Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

KUR SËMURET PARLAMENTI

Kërkesa për shfuqizim të ligjit që u garanton imunitetin deputetëve në parlamentin e Republikës Shqiptare, kohët e fundit e rimarrë deri edhe nga ambasadori i SHBA në Shqipëri, prek një nerv të zbuluar. Papritur, duket sikur një shumicë e paanshme njerëzish të ndershëm kanë zbuluar se është pikërisht imuniteti që po i ruan pushtetarët tanë nga përndjekja penale për krimet e tyre të shumta, veçanërisht korrupsionin gjithëpërfshirës.

Argumentet juridike pro dhe kundra heqjes së imunitetit nuk mungojnë. Çështja është nëse këtyre argumenteve u ka mbetur apo jo ndonjë rol për të luajtur, në klimën populiste të diskutimit publik, sidomos në rrethanat kur “faji” për Gërdecin kërkohet të përdoret si instrument për të diskredituar Berishën vetë, dhe asfiksimin që ky po ia bën parlamentit, në favor të partitokracisë, siç e tregon edhe marrëveshja e fundit midis palëve për të mënjanuar rolin e të ashtuquajturave “parti të vogla” në jetën politike të vendit.

Është thënë dhe shpjeguar mirë e prej kohësh se, në Shqipëri, imuniteti i mbron deputetët, veçanërisht deputetët e opozitës, nga përndjekja penale prej atyre që kanë në duar shumicën parlamentare, qeverinë dhe pushtetin politik; ose edhe më shumë akoma, nga shantazhi që mund t’u bëhet, përkundrejt kërcënimit me përndjekje. Paradoksalisht, shumë politikanë të sotëm në Shqipëri janë aq të ngatërruar në pisllëqe, sa shantazhi me siguri funksionon mirë si e vetmja mënyrë për t’i vënë gjërat në lëvizje; por heqja e imunitetit, në qoftë se ndodh, me siguri që do ta sanksionojë përfundimisht statusin e republikës shqiptare si një shtet të bazuar fund e krye në shantazhin.

Natyrisht, shantazhi është reciprok, dhe shantazhet e përkundërta priren të anulohen ndërsjelltazi; edhe pse në anulim e sipër, ndihmojnë për të përftuar atë klimë të neveritshme bashkëfajësie që e sheh sot të sundojë sallonet e politikës në Tiranë. Heqja e imunitetit, në këtë rast, vetëm sa do të garantojë një rishpërndarje të pushteteve në mënyrë të tillë, që të fuqizojë partitokracinë në kurriz të parlamentarizmit. Për të gjithë ata vëzhgues të jetës politike shqiptare, që e kanë vënë re se parlamentarët shqiptarë nuk janë në gjendje ta kryejnë detyrën e tyre si ligjvënës, e as i kanë kapacitetet mendore dhe morale për ta kryer këtë detyrë, perspektiva e një ripërmasimi të rolit të parlamentit në jetën e vendit nuk mund veçse të mirëpritet.

Vështirë të thuash nëse parlamenti që ka Shqipëria sot u përgjigjet niveleve intelektuale dhe etike të zgjedhësve dhe sidomos të elitave të shoqërisë civile atje. Historikisht parlamentet shqiptare kanë qenë vetrina të provincializmit, madje edhe kur nuk kanë qenë enë fermentimi të korrupsionit, nepotizmit, tribalizmit dhe klientelizmit, çka shpjegohet me mungesën e një tradite të parlamentarizmit në Shqipëri, e cila mungesë shprehet edhe në faktin që publiku nuk po shpreh shumë interes, as shqetësim, për dinjitetin dhe shkëlqimin e atij institucioni ose të pushtetit ligjvënës në përgjithësi. Shqiptari, tradicionalisht, e ka ngatërruar shtetin me pushtetin, dhe pushtetin me pushtetin ekzekutiv. Brenda këtij folklori politik, deputetët janë vetë të pazotët për ta interpretuar drejt misionin e tyre, edhe pse zotësitë nuk u kanë munguar kurrë për t’i interpretuar me virtuozitet të madh privilegjet që u vijnë nga ai mision.

Prandaj ndoshta nuk gaboj po të them se jo vetëm publiku, por edhe deputetët vetë, e përfytyrojnë imunitetin parlamentar jo si konvencion që ua lejon deputetëve të mbajnë qëndrime të pavarura, pa rrezikuar të përndiqen për arsye politike, por si licensë që u blatohet për t’u përfshirë në veprimtari kriminale, ose si carta bianca për të bërë të gjitha prapësitë e mundshme. Pjesërisht për shkak të mediokritetit të tyre intelektual, por edhe për faj të partitokracisë dhe të paragjykimeve politike që kushtëzojnë mekanizmat e pushtetit qendror në Tiranë, deputetët e parlamentit shqiptar në përgjithësi nuk e kanë përligjur dot statusin e tyre të privilegjiuar, përballë zgjedhësve të tyre, publikut në përgjithësi, dhe pushteteve të tjera – ekzekutivit dhe gjyqësorit.

Pavarësisht se si mund të shtrohet në praktikë, çështja e heqjes së imunitetit parlamentar tregon se vetë parlamentarizmi shqiptar është në krizë, dhe se shoqëria shqiptare nuk ka qenë në gjendje të përftojë dhe të konsolidojë parlamentin e vet, si institucion me rëndësi kritike për republikën. Publiku tanimë i percepton deputetët si një masë parazitësh që përfitojnë nga privilegjet e tyre të garantuara me ligj, për t’u pasuruar ata vetë dhe klientët e tyre, në një kohë që roli i tyre në parashtrimin dhe zgjidhjen e problemeve të mëdha që kalon Shqipëria është minimal, sidomos në krahasim me peshën mbytëse të dy partive të mëdha në jetën e vendit. Edhe pse nuk kam as më të voglin dyshim që një pjesë e deputetëve përpiqen përnjimend ta kryejnë në mënyrë dinjitoze dhe etike detyrën e tyre si përfaqësues të popullit, nuk kam dyshim as edhe që partitë gjithnjë mbeten të interesuara të sjellin në parlament figura sekondare, mediokre dhe mundësisht të shantazhueshme ose së paku të korruptueshme, për t’i manipuluar gjithnjë me lehtësi dhe pa humbur kohë.

Prandaj edhe, kur sëmuret parlamenti, rreziku i kanoset parlamentarizmit.

Që kërkesa për heqjen e imunitetit po vjen nga kaq shumë instanca, kjo tregon se publiku tanimë është i bindur se një pjesë e mirë e deputetëve janë të komprometuar dhe nuk i meritojnë privilegjet që u janë njohur me ligj. Kjo bindje, edhe në qoftë e gabuar, gjithsesi dëshmon se institucioni i parlamentit nuk e gëzon më respektin e publikut dhe konsiderohet si i dorës së dytë; për çka nuk mund të bësh aq me faj publikun, sesa (1) mungesën e traditës parlamentare në Shqipëri, (2) partitokracinë dhe (3) mediokritetin dhe sjelljen groteske ose parazitare të deputetëve ekzistues. Diskreditimi i parlamentarizmit imponohet kështu si krizë politike me përmasa dhe implikime shumë më të rënda se Gërdeci, ose marrëveshja partitokratike PD-PS e para pak ditëve për të shuntuar influencën e pamerituar të partive të vogla; edhe vetëm ngaqë, në kushtet e jetës politike të atjeshme, ngadhnjimi i partitokracisë, ose konsolidimi i pushtetit në duart e duopolit PD-PS, është një zgjidhje edhe më e padëshiruar se korrupsioni në radhët e parlamentarëve, meqë në thelb ia rikthen vendit makthin e sundimit monopartiak, gjysmëshekullor, të PPSH-së.

1 Koment

  1. në, në kushtet e jetës politike të atjeshme, ngadhnjimi i partitokracisë, ose konsolidimi i pushtetit në duart e duopolit PD-PS, është një zgjidhje edhe më e padëshiruar se korrupsioni në radhët e parlamentarëve, meqë në thelb ia rikthen vendit makthin e sundimit monopartiak, gjysmëshekullor, të PPSH-së.

    Vendi, pervec krizes te brendshme qe pershkruan, do te perfshihet shpejt edhe ne krizen jashtme. Kjo perfect storm mund te sherbeje si katalizator t’ia mbylle kapitullin e shemtuar 100 vjecar te ish-vilajetit osman te shkodres, dhe ne varesi te rrethanave ka shume mundesi te ktheje Shqiperine pak a shume si e njohen Osmanet ne vitin 1912

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin