Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Sociologji

NGA I MARRIM URDHRAT

Kush ia lëviz botës fijet? Grupi i Bilderbergëve? Komisioni Trilateral? Vatikani? Opus Dei? Priorati i Sionit? Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë? Bankierët? Illuminati? Masoneria? The Majestic 12?

Të mençmit të thonë se botën e komandon kush ia komandon komandantët.

Ka diçka në psiken njerëzore, më të vjetër se arsyeja e më kokëfortë se intuita, që priret t’i lexojë ngjarjet si të nyjëtuara në shfaqjen dhe thelbin; nga të cilat shfaqja është e rreme dhe ka për funksion të vetëm të orientojë drejt thelbit ata që dinë ta deshifrojnë drejt.

Prirja paranoide për t’i parë të gjitha si metafora që i referohen njëra-tjetrës, ose krejt botën si labirint pasqyrash, nuk lë jashtë as subjektin soditës.

Në gjyqet që u bëheshin armiqve të shumtë të popullit e të Partisë, do të vinte gjithnjë momenti i pyetjeve fatale:

Kush të paguan? Kush fshihet pas teje? Ç’përfaqëson? Ku e merr rrogën? Kush t’i ka vënë këto fjalë në gojë?

Të vënë me shpatulla për muri, armiqtë pa e kuptuar edhe vetë braktiseshin prej vullnetit të lirë, për t’u shndërruar në vegla forcash madhore të historisë, holograme tashmë të vdekura pa shpirt e pa motive të vetat.

Edhe më gjakatari i antipartive, kryeagjenti poliagjenti multiagjenti Mehmet Shehu, u vërtetua (nëpërmjet demaskimit) se nuk kish qenë veçse emërues i përbashkët i të gjitha agjenturave ndërkombëtare; ose shenjë e thatë algjebrike e vegël vrastare në duart e Atyre.

Nga i merrte urdhrat Mehmeti? Politikën e kujt bënte? Cili kukulltar ia tërhiqte fijet buratinit tonë kryeministër?

Problemi me këtë teori interpretimi të historisë është se prapa çdo kukulltari të identifikuar fshihet dyshimi, në mos mundësia së paku teorike, që edhe ky të varet kukull prej gishtave të një kukulltari të epërm, e kështu me radhë deri lart fare, te programuesi suprem i universit ose ndezësi i kapsollës së Big Bang-ut.

Dhe në këtë rrjetë merimangash kukullash e kukulltarësh të kapur e të ngecur në fijet e shoku-shokut, vallë nuk kemi të drejtë edhe ne të pyesim se kush na paguan ne të gjithë vdekëtarët për çfarë bëjmë, themi, planifikojmë, dëshirojmë? Kush na i lëviz fijet? Kush na i vë fjalët në gojë? Kush na i dërgon mendimet në kokë?

Mbaj mend një vinjetë të shkëlqyer të Altan, në një të përjavshme italiane të viteve 1990; me një personazh që thoshte me vete: “mi piacerebbe sapere chi è il mandante di tutte le cazzate che faccio.”

Kush më urdhëron t’i bëj të gjitha hajvanllëqet që bëj.

Një përgjigje për këtë enigmë e sugjeron analiza letrare, ose refleksioni mbi autorësinë në përgjithësi.

Mbaj mend kur filloi të pëlqehej, në Tiranën e fillimit të viteve 1970, një shkrimtar kosovar: Kapllan Resuli. Romanin e tij “Tradhtia” e gjeje në çdo bibliotekë intelektuali të respektueshëm; një vëllim me tregime, “Ushtima e Korabit” lëvdohej me entuziazëm nga kritika; një novelë për fëmijë, “Gjarpri”, kritikohej, por vetëm ngaqë prej atij autori tashmë pritej shumë më tepër. Më pas Kapllan Resulin e arrestuan dhe e hodhën në burg si gjoja spiun të UDB-së, veprat ia hoqën nga qarkullimi. Në Tiranë erdhi e u hap fjala, pas gjase e mbjellë qëllimisht nga Sigurimi, se ky nuk i kish shkruar vetë veprat e veta, por ia kishin dhënë të gatshme “Ata”, armiqtë e betuar të revolucionit e të socializmit në Shqipëri, titistët revizionistët monarkofashistët imperialistët, që veç komplotonin ditë e natë kundër pushtetit popullor.

Edhe pse unë isha ende i vogël për të interpretuar, kishte diçka që s’më tingëllonte mirë e s’më bindte deri në fund në këtë teori; sepse vepra letrare e Resulit konsistonte në mijëra e mijëra faqe letërsi të nivelit të mirë; romane, tregime, novela; po kush vallë në zyrat sekrete të UDB-së kishte pasur aq talent letrar sa t’i kërrente këto vepra në vend të Resulit, por jo aq kredi e ambicje sa t’i botonte në emrin e vet? Cili paskësh qenë ky shkrimtar hero i heshtur që kish preferuar t’ia dhuronte artin e vet punës agjenturore? Apo ndonjë tjetër qyqar prej Kosove, arrestuar si armik i popujve jugosllavë e i kalbur këtë herë qelive të UDB-së?

Asgjë për t’u habitur; meqë aso kohe thuhej edhe se veprat e Marksit, të Engelsit, të Leninit e të Stalinit, të cilat Enveri s’i hiqte as nga dora as nga goja, i kishte përkthyer, në birucë, kërkush tjetër përveçse armiku i betuar i Partisë, oportunisti tashmë i demaskuar Sejfullah Malëshova…

Ato vite të zjarrta shënonin edhe hyrjen madhështore të Ismail Kadaresë në kapanonet e kulturës shqiptare; i cili po i prezantohej publikut çdo ditë e më tepër si sendërgjues vizionesh moderne, elegante e perëndimore, të studiuara për të na lënë të gjithëve gojëhapur. Kadareja i aeroporteve ndërkombëtare, kuajve të Trojës, barakave prej pupuliti, odaliskave të haremeve osmane, ëndrrave industriale me oxhaqe dhe historisë herë të anakronizuar e herë të shndërruar në freak show ishte cool në një kohë kur vetë koncepti i “cool” nuk ishte formuluar akoma.

Po çfarë thashethemeje e kishin gati kafenetë e Tiranës për supernovën Kadare? Dy fjalë të vetme të shkurtra, por të helmatisura si dhëmbët e nepërkës: “I vjedh.” Unë isha ende fëmijë atëherë, por nuk arrija ta përfytyroja shkrimtarin duke i gëdhirë netët pa gjumë, në kërkim pasazhesh për të qëmtuar në veprat e Kafkës, Hemingwayt, Bulgakovit, Jevtushenkos, Dos Passosit…

Këto insinuata, thashetheme e përsiatje e kishin zanafillën në një model unikal legjende, që pritej të funksiononte si formulë magjike për ta shpjeguar botën, e të cilën mund ta përmblidhje kështu: çdo vepër është i është vjedhur dikujt tjetër.

Natyrisht, nuk ka asgjë shqiptare specifike kjo formulë, e cila merret seriozisht kudo ku historia refuzon t’ia lirojë shtratin paranojës në pavijonet e psikiatrisë. Në Angli kanë shekuj që rreken të vërtetojnë se pjesët teatrale e Shekspirit nuk janë të Shekspirit por të një autori tjetër, me gjithë kontradiktën e një kundërshtimi të tillë të autorësisë – meqë kush mund të jetë tjetër Shekspiri, përveçse autori i “Mbretit Lir”, “Makbethit”, “Jul Qesarit”…?

Kush e ka shkruar “Hamletin”, e pyet profesori nxënësin të ngritur në mësim. S’e kam shkruar unë, zoti mësues, përgjigjet i shkreti nxënës; pa e ditur se po i jep një interpretim të ri e ndoshta legjitim krejt dilemës filozofike të autorit.

Të tjerë dijetarë kanë dashur të gjejnë, madje edhe me metoda statistikore, se kush pikërisht i ka shkruar Iliadën dhe Odisenë: Një poet i vetëm? Dy poetë nga të cilat së paku një grua? Tre poetë? Shumë poetë njëkohësisht? Shumë poetë në mënyrë të njëpasnjëshme? Gjenia e pashtershme e popullit?

Nuk na intereson aq kush i ka shkruar këto poema, do të shtonin prokurorët stalinistë duke thithur llullat mendueshëm; sesa kush e ka dhënë urdhrin që të shkruheshin.

Letërsia çon ashtu në teologji.

Rritur e këndellur në atmosfera fetarisht sterile, ne shqiptarët çështjet teologjike priremi t’i arsyetojmë e t’i shembëllzojmë si dilema të politikës, e shumta të filozofisë së historisë. Prapa çdo gafe, budallallëku e karagjozllëku; prapa çdo aksidenti, harrese e papërgjegjësie; prapa çdo krimi, harbutërie e makutërie, kërkojmë të gjejmë vullnetin e fshehtë të kukulltarit, të dorasit, të shtytësit, të nxitësit, të frymëzuesit.

Ne kërkojmë Hegelin në rropullitë e çdo iriqi e qelbësi të vrarë në mes të autostradës.

Kush e dha urdhrin që të vihej Saliu në krye të lëvizjes së dhjetorit? Kush e dha urdhrin për të vrarë Azemin? Kush i nxori tanket nga tuneli? Kush i ndali tanket? Kush e dërgoi helikopterin? Kush i ndezi fitilat e 1997-ës? Kush e solli Edin nga Parisi? Pse Edin po dhe Ed Selamin jo? Kush e hodhi në erë Gërdecin?

Ky nuk është më interpretim i botës, por vetëm ngushëllim i kujt ka vendosur ta kërkojë të vërtetën, tash e tutje, vetëm duke interpretuar. Është tejet ngushëlluese, tek e fundit, të jesh i sigurt që dikush gjendet gjithnjë në kontroll të sendeve, me duart të sigurta në timon dhe syrin e pafjetur në horizont; sikurse është e papranueshme, në mos e frikshme, të zbulosh një ditë se askush prej nesh vdekëtarëve nuk ka guxuar të dalë ndonjëherë në kuvertë të anijes.

Ashtu, edhe kur e shohim që prijësit i kemi për faqe të zezë, gjithnjë na qetëson ideja që armiqtë i kemi të mëdhenj, të gjithëditur e largpamës, komplotues e përllogaritës. Shpëtimi do të na vijë, në mos këndej, të paktën andej, tha.

4 Komente

  1. …”Letërsia çon ashtu në teologji”…
    edhe,
    analogji me albanologji…
    pyetjet retorike ndonjihere duhen pergjigjur; “Kush e solli Edin nga Parisi?” E solli vdekja e te jatit (babait) te tij, me sa di une.
    Mistifikimi i autoresis se urdherave te “marra”, stimulon pasivitet ne rolin e dikujt, para se te justifikoje pranin e tij edhe pse te thjeshte.

    Retorika, me stimul hormonesh artificiale, po mban ne kembe jashteqitjen e sistemit te para viteve nentedhjet.
    Tendenca e sulmit ne c’do individ “te sukseshem” eshte kolektive. Semundje kjo nga sistemi qe polli sistemet e pas nentedhjetes. Masivizimi eshte kanceroz kur moralizon, dogmatizon demagogjia.

    Urdhrat i marrim nga paftyresia mistike e jona. Kushdo qoft ne kontakt me ne, jasht apo brenda vendit, kalon permes nesh. Ne vertet jemi ndikuar nga faktor te huaj, por ne e bejme te veshtire komunikimin per cilin do. Si rrjedhoje ne i mbetemi ne dore njeri tjetrit, edhe pse te trubullt nga ujra dhe furtuna te huaja.

  2. Mund te kalohet Hegeli me qendrim ironik, por si t’i behet per te bere nje mbikalim mbi kryqezimin e zogoastres, tha?

    Xhaxha, mund t’a kem krejt gabim, por kam pershtypjen se levrimi letrar i konstelacioneve historike bie gjithmone ndesh me “gjuhen totalitare”. Ne periudha te shkurtra, iluzioni i progresit totalitar trumbeton shtypje ngadhenjimtare para determinizmit te zhurmshem te artit te gjuhes, por e pare ne periudha te gjata historike vihet re se e gjithe kakofonia, -qe te huazoj nga krahina e laberise- nuk eshte vecse nje iso polifonike: nuk ka pervecse nje, maksimumi dy histori qe mund te tregohen hidh e prit. Nuk eshte pra, vecse nje lufte, gjate se ciles kundershtaret e perjetshem, destini dhe determinizmi praktik, ushqejne njeri tjetrin. Ne kete kendveshtrim besnik ndaj sfurkut te Hume, apo bie llafi ndaj “Kopshtit te Kalldremeve Pirua” te Borgesit, Shakespeare eshte edhe aktor edhe krijues i historise, Homeri eshte edhe kengetar edhe poet i mitit, ndersa Kadarese, sa te jete gjalle, e jeten e gjate e paste, i takon edhe kulla ngujimit te hajduteve edhe te dizidenteve.

  3. Le ta ilustrojme animusin e Shqiptarit me analistin me simpatik te Tiranes: Kastriot Myftaraj.

    shqiptar me tipare mongole, erudit me prirje konspirative, tosk qe therret per supremaci gege, me prejardhje myslimane por tifoz i katolikeve. I eshte mbush mendja top qe kripto-hebrejte masone po i ndertojne nje piramide me syrin gjithepares mu ne sheshin Skenderbej. Si mund ky njeri te mos thote ““mi piacerebbe sapere chi è il mandante di tutte le cazzate che faccio.”?

    Ceshtja qe shtrohet eshte: a eshte domosdoshmerisht dicka e keqe ky animus? Ka dy reagime te mundshme ndaj botekuptimit qe pershkruan me lart:

    a) ule koken pasi cdo gje qe ben ti nuk vlen 2 pare spec, sepse Ai i Madhi mjafton vetem te te levize fijet.

    b) behu dhe ti pjese e Klubit “Manaxhues”.

    perpjekja per te bere kete te fundit (‘perpjekja’ jo ‘arritja’) te cliron.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin