Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Nostalgji

NË EMËR TË POPULLIT

 

Armikut Bexhet V., këtij trockisti të tërbuar që kishte kërkuar t’i bënte varrin Partisë dhe t’ua shiste Shqipërinë hijenave imperialisto-revizioniste, gjyqi u vendos t’i bëhej i hapur, në kinema “Beteja”; madje edhe të transmetohej në radio dhe në televizion, që masat punonjëse anembanë vendit të mund të merrnin pjesë në dhënien e drejtësisë popullore.

Gjyqin e kishte përgatitur mjeshtërisht, duke manifestuar talent të vërtetë skenik, një komision i kryesuar nga Kryetari i Gjykatës Supreme, Demir H.; nën drejtimin e të cilit ishin kryer edhe një numër provash me efektivë të repartit ushtarak 404/F, në një hangar të zbrazët tankesh në Priskë të Madhe. Pas muajsh hetuesie intensive, tradhtari Bexhet V. kishte rënë tashmë dakord, në këmbim të premtimit se nuk do t’ia preknin familjen, që t’i pranonte të gjitha akuzat; dëshmitarët e përzgjedhur gjendeshin në formë të mirë fizike dhe shpirtërore; mikrofonët punonin.

E vetmja gjë që nuk u parashikua dot, ishte vdekja për shkaqe natyrore e të akuzuarit kryesor Bexhet V., vetëm dy ditë para fillimit të gjyqit, kur jo vetëm gjithçka ishte orkestruar në perfeksion nga Demir H., por edhe populli dhe ambasadat e huaja ishin lajmëruar për këtë ngjarje me rëndësi jo vetëm për vendin, por edhe mbarë proletariatin botëror. Arrestimi për inkompetencë flagrante i mjekut të burgut, Afrim S., i urdhëruar nga një instancë e ulët, nuk ndihmonte aspak për të zgjidhur problemin; në një kohë që thuhej se Diktatori, kur kishte marrë vesh për vdekjen e Bexhet V., kishte deklaruar se ky armik i betuar i popullit dhe i kauzës kishte arritur ta godiste Partinë deri edhe nëpërmjet gjestit të tij final, sado të natyrshëm.

Kryetari i Gjykatës Supreme Demir H. dha urdhër t’i sillnin në zyrë njëfarë Dhimitër B., rrobaqepës ushtarak, i cili kishte shërbyer për vite me radhë si sozi e armikut Bexhet V., kur ky i fundit kryente detyra të larta në Parti dhe në Shtet. I kërkoi që, për të ndihmuar kauzën, të zinte vendin e Bexhet V. në bankën e të akuzuarve, në mënyrë që gjyqi të mund të zhvillohej normalisht. Dhimitri, i cili ishte mësuar me aventura të tilla, pranoi; dhe udhëheqja e Partisë lëshoi një psherëtimë lehtësimi.

Gjyqi kundër Bexhet V. filloi sipas programit, dhe vazhdoi në pajtim me skenarin e kolauduar me përpikmëri nga Demir H. dhe ndihmësit e tij; prokurorët vollën zjarr kundër Bexhet V. dhe klikës së tij, dëshmitarët treguan të vërtetën, dhe Bexhet V. raportoi madje edhe më hollësishëm e rrjedhshëm se ç’pritej. Si përfundim, të akuzuarit akuzuan, gjykatësit gjykuan, dhe të dënuarit u dënuan; por çka ishte edhe më e rëndësishme, drejtësia popullore tha fjalën e vet, dhe Partia doli nga ky gjyq më i fortë se kurrë, ndërsa armiqtë e shumtë u shpartalluan.

Siç pritej, Bexhet V. mori dënimin kapital, me pushkatim; të ekzekutueshëm menjëherë. Të gjithëve u bëri përshtypje qetësia psikopatike me të cilën e priti ai vendimin, vështrimi indiferent pothuajse i fjetur, duart që nuk i dridheshin, flokët që nuk po i thinjeshin.

E morën dhe e çuan, me makinë të mbyllur, në repartin 404/F, ku do të zbatohej vendimi; e shoqëruan në qelinë që ishte përgatitur posaçërisht për këtë qëllim. Sozia i Bexhet V. qeshi, dhe kërkoi të takohej me Demir H.; oficerët e Sigurimit që e shoqëronin qeshën edhe ata, dhe e pyetën me shpoti nëse nuk i kishin mjaftuar katër ditët e procesit gjyqësor, për t’u çmallur me Kryetarin e Gjykatës Supreme. Sozia i Bexhet V. u tha oficerëve se ndoshta ata nuk ishin njoftuar për zëvendësimin që ishte kryer; dhe se ai ishte në fakt Dhimitër B., rrobaqepës ushtarak, i martuar me dy fëmijë, banues në lagjen Sheshbesh të qytetit N.; u shpjegoi detyrën e tij të posaçme, duke shtuar edhe se Bexhet V., i vërteti, kishte vdekur dy ditë para gjyqit.

Oficerët mbyllën derën e qelisë dhe u larguan, pastaj erdhën oficerë të tjerë, për ta çuar në vendin e pushkatimit. Meqenëse i dënuari po bënte rezistencë të madhe, duke u orvatur të fliste përçart dhe të hiqej sikur e kishte humbur arsyen, përgjegjësi i togës së pushkatimit u detyrua t’i vinte prangat dhe të ushtronte mbi të forcë fizike. Përndryshe, armiku Bexhet V., i dënuar me vdekje nga Gjykata Supreme, me kryetar Demir H., u pushkatua me sukses të plotë në orën 3:05 të mëngjesit, dhe kufoma iu varros në breg të lumit Fani i Vogël, në pajtim me rregulloren e trajtimit të trupave të personave të pushkatuar për krime të natyrës politike.

 

4 Komente

  1. “Dhimitri, i cili ishte mësuar me aventura të tilla, pranoi; dhe udhëheqja e Partisë lëshoi një psherëtimë lehtësimi.”

    Mendoj se ketu te “ka rreshkitur kujdesi” i dashur Gjeraz, sepse afermendsh, ne nje atmosfere te mbushur me kaq shabllone frike e absurditeti kafkian, nuk justifikohet dhe aq psheretima e lehtesimit nga Partia.

  2. “…kamunist, ai nuk osht, por, kur futesh aty mrenë (burg), bohesh mo kamunist se kamunistat..!”, batutë (pak a shumë e saktë) nga komedia “Prefekti”.
    Prandaj, lypsej ekzekutimi i të shkretit Dhimitër, paraqiste një rrezik edhe më te madh për Partinë dhe …..popullin!
    Penë e artë, Gjerazi!!

  3. Prandaj na dalin te gjithe demokrate keto kohe, se “s’hyne brenda si ai…noname”

  4. Bukur Gjerazi, megjithëse ne pamje të parë shkrimi të kujton antikat që shiten me bollëk në kalldrëmët e Kalasë së Krujës, në fakt aktualiteti qëndron i fshehur mes rreshtave.

    Duke lexuar për Kryetarin e Gjykatës Supreme Demir H., e imagjinoj ne ditët e sotme…..Ulur në skrivaninë plot me takëme në katin e tretë të vilës me pamje nga deti duke hedhur në letër kujtimet. Kuptohet që kontributet për ndërtimin e demokracisë zënë vendin kryesor….

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin