESHASH

Herë pas here, me një denduri që ndoshta mund edhe të formulohet matematikisht, në shtypin global qarkullon një artikull i ri për virgjineshat shqiptare.

Këtë herë e kishte radhën një njoftim i agjencisë AFP, me titull “Zakoni i vjetër shqiptar i virgjineshave po jep shpirt”, por që me sa duket është nga marrë nga një version frëngjisht, me autor Pierre Glachand (që mund të lexohet këtu).

Më parë për këtë temë kanë shkruar The New York Times (me gjithë një slide show), MSNBC, The Washington Post, BBC, Timesonline… dhe gazetarët janë dyndur në zonat e Shqipërisë ku jetojnë ende këto specie të rralla, për fat të keq në shuarje e sipër.

Këta artikuj rregullisht vënë në dukje, njëlloj si ky i tanishmi i AFP-së, se zakoni i lashtë shqiptar i virgjineshave është “duke dhënë shpirt” (anglisht: “dying out”).

Në të vërtetë, gjasat janë që në Shqipëri sot të mos kenë mbetur më shumë se 10 virgjinesha; edhe pse nuk dihet të ketë ndonjë plan të UNESCO-s ose të WWF, për ta shpëtuar kategorinë nga zhdukja përgjithmonë. Megjithatë, gjëra më të çuditshme kanë ndodhur.

185973340901lzzzzzzzPër virgjineshat janë bërë edhe filma dokumentarë, studime sociologjike, madje edhe një monografi të Antonia Young, me titull “Women Who Become Men: Albanian Sworn Virgins”. Nuk besoj të ketë aspekt të jetës shqiptare moderne që të jetë studiuar më shumë se ky.

Për ç’arsye? Dukuria natyrisht u intereson studiuesve të roleve gjinore në familje dhe në komunitet, sidomos në komunitetet patriarkale; por ngazëllimi i gazetarëve anembanë botës është vështirë të shpjegohet me argumente të natyrës sociologjike.

Ndoshta tema të tilla i jepen lexuesit si një lloj pornografie sociologjike, të barasvlershme me ato femrat lakuriqe të Guinesë së Re, që na eksitonin ndonjëherë kur i shihnim në emisionin “Vende dhe Popuj”?

Apo është fjala vetëm për ekzoticizëm, ose mahnitje të mediave globale dhe të publikut perëndimor me këto virgjinesha, të cilat janë njëlloj të baraslarguara nga femra objekt seksual e kulturës perëndimore mainstream, dhe nga femra homoseksuale (lesbike)?

Nga pikëpamja njerëzore, historitë e këtyre grave janë gjithnjë të dhimbshme, lexohen si drama edhe kur nuk shijohen dot si rrëfime të kamotshme; dhe të sjellin realitetin e ashpër të një Shqipërie e cila edhe si kujtim sot mbijeton vetëm në pak skuta, zakonisht të zhytura në skamje dhe mjerim.

Një kërkim i thjeshtë për frazën e saktë “Albanian Sworn Virgins” në Google jep 2740 hite (“sworn virgins” jep 48 800 hite); nga të cilat më të shumtat i referohen librit të Antonia Young, por ka edhe plot të tjera që lidhen me artikuj të gazetave ose me blogje, kryesisht feministe, më rrallë antropologjike.

Për krahasim, “Albanian NATO Membership” jep 1360 hite, “Albanian Communist Regime” 428 hite, “Albanian Totalitarianism” 9 hite.

Duket sikur ky obsesion i mediave globale me virgjineshat e Shqipërisë së Veriut veç ndihmon për të përforcuar një stereotip të shqiptarëve si popull “joperëndimor”, ekzotik, i përtejmë, i përshtatshëm për t’u studiuar jo për t’u pranuar; diçka si rezervat i studimeve gjinore.

Nga ana tjetër, nuk është se nuk ka mbetur shpresë fare: po ajo faqe e Google që përmban njoftimin e AFP-së, sjell në vazhdim reklama sajtesh të tipit: “Meet Albanian Women”, “Meet Muslim Ladies” dhe më në fund, “How to Fix Your Marriage”… për të gjithë ata meshkuj (dhe femra) perëndimorë, që mund të jenë angazhuar ndërkohë erotikisht, me konceptin e virgjineshave të përbetuara.

 

13 Komente

  1. Ne kesi rastesh duhet qe kerkimi mos lihet i thjeshte, nenkutpoj vetem google, kerkimin e saj te avancuar.
    1. Do duhej qe te shihen dhe te dhenat e kerkimeve te yahoo-se, live-search, etj, per te nxjerre nje shifer te perafert. Kerkuesit kane gabime ne perseritjen e se njejtes faqe.
    2. Them se duhet te marrim numrin me te vogel, apo nje numur nen mesataren. Te cilit, (ndaj dhe kemi piken 2.,) duhet ti heqim te njejten gje te perseritur X here. Keshtu ne kete rast rreth 240 hite i perkasin librit sepse kane shtesen (body,…, culture,), dhe jo virgjneshave direkt.
    Supozoj se jane 240 librari qe e shesin librin (e pavertete kjo). Nuk mund te themi qe 240 librare merren me virgjereshat, por nje aksh autore, nje liber qe shitet gjithandej.
    Krahasimi me “Albanian NATO Membership” do te ishte i sakte nese ky (membersheep-i- pra) do te ishte liber.

    Me shpresen se jam kuptuar dhe se do ta kini parasysh ne shkrime te tjera.

    1. Ke të drejtë, CD. Krahasimi im statistikor çalon, meqë libri i Young është i mbipërfaqësuar në hitet. Por nuk është e lehtë ta shmangësh librin e Young nga statistikat; së pari, sepse vetë libri tregon se bota akademike i kushton vëmendje dukurisë; së dyti, dhe sidomos, shumë artikuj të shtypit të përditshëm për virgjineshat shqiptare i referohen vetë librit gjerë e gjatë.
      Nga ana tjetër, kam frikë se vërejtja jote nuk i ndryshon asgjë argumentit; dhe kur them asgjë, kam vërtet parasysh asgjë. Vëmendja e mediave globale ndaj virgjineshave mbetet e shpërpjesëtuar, në raport me përhapjen e dukurisë në Shqipëri, edhe pasi ta korrigjosh metodën e krahasimit të hiteve.
      Komente të tilla, që kapen pas çikërrimash, më duken të kota. Humbje kohe për ty, CD; për mua, dhe për të tjerët që i lexojnë. Ju lutem komentuesve të tjerë të mos u kushtojnë vëmendje, ose t’i konsiderojnë si shembuj komentesh për t’u shmangur.

  2. CD,

    se kuptoj (dhe per zot skam nerv te bej ate qe sugjeron, por po e marr si te qene qe ti e ke vene ne prove) se si mund te lexohej ndryshe ky fenomen nese do te caktesoheshin shifrat e kerkimit. Del i ekzagjeruar vete pershkrimi apo thjeshte eshte detaj qe ka te bej me metodologjine e e shifrave dhe krahasimeve ne vetvete dhe ka pak ndikim per shkrimin. Pyes se u bera kurioz e te me fal xhaxhai qe po terheq vemendjen ne byth te gjylperes.

  3. Nuk do cuditesha sikur ne nje te ardhme artikuj te ngjashem te qarkullojne per artin e humbur te gjakmarrjes, ku intervistohen ato pak familje qe ende mbajne gjalle traditen…ndoshta duke hyre ne gjak qellimisht per hir te vlerave antropologjike e turistike.

    Tani vec ka mbetur qe UNESCO ti deklaroje keto tradita vertete unike si trashegimi boterore dhe te vere ne zbatim politika per ti prezervuar dhe ti kremtoj me nganje muze perkates.

  4. Virgjëreshat apo burrneshat?

    Është interesant interesimi, pothuajse me kuriozitet prej vizitorësh të kopshtit zoologjik, që të huajtë i bëjnë këtij fenomeni tonit.
    Virgjëreshat shqiptare nuk kanë asgjë të përbashkët me lëneshat (dmth që vendosin të ngelen të tilla sepse të tjerë kanë vendosur që të mos merren me to) dhe as me suorat (sorellat e grupimeve të ndryshme fetare) që virgjërinë e tyre ja falin Zotit, por ato Virgjërinë ja kushtojnë Familjes e Tokës në kushte të veçanta kur faktori Burrë nuk mund të jetë ai që mund t’i kushtohej.

  5. “Albanian Totalitarianism” (burdello ne perftyrimin (perndimor) kapitalist)

    “American Totalitarianism” ose cdo vend perndimor (virgjeresha ne perftyrimin (lindor) komunist.

    Fakti qe lindja (njerzit, por, jo vetem) terhiqet nga poli i perndimit, tregon se virgjeria ne perftyrim te tyre eshte atje. Nga ana tjeter, si duket perndimi e di c’gjendet ne burdello, se e vetkrijuan, prandaj edhe nuk shperngulet ne drejtim te saj (lindjes)

    Sa per titullin “GJAHTARË VIRGJINESHASH”, me beri te mendoja per nje teme qe do te fliste politikisht, ndofta, se lexova me shume ne temen tjeter ‘monologu’ per politike. Per inerci, do i shkonte shume disa raste se si kerkohet virgjeri tek politikani, pothuajse jo si ajo e Pangos.

    p.s.”Ndonjëherë, kur shoh fëmijët e mi, i them vetes: Lillian, duhej të kishe ndenjur e virgjër. (Lillian Carter).”

  6. Në të vërtetë, gjasat janë që në Shqipëri sot të mos kenë mbetur më shumë se 10 virgjinesha.

    Une kepus koken nqs edhe keto te dhjeta te kene mbetur te virgjera!

  7. Zakoni i virgjëneshave, si edhe ai i couvade-s, ose mërkoshit te shqiptarët është një mbeturinë e rendit matriarkal. Edhe në shek. XIX dëshmohet për këto zakone në krahinën e Shpatit në Elbasan (në fjalorin e K. Kristoforidhit, nën zërin ‘mërkosh’). Zakoni i mërkoshit është kur lehona pret në derë mysafirët që vijnë të urojnë për lindjen e foshnjës, ndërkohë që burri i lehonës – “Mërkoshi” – rri me foshnjën në shtrat, duke luajtur rolin e gruas…. Ndoshta mërkosh lidhet etimologjikisht me fjalën “m’rka” – që në bullgarisht i thonë dashit!

  8. “Duket sikur ky obsesion i mediave globale me virgjineshat e Shqipërisë së Veriut veç ndihmon për të përforcuar një stereotip të shqiptarëve si popull “joperëndimor”, ekzotik, i përtejmë, i përshtatshëm për t’u studiuar jo për t’u pranuar; diçka si rezervat i studimeve gjinore”

    Le ta shikojmë problemin pozitivisht. Mua për shembull kjo më shumë se antireklamë më duket si reklamë. Le të supozojmë se agjensia turistike X intrigohet nga ky lajm dhe organizon një grup turistik për të parë në vend virgjëreshat. Turistët ndërmarrin udhëtimin nëpërmjet liqenit të Fierzës, pastaj në grykën e Valbonës, Shpellën e Dragobisë, Rragamin e Shalës, Çeremin, Bjeshkën e Dobërdolit, etj., për të përfunduar në Lekbibaj ku edhe ndodhen virgjëreshat. Gjysëm ore me makinë zgjat udhëtimi për në Gjakovë dhe po kaq në Grykën e Rrugovës. Gjithshka fantastike. Peizazhit të pafjalë do ti shtoja dhe mikpritjen e banorëve që ndoshta stonojnë në Tiranë, por aty fit-in për bukuri. A nuk është ky një argument i mjaftushëm për të gjeneruar turizëm ? Një tur në vendin e kreshnikëve dhe të virgjëreshave,. Atje gjithshka është e virgjër.

    Edhe po ti shkojë ndonjërit mendja tek preshi teksa lexon fantazimet e mia, nuk ma ndjen fare. Ne gjirokastritët kështu jemi…edhe nga “pleshti” e nxjerrim dhjamin.

  9. Shpenzova 5 minuta kohë për kërkimin e nja 15 për shkrimin e parë. Nuk ishin të dhënat e googles, por titulli me gjahtarë dhe fjalia e parë “…me një denduri që ndoshta mund edhe të formulohet matematikisht,” që më bënë reaksionar. Si të thuash ishte ftesa juaj.
    As nuk desha të cënoja argumentin. Doja ti kishe dhënë përmasën reale. Ujku, nëse mund të shprehemi kështu, ndodhet në emrat e shtypit botëror që keni renditur, jo tek gjurmët e googles. Kështu, New York Times, përveç që lexohet nga milion lexues në letër, lexohet në internet mesatarisht nga 6,800 për 1 milion përdorues unikë, lexohet në sesione 20 minutshe 28,000 herë për milion përdorues interneti; përveç, nytimes shkon tek 5,47 milion lidhje faqesh të tjera.
    Për këtë po harxhoj një orë, e s’po di si ta mbyll…

  10. Shen Maria ka qene nje prej “sworn virgins”. A thua te kete qene dhe ajo nga Shkodra? Sipas teorise se mesiperme duket si nje shenje kozmike qe na ben te besojme qe rrethi njerzor duhet medoemos te filloje dhe te mbaroje ne Shkoder.
    Kam pershtypjen qe nese shkrimi i mesiperm lexohet nga nacionalistet do te na duhet te lexojme shkrime pa fund per preardhjen tone te pergjithsuar, me hamendje, “aristokrate”.

  11. unë kam rastisur një herë në tv arte në një dokumetar të titulluar mes të tjerash “ti do të jesh burrë, bija ime”. ( http://www.imdb.com/title/tt0965233/ )

    dokumentari më la një shije të çuditshme; imazhet, episodet e jetës, ishin marrë të tilla sa të bënin të mendoje se ajo është Shqipëria dhe s’ka tjetër përveç qengjit që blegëron, Dranes që rron si burrë dhe skodës së saj.

    interesant për antropo/sociologët.

  12. Mirazhe

    Verjetja e CD-se nuk eshte dhe aq cikerrime sa duket sepse e shtyn debatin ne metoden e perdorur per te arritur nje rezultat te dhene, debat ky gjithnje i vyer. Kjo nuk do te thote se shkrimi i Xhaxhait s’ka vlere, personalisht e gjej mjaft te mire, por i pare nga nje kendveshtrim ndryshe nga c’do ta kisha pare une.
    Le te marrim fjalet celes te perdorura nga Xhaxhai: “Albanian Sworn Virgins”, “Albanian NATO Membership”, “Albanian Communist Regime”, etj. Me duket tashme e provuar e sterprovuar qe fjala “Virgin” terheq shume me teper vemendjen njerezore se sa fjala “NATO”, “Albanian”,”Memebership”,”Communist”, etj. Madje per tre te parat dhe u mundova te kerkoj dhe ja se c’gjeta:
    Virgin 109’000’000
    NATO 66’700’000
    Albanian 38’000’000
    Me kete dua te them qe ne temen “Albanian Sworn Virgins”, perzihet kureshtja seksuale ,gjithnje e ndezur per gjerat seksualisht te riprodhueshme, me ate intelektuale ,gjitnje e me pak e ndetur nga speciet sapiens, e per me teper kurioziteti shperthen ne koktejlin Molotov “Albanian Virgins”. A e mendoni se sa miliona duhet te jene qe s’kane pare e degjuar as Albanian e as Virgins ne kohen tone? Kete e mbeshtet dhe fakti pikant qe prane artikullit ne fjale gjendeshin togfjaleshat “meet albanian woman”, etj. Me duket pra me se e zakonshme qe gazetat te bashkojne fjale qe ndezin kureshtjen seksuale, sepse vetem ajo terheq nje morri te madhe njerezish per te hapur gazeten.
    A shperfytyron kjo imazhin e shqiptarit e Shqiperise dhe a eshte kjo ne te miren tone? Sigurisht qe e shperfytyron por kjo eshte e pashmangshme, plot imazhe, per Shqiperine ose jo, te filtruara nga shtypi e mediat sot jane aspak ato qe jane ne te vertete. Kohe mirazhesh. Me pelqen me mire kur dicka thuhet per Shqiperine se sa kur lihet ne heshtje.
    Sa per kureshtjen e etnologeve, kjo eshte nje teme shume e gjate. Njoh disa persona qe ishin nen rete e kanabisit kur u regjistruan ne degen Etnolgji e teper te zhgenjyer se s’kishte mbetur me se te c’te studiohej nga ky globalizim i mallkuar, kercejne te uritur mbi ndonje zakon te vjeter akoma pa dhene shpirt. Ngazellimi i tyre shkencor kur vulgarizohet te jepte kete eferveshence hitesh ne Google?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin