KULLA E ZEFIT

 

Kur ra tërmeti i vitit 1975 në katundin L., një copë shkëmb i madh sa një kamion u shkëput nga faqja e rrëpirët e malit të Rupit, për t’u rrokullisur teposhtë e për t’u përplasur me kullën e Zef Ndue T., ku edhe e ndali marshimin e vet të çmendur pasi e kishte çarë murin dhe ishte futur përgjysmë në kullë, duke e shkatërruar krejt.

Për fat, i zoti i shtëpisë me të shoqen, Prendën dhe tri çikat kishin qëlluar në mal për shkarpa; kur e ndien që u tund dheu, e lanë punën për t’u kthyer turravrap në shtëpi, ku e gjetën në krye të oxhakut mysafirin madhështor prej guri, që ua kishte rrënuar strehën por kursyer jetën.

Me ndihmat që u dha shteti, Zef Ndue T. vendosi ta ngrejë kullën e re mbi themelet e së vjetrës që ia kishte shkatërruar mali, pa e prekur fare shkëmbin që tani ishte bërë pjesë e shtëpisë, përbindësh ngushëllues dhe përtac, shtrirë tejpërtej midis dhomave dhe kateve. Më kot u munduan autoritetet lokale t’ia shpjegojnë se ashtu nuk do t’i mbetej shumë vend për vete dhe familjen; dhe se po i shpërdorokësh paratë e shtetit për t’i ngritur shtëpi gurit, jo vetes; Zef Ndue T. tha se nuk i bënte zemra të largohej nga trualli ku i kishin rrojtur të parët brez pas brezi; edhe pse ndër malësorë u përhap fjala se, duke e rrethuar me mure shkëmbin që ia kishte rrënuar kullën, Zef Ndue T. po ia ngrinte tempullin Hyut të bjeshkës, që ia kishte falur jetën këtë herë atij dhe familjes së vet.

Dimrin tjetër, Prenda e lindi një djalë, që ia vunë emrin Shkamb, për nder të bujtarit të përjetshëm në kullë. Me kohë, Zefi i martoi të tri çikat, dhe e kaloi pleqërinë me Shkambin, duke pritur e përcjellë miq në dhomën e burrave, ku gurit ia kishin latuar shpinën e kërrusur, për të vendosur aty një televizor të markës Grundig. Plaku vdiq në 1992, dhe i biri, që në atë kohë ishte martuar edhe ai, zbriti dhe u vendos në Bathore të Tiranës bashkë me t’ëmën, të shoqen dhe një vajzë që i kishte lindur, Eltonën.

Kulla ka mbetur në këmbë sot e kësaj dite, e mbështetur në krahët e fortë të gurit; vizitorëve të paktë të atyre trevave ua tregojnë si kuriozitet lokal, ose arsyen e vetme që e ka vendosur katundin L. në hartat turistike. 

 

 

2 Komente

  1. Ma merr mendja, që i biri i Zef Ndue T., me t’zbrit n’Bathore, u kujdes që, shpin e re ta ngrinte mu në mes të fushës, tuj xanun nji “copë vend”, njashtu, si i erdhi. Nuk donte ma që nana Prendë, gruja dhe cullt e vet, tu rrezikojshin prap, nga ndonji racë tjetër shkambi… Dhe e ka ngritë kullën qe tri kate, ma të naltë se c’e kishte në fshatin L., në rranxë të malit të Rupit. Kulla, tash pikë turistike në katund, e ndihte vit e për vit, shtëpinë në Bathore… që pret me padurim legalizimin. 🙁

  2. Zakonisht e reja ngrihet mbi modelin e te vjetres ne Europe,prandaj nuk ka ndonje dallim te theksuar prej saj.Ndersa kur e reja ngrihet prej fillimit,ai vend quhet Amerike.E reja amerikane heq prej te vjetres token,gurin dhe shtepine.E reja Europiane mban origjinen,markez ose jo,pastaj hedh veshtrimin mbi te tjere faktore tercare dhe me ne fund edhe mund te shikoje “punen”.E reja e fundit “sistem” ne Europe u eksportua.Europa nuk ishte dhe eshte ne gjendje te arrije te kryeje ndyshime dinamike fondamentale.Rimorkio.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: