RREGULLSI NGA KAOSI

Kur dëgjoj të flitet për lexim ose deshifrim mbishkrimesh të tilla si ato të Vincës ose të Mesaplikut, ose të tjera petroglife dhe vizatime simbolike gjithnjë më shkon mendja te lajmet e herëpashershme për imazhe me natyrë hyjnore, zakonisht të Krishtit ose të Shën Mërisë, që shfaqen në objekte nga më të ndryshmit – trungje pemësh, fotografi, kallëpe sapuni, deri edhe pizza dhe hamburgers.

Kjo prirje për të zbuluar rregullsi në kaos, ose më mirë për t’ia imponuar një farë rregullsie kaosit ose zhurmës është quajtur pareidolia; shembuj pareidolish janë, ndër të tjera, konstelacionet, lepuri në Hënë, ose tani vonë fytyra në Mars; e më në fund, format e reve. Disa nga pareidolitë fotografike më të famshme do t’i gjeni në këtë faqe të Forgetomori; por dukuria ndeshet edhe në fusha të tjera, p.sh. në studimin e EVP (Electronic Voice Phenomenon), ose të zhurmës statike në shirita magnetofoni të regjistruar në zbrazëti, për të gjetur atje mesazhe prej të vdekurish ose demonësh.

Pareidolitë gjithnjë ushqehen nga dëshira e zjarrtë për interpretim. Arkeologu që gjen një pllakëz balte të mbuluar me gjithfarë shenjash të panjohura do të supozojë se këto shenja i përkasin një shkrimi të lashtë; edhe pse ato mund të jenë zbukurime ose simbole parashkrimore.

Në librin e vet Vizitorë nga kozmosi, autori Erich von Däniken flet, ndër të tjera për ishullin Elephantine afër Ashuanit (Egjipt); i cili quhet ashtu sepse i ngjan një elefanti, edhe pse për ta dalluar këtë ngjashmëri, dikush duhej ta kishte parë qiellin nga lart – ergo, egjiptianët e lashtë fluturonin. Në të vërtetë, ishulli e ka marrë emrin nga greqishtja elephantinos “fildish”,  meqë dikur shërbente si pikë e tregtisë së fildishit me Afrikën.

Dikur nga fundi i viteve 1980, një historiane e apasionuar pas arkeologjisë pati ardhur në Institut të Historisë, për të mbrojtur me të madhe tezën e saj për origjinën e emrit Epidamnus; sipas saj, ky emër zbërthehej mbi + damnus (dem), meqë në hartë zona e gjirit të Durrësit, së bashku me Bishtin e Pallës, i ngjante kokës në profil të një demi, me Durrësin si pjesa e gojës, dhe kepin si njëri nga brirët.

Meqë flasim për harta, lexoj sot se arkeologët po priren të besojnë se harta e Çatalhöyük-ut, në Anadoll, artifakt i konsideruar si harta më e vjetër e të gjitha kohërave, është në të vërtetë diçka tjetër.

Pareidolitë mund të shërbejnë si pikënisje për diskutime filozofike në lidhje me natyrën e njohjes empirike; meqë gjithnjë mund të pyesim se ç’rol luan subjektiviteti ynë, ose kufizimet shqisore, në interpretimin që u bëjmë të dhënave të realitetit. Nga ana tjetër, siç e konfirmon suksesi i të ashtuquajturit test të Rorschach-ut si vegël diagnostikuese në psikiatri, prirja jonë për të diktuar rregullsi në kaos mund të përdoret si dritare, për të hedhur një sy në mekanizmat e brendshme të psike-s. Nuk është rastësi, për shembull, që imazhet e Krishtit ose të Shën Mërisë në lëvoret e pemëve ose në suvanë e mureve u shfaqen më shpesh besimtarëve katolikë, sesa, bie fjala, ateistëve ose zoroastrianëve.

Në këtë blog kemi debatuar shpesh për interpretimin e emrave të përveçëm të lashtësisë (emrat e maleve, të njerëzve, të perëndive, të qyteteve, të fiseve, të lumenjve) me anë të… shqipes. Të tjerë autorë kanë bërë përpjekje të interpretojnë me anë të shqipes mbishkrimet etruske, linearin A të Kretës, shkrimet e maya-ve dhe hieroglifet egjiptiane. Për mua, dukuria shembëllzon atë formë të pareidolisë që e kanë quajtur apophenia, dhe përkufizuar si “dallim të pamotivuar të lidhjeve”.

Edhe etimologjitë popullore të fjalëve vlejnë si shembuj të apophenia-s, dhe duhet pasur parasysh se mania për të shkuar përtej arbitraritetit të shenjës gjuhësore ka moshë të madhe. Izidori i Seviljes, një dijetar i krishterë që ka jetuar midis shek. të gjashtë dhe të shtatë të erës sonë, na ka lënë etimologji të latinishtes me të cilat janë zbavitur pastaj breza të tërë studentësh dhe filologësh: corpus (trupi) vjen nga corruptus perit, meqë trupi ynë përfundon i korruptuar; homo (njeri), vjen humus, ose balta prej së cilës ka lindur; iumenta (pela), vjen nga iuvat (ndihmon), sepse kuajt u ndihmojnë njerëzve; agnus është emri i qingjit, sepse ky është në gjendje ta njohë (agnoscit) nënën e vet… (shembujt i kam nxjerrë nga U. Eco, The Search for the Perfect Language, Blackwell Publishers, 1995).

Gati dhjetë shekuj më vonë, një tjetër dijetar i madh, hollandezi Goropius Becanus, i dhuroi dijes një tjetër seri etimologjish të mrekullueshme. Goropius-i, që jetoi për një kohë të gjatë në Antwerp, kishte arritur në përfundimin se dialekti i flamandishtes ose brabantik, që flitej në zonën e Antwerp-it (një formë e hollandishtes), ishte gjuha e folur origjinalisht në parajsë; dhe prej saj rridhnin, në analizë të fundit, të gjitha gjuhët e tjera. Sipas këtij autori, Adam rridhte nga flamandishtja Hath-Dam, ose “digë kundër urrejtjes”; ndërsa Eva nga Eu-Vat, ose “enë prej nga rrjedh njeriu”; latinishtja quercus “lis” vinte prej werd-cou “mban larg të ftohtët”; emri hebraik Noah vinte nga nood (“nevojë”). Goropius-i, më në fund, arriti të provojë se edhe hieroglifet egjiptiane mund të deshifroheshin sipas dialektit brabantik!

 

8 Komente

  1. Ne te vertete ky shkrim i xhaxhait ka dy pjese, prek dy tema te ndryshme edhe pse se jashtemi kane nje fare ngjashmerie. Ndryshimi per mua qendron ne faktin se ne pjesen e pare vihet ne loje e vepron me se shumti imagjinata kolektive (format religjioze etj), dhe ne te dytin eshte mjaft aktive imagjinata e individit.

    Ne rastin e pare krijojme nje vizion te hatashem me qellim qe te habitem, te shijojme e kenaqemi me habitjen tone deri ne nje lloj orgazme intelektuale prehistorike dhe ne rastin e dyte, beheit perpjekje per ti dhene nje shpjegim dickaje qe na ka habitur pak si shume. Kjo na shtyn me veshim kostumin e shamanit qe merr persiper do te habise te tjeret.

    Ne te dy rastet notojme ne nje lloj folklori.

    Pse ndodhin keto fenomene? Per mua duhet eksploruar nje rruge tjeter, fakti qe edhe ne vitet e shtyra te jetes, ne kush me shume e kush me pak mbetemi ne kurthin e feminise, te asaj periudhe kur hipnim mbi nje bisht fshese dhe veshtronim token qe zhdukej nen re poshte kembeve tona.

    Perndezja e fantazise, pa u shqetesuar fare nga realiteti, me sa duket vazhdon te na shoqeroje gjate e ne forma te ndryshme… Ke me shume e ke me pak. Disa pastaj do te quhen Jokel e Vajgand e te tjere Zahari Majani e Sulejman Mato. Se mu kujtua qe ky i fundit nje here u perpoq tre ore te me mbushte mendjen se emri Budapest vjen nga ilirishtja Buda=uje dhe Pesh= i piset!

    I thashe se ka te drejte per te kursyer ndonje spetakel harakiri me ata pirunjte ne dy dhembe te Balit, aty ne klubin e Lidhjes…

  2. Etimologjia,për mua,ka mbaruar si “shkencë”,nëse mund ta përcaktojmë me këtë term.Nuk ka vlerë,si për atë pjëse që;ndoshta shpjegon origjinen e fjaleve-kombit krahasuese nga Greqi-Greqishtja;ndoshta shpjegon origjinen nga Itali-latinishtja;ndoshta shpjegon sanskrinishtja,..e me radhë.Sepse,në thelb nuk shpjegon asgjë(tepër idiotike).Sepse,në thelb ajo-ata shpjegojnë veteveten dhe nuk na japin aspakfare të zbërthyer se nga se është nisur mendja njerëzore(qe duhet të jetë qellimi kryesor i yni) kur ndërtoi “tullat” fjalë.Njësitë gjuhësore kanë një arsyetim ndërtues,një llogjikë ndërtuese,një formulë llogjike.Kemi kaos linguistik,por kjo nuk do të thotë se regulli nuk ekziston.Ne kemi zbuluar dhe jemi vete fakt deri më tani per kaosin,ndersa regullin pak e njohim(zakonisht natyra kaosin e çon në regull,pamvarësisht që bën edhe të kundërtën,kuptohet në mënyre ciklike).
    Por gjithashtu kjo nuk do të thotë,meqë mendja e disave i merr këto drejtime si sëmundje ,kuptohet vetëm për një pale,jo kundër etimologjise zyrtare..eee..e..e(iso e vjetër,bota eshte e ç’rumbullaket),qe tendecat kërkuese të gjetjes jo etimologjike,të gjetjes arsyetimo-llogjike njerëzore,e cila ka ndërtuar njësite gjuhësore,do të marrin fund ndonjëhere(nje francez ka harxhuar 10 vjete jete per te gjetur se si jane ndertuar njesite gjuhesore qe shprehin numrat).Ndoshta në siperfaqen publicistike,po.
    Etimologjia nuk e jep dot këtë dimension,pamvarësisht se ka njesite “et””im””lo””gji”-në në ndërtimin e saj katësor..Ajo ka vlere vetëm për sa gënejne-ndajne vetveten për me të zgjuar disa(jo vetëm njëra pale); që;jo me ndoshta perpara,kjo ka ardh prej asaj,e kjo tjetra ka ardh prej kesaj.Po të gjitha këto “njësi” gjuhësore si janë ndertu?Me urdhër të llogjikës së peshkut?
    Peshkëzimi i arsyetimit,të çon vetëm në ujerat e Kalypso-s.Nuke di kush planet do na shpetoje nga ky ankth roberie plus minusesh.

  3. Nga kendveshtrimi im, edhe keta qe nxjerrin teori te tilla (si mund te them edhe une qe sllovakishtja e ka marre fjalen barka nga barke ne shqip dhe prej andej u transportua drejt Hibernise), jane pjese e atij rregulli qe kaosi shfaq. Po te mos ishte dikush qe mendon gabim, mendimi i drejte do te kritikohej si i gabuar, si u kritikuan rreth 500 vjet me pare Koperniku dhe Galileo. Ligjet natyrore te kuptuara vetem disa shekuj me pare, aplikohen kudo ne te njejten menyre te pandryshueshme, madje edhe ne mardheniet intrapersonale. Mbyll 100 njerez ne nje vend pa ja komunikuar aresyen dhe pa rrugedalje nga ai vend. Ata do te fillojne te rebelohen, do te bien ne qetesi pas pak, do te fillojne krijimin e klaneve midis tyre. Jepi pak ushqim perdite: do te fillojne “luftrat” e ushqimit. Thuaju qe nuk do te dalin kurre qe aty: ata do te fillojne te kerkojne rrugen e daljes, do te shpikin mjete e do ti sofistikojne ato dhe mbase si perfundim do ti gjejne. Njerezimi ne cdo shkalle i pergjigjet ligjeve natyrore. Eshte si puna e atyre tre motrave ne Austri, qe e jema i kish mbyllur per 7 vjet ne qilar. Pas 7 vjetesh, ato flisnin gjuhen e tyre, te bazuar mbi gjermanishten.

    Njerezit, gjate rruges se tyre vetem perpiqen te gjejne pak rregull ne gjithe kete kaos, edhe pse ndonjehere vetem ne fantazine e tyre 🙂

    http://upload.wikimedia.org/wikipedia/en/1/17/Lyapunov-fractal.png

  4. Eshte saktesisht kjo zgjuarsi-fantazi qe thyen te verteten relative ekzistuese statike.Duke u bazuar tek metoda dhe dijet ekzistuese,njerezit e arsimuar dhe te talentuar dyshojne fillimsht dhe pasi gjene difektin e madh hedhin tezen e re,e cila me vone perqafohet nga nje pakice,e cila duke punuar dhe argumentuar dhe vertetuar “te rene’ shkojne ne nje nivel me te larte te “te te vertetes” relative deriasa kjo behet shumica e pranuar ne nje nivel kohoro-shkencor “x”.Po te mendojme dhe te arsyetojem duke marre per baze momentin statik te tanishem si te vertete absolute dhe te pandryshueshem,ngelemi tek feja ose tek ajo qe toka nuk eshte e rumbullaket.

  5. Shkrimi buron nga simbolet, kjo dihet, e vete alfabeti fonetik qe perdorim vjen nga simbolet, me banalja A apo alfa vjen nga semitishtja e veriperendimit ‘aleph’ qe do te thote lope e A eshte simboli i brireve. Se kjo gje ne pamje te pare na duket irracionale apo me mire joracionale, nuk i leviz as presjen origjines se A-se. Alfa eshte huazim nga fenikishtja. Po ta kishim shpikur ne e te kishim perdorur te njejten logjike simbolike shkronja A do perdorej per L-ne e Lopes apo ‘llanden’ greke (kjo per arsye qe nuk i di, i ngjan alfes).
    Nuk me duket edhe aq fantazi qe parashkrimi te jete lemsh simbolesh e kalimi nga parashkrimi ne shkrim te jete ceshtje mese e opinueshme.

    Aty ku ka kaos simbolesh, nje gje eshte e sigurte; nuk eshte pa domethenie. Jemi ne qe duke mos i njohur ato simbole i likujdojme si vepra pa domethenie. Shkrimin egjiptian kush do e merrte seriozisht nese do gjendej vetem ndonje fragment ? Do thuhej se ato gjarperinj,lumenj e pelikane jane piktura.

    Ne kam kuptuar ndonje gje nga zhytjet ne te shkuaren, ajo gje perkufizohet; zhytje ne boten irracionale. Ne te ardhmen ne te sotmit do quhemi teper irracionale e kaotike ne veprimet e mendimet tona.
    Me duket ironike, qe nga njera ane shtylla kurrizore mbledh e con drejt trurit ngacmimet e jashtme ku merret edhe vendimi, ndersa nga ana tjeter ‘shtylla kurrizore’ e shkrimit
    ‘vuan’ lloje te ndryshme epitetesh.
    Po keshtu ‘shtylla kurrizore’ e cdo krijimi, i nenshtrohet ‘diktatures se trurit’ e nenvleresimi arrin ne piken ku kthehet ne arrogance.
    Cfare eshte muzika perpos perpunimi i tingujve qe gjenden ne kaosin e zhurmes; shquarja e nje pjese harmonike brenda saj e kultivimi i asaj pjese ? A nuk eshte zhurma ‘shtylla kurrizore’ e muzikes ? Nese zhurma per absurd nuk do kish ekzistuar, si do mund te krijohej sot muzike ?

    Mendoj se perqasjet joracionale ne origjinen e gjerave te kesaj bote, vertet ne shumicen e tyre do jene te gabuara, ama jane menyra me efikase e terheqese ne zbulimin e tyre. Mbase nga fakti qe racionalizmi i ve kufij mundesive, kufij qe te gjithe e dime qe jane te perkohshem.
    1-Para 4 mije vjetesh:
    Ne fillim ka qene veza kozmike, nga doli universi.
    2-Dje:
    Universi ka qene, eshte e do jete.
    3-Sot:
    Ne fillim ka qene nje pike nga doli universi.

    Kalimi i gabuar eshte nga 1 tek 2, qe mund ta quajme edhe regres i prodhuar nga shkenca ne hapat e saj te pare.

    Etimologjite popullore, jane ne shumicen derrmuese te gabuara, por cudia per mua lind kur etimologjia popullore absolutizon,dmth nuk le vend per alternativa si psh Afrodita. Etimologji e paster popullore nga afros-shkume dhe e bazuar ne mit. Vecse 2 mitet perkatese nga del jane njera ne Korfuz e tjetra ne Qipro, te cilat jane bere greke me vone se ekzistenca e fjales Aferdite biles Aferdita e Korfuzit ( ku Kroni i pret testikujt Uranit me ‘drapan(on)’ ,testikuj qe bien ne det e lind Aferdita) eshte me antike se vete Zeusi.

  6. Pamvaresisht qe xha xhai mund ta mbylli rrugenb nese une filloj e te jap idete e mia.Vete kaosi ka regullin.Marrim nje lement te kafsheve dhe njerezeve,i cili eshte i perbashket,koka.Kaosi cfaqet ne format,ngjyrat,madhesite ..etj te ndryshme te tyre.Regulli cfaqet me te perbashktat si syri,goja,hunda,dhembet,veshet e tjera.
    Keshtu edhe pas kesaj llogjike primitive,vemi ne nje stad me te larte ate te ngjashmerise racionale-irracionale.
    Per “alfa” ose “alef” kemi:
    fial*fjal*fi+al
    parlar*p*arla*r
    Dyshimi im eshte se ndoshta “alfa” “alef” nuk ka te beje me koken e demit,buallit,lopes,por me konceptin racional-irracianal
    *fla-s*fjal*parl-o.i.a
    Dhe nese do te vazhdoja me tej do te kishim nje regull brenda ketij kaosi.

  7. “Se mu kujtua qe ky i fundit nje here u perpoq tre ore te me mbushte mendjen se emri Budapest vjen nga ilirishtja Buda=uje dhe Pesh= i piset!”
    Kuptohet ne idiotizmat e Etimologjise hyn edhe ky “zberthim”.
    Sipas mendimit tim modest,ne kete term kemi te bejme me shqipen e vjeter ku;’uda’ eshte -‘udha’ dhe ‘pes-t’ eshte e pandryshuara ne gjuhen Shqipe te sotme- ‘pese’.
    Para peranadorise se Romes,Europa kishte shume rruge te ndertuara.Kete fakt pakkush e di.
    Tani,do t’ju lutesha ti hidhnit nje sy kesaj meposht;
    http://www.trail.liguria.it/Interventi/Corridoio_5/corridoio_5.htm

    Do te thoni se kemi te bejme me nje fantazi te tepruar,me nje rastesi,me nje magji,me nje cmenduri…

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: