DJALLI I AVOKATIT

Numri avokatëve në Shqipëri është rritur tej mase vitet e fundit. Po ashtu i noterëve. Shifra të sakta nuk gjeta, por dihet nga të gjithë se juridiku shqiptar diplomon zinxhir, ditën dhe natën, me mijëra studentë. Nuk jam ekspert i jurisprudencës, por disa gjëra, nga pozita e qytetarit, edhe mund t’i them. Me dëshirën dhe ftesën që dikush tjetër të hedhë dritë mbi një situatë, sipas meje, të ndërlikuar.

Le të nisemi nga një konstatim i thjeshtë. Numri i avokatëve lidhet drejtpërdrejt me proceset gjyqësore. Matematika e fillores na thotë se në rast se në Shqipëri ka, ta zëmë, 100 avokatë, minimumi ka 100 procese gjyqësore në vit. Natyrisht, kjo llogari vlen kur pranojmë premisën se mjafton një proces gjyqësor në vit për të ushqyer avokatin dhe familjen e tij. Mirëpo, siç dihet, një proces nuk mjafton për gojën e avokatit, pra shifra duhet marrë si e mangët.

Shumëkush e interpreton numrin e avokatëve si shenjë të nivelit të grindjes në një bashkësi. Sa më shumë avokatë ka, aq më shumë grindje rezultojnë midis anëtarëve të bashkësisë. Arsyetim i thjeshtë dhe i drejtë. Nga ana tjetër do të ishte e tepërt të akuzoheshin avokatët si shkaktarë të zënkave të qytetarëve. Ndoshta ata përmbushin nevojat e popullsisë që ka konflikte për të zgjidhur me rrugë gjyqësore. Mirëpo edhe ajo rrëfenja sipas së cilës një fshat i qetë, që i zgjidhte mosmarrëveshjet pleqnisht, u ashpërsua ndërvedi vetëm pas ardhjes së një avokati, nuk më duket pa baza. Sepse avokati, kur dëgjonte probleme gardhesh, vijash uji, pronash, i nxiste fshatarët të hapnin gjyq; si të thuash “siguronte bukën e gojës”. Këtu mund të përfundojmë në diskutimin e famshëm nëse nevojat e njeriut ekzistojnë apo krijohen rregullisht për arsye tregu.

Që të heq çdo hije dyshimi si antiavokat, them se vetë qenia e klasës së avokatëve duhet parë si shenjë demokracie. Më shumë se kushdo tjetër, këtë e dinë shqiptarët, të cilët nuk e njihnin avokatin si figurë gjatë viteve të regjimit totalitar. Ky i fundit e shikonte avokatin si halë në sy, meqë i kujtonte se qytetari ka të drejtë të mbrohet edhe nga (pu)shteti, edhe pse ky quhej që “buronte nga populli dhe i takonte atij”.

Mirëpo, kur numri i avokatëve rritet përtej kufijve normalë, kjo tregon se ka diçka që nuk shkon në sistemin gjyqësor dhe rrjedhimisht në demokraci. Shumë procese në Shqipëri lidhen me çështjen e pronave, të cilat zënë një pjesë të madhe të kohës së organeve gjyqësore. Ka të tjerë që mendojnë se avokatët janë të interesuar që t’i shtyjnë proceset (sipas shkallëve të gjykimit) sa më shumë, sepse në këtë mënyrë paguhen nga të interesuarit. Pra, nevojat nga një anë dhe interesat nga ana tjetër, bëjnë që numri i avokatëve dhe i proceseve të shtohen dita ditës. Fakultetet juridike kanë qenë një nga të më të parapëlqyerat e studentëve shqiptarë në vitet postdiktatoriale. Ndërkohë që po bëhet e modës që të jetë fakulteti i dytë i një pjese të madhe të diplomuarish.

Figura e avokatit është interesante dhe jo rrallë i ka tërhequr vëmendjen edhe letërsisë. Por këtu mua më intereson domethënia e tij në shoqërinë shqiptare, e cila në kalimin nga një regjim në tjetrin ka njohur një rritje të jashtëzakonshme të kësaj kategorie. Kjo rritje sasiore duhet parë kryesisht si rrjedhojë e zhvillimit të ekonomisë së tregut dhe e sistemit demokratik. Porse, tërthorazi, kjo tregon se konfliktualiteti në shoqërinë shqiptare gjithashtu është rritur. Dy elementet janë të lidhura. Supozohet se kur do të plotësohet tërësisht zbrazëtia ligjore për marrëdhëniet brenda minibashkësive, si në pallate p.sh., proceset civile do të rriten ndjeshëm. Vetëm në pallatin tim unë do të çoja në gjyq sa e sa tarracomanë, që e kalojnë jetën në çati, herë për të ndrequr depozitën dhe herë për të fiksuar saçin, duke shkaktuar dëme vazhdimisht. Për të qenë i sinqertë nuk do të ma mbante t’i hidhja në gjyq, sepse në vend të paneleve diellore do të më vinin lëkurën time të thahej në diell. Nuk duhet harruar se në Shqipëri shumë konflikte, ose zgjidhen në mënyrë ndërpersonale, ose nuk zgjidhen fare. Funksionimi i keq i drejtësisë dhe i shtetit bën që shumë padrejtësi të mbeten të tilla. Fiton më i forti.

Binak Alia i traditës shqiptare do të fyhej sikur ta krahasoja me gjykatësit e sotëm dhe do të nxehej sikur në vend të interesuarve t’i vija përballë avokatët. Kushedi si do t’i shihte plaku i urtë të kollarisurit e sotëm flokëlëpirë ose tullacë, sipas rastit. Mirëpo nuk besoj se do të më kundërshtonte sikur t’i thosha se avokatët, deri në një farë pike ndryshe nga gjykatësit, janë të interesuar t’i shtojnë proceset gjyqësore.

Nuk e di nëse në Shqipëri mund të flitet ende për një klasë avokatësh. Por e pranoj se akoma nuk janë shndërruar në kastë si në vende të tjera të zhvilluara, ku kanë marrë në dorë edhe parlamentet përkatëse. Ndoshta e kam gabim, por shoqëritë që rrisin në mënyrë të tepruar numrin e avokatëve, apo të noterëve, kanë probleme të paktën në jetën si bashkësi individësh. P.sh. noterët në Shqipëri janë shenjë e qartë e mosbesimit të shtetit ndaj qytetarëve dhe vetes. Përndryshe nuk shpjegohet që një certifikatë që del nga zyrat e shtetit, duhet të kalojë nëpër vulat e noterit për t’u njohur nga një zyrë tjetër e shtetit. Nejse, kjo është çështje tjetër.

14 Komente

  1. 1-“Përndryshe nuk shpjegohet që një certifikatë që del nga zyrat e shtetit, duhet të kalojë nëpër vulat e noterit për t’u njohur nga një zyrë tjetër e shtetit. Nejse, kjo është çështje tjetër”- Nuk ka lidhje me mosbesimin. Ka 2 rruge per te dorzuar nje dokument. 1- dorzon orıgjınalın / 2- dorzon fotokopjen e noterızuar “qe eshte njelloj si origjinalja”.. NE NDONJE RAST TE VEÇANTE LEGJISLACİONİ İ JEP TE DREJTE PUNONJESİT TE ZYES TE PRANOJ VETEM FOTOKOPJEN POR DUKE E KRAHASAUAR VET ( me syte e tıj ) ME ORIGJINALİN.
    2-“shtimi i numrite te av. eshte tregues i shtimit te kontradiktave”– hee kjo duket si shtimi i numrit te doktorve trgon qe jane shtuar semundjet, pakseimi i tyre mos do sjell pakesimin e semundjeve valle?:)))
    3-av. nuk zgjıdhın sherret ndermjet njerezve dhe per kete arsye shtimi i numrit te tyre nuk tregon shtimin e sherreve. avokatet iu japin njerezve ndihme juridike.. dmth. kur robit i bie nje dert ne koke nuk ka kohe dhe mendje te lexoj dhe te kuptoj te gjıtha lıgjet dhe nenet e shtetit.. eshte njelloj si kur robi semuret nuk mund te filloj te studioj per mjekesi qe te gjej me çfare te kurohet..
    4-jam dakort qe ndoshta proceset zgjaten por ju terheq vemendje qe nuk eshte av. ai qe vendos per zgjatjen e tyre.. zhıllımın e pocesıt e ka ne dore gjykatesi. nga ana tjeter le te mendojme per pak socializmin kur po te dilje ne gjyq zaten nuk kishe nevoj per av se pa diskutim qe do denoheshe.. le te kujtojme kohen e tranzicionit kur gjykatat nuk funksiononin dhe njrzit iu drejtoheshın kapobandave etj etj.. dhe te themi shyqyr qe edhe pse abuzohet ngapak njerzit kan filluar te mesohen me kulturen ligjore.. kan fılluar tiu hapin gjyq atyre qe kane kontradikta dhe jo ti zene pusine te kthesa:)))
    5- nuk eshte marifet i madh ti gjendet ndonje yçkel çdo gjeje..

  2. Jam dakort me Pishakun ne ate qe ne Shqiperi numri i avokateve eshte shume inflacionar. Kur them numri i avokateve nuk eshte se kam ndonje shifer se sa avokate dalin nga bankat e universiteteve por bazohem tek ata qe e fillojne juridikun si studim. Nuk e di se cfare trendi ekziston tani per ata qe futen ne universitet. Mua me duket se ajo qe per maturantet e viteve 90 ishte dega e juridikut eshte tani dega e shkencave politike.

    Edhe tek studentet shqiptare jashte ka nje prirje te ngjashmeper te studjuar deget klasike “shqiptare” (ekonomik, juridik, shkenca politike) pasi edhe ata zgjedhjen e deges e bejne duke u bazuar ne prirjet shqiptare dhe jo duke u bazuar ne prirjet e tregjeve te vendeve ku (do te) studiojne.

    Lind pyetja perse studiohen kaq shume keto lloj degesh? Pergjigjia mund te kete shume ane. Ne radhe te pare tregu shqiptar nuk ofron shume per specializimet e tjera. Ketu perjashtim mund te bejne mbase deget e arkitektures apo inxhnierise se ndertimit. Per dege si psh. mjekesia qe pervec studimit te rende ka dhe nje treg te monopolizuar pune apo per deget inxhnierike ne pergjithesi nga mungesa e industrise ne Shqiperi, tregu nuk ofron shume. Poashtu per informaticienet. Megjithese thuhet se ata kerkohen shume industria e informatikes ne Shqiperi pengohet nga mungesa e infrastruktures (lidhja e internetit broadband etj) dhe ben qe ajo te mbetet shume e kufizuar.

    Nuk dua te them se tregu shqiptar ofron detyrimisht me shume per juristet apo ekonomistet por nese te duhet te zgjedhesh midis nje dege te veshtire inxhinierike pa shume perskpektive pune dhe nje dege klasike (ekonomik, juridik etj) me te lehte dhe poashtu pa shume perspektive pune por qe gjithsesi te lejon te jesh me fleksibel ne tregun e punes natyrisht zgjedh degen me te lehte e fleksibel.

    Nuk duhet harruar gjithashtu ulja e cilesise se mesimdhenies neper gjimnaze qe ben qe nje pjese jo e vogel e maturanteve te mos jene ne gjendje te studiojne dege shkencore apo inxhnierike te mirefillta dhe te shkojne tek dege ku nuk duhet parapergatitje e madhe.

  3. Shqipëria është një vend në zhvillim e sipër nga shumë pikëpamje dhe fusha legislative nuk bën përjashtim. Zakonisht një numër i madh avokatësh që ushtrojnë profesionin në një vend, cilido qoftë ky, tregon se në atë vend ka një shumë të madhe ligjesh dhe në shumicën e rasteve krijojnë kontradikta mes njëri tjetrit.

    Sa më demokratik të jetë një vend, aq më pak ligje ka dhe gjëja më e rëndësishme është qartësia e këtyre ligjeve.

    Rrjedhimisht jam dakort me Pishakun kur thotë se rritja e numrit të avokatëve që ushtrojnë profesionin, dhe si rrjedhin jetojnë me lekët e fituara nga puna, tregon se jo vetëm komuniteti ka kontradikta që nuk arrin ti zgjidhi me mënyra të tjera, por dhe që ka më shumë ligje nga ç’duhet.

    Klasa e avokatëve po krijohet dhe në Shqipëri, kjo duket nga fakti se kanë filluar që tani studiot e avokatisë ku djali ndjek gjurmët e të atit në zanatin e avokatit; në shumicën e rasteve ky është fillimi i një mentaliteti koroporativ që shpie drejt e në trashëgimin e profesionit prind/fëmijë, dukë lënë mënjanë meritokracinë.

  4. “Për të qenë i sinqertë nuk do të ma mbante t’i hidhja në gjyq, sepse në vend të paneleve diellore do të më vinin lëkurën time të thahej në diell. ”

    Ketu ke te drejte Pishak, edhe sot e kesaj dite eshte aktuale, por jo aq sa ishte, te themi para 7-8 vjetesh (absolutisht).
    Sidoqofte te bie ne sy qe ne nje dokument zyrtar, noterizohet vete dokumenti, noterizohet firma dhe vula psh. e punonjesit te zyres se gjendjes civile, noterizohet vula dhe firma e kryetarit te bashkise ose prefektures nga ana e drejtorise konsullore te Ministrise se Jashtme.
    Une vet ia qaj hallin atyre qe shterngohen ti nenshtrohen kesaj torture burokratike, por ndoshta do tja gjejne ilacin nje dite edhe kesaj semundje foshnjerie te shtetit te “brishte” shqiptar. Sidoqofte avokatet duhen ne sistem, pastaj eshte tjeter ceshtje cilesia dhe profesionalizmi. Por edhe kjo le te shpresojme se eshte ceshtje kohore per tu kanalizuar ne veprimtari me shkalle te durueshme te veprimtarise burokratike.

  5. Dihet se numri i ‘avokatëve’ ose i juristëve tregon sa litigative është një shoqëri; sikurse tregon edhe vullnetin e njerëzve dhe të personave juridikë në përgjithësi për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet në rrugë ligjore.
    Mirëpo kam frikë se shtimi i madh i numrit të avokatëve në Shqipëri vitet e fundit nuk ka të bëjë aq me ndonjë forcim të vullnetit për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet në rrugë ligjore ose në përgjithësi për t’u siguruar themele të ligjshme veprimtarive ekonomike private, por më tepër me perceptimin e këtij profesioni si një rrugë për t’u pasuruar nëpërmjet ndërmjetësimeve të ndryshme.
    Një shoqëri ekonomikisht e zhvilluar ka nevojë për një nivel të caktuar ndërmjetësimi; por në Shqipëri, sikurse shumëçka tjetër, ky ndërmjetësim ka dalë jashtë kontrolli dhe nuk duket t’i përgjigjet më nevojave reale të shoqërisë për zgjidhje mosmarrëveshjesh.
    Vështirë të thuhet edhe nëse ky numër i madh avokatësh e juristësh i ka përmirësuar ose kthjelluar raportet e shoqërisë shqiptare me ligjin; sa kohë që shumë nga protagonistët e jetës publike në Shqipëri shquhen kryesisht ngaqë kanë gjetur mënyrën për ta shkelur ligjin pa pasoja dhe për t’u pasuruar në rrugë të jashtëligjshme.
    Nëse avokatët japin kontributin e tyre për t’i mbrojtur këta gjela plehu nga dora e ligjit, këtu nuk ka ndonjë arsye për t’u entuziazmuar. Nga ana tjetër, nuk mund t’i bësh me faj avokatët që një pjesë e papranueshme e veprimtarisë publike në Shqipëri shkon, praktikisht, në kundërshtim me ligjin.
    Zakonisht, avokatët i gjen të përqendruar atje ku lëvizin shuma të mëdha parash. P.sh. shtetet e Kalifornisë dhe të New Yorkut numërojnë, secili, nga 100 000 juristë, të cilët nuk është se tërhiqen nga klima, as nga atmosfera miqësore e këtyre shteteve.
    Askush nuk i ka qejf avokatët – deri në momentin kur i dalin probleme me ligjin. Edhe pse juristët, për nga vetë natyra e punës, kanë një nocion shumë relativist për të mirën dhe të keqen dhe për drejtësinë në përgjithësi, duhet pranuar se vitet e fundit këta janë shquar si mbrojtës të vendosur të të drejtave dhe lirive të njeriut, sidomos përballë tundimit të ekzekutivit amerikan për t’i shpërfillur këto të drejta kinse në emër të “luftës kundër terrorizmit”.
    Nga ana tjetër, prej kohësh e kanë thënë se një shoqëri që parapëlqen t’i zgjidhë problemet e veta në rrugë ligjore, nuk është shoqëri e shëndetshme; pse një shoqëri e shëndetshme funksionon kryesisht e mbështetur në besimin që kanë njerëzit ndaj njëri-tjetrit.
    Kjo, pa i përmendur kostot jashtëzakonisht të larta të gjyqësive – vetëm në gjyqësitë civile është thënë se amerikanët shpenzojnë diçka si 200 milard dollarë në vit; ndërsa kompanitë Fortune 500 shpenzojnë për gjyqësitë, çdo vit, rreth 1/3 e fitimeve të tyre pas taksave; çka përbën një barrë të rëndë për ekonominë amerikane, e cila u shkarkohet, tek e fundit, konsumatorëve.
    Natyrisht, amerikanët mund ta kenë humbur disi besimin ndaj njëri-tjetri, por ende kanë besim te ligji dhe tek institucionet e tyre të drejtësisë. Në Shqipëri, përkundrazi, ky besim në ligjin dhe në institucionet mungon. Nëse kasta e juristëve do të arrijë që, me integritetin e vet profesional, të kontribuojë për ta shtuar disi këtë besim, kjo mbetet për t’u parë. Por shqiptarët do të bënin mirë t’i kujtonin vetes se i kanë ende mundësitë që t’ia kursejnë vetes gjyqësitë e tepruara, dhe t’u falen më shumë institucioneve tradicionale: fjalës së dhënë, shtrëngimit të dorës, besës dhe burrnisë.

  6. P.Zh: “Numri i avokatëve lidhet drejtpërdrejt me proceset gjyqësore. Matematika e fillores na thotë se në rast se në Shqipëri ka, ta zëmë, 100 avokatë, minimumi ka 100 procese gjyqësore në vit. ”
    EM: Nuk eshte e thene. Ne nje shoqeri me aktivitet ekonomik e komercial relativisht te zhvilluar, numri i juristeve mundet fare mire te lidhet me numrin e proceseve gjyqesore TE EVITUARA — nje numer i pakuantifikueshem dot lehte. Nese nje ceshtje midis dy palesh perfundon ne proces gjyqesor, ne shumicen e rasteve keshilltaret juridike te paleve kane qene te pazotet profesionalisht; ne raste me te ralla ceshtja vete eshte e tille qe nxjerr ne pah nje pike te dobet te legjislacionit civil, penal, apo kushtetues, kur aplikimi i tij con ne rezultate qe do te binin ndesh me perfytyrimin tone per drejtesine.

    P.ZH. “… avokatët, deri në një farë pike ndryshe nga gjykatësit, janë të interesuar t’i shtojnë proceset gjyqësore.

    EM: Ky per mendimin tim eshte perceptim i gabuar, edhe nga pikepamja ekonomike dhe nga pikepamja etike (natyrisht, kjo e fundit vlen si argument po qe se ka ndonje fije shprese per ju te besoni se juristit mesatar i ka mbetur nje shtylle kurrizore etike, sado e brishte). Ne aspektin ekonomik te ceshtjes, si rregull, proceset e tejzgjatura bien krejtesisht ndesh me interesat e profesionit legal (qofte kur behet fjale per gjykates, apo avokate). Efekti i zgjatjeve do te ishte qe njerezit gjithmone e me pak te llogarisnin ne sistemin gjyqesor qe te zgjidhin ceshtjet e tyre. “Drejtesia e vonuar eshte drejtesi e mohuar”, tha. Ne te kundert, zgjidhjet e shpejta te ceshtjeve do te inkurajonin kedo qe ka nje prekje legjitime te interesave te tij qe gjithmone e me teper te perdorte sistemin gyqesor per ta gjetur “te drejten” e vet. Kjo e fundit eshte ajo qe do t’i mbante perjetesisht me buke gjykatesit e juristet e te gjitha kategorive.
    Perjashtime natyrisht qe ka, dhe keto probleme ne USA per shembull, jane zgjidhur njefaresoj me strukturen e shperblimeve per juristet. Kjo strukture shperblimesh eshte e komplikuar, dhe eshte muhabet i gjate per ta shpjeguar. Por sa per ilustrim, ne ceshtjet civile, ne shumicen e rasteve zgjidhja eshte gjetur duke i inkurajuar juristet qe te marrin persiper te perfaqesojne cilindo klient–pavaresisht nese klienti disponon apo jo ndonje qindarke teper per te angazhuar nje avokat qe ta perfaqesoje–dhe te paguhen vetem nese klienti i tyre fiton (zakonisht rreth 1/3ten e shumes qe rekuperohet nga vendimi gjyqesor). Ne kete rast, interesi i nje avokati do te ishte qe ai te shkarkonte ceshtjen urgjentisht: te anashkalonte procesin gjyqesor krejtesisht, e keshtu te hiqte qafe dhe burokracine e lidhur me te, dhe te hynte ne nje marrveshje me palen kundershtare per nje shume te caktuar ne favor te klientit te tij.

    Do me thuash, atehere pse zgjaten proceset, dhe pse njerezit perfundojne te paguajne kaq shume si pasoje? Ky perceptim i detyrohet pjeserisht bujes qe bejne proceset e tejzgjatura ne media. Ne rradhe te pare jo te gjitha ceshtjet jane njesoj, dhe ca prejt tyre, sic thashe ngrene dilema juridike qe nganjehere cojne ne ndryshim te legjislacionit, por vetem pasi kane kaluar deri ne Gjykaten e Larte. Ky proces, kur palet nuk e mbledhin mendjen qe me vendimin e shkalles se pare por e apelojne vendimin me shpresen qe vetem gjyqesia e fundit, ajo e shkalles me te larte do t’i bente ta flinin mendjen, kthehet vetvetiu ne nje proces te tejzgjatur. Keto raste jane jashtezakonisht te rralla, megjithate, ne krahasim me morine e konflikteve apo prekjen e interesave qe do te ishin kandidate per te perfunduar ne gjyq. Une di te them me siguri te plote (referencat me vone, nese i interesojne kujt) se, ne USA te pakten, 99% e ceshtjeve gjyqesore potenciale nuk behen kurre “ceshtje”, ne sensin qe nuk arrijne deri aty sa te ngrihet nje padi formale, per aresye se perfundojne te zgjidhen ose me arbitrazh, ose thjesht me marrveshje te paleve qe arrihet kur njera pale kercenon tjetren me padi. Eshte ky stad ne mosmarrveshjen midis paleve i cili i siguron “pune” mizerise se juristeve qe diplomohen cdo vit. Nga ato 1% qe perfundojne ne sistemin gjyqesor, shumica (99% prape) shkarkohen menjehere qe ne paraqitjen me te pare te paleve perpara gjykatesit. Kur nje ceshtje ngjason me nje te meperparshme ne aspektet thelbesore te saj, vendimi merret aty per aty (brenda dites, dmth) ne perputhje me precedentin e meparshem. Te themi, nese ti me shite nje lope shterpe, kur une ta pagova cmimin si per lope pjellore, une dua te me paguash diferencen, sepse 100 vjet me pare Qazimi e fitoi davane kur i shiten nje dose shterpe. Pershtypja se avokatit mesatar (theksoj, mesatar, me shpresen qe te perjashtoj batakcinjte qe jam e sigurt se egzistojne) i interesojne proceset e tejzgjatura eshte per mendimin tim e nxituar.

    Xhaxhai: “vetëm në gjyqësitë civile është thënë se amerikanët shpenzojnë diçka si 200 milard dollarë në vit; ndërsa kompanitë Fortune 500 shpenzojnë për gjyqësitë, çdo vit, rreth 1/3 e fitimeve të tyre pas taksave; çka përbën një barrë të rëndë për ekonominë amerikane, e cila u shkarkohet, tek e fundit, konsumatorëve.”

    EM: Kam frike se argumenti qe keto shpenzime jane barre per ekonomine amerikane nuk mund te qendroje, te pakten jo mbi te njejtet binare logjike sic do te qendronte argumenti i shpenzimeve per luften idiote ne Irak, ku miliardat e shpenzuara per armatime dalin direkt nga xhepat e taksapaguesve dhe bejne “puff” ne ere. Ne fund te fundit, ekonomise amerikane shpenzimet legale i dalin nga njeri xhep dhe i hyjne ne tjetrin. Ekonomia do te vuante po qe se konfliktet legale ne USA do te perfundonin per zgjidhje ne sistemin gjyqesor te Republikes Domenikane, duke angazhuar juriste Domenikane. Por per sa kohe ato zgjidhen domestikisht, shpenzimet legale riciklohen brenda ekonomise amerikane vete. Natyrisht, argumenti se shpenzimet legale te bizneseve amerikane rrisin cmimet e produkteve per konsumatoret qendron, vetem se kam frike se ceshtja eshte pak me e komplikuar se kaq. Sepse duhet marre parasysh se teksa cmimet rriten, fuqia blerese e juristeve rritet njekohesisht, dhe shumat qe iu kalojne atyre shpenzohen po ne tregun amerikan, ose kalojne ne forme investimesh ne institucionet financiare amerikane, gje qe pastaj krijon me shume vende pune, e rrit rrogat e konsumatoreve vete. Nje argument per polarizimin e pasurise materiale do te ishte mbase me me vend.

  7. Era Makoçi shkruan:

    […] ekonomise amerikane shpenzimet legale i dalin nga njeri xhep dhe i hyjne ne tjetrin. Ekonomia do te vuante po qe se konfliktet legale ne USA do te perfundonin per zgjidhje ne sistemin gjyqesor te Republikes Domenikane, duke angazhuar juriste Domenikane. Por per sa kohe ato zgjidhen domestikisht, shpenzimet legale riciklohen brenda ekonomise amerikane vete.

    Era, çështja është se, në shumë raste, kostot e gjyqësive (s’po gjej fjalë tjetër të përshtatshme për litigation) janë artificiale dhe e rëndojnë ekonominë pavarësisht se në xhep të kujt shkojnë. Për shembull, dihet rritja artificiale e kostove të shërbimeve mjekësore, për të mbuluar shpenzimet e mjekëve dhe të korporatave përkatëse për t’u siguruar ndaj padive të pacientëve për keqtrajtim ose neglizhencë. Rreziku për padi nga pacienti bën edhe që mjeku i cili trajton një pacient të preokupohet veçanërisht për mundësinë që ky pacient mund ta hedhë në gjyq nesër në rast se mjekimi nuk shkon mirë; madje shpesh të preokupohet më shumë për t’u mbrojtur nga kjo mundësi padie, sesa për t’i ofruar shërbim optimal pacientit. Nga ana tjetër, ka një mizëri avokatësh e firmash avokatore të specializuara për t’u kërkuar dëme institucioneve shëndetësore ose për padi të ngjashme, të cilat shpesh u fitojnë, bie fjala spitaleve, shuma të mëdha parash. Rezultat i kësaj situate është që SHBA, megjithë shpenzimet shëndetësore shumë të larta për banor, të ketë probleme kritike me sigurimet shëndetësore, deri në atë shkallë sa një përqindje shumë e lartë e popullatës, kryesisht nga shtresat e mesme, të mos ketë fare sigurime mjekësore. Natyrisht, paratë u mbeten avokatëve amerikanë, por këta nuk i shpenzojnë njëlloj si mileti i rrugës; prandaj për mua konsumatorin është njëlloj sikur t’i kishin shkuar Republikës Dominikane, dhe nuk më ngushëllon shumë fakti që fitimet e aksh firme avokatie janë rritur nga 3 miliard në 4 miliard dollarë në vit.

  8. Mua me duket se ka nje perzjerje te konceptit te juristit me avokatin. Ato qe thote Pishaku, Era, Xhaxhai, lidhur me raportin numer avokatesh/numer konfliktesh gjyqesore (civile, penale) qendrojne, nese flasim per avokatin si profesionist ligjor qe merr persiper perfaqesimin e interesave te paleve ne nje konflikt.

    Dikush tha ketu se “sa me shume demokraci, aq me pak ligje” dhe rrjedhimisht me pak juriste. Perkundrazi, ne demokraci ku presupozohet qe mbrohen te drejtat e te gjitheve, nevojiten ligje e rregulla per te gjitha aspektet e te drejtave te njerzve, dhe sa me shume kalon koha, aq me shume del nevoja qe cdo detaj, cdo rast sado hipotetik te mbulohet nga ligji.

    Numri i profesionisteve ligjore, qofshin avoketer, prokurore, juriste administrative, ne forcat e rendit, gjykates etj etj etj, nuk mund te jete aq i madh sa c’po thuhet ketu, po te marresh parasysh se edhe ne nje mbledhje bordi ka raste kur kerkohet prezenca e juristit. Cdo kompani ka nevoje per konsulence juridike, qofte edhe per te pushuar nje njeri nga puna, per te shmangur nje konflikt te mundshem qe perfundon ne gjykate neser. Dhe nen-specialitetet e juristeve shtohen vazhdimisht sapo nje sektor mbulophet nga nje numer i madh ligjesh e rregullash, sepse juristi qe ka dije dhe eksperience ne kontratat e shit-blerjes, per shembull, nuk mund te dije edhe ligjin e taksave, edhe ate te familjes, edhe ate te sigurimeve, edhe kodin e proceduren penale etj.

    Mund te sjell shembuj pafund, per te gjithe sektoret, private apo publike, ku prezenca dhe ekspertiza e juristit jane te domosdoshme. Kjo eshte arsyeja kryesore pse shume studente preferojne te studjojne per drejtesi. Eshte nje sektor ku nuk mbaron kurre kerkesa.

    P.S. Nuk ma merr mendja qe kerkon ligji shqiptar noterizimin e firmes origjinale te nepunesit shteteror. Noterizimi vlen vetem per te vertetuar identitetin e firmosesit privat, dhe perputhjen e kopjes me origjinalin. Te tjerat jane ose hamendje a keqkuptime te njerzve, ose thjesht abuzime te notereve.

  9. Era, numri i proceseve gjyqësore të evituara vetëm sa e përforcon arsyetimin tim të mbështetur nga aritmetika e fillores. Pra 100 proceseve në vit do t’i shtoja edhe 100 të tjera “të evituara”. Këto të fundit nuk kanë përfunduar para gjykatësit me çekiç në dorë, por koston e vet e kanë pasur. Nga ana tjetër, vetë fakti që puna ka shkuar tek avokatët nuk tregon ulje të “përplasshmërisë ndërpersonale”. Natyrisht, është më mirë kështu se sa të shkojë puna tek gjykatësi, por është më keq se të ishte zgjidhur puna nëpërmjet mirëbesimit.

    Po të jap një shembull nga Kombinati (ish Bronksi i Tiranës). Në oxhakun e shtëpisë time, një nga djemtë që ngjiten “për sport” në tarracë, kishte hedhur një tullë, duke e bllokuar fare dhe duke e nxirë rrjedhimisht dhomën e pritjes nga tymi, që kthehej detyrimisht poshtë nga zori. Mamaja ime i tha mamasë së atij djalit, i cili kërkoi falje dhe thirri një shok që i dha një “dorë gëlqere” dhomës. Për fat të mirë u mbyll çdo gjë miqësisht. Kur ia tregova një shokut tim të huaj këtë ndodhi, ai më tha: “Pse nuk e hodhi në gjyq që t’i merrte të gjitha shpenzimet, madje edhe dëmin moral?”. Mua më erdhi për të qeshur, sepse kisha parasysh ambientin e Kombinatit, ku edhe rrahjet zgjidhen në pijetore me nga një gotë konjak (tani edhe atje po ndryshojnë ca gjëra, por kjo është çështje për herë tjetër).

    Një shoqëri që e rrit artificialisht numrin e avokatëve apo numrin e proceseve gjyqësore tregon se ka probleme me ndërmjetësimin e konflikteve.
    Deri tani nuk e kam thënë, por kam përshtypjen se edhe zhvillimi i zhargonit juridik, apo i vetë procedurave gjyqësore, që vjen e bëhet gjithnjë e më hermetik për qytetarët e thjeshtë, sikur synon më shumë riprodhimin e punonjësve të drejtësisë, se sa zgjidhjen e konflikteve apo vendosjen e drejtësisë.

  10. @xhaxha: “Por shqiptarët do të bënin mirë t’i kujtonin vetes se i kanë ende mundësitë që t’ia kursejnë vetes gjyqësitë e tepruara, dhe t’u falen më shumë institucioneve tradicionale: fjalës së dhënë, shtrëngimit të dorës, besës dhe burrnisë.”

    Zgjidhja e konflikteve nepermjet mekanizmave sociale funksionon vetem kur shoqerite ne fjale jane pak a shume stabile dhe te ngurta. Kete lloj ngurtesie e ofrojne vetem shoqerite rurale apo para-industriale dhe jo shoqerite e zhvilluara kapitaliste. Rrjedhimisht mekanizmat tradicionale si besa apo fljala e dhene nuk mund te funksionojne me ne nje shoqeri (jo-tradicionale) si ajo aktuale shqiptare me nje nivel migracioni te brendshem dhe emigracioni shume te larte. Pra edhe Shqiptaret do ti zgjidhin konfliktet e tyre gjithnje e me pak nepermjet mekanizmash tradicionale si besa apo fjala e dhene.

  11. Xhaxhai: “Rezultat i kësaj situate është që SHBA, megjithë shpenzimet shëndetësore shumë të larta për banor, të ketë probleme kritike me sigurimet shëndetësore, deri në atë shkallë sa një përqindje shumë e lartë e popullatës, kryesisht nga shtresat e mesme, të mos ketë fare sigurime mjekësore. Natyrisht, paratë u mbeten avokatëve amerikanë, por këta nuk i shpenzojnë njëlloj si mileti i rrugës; prandaj për mua konsumatorin është njëlloj sikur t’i kishin shkuar Republikës Dominikane, dhe nuk më ngushëllon shumë fakti që fitimet e aksh firme avokatie janë rritur nga 3 miliard në 4 miliard dollarë në vit.”

    EM: Pa dyshim, jam me ty në këtë pikë. Në fakt, atë sugjerova dhe unë më herët, se polarizimi i shtresave ekonomike e sociale është efekti më direkt e më i dukshëm i “gjyqësive” te shumta, dhe ti në fakt më duket sikur je duke argumentuar pikërisht këtë. Ndërhyrja ime kishte të bënte me atë që nëse i qasesh problemit në një nivel analize macro, pra ta shohësh ekonominë amerikane si një të tërë, atëherë unë në atë nivel analize, dhe vetëm në atë, po sugjeroj se paratë që ndërrojnë duart brenda ekonomisë janë një lojë me shumësin zero (zero-sum game) (Mbase tingëllon si thjeshtëzim i tepërt, por mua më duket adekuat për hir të argumentit). Nëse zbresim një nivel më poshtë, (një qasje micro, të themi) dhe shohim se cilat shtresa klasore, apo entitete, humbasin e fitojnë nga këto shuma që ndërrojnë duart si pasojë e ‘gjyqësive” të shumta, atëherë humbësit janë pacientët, ti dhe unë me siguri, që mbajmë në kurriz një pjesë të kostove legale për ‘malpractice’. Nga ana tjetër ama, ku ta dish se cfarë porcioni tamam fitojmë nga fakti që produktet kanë standarte sigurie më te larta; që garancitë për përdorshmërine e artikujve te konsumit janë bërë më të gjata; që mjeket dhe juristët i nënshtrohen një ekspertize më skrupuloze përpara se të licensohen për të ushtruar profesionin, etj si këto, që janë pa dyshim rezultat i frikës paranoide të sistemit nga paditë apo pagesa e dëmshpërblimeve potenciale.

  12. Pishak, që të kuptohemi se ku tamam ndryshojnë pozicionet tona, unë e interpretova idenë e shkrimit tënd të mishëruar në pohimin se, “[s]a më shumë avokatë ka, aq më shumë grindje rezultojnë midis anëtarëve të bashkësisë. Arsyetim i thjeshtë dhe i drejtë.” Ky pohim, kombinuar me anekdotën e fshatit të qetë që “i zgjidhte mosmarrveshjet pleqnisht” deri para se të shfaqej “avokati i djallit”, apo me at sugjerimin tjetër se si oferta në treg për “avokatë” ka mundësi që prodhon kërkesën për shërbimet e tyre (tezë kontroversiale për ekonomistët kjo e fundit), sugjeron se ti vendos nje shigjetë njëkahëshe në mardhënien shkakore: rritje në numër “avokatësh” –> rritje në numër grindjesh/procesesh gjyqësore. I balancuar sic je zakonisht, ti le hapesirë dhe për mundësinë që shigjeta të ketë dy kahje, pra që numri i grindjeve ka gjasë te cojë në rritje te numrit të juristëve. Nga ana tjetër, unë do të doja t’i shtoja diskutimit tënd një alternativë të tretë, që rritja e numrit te “avokatëve” ka mundësi të cojë në *uljen* e tendencave litigative të një shoqërie, dhe rezulton në më shume akte të paqme pajtimi e lëshimi pé ndaj tjetrit. Kjo realizohet me dy mënyra:
    Së pari, vetë egzistenca (krejt pasive) e opsionit të angazhimit të një avokati, e kombinuar me perceptimin e publikut se tarifat e tyre të “thyejnë kokën”, i motivon njerëzit që të zgjedhin tryezën e pajtimit, të paktën aty ku ai është i mundshëm dhe ku palët e konfliktit nuk disponojne fuqi (ekonomike, konjukturale) disproporcionale. (Për shembull, një tregues është numri gjithnjë në rritje i divorceve te pakontestuara, ku burrë e grua, të alienuar tashmë e ndoshta me shpirt ndër dhëmbë, i ndajnë lugët, pirunjtë, e ‘çentrot’ vetë.) Më problematike janë natyrisht rastet kur njëra palë ka mundësinë ekonomike të angazhimit të një avokati dhe pala tjetër përfundon të humbasë githcka e të ngelet vec në brekë. (Por s’ka dert, sepse dhe pala fituese, kur avokati të ketë mbaruar punë me të, ka mundësi të përfundojë po ashtu, vec me brekë.) (Preferencat tekstile në raste të tilla është mirë të anojnë nga pambuku.) Por dhe atëhere, arësyet janë të forta, që të evitohen proceset gjyqësore, me apo pa konsulencë legale. Racionaliteti, që nuk është tjetër vecse algjebër (cost-benefit analysis, por jo detyrimisht mbledhje-zbritje me shuma të hollash) e kërkon një përfundim të tillë. Pajtimi i shërbimeve të një avokati (fatura e shpenzimeve legale dmth) kthehet në një faktor që vjen e ulet këmbë-kryq në llogarinë që bëjnë palët për menaxhimin e konfliktit. Pra një firmë avokatore në fund të rrugicës, numrin e telefonit të së cilës as ti e as pala tjetër, nuk e formuat kurrë, vetëm duke egzistuar për qejf të vet, e rëndon peshoren në anën e pajtimit dhe jo në atë të sherrit; në anën e opsionit të zgjidhjes “pleqnisht” të një mosmarrveshjeje me një njeri që mbase do të doje “t’i haje gurgullin”. Nje prezencë e bollshme juristësh, ndërsa sugjeron akses me të lehtë për shumëkënd në organet gjyqësore, nuk më duket se ka një efekt përjashtimor ndaj zgjidhjeve “pleqnishte”. Në fakt, mua më duket sikur e redukton dhe tundimin për ‘vendetta’ personale, (sistemet legale të korruptuara mënjanë) e për ta marrë drejtësinë vetë në dorë.
    Mënyra e dytë se si rritja e numrit te juristëve ka mundësi të cojë në reduktimin e tendencave litigative është ajo që përmenda më herët, që procese gjyqësore te mundëshme te asgjësohen që në vezë nëpërmjet ndërmjetësimit.

  13. eshte e vertete: problemet e perditshme shpesh ne shqiperi zgjidhen pa nevojen e shtetit dhe te avokatit, nqs zgjidhen;
    te shpresojme qe te kemi rritje profesionale dhe nje pershtatje te numrit me nevojen e “tregut te drejtesise”;
    ndoshta numri u rrit edhe sepse ishte nje nga zanatet e ndaluara e te mbyllura me pare; eshte vetem njeri nga shtremberimet e shoqerise shqiptare: drejtesia nuk funksionon edhe pse rritet numri i avokateve; shtohen elektroshtepiaket edhe pse s’kemi drita; si edhe ne perendimin e zhvilluar te mbyt trafiku, te gjithe me makina edhe pse s’kemi breke ne b. Pune kulture, te me fale kultura qe po i bie ne qafe edhe nje here tjeter…

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: