Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media / Politikë

HESHTJA E STRUCIT

Ka pasur disa të reja në çështjen e trafikut të organeve nëpërmjet territorit shqiptar dhe vrasjes së serbëve pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999, që u aktualizua pas disa pohimeve të ish prokurores të Hagës Carla del Ponte, në librin e saj “Gjuetia”. Për fat të keq, këto të reja i gjen kudo në lajmet, me përjashtim të mediave shqiptare në Internet, të cilat kanë mbetur në duar të strucëve.

Human Rights Watch, e cila është një OJQ me peshë të madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, ka dalë me një deklaratë që mbështet vërtetësinë e pohimeve të Del Pontes. Fred Abrahams, i cili prezantohet si senior emergencies researcher pranë kësaj organizate dhe që ka hetuar shkeljet e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe në Shqipëri gjatë viteve 1993-2000, i ka quajtur akuzat e Del Pontes “serioze dhe të besueshme”, në një deklaratë të ditëve të fundit për shtypin.

Gjithnjë sipas Abrahams, HRW ka siguruar informacion dhe dokumentacion të pavarur i cili ua shton besueshmërinë thënieve të Del Ponte-s, se ‘gazetarë të besueshëm’ informuan ICTY në 2003, se disa individë nga Kosova patën zënë rob dhe transportuar diçka midis 100 dhe 300 vetë nga Kosova në Shqipërinë e veriut pas datës 12 qershor 1999, kur forcat e NATO-s u futën në Kosovë.

HRW thotë tani se e ka shqyrtuar informacionin që ka siguruar ICTY nga gazetarët dhe e konsideron të bazuar dhe të besueshëm: shtatë shqiptarë etnikë që kanë shërbyer në radhët e UÇK-së, të marrë në pyetje veç e veç, kanë dhënë hollësi në lidhje me pjesëmarrjen e tyre në transferimin e serbëve të kapur rob dhe të burgosurve të tjerë nga Kosova në Shqipëri pas luftës, ose kanë pohuar se kanë qenë dëshmitarë të këtyre gjërave.

Sipas të dhënave të ofruara nga këta gazetarë, individët e kapur rob u mbajtën në magazina dhe ndërtesa të tjera, duke përfshirë edhe disa vende në Kukës dhe në Tropojë. Disa burime kanë deklaruar se, në dallim nga të burgosurit e tjerë, disa prej robërve më të rinj në moshë e më të shëndetshëm, u mbajtën të ushqyer mirë, nën kontrollin e mjekëve, dhe nuk u keqtrajtuan kurrë. Një numër i panjohur i këtyre robërve u çuan pastaj te një shtëpi e verdhë në rrethinat e qytetit të Burrelit, ku edhe iu nënshtruan operacioneve për marrjen e organeve të brendshme. Këto organe pastaj u transportuan jashtë Shqipërisë nëpërmjet aeroportit afër kryeqytetit të Tiranës. Mes viktimave kishte serbë të Kosovës, por edhe gra nga Kosova, Shqipëria, Rusia dhe vende të tjera sllave.

“Të dhënat për trafikun e organeve janë sugjestive, por të paplota,” tha Abrahams. “Por fakti qëndron se qindra njerëz, shumica serbë, janë zhdukur pas luftës. Qeveritë e Kosovës dhe të Shqipërisë duhet të përpiqen të ndriçojnë fatin e këtyre njerëzve, duke nisur hetime serioze dhe duke ofruar mbrojtje të përshtatshme për dëshmitarët.”

Sipas të dhënave të siguruara nga ICTY, trupat e disa prej pengjeve u varrosën afër shtëpisë së verdhë dhe në një varrezë lokale, rreth 20 km në jug të Burrelit. Hetues të gjykatës dhe të Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK-ut), të shoqëruar nga një prokuror shqiptar, inspektuan shtëpinë në shkurt të vitit 2004. Shtëpia ishte e lyer me bojë të bardhë, por në një fotografi të saj që gjendet në zotërim të HRW, mund të shihet ende një shirit i verdhë afër themeleve.

Sipas Del Ponte-s, afër shtëpisë hetuesit gjetën pajisje mjekësore të përdorura për ndërhyrje kirurgjikale, shiringa, gazra, qese për IV, dhe shishe me barna relaksues muskulorë, që përdoren shpesh gjatë operacioneve kirurgjikale. Më pas, duke përdorur një atomizator kimik, ekipi i hetuesve gjeti prova për njolla të shumta gjaku në muret dhe në dyshemenë e njërës prej dhomave, me përjashtim të një katërkëndëshi 2 x 0.6 m në mes të dhomës.

HRW bisedoi veçmas me dy persona të pranishëm gjatë vizitës së ekipit hetimor të ICTY dhe të UNMIK-ut në shtëpinë afër Burrelit. Të dy këta persona e konfirmuan historinë që tregon Del Ponte.

HRW gjithashtu siguroi një kopje të raportit zyrtar të UNMIK-ut nga hetimi i kryer në 4-5 shkurt 2004, i cili gjithashtu i konfirmon pohimet e Del Pontes. Megjithatë, një zëdhënëse e gjykatës deklaroi, në 16 prill 2008, se hetuesit e ICTY dhe të UNMIK-ut “nuk arritën t’i provojnë dot akuzat dhe nuk kishin bazë për të vazhduar më tej, nga pikëpamja e jurisdiksionit të gjykatës,” duke specifikuar edhe se puna e gjykatës komplikohej edhe më tej ngaqë rrëmbimi dhe zhdukja e supozuar e viktimave kishin ndodhur pas përfundimit të luftës.

Siç dihet, ministri i jashtëm shqiptar Lulzim Basha i ka hedhur poshtë akuzat e Del Pontes si “imorale” dhe “shpifëse.” Duke iu referuar deklaratës së Bashës, Fred Abrahams theksoi se “ministri Basha duhet t’i marrë këto akuza më seriozisht, sepse ai e di nga vetë përvoja e vet se ka prova të besueshme për transferime tejkufitare. [Basha] ka punuar edhe ai vetë për gjykatën e Hagës dhe për Departamentin e Drejtësisë të UNMIK-ut pas luftës, dhe ka hetuar personalisht raporte për qendra burgimi në Shqipërinë e veriut.”

Deri këtu, deklarata e HRW e e parafrazuar prej meje.

Çfarë mund të deduktohet tani për tani nga këto zhvillime?

Së pari, që reagimi i qeverisë shqiptare ndaj kësaj krize, si edhe herë të tjera në të shkuarën, ka qenë krejtësisht amatorial, joprofesional, madje i turpshëm; sidomos po të jetë e vërtetë që Basha i ka hetuar vetë personalisht po ato veprimtari për të cilat tani akuzon Del Ponte-n se i ka “shpifur” – dhe unë nuk kam arsye të mendoj që HRW dhe Fred Abrahams gënjejnë ose shpifin kundër Bashës.

Së dyti, që Del Ponte nuk ka gënjyer në librin e vet, por vetëm ka raportuar për akuza të cilat institucioni i saj dhe institucione të tjera të ngjashme i kanë hetuar vërtet në muajt dhe vitet pas luftës në Kosovë. Prandaj akuza që i bëhet Del Pontes për ‘shpifje’ është qesharake, madje e turpshme; meqë nëse ka pasur shpifje, këtë e kanë bërë informatorët e Del Ponte-s, jo ajo vetë, e cila vetëm mund të ketë gabuar ngaqë ka raportuar gjëra të paverifikuara.

Së treti, që fakti që Del Ponte nuk ka gënjyer në librin e vet nuk do të thotë se trafiku i organeve dhe masakrat e robërve serbë në Shqipëri kanë ndodhur vërtet, por vetëm që akuza për këto gjëra janë bërë dhe janë hetuar vërtet, para se t’i përcillte Del Ponte në librin e vet; ky është një dallim jashtëzakonisht i rëndësishëm, që shumë njerëz, duke përfshirë edhe ministrin Basha, nuk po duan të bëjnë. HRW, me deklaratën e vet, ka sjellë prova të mëtejshme për autenticitetin e deklaratave të Del Pontes si deklarata, jo të akuzave për trafik organesh dhe masakra viktimash të pafajshme.

Së katërti, që falë obtuzitetit të qeverisë shqiptare dhe të mediave, pala serbe arriti ta shndërrojë këtë në një fitore propagandistike të vetën; edhe pse numri faktik i shqiptarëve të zhdukur në Kosovë gjatë luftës është shumë më i madh se numri i serbëve të zhdukur gjatë dhe pas luftës (deri edhe Fred Abrahams vetë u detyrua ta pohojë këtë shpërpjesëtim midis viktimave dhe zhurmës propagandistike, në deklaratën e vet).

Së pesti, që qeveria shqiptare ka vendosur ta mbajë gojën mbyllur për këtë punë ose ngaqë kujton se po të vazhdojë të heshtë akuzat njëfarësoj do të harrohen e nuk do t’i zërë kush në gojë; ose ngaqë e kanë urdhëruar të heshtë.

Së gjashti, që gazetat e Tiranës kanë dështuar krejt në misionin e tyre për të informuar publikun atje për çka ndodh rreth e rrotull, e që mund të ketë impakt në çështjen shqiptare në përgjithësi, e në punët e Shqipërisë në veçanti. Është e papranueshme që këtë lajm ta gjesh në dhjetëra burime në Internet, me përjashtim të mediave shqiptare. Mes atyre burimeve, do të gjesh edhe të tilla që deklaratën e HRW e quajnë si në mbështetje të akuzave për masakra dhe trafik organesh në territorin shqiptar.

Së shtati, në qoftë se provohet që ministri Basha ka marrë pjesë në hetime të ngjashme me ato që përmend Del Ponte në librin e vet, por megjithatë ngrihet tani dhe i quan ‘shpifje’ ato që raporton ish kolegia e tij, atëherë ky ministër e ka humbur tanimë autoritetin si shef i diplomacisë shqiptare. Besnik Mustafaj, në kohën e vet, e dha dorëheqjen për shumë më pak.

Së teti, që çështja e trafikut të organeve është maja e ajsbergut e një procesi të paqartë që po ndodh në lidhje me zhvillimet politike në Ballkan; dhe se duhen pritur shkallëzime të reja ditët dhe javët e ardhshme, në vartësi edhe të rezultatit të zgjedhjeve në Serbi.

3 Komente

  1. Së nënti, asnjëra nga pikat një deri në tetë nuk përbën ndonjë të re. Së dhjeti, kjo është tragjike.

  2. Ah… Po kur je ne Ballkan, duhet sjellur si ballkanas… thote…

    …”A U.N. “safe haven” for Muslim refugees during Bosnia’s 1992-95 war, Srebrenica was overrun by Serbian forces loyal to Slobodan Milosevic. The Serbs separated the men and boys, forced them to strip, killed them and bulldozed their bodies into mass graves, the U.N. indictment alleges.

    Former tribunal judge Fouad Riad of Egypt, reviewing the evidence, described “scenes from hell … of unimaginable savagery” — including a man allegedly forced at gunpoint to eat the liver of his grandson…”

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin