Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Sociologji

DIJE TE IMAGJINUARA (IV)

Në një shoqëri të sunduar nga ekonomia e tregut, publiku do të dashurohet pas evoluimit teknologjik të mallrave të konsumit të gjerë, por do të shohë me dyshim çdo përpjekje për shkencë të kulluar ose që nuk përligjet dot lehtë nga pikëpamja praktike. Eksplorimi i hapësirës përtej orbitës së Tokës, ose organizimi i misioneve me astronautë në Hënë e më tej i përkisnin kësaj kategorie të dytë, sepse askush nuk priste që të tilla përpjekje të financuara me fonde publike të sillnin ndonjë përfitim praktik për konsumatorin.

U tha atëherë se misioni Apollo nuk mund të konceptohej jashtë logjikës së Luftës së Ftohtë dhe vullnetit për t’u treguar sovjetikëve se SHBA mbetej në pararojë të zhvillimit global teknologjik dhe shkencor; që andej ishte e lehtë të kalohej Rubikoni dhe të hidhej në qarkullim hipoteza se, tek e fundit, amerikanët nuk kishin shkuar kurrë në Hënë dhe se e gjithë kjo narrativë nuk ishte gjë tjetër veçse një mashtrim në shkallë planetare. Kjo hipotezë, e përforcuar nga filmi Capricorn 1 (1978), vijon të qarkullojë edhe sot e kësaj dite, duke përfituar nga lehtësitë që u krijon Interneti teorive të komplotit.

Teoritë e komplotit, si dukuri, i përkasin psikologjisë kolektive. Çdo epokë ka teoritë e veta, të cilat i ushqen e i selit; por nuk ka dyshim se burimi kryesor energjitik për t’i mbajtur gjallë këto rrëfenja dhe shpjegime alternative ndaj narrativës zyrtare është frika ndaj së panjohurës, mosbesimi paranoid ndaj elitave dhe irracionalizmi.

Thashethemnaja të tilla planetare kanë nevojë për një hapësirë të frikës për t’u shtuar e shumuar. Në vitet e Luftës së Ftohtë, kërcënimi kryesor për njerëzimin ishte i ashtuquajturi “dimër bërthamor”, ose katastrofa globale që do të pasonte luftën atomike midis superfuqive; pas vitit 1990, kjo paranojë është zëvendësuar nga skenarë të kolapsit ekonomik për shkak të shterrimit të rezervave të naftës (i ashtuquajturi peak oil), shkatërrimit të ekosistemit planetar, ose epidemive fatale të natyrshme, të nisura prej terroristëve, ose për shkak të ndonjë gabimi tragjik në laboratoret.

Fundit të Luftës së Ftohtë i faturohet, zakonisht, edhe lënia përgjysmë, në 1993, e punimeve për ndërtimin e përshpejtuesit SSC (Superconducting Super Collider) në Waxahachie, Texas; i cili përshpejtues, i ngjashëm me LHC, ishte parashikuar të kishte një perimetër prej 87.1 km dhe t’u kushtonte taksapaguesve rreth 12 miliard dollarë. Megjithatë, nuk përjashtohet që Kongresi amerikan ta ketë ndërprerë financimin e këtij projekti kaq ambicioz edhe ngaqë zbulimi i bozonit Higgs nuk mund të pritej nga publiku me po aq entuziazëm sa zbulimi i një vaksine kundër kancerit, ose shpikja e një automjeti që punon me ujë.

Përgjithësisht, miti faustian ka ardhur duke u bërë gjithnjë e më i pranishëm në kulturën pop dhe në imagjinatën popullore; dhe filma të panumërt të Hollywood-it e kanë stereotipizuar figurën e shkencëtarit tuhaf por ambicioz, që nuk ngurron të hyjë në marrëveshje me djallin, për të realizuar eksperimentet e veta përndryshe të panevojshme, të parakohshme, ose “të ndaluara”. Tema e eksperimentit që del jashtë kontrolli, për të shkaktuar katastrofë ose deri edhe fundin e botës, i është shoqëruar atij miti rregullisht, duke ushqyer frikërat e vjetra të publikut për rreziqet e shkencës dhe eksperimentimit “të tepruar”.

Ky kontekst mund të lejojë të kuptohet më mirë pse publiku e ka pritur me skepticizëm, në rastin më të mirë dhe me tmerr, në rastin më të keq, lajmin për aktivizimin e përshpejtuesit LHC, në Gjenevë. Zërat se eksperimentet e atjeshme mund të kenë pasoja fatale për njerëzimin, madje për krejt universin, nuk kanë ardhur vetëm prej grupeve të skajshme, irracionale, por edhe prej shkencëtarësh që e dinë se për çfarë flasin. Disa autorë kanë folur për rrezikun e krijimit të mikro-vrimave të zeza me ngarkesë elektrike neutrale, të cilat do të kapen pastaj nga fusha gravitacionale e tokës, do të luhaten si lavjerrës sipas një aksi që e shpon globin mes për mes, për t’u stabilizuar pastaj në bërthamën e Tokës, ku nuk dihet se ç’mund të bëjnë sidomos po të ndërveprojnë mes tyre; të tjerë autorë kanë folur për mundësinë e krijimit të disa lloj grimcave të rralla, të quajtura strangelets, të cilat mund të shërbejnë pastaj si katalizatorë, për ta kthyer krejt planetin në një masë prej materieje strange.

Hipoteza të tilla, edhe kur vijnë prej fizikantësh të fushës, mbështeten mbi teori të cilat ende nuk janë provuar me rrugë eksperimentale; askush nuk e di nëse mikro-vrimat e zeza ose strangelets ekzistojnë vërtet, askush nuk i ka vrojtuar, askush nuk mund të thotë me siguri se çfarë mund të ndodhë nëse objekte të tilla përftohen vërtet brenda përshpejtuesit LHC. Tek e fundit, edhe kur do të kryhej shpërthimi i parë eksperimental i një bombe atomike në Alamogordo, New Mexico, disa fizikantë kishin shprehur dyshimin se mos ky shpërthim do të niste një reaksion zinxhir të tillë, që të çonte në shkatërrimin e mbarë planetit. Dallimi midis sot dhe atëherë është se sot përshpejtuesi LHC është protagonist në mass mediat, ndërsa atëherë për bombën atomike flitej vetëm në qarqe të ngushta e të kontrolluara ekspertësh dhe politikanësh.

Nga ana tjetër, mundësia që një eksperiment të dalë jashtë kontrolli gjithnjë ekziston; sikurse mundësia tjetër që ndonjë nga këto gabime, materiale ose të qëllimshme, të sjellë pasoja fatale për njerëzit, madje për njerëzimin mbarë. Për shembull, gjithnjë ekziston rreziku që viruse shkaktarë sëmundjesh vdekjeprurëse dhe të pakurueshme të dalin aksidentalisht prej laboratorëve biologjikë që ruajnë dhe studiojnë agjentë të tillë patogjenë me rrezikshmëri të lartë (aksidente të tilla kanë ndodhur vërtet, p.sh. me virusin Marburg, që është i ngjashëm me virusin Ebola). Deri edhe për agjentin e epidemisë SARS dhe virusin HIV është thënë se mund të kenë dalë, gabimisht, prej laboratorësh të tillë. Autori i njohur Michael Crichton ka shkruar disa romane në të cilat sisteme komplekse virtualisht të përsosura, të konceptuara për të kontrolluar qenie të gjalla në kushte laboratorike kanë dështuar, për shkak se vetë ideja e kontrollit absolut ndaj formave jetësore është utopike, tepër optimiste ose thjesht e gabuar (Andromeda Strain, Jurassic Park). Frikëra të ngjashme po qarkullojnë, kohët e fundit, në lidhje me pasojat afatgjatë të futjes së bimëve dhe të kafshëve gjenetikisht të modifikuara në ekosistemet; për të mos folur pastaj për agjentë patogjenë të rikombinuar në laborator, si armë bakteriologjike.

Nga kjo pikëpamje, pritja e ftohtë, prej publikut anembanë botës, e përshpejtuesit LHC në Gjenevë dhe lulëzimi i teorive dhe hipotezave apokaliptike në Internet dhe gjetiu shpjegohen jo aq me irracionalizmin e publikut, sesa me mungesën e kompensimit të mjaftueshëm për këtë irracionalizëm, ose të argumenteve reale se pse pikërisht duhet financuar një projekt i tillë kaq të kushtueshëm. Shekulli XXI ka filluar nën shenjën e pesimizmit të përgjithshëm, kryesisht për shkak të problemeve që lidhen me efektin serrë, ndotjen e mjedisit, shterrimin e burimeve energjitike konvencionale, shtimin e popullsisë në planet, rrezikun e epidemive të rënda, rrezikun e terrorizmit si instrument universal shantazhi dhe manipulimi të marrëdhënieve ndërkombëtare. Në një mjedis të tillë të sunduar nga ankthi, ambicjet e një grushti fizikantësh për të zbuluar bozonin Higgs dhe për të konfirmuar teoritë e tyre krejtësisht të pakuptueshme nuk bindin as entuziazmojnë më njeri.

Në librin e vet kontroversial The End of Science, John Horgan interviston një numër të madh shkencëtarësh nga më të shquarit (Francis Crick, Thomas Kuhn, Noam Chomsky, David Bohm, Karl Popper, Stephen Jay Gould, John Wheeler, Murray Gell-Mann, Richard Dawkins, Roger Penrose, Ilya Prigogine dhe Clifford Geertz, mes të tjerësh), të cilët duket se priren të besojnë që “epokës së zbulimeve të mëdha shkencore tashmë i ka ardhur fundi.” Teza qendrore e Horgan është kundërshtuar nga shumë anë, ndonëse kur vjen fjala për fizikën moderne nuk mund të mos i jepet të drejtë atij autori, sidomos po të mbahet parasysh natyra gjithnjë e më spekulative e teorive që qarkullojnë brenda kësaj dege të dijes, si ajo e superfijeve; por edhe vështirësi të tjera metafizike, që kanë të bëjnë me ndërveprimin midis eksperimentuesit dhe eksperimentit, në nivelin e grimcave elementare.

Fizikanët, nga ana e tyre, përgjithësisht janë përpjekur ta përligjin nevojën për financime projektesh madhore, si përshpejtuesi LHC, duke argumentuar se dijes i duhet shërbyer pavarësisht nga dobitë e menjëhershme ose praktike të kërkimit shkencor; dhe se njohja e strukturës themelore të materies do të krijojë, herët a vonë, mundësi për aplikime teknologjike të drejtpërdrejta. Megjithatë, nuk ka dyshim edhe se një pjesë e këtyre pretendimeve ndonjëherë bombastike bëhen thjesht për të maskuar arsye shumë më prozaike – të cilat lidhen drejtpërdrejt me një deformim profesional, ose me nevojën e këtyre fizikantëve për të siguruar fonde për kërkimet e tyre dhe mbijetesë për prestigjin e profesionit të tyre.

Pak ditë pas vënies paraprake në funksionim, përshpejtuesi LHC pësoi defekt të rëndë dhe doli jashtë përdorimit. U tha se riparimi i këtij defekti do të kërkojë kohë dhe se eksperimentet pritet të rifillojnë diku andej nga pranvera e vitit 2009. Me këtë rast, megafonët e teorive të komplotit thanë se frikërat e tyre ishin konfirmuar dhe se përshpejtuesi ishte ndalur meqë eksperimentuesit ishin trembur nga ç’u kishin parë sytë; të tjerë shpjeguan se, njëlloj si në romanin Angels & Demons të Dan Brown, ishte formuar anti-materje e cila pastaj kishte “shpërthyer” – edhe pse, sipas të dhënave zyrtare, gjatë nëntë ditëve të funksionimit, në përshpejtues vetëm sa ishte qarkulluar vijueshëm një rrymë protonesh, pa u kryer ndonjë eksperiment me përplasje ose goditje grimcash super të shpejta.

Mbetet për t’u parë nëse eksperimentet do të rifillojnë ndonjëherë vërtet; sikurse mbetet për t’u sqaruar nëse pajisja shumëbilionëshe do të përdoret ndonjëherë për qëllime ushtarake, ose për të eksperimentuar dhe përftuar lloje të reja armësh edhe më të kobshme se këto të sotmet. Me përkufizim, sekrete të tilla nuk merren vesh kurrë, përveçse kur nuk janë më sekrete – në një kohë që paranojës i mjaftojnë edhe copëza të vërtetash për të mbijetuar. Gjithsesi, shpjegimet dhe motivimet entuziaste të shumë fizikantëve të njohur në mediat, për dobinë e përshpejtuesit LHC, nuk duket të kenë arritur të kundërshtojnë si duhet përshtypjen e shumëkujt se kjo farë lodre sa madhështore aq edhe e frikshme është një krijesë artificiale e ngjashme me dinosaurët e ringjallur prej Michael Crichton-it në Jurassic Park: gjigante, antideluviane, e pakuptueshme dhe ndoshta armiqësore.

[fund]

3 Komente

  1. “Dije te imagjinuara”,
    si titull teme eshte krijues temash dhe jo me kot Xha te pash nje deshire te realizoje thenje brenda ketij titulli, permes kater pjeseve, por, ky titull mban ne vete edhe nje liber plot me kuriozitet po te vazhdohet.

    Interesantja ne realitetin e imagjinuar duket te jet realiteti vet. Dija nga fisi/natyra i/e saj gjeneron imagjinat. Dija e imagjinuar per kendin e shikimit te shkrimit mu duk ilustruar dhe mbeshtetur ne tone kritike per potencialin e saj (dije). Pervoja ne studim, te cdo fushe, aplikon me sukses kur krijon distanc me subjektin. Ndofta kjo (distanca) eshte edhe i vetmi moment i privilegjuar argetimi ne proces te perjetimit te cdo lloji perpjekje dijeje. Kush dije, imagjinat, se ka pultin e komandimit ne themelet e se njejtes ndertese; padije?, dhe, si rrjedhoj, fare mire mund te flitet nen titullin: “Padije te imagjinuara.

    Nata sheh Diten, apo Dita sheh Naten? Ne shohim Galaktik (kozmos), apo Kozmosi sheh ne, ne se s’eshte vet kozmosi brenda nesh (individit).

  2. “askush nuk e di nëse mikro-vrimat e zeza ose strangelets ekzistojnë vërtet, askush nuk i ka vrojtuar, askush nuk mund të thotë me siguri se çfarë mund të ndodhë nëse objekte të tilla përftohen vërtet brenda përshpejtuesit LHC”

    Para hapjes se LHC-se Cerni ka kerkuar 2 studime te thelluara mbi mikrovrimat e zeza, te kryera nga 2 kompani te pavarura. Ekzistenca e mikro-vrimave te zeza tanime pohohet me nje siguri shkencore. Nje numer mjaft i madh te tillash krijohet rreth atmosferes se tokes, nga rrezatimi i larte hapesinor dhe ai diellor. Megjithate asnje prej tyre nuk eshte zhvilluar ne ate pike sa te filloj te thithe materien perreth. Te gjitha keto mikro-vrima zhduken, si te thuash avullojne, si pasoje e te ashtuquajturit “rrezatim Hawkins”. Ky rrezatim i leshuar per pak mikrosekonda nga keto vrima i ben ato te zhduken krejtesisht, dhe si pasoje asnje shenje e ekzistences se tyre nuk lihet pas, dhe si rrjedhoje edhe asnje menyre per ti vrojtuar eksperimentalisht.
    Si perfundim, te dyja studimet e kryera per llogari te Cerni-t provojne se edhe ne rastin e shfaqjes se ketyre mikrovimave, asnje mundesi zhdukjeje e planetit tone nuk ekziston.

  3. Tatjeta,

    Mixha, tue e citue Gjon Horganin, e percjelle idene se shkences, sidomos fizikes -thuajse ka shkence tjeter pos saj – i ka ardhe fundi. Ardiani, tue e krye kryet, pa e fshehe gzimin e tij qe ma n’fund ka gjasa me i quejt gjanat me emnat e vet, pyet se a kane me u msue Artet e politikes neper universitete, n’vend t’oksimaronit Shkencat politike?

    A, Ardiani shfrytezon rastin m’e ceke se popullarizimi i shkences sot syn bahet pa kalue n’percudnime t’tipit t’Frijtof Kapres e Gari Zukavit, sepse gjuha, dmth Lingua ka deshtue per me i percjelle idete t’cilat sot i shtjellon fizika. Ai qe do me dite fizike s’ka qare pa fole e shkrue permes ekuacioneve. Thjesht, syn bahesh piktor pa brusha, syn i gzohesh piktures pa sy.

    Me ket rast, Ardiani i ban t’fala Hyllinit e i thote se filozofia asht gja shume e cmueshme e e vlefshme per me ja u lane n’dore filozofeve.

    Tue ju urue tana t’mirat, Ardiani poashtu ju fton me u marre me sport, sepse paret qe dirdhen n’olimpiada jane shumefish ma t’mdha se n’perplasesa.

    T’fala,
    Ardiani, qe i kqyre X-Men

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin