Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë / Sociologji

HISTORITË E VËRTETA TË EUROPËS

nga Timothy Garton Ash

marrë nga numri i Shkurtit 2007 i revistës Prospect

përkthimi në shqip nga Bujku

BE lypset të tregojë urgjentisht veten nën një dritë të re. Narracioni i madh, i modës së vjetër, dhe Euromiti nuk bëjnë më fajde. Si do t’ju dukej një histori e vërtetë dhe vetëkritike, e thurur rreth gjashtë qëllimesh?

Timothy Garton Ash është profesor i studimeve Europiane në Universitetin e Oksfordit dhe autor i “Botës së Lirë” (botuar nga Penguin). © Timothy Garton Ash

Europa e ka humbur tharmin intrigues. Ndërsa i afrohemi 50 vjetorit të traktatit të Romës më 25 Mars të 2007 — datëlindja e 50-të e bashkësisë ekonomike Europiane, që u shndërrua në Bashkimin Europian — Europa nuk di më se çfarë historie të tregojë. Narracioni i përbashkët politik mbështeti gjatë tre brezash projektin e pasluftës për integrimin Europian (perëndimor), por ky u shkërmoq pas fundit të luftës së ftohtë. Shumica e europianëve sot pak ja kanë idenë prej nga vinim; shumë më pak jemi ne që ndajmë bashkë të njëjtin vizion të asaj se ku duam të shkojmë. Nuk dimë pse kemi një BE ose pse ia vlen ta kemi. Ndaj na lypset urgjentisht një narracion i ri.

Propozoj që historia jonë e re të endet prej gjashtë fijesh, secila prej të cilave përfaqëson një qëllim të përbashkët Europian. Fijet janë liria, paqja, ligji, mbrothësia, larmia dhe solidariteti. Asnjë prej këtyre qëllimeve nuk është unik për Europën, por shumica e Europianëve do të binin dakort që është karakteristikë e Europës bashkëkohore të synojë drejt tyre. Sidoqoftë, se sa ja arrijmë kësaj, shpesh bie ca larg nga synimi. Kjo dalje huq është në vetvete pjesë e historisë sonë të re dhe duhet thënë hapur. Sepse Europa e sotme do të duhej të kishte edhe aftësinë për vetëkritikim konstant.

Në këtë propozim, identiteti ynë nuk do të ndërtohet sipas modës së kombit historik Europian, i përkufizuar dikur me humor si një grup popujsh të bashkuar nga urrejtja e përbashkët ndaj fqinjëve dhe nga një keqkuptim i përbashkët i të kaluarës së tyre. Madje nuk do të duhej as të provonim të ritregonim historinë europiane si lloj të mitologjisë teleologjike*, karakteristikë e formimit të kombeve të shekullit të 19-të. Prej një falsifikimi të tillë mitkrijues të historisë sonë, (“Nga Karli i Madh te Euro”), nuk vjen e mirë, dhe nuk ka për të funksionuar prapëseprapë. Kombi qe analizuar shkëlqyeshëm prej historianit Ernest Renan si një bashkësi kujtese e përbashkët dhe harrimi të përbashkët; por çfarë don të harrojë një komb, një tjetër dëshiron ta mbajë mend. Sa më shumë kombe në BE, aq më e larmishme familja e kujtesave kombëtare, dhe aq më e vështirë është të ndërtosh mite të përbashkët rreth një të kaluare të përbashkët.

Ndjenja jonë europiane e të qenit bashkë nuk do të duhej arritur as me anën e stereotipizimit negativ të një armiku, apo të “tjetrit” (si shprehen në studimet e identitetit), siç u ndërtua britanësia, për shembull, në shekujt e 18-të dhe 19-të, në kontrast me një Francë të stereotipizuar. Pas vithisjes së “lindjes” komuniste sovjetike, kundër të cilës Europa perëndimore përkufizoi veten prej fundit të viteve ’40 deri më 1989, disa politikanë dhe intelektualë përpiqen tani ta gjejnë “tjetrin” e Europës ose te US-at, ose te Islami. Këto përpjekje janë të leshta dhe e kanë humbjen brenda. Ato i përçajnë europianët, në vend që t’i bashkojnë. Që të dyja, stereotipizimi i të tjerëve dhe mitkrijimi rreth vetë të kaluarës sonë të përbashkët, janë tipike të asaj që unë e quaj Euronacionalizëm — një përpjekje për ripërsëritje të metodave nacionaliste për formim të identitetit politik në shkallë Europiane.

Në këtë propozim, i vetmi përkufizim për “tjetrin” e Europës është vetvetja e dikurshme: më ndarazi, kapitujt e brengës, vetëshkatërrimit, ngandonjëherë thjesht kapituj të barbarisë në historinë e qytetërimit europian. Me luftërat e zëvendësimit të Jugosllavisë dhe përpjekjes për genocid në Kosovë, kjo histori e brengosur zgjatet deri në vitin e fundit të shekullit të kaluar. Kjo nuk është e kaluar e largët. Dija dhe ndërgjegjja historike luajnë rol jetësor këtu, por duhet të jetë histori e ndershme, që tregon gjithë zhubrat, dhe jo mit-histori.

Në kontrast me shumicën e diskursit EU-ropian, këtu as uniteti e as fuqia nuk trajtohen si qëllime përkufizuese të projektit europian. Uniteti, qoftë kombëtar apo ndërkombëtar, nuk është qëllim në vetvete, thjesht një mjet për qëllime më të larta. E po njësoj për fuqinë. BE-ja ka nevojë për më tepër kapacitet që të projektojë fuqinë e vet, veçanërisht në politikën e jashtme, në mënyrë të tillë që të mbrojë interesat tona dhe arrijë disa qëllime të mira. Por parja e pushtetit europian, fuqisë së Europës, si një qëllim në vetvete, ose si dëshirë thjesht për ta përputhur me fuqinë e US-ave, është Euronacionalizëm, jo patriotizëm europian.

Kështu pra, narracioni ynë është një tregim i ndershëm, vetëkritik i përparimit, (përparim shumë i papërsosur, por përparim sidoqoftë), prej të shkuarash të ndryshme drejt qëllimesh të përbashkëta të cilat mund të përbënin një të ardhme të përbashkët. Për vetë natyrën e tyre, këto qëllime nuk mund të arrihen plotësisht (nuk ka liri apo paqe të përsosur, në Tokë të paktën), por një përpjekje e përbashkët drejt tyre mund të lidhë bashkë një bashkësi politike. Çka vijon janë shënime drej formulimit të një historie të tillë, me kriticizëm built-in**. Kjo është një skicë e parë, e papërpunuar, që të tjerët të bëjnë kritika, dhe për t’u ripunuar. Nëse diçka përgjatë këtyre rreshtave nuk tërheq një numër të mjaftueshëm Europianësh, nuk ka kuptim të vazhdohet me të. Nëse tërheq, ndoshta ka kuptim.

Historia e lirisë në Europë gjatë 65 vjetëve të fundit është një histori e përhapjes së lirisë. Më 1942, kish vetëm katër vende të lira në Europë, të rrezikuara edhe këto: Britania, Zvicra, Suedia, Irlanda. Më 1962 shumica e Europës perëndimore qe e lirë, përjashto Spanjën dhe Portugalinë. Më 1982 gadishulli Iberik ju bashkua të lirëve, siç bëri edhe Greqia, por shumica e asaj që atëherë ne e quanim Europa Lindore gjendej në diktatin komunist. Sot, mes vendeve që mundet përfundimisht të llogariten si europiane, ka vetëm një regjim autoritar të vockël ende në këmbë — Bjellorusia. Shumica e europianëve tani rrojnë në demokraci liberale. Kështu nuk ka qenë kurrë; kurrë përgjatë 2,500 vjetëve. Dhe kjo ja vlen të festohet.

Një shumicë shtetesh të tanishme anëtare të BE-së ishin diktatura që kujtohen edhe sot nga të gjallë. Presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano, ka kujtime të gjalla nga regjimi fashist i Musolinit. Presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso, u rrit nën diktaturën e Salazarit në Portugali. Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Havier Solana, mban mend policinë hileqare të gjeneralit Franko. Njëmbëdhjetë nga 27 kryetarët e qeverive që do të ulen bashkë në tryezën e Këshillit Europian, përfshi kancelaren gjermane Anxhela Merkel, ishin subjekt diktaturash komuniste më pak se 20 vjetë më parë. E dinë se ç’është liria, ngaqë e dinë se çfarë është robëria.

Pa diskutim, njerëzit që gjendeshin nën diktatura donin të ishin të lirë kryesisht sepse donin të ishin të lirë, jo sepse donin të ishin EU-ropianë. Por perspektiva e hyrjes në atë që tani është BE, ka inkurajuar vend pas vendi, prej Spanjës dhe Portugalisë 30 vjetë më parë deri te Kroacia dhe Turqia sot, për shndërrimin e politikave të brendshme, ekonomisë, ligjit, medias dhe shoqërisë. BE-ja është një nga mekanizmat më të suksesshëm për ndryshim paqësor regjimesh. Për dhjetëvjeçarë, përpjekjet për liri dhe çka quhet emocionalisht “kthim në Europë” kanë ecur krah për krah.

Mangësi – Një shqyrtim më nga afër tregon se shumica e demokracive të reja europiane janë me të meta serioze, me nivele të larta korrupsioni — veçanërisht, por sigurisht jo vetëm aty, në Europën Juglindore. Gjithashtu parasë i dëgjohet zëri goxha fort në politikë, në sistemin ligjor dhe mediat e demokracive tona të rrënjosura, siç ndodh edhe në US. Cilado qoftë teoria, në praktikë europianët e pasur janë më të lirë se ata të varfërit. BE-ja është një përshpejtues i fortë i demokracisë por nuk është në vetvete shumë demokratike. Rregullat e BE-së përligjen në emër të traktatit të Romës mbi “katër liritë,” lëvizja e lirë e mallrave, njerëzve, shërbimeve dhe kapitalit — por këto rregulla munden të jenë vetë ato cënime të lirisë individuale. Gjithësesi, BE-ja nuk mund të pretendojë tërë meritat: US-at, Natoja dhe OSBE-ja kanë luajtur një rol kryesor në sigurimin e lirive për europianët. Deri tani vonë, mbrojtja e të drejtave personale të njeriut dhe lirive qytetare ka qenë më tepër zonë e Këshillit të Europës dhe Gjykatës Europiane për të drejtat e njeriu pranë tij, se sa e BE-së.

Paqja

Për shekuj, Europa ka qenë një teatër luftrash. Tani është një teatër i paqes. Në vend që të vëmë në provë forcat tona kombëtare në fushë të betejës, e bëjmë në fushën e futbollit. Mosmarrëveshjet midis kombeve Europiane zgjidhen me negociata të pafundme në Bruksel, jo përmes përplasjesh të armatosura. BE-ja është një sistem permanent, zgjidhjesh të institucionalizuara konfliktesh. Po u lodhët nga makinacionet e Brukselit, shqyrtoni alternativën. Mund t’ju duket e pamendueshme që Frëngjt dhe Gjermanët do të mund të luftonin sërish njëri tjetrin, por Serbët dhe Shqiptarët po vrisnin njëri tjetrin vetëm një ditë më parë se pardje. Për ruajtjen e paqes në Europë nuk mund të bazoheni thjesht në vullnetin e mirë. Ky mund të jetë një argument i vjetër, familjar, për integrimin europian, por kjo nuk e bën më pak të vërtetë. Ngandonjëherë argumentet e vjetër janë ende më të mirët.

Mangësi – Nuk e provojmë dot që qe integrimi europian ai që ruajti paqen në Europën Perëndimore pas 1945-s. Të tjerë mund të thonë që qe Nato-ja dhe sistemi hegjemonik i luftës së ftohtë, me US-at në funksionin e “paqëzuesit të Europës”; të tjerë prapë do të përmendin faktin që Europa Perëndimore u bë zonë e demokracive liberale, dhe demokracitë liberale nuk hyjnë në luftë me njëra tjetrën. Ndodhën njëheraz një dorë gjërash dhe historianët mund të diskutojnë rreth peshës së tyre relative. Gjithësesi, Europa Qendrore dhe Lindore nuk rrojti në paqe pas 1945-s: shihni tanket sovjetike të kërcëllojnë në Berlinin Lindor, Budapest dhe Pragë, dhe “gjendjen e luftës” deklaruar në Poloni më 1981. Më tej akoma, Europa — në kuptimin e BE-së dhe, më përgjithësisht, demokracitë e vaktit në Europë — nuk ja dolën të parandalojnë kthimin e luftës në kontinent pas fundit të luftës së ftohtë. U desh dy herë ndërhyrja e US-ave për të ndaluar luftën në Ballkan. Atëherë për çfarë jemi krenarë?

Ligji

Shumica e europianëve, pjesën më të madhe të kohës, jetojnë nën sundimin e ligjit. Ne gëzojmë të drejta njerëzore dhe qytetare të kodifikuara, dhe mund të shkojmë në gjykatë për t’i mbrojtur këto të drejta. Nëse nuk na kënaq gjykata vendore apo kombëtare, mund t’u drejtohemi atyre europiane — përfshi Gjykatën Europiane të të drejtave të njeriut. Burra e gra, të pasur e të varfër, të zinj e të bardhë, heteroseksualë e homoseksualë, janë të barabartë para ligjit. Në përgjithësi, mund të pranojmë që policia është atje për të na mbrojtur, e jo për të shtyrë përpara interesat e atyre në pushtet, për t’i bërë hyzmet mafias vendore apo për të mbushur xhepat e veta. Harrojmë se sa e pazakontë është kjo. Për pjesën më të madhe të historisë europiane, shumica e europianëve nuk rrojtën nën sundimin e ligjit. Të paktën dy të tretat e njerëzimit akoma sot nuk rrojnë. “Kam kobure, e pra vendos unë se çfarë është ligji,” i tha një oficer afrikan një gazetari në një postbllok, një të njohurit tim, para se t’i vilte një “gjobë” arbitrare.

BE-ja është bashkësi e ligjit. Traktati i Romës dhe traktatet pasuese, përmes punës së gjykatave europiane, janë shndërruar në një farë kushtetute. Një akademik e ka përshkruar Gjykatën Europiane të së drejtës si “trupa juridike mbikombëtare më e efektshme në historinë e botës.” Ligjet e BE-së kanë përparësi ndaj ligjeve kombëtare. Madje edhe qeveritë dhe korporatat më të forta duhet doemos t’u nënshtrohen vendimeve të gjykatësve europianë. Pse janë skuadrat kryesuese të futbollit europian dëng me lojtarë prej vendesh të tjera? Për shkak të një vendimi të 1995-s nga gjykata e së drejtës. Falë detyrimit juridik nga ana e ligjeve europiane rreth “katër lirive”, shumica e europianëve tani mund të udhëtojnë, blejnë, rrojnë dhe punojnë kudo që u pëlqen në shumicën e Europës.

Mangësi – Në praktikë, disa janë më të barabartë se të tjerët. Shihni Silvio Berlusconi-n. Dhe ka ende zona të gjera me mungesë ligjesh, veçanërisht në Europën Lindore dhe Juglindore. Në demokracitë e qëndrueshme, pushtetet e sigurisë, përfshi mbajtjen nën arrest pa gjyq, janë tejkaluar, duke dhunuar liritë e qytetarëve në emër të “luftës kundër terrorizmit.” Dhe përparësia e ligjit europian dhe fuqia e gjykatësve të tij është, sigurisht, pikërisht ajo që euroskeptikët — veçanërisht në Britani — urrejnë. E shohin si zhveshje të fuqisë së parlamenteve të shteteve sovrane të zgjedhur demokratikisht.

Mbrothësia

Shumica e europianëve janë më mirë se prindët e tyre, dhe shumë më mirë se gjyshërit e tyre. Rrojnë në banesa më të rehatshme, më të ngrohta, më të sigurta; hanë ushqim më të pasur, më të larmishëm; kanë në dispozicion të ardhura më të mëdha; kalojnë pushime më interesante. Kurrë nuk i kemi pasur kaq mirë. Hidhini një sy, Europianë, librit të mrekullueshëm me fotografi të Henri Kartie-Bresonit, dhe do t’ju kujtohet se sa të varfër qenë ende në vitet ’50 mjaft europianë. Nëse bëni në një hartë një paraqitje të vendeve të botës në përputhje me madhësinë e prodhimit të përgjithëm të brendshëm, dhe t’i hijezoni sipas GDP-së për person, mund të shihni që Europa është një nga blloqet më të pasura në botë.

Mangësi – Bond Street dhe Kurfürstendamm*** nuk paraqesin tipiken e Europës. Ka akoma xhepa varfërie për turp, madje edhe në vendet më të pasura të Europës, dhe ka disa vende vërtet të varfëra në Lindje të Europës. Është, po ashtu, shumë e vështirë të vendosësh se ç’pjesë e kësaj mbrothësie i detyrohet qenjes së BE-së. Në librin e tij Europa e Rilindur, historiani ekonomik Harold James riprodhon një grafik që tregon sa u rrit GDP-ja për frymë në Francë, Gjermani dhe Britani përgjatë shekullit të 20-të, me dy rënje të mëdha për dy luftrat botërore prej të cilave e morëm veten përmes një rritje të shpejtë pas lufte. Përgjithësisht, mbrothësia u rrit përafërsisht me të njëjtin nivel në gjysmën e parë të shekullit, kur nuk kishim Tregun e Përbashkët Europian, ashtu si në gjysmën e dytë, kur e patëm. Arsyeja kryesore për këtë rritje këmbëngulëse, sugjeron James-i, është zhvillimi dhe zbatimi i teknologjisë. Tregu i njësuar i BE-së dhe rregullat e konkurrencës e kanë zgjeruar, pothuaj e sigurtë, mbrothësinë tonë; politika si CAP****, dhe kostot ekstra për shkak të rregulloreve dhe politikës sociale të BE-së, pothuaj e sigurtë, nuk e kanë thelluar. Vende si Zvicra dhe Norvegjia kanë ecur mirë edhe pse jashtë BE-së. Sido që të jetë, ditët e lavdishme të rritjes europiane i lamë larg, pas nesh. Në dhjetëvjeçarin e fundit, ekonomitë më të përparuara europiane kanë pasur rritje më të ngadaltë se sa US-at, dhe akoma shumë më të ngadaltë se sa gjigandët në lindje e sipër në Azi.

Larmia

Në një sprovë të titulluar “Among the Euroweenies”, humoristi amerikan PJ O’Rourke dikur qahej për shtimin në Europë të “vendeve të vogla të trullosura”. “Madje edhe gjuhët janë to vockla”, ofshante ai. “Ngandonjëherë ju nevojiten dy apo tre vetëm të arrini në orën e drekës”. Po kjo është pikërisht ajo që dua te Europa. Mund të kënaqeni me një kulturë, pamjet e një qyteti, median dhe gatimin në mëngjes, e mandej, me një kërcim të shkurtës me aeroplan apo tren, të kënaqeni me një tjetër po atë mbrëmje. Dhe prapë një tjetër të nesërmen. Dhe kur them “ju”, nuk e kam fjalën thjesht për një elitë të pakët. Edhe studentë që fluturojnë me EasyJet apo hidraulikë polakë në autobusët e natës mund t’ia ndjejnë lezetin.

Europa është një qëndisje shumëngjyrëshe, e koklavitur. Çdo kulturë kombëtare (dhe nën-kombëtare) ka veçantitë dhe bukuritë e veta. Secila gjuhë e vockël nxjerr në pah një rrugë pakëz të ndryshme në të menduarit dhe jetuarit, të pjekur përgjatë shekujve. Britanikët thonë, “What on earth does that mean?“; Gjermanët, “What in heaven should that mean?” (was im Himmel soll das bedeuten?): empiricizëm dhe idealizëm filozofik rrokur në një togfjalësh të përditshëm. Awantura në Polonisht do të thotë grindje e madhe, e zhurmshme, por prapëseprapë fshehtaz, jo për qejf. Bella figura në Italisht është një nocion i papërkthyeshëm, rreth se si një mashkull apo një femër do të donte të ishte në shoqëri meshkujsh dhe femrash të tjera.

Kjo nuk është thjesht larmi; është larmi e paqtë, e mirëmbajtur dhe e ushqyer. Amerika ka pasuri dhe Afrika ka larmi, por vetëm Europa i ndërthur pasuri të tilla dhe larmi të tilla në kaq pak hapësirë.

Mangësi – Kjo është fija ku mund të shoh kriticizmin më pak të besueshëm. Eurodyshuesit qahen për BE-në si një forcë njëtrajtësuese, që nxjerr nga loja specialitete kombëtare të njëherë e një kohe si djathi italian i prodhuar në mënyrë artizanale (me pak pisllëk të shijshëm shtuar me dorë) apo mishin e viçit dhe birrën britanike të matura me paunds dhe paints. Por shembujt nuk janë kaq të shumtë, dhe për çdo element të larmisë së një herë e një kohe, që del nga loja për shkak të rregullave të BE-së, ka dy të rinj që hyjnë, nga Caffè Nero në ndonjë rrugë në zë në Britani te fluturimi i lirë për fundjavë në Pragë. Europianizimi është përgjithësisht një version i globalizimit më pak njëtrajtësues se Amerikanizimi.

Solidariteti

A s’është kjo vlera më karakteristike e Europës së sotme? Besojmë se rritja ekonomike do të duhej shoqëruar me drejtësi shoqërore, sipërmarrja e lirë barazpeshuar me siguri shoqërore — dhe kemi ligjet europiane dhe shtetet kombëtare të asistencës sociale për ta bërë këtë. Socialdemokratët dhe kristiandemokratët e Europës pajtohen rreth faktit që një ekonomi tregu nuk duhet përkthyer si shoqëri tregu. Këtu nuk duhet të ketë xhungël shoqërore kapitaliste darviniane, të stilit amerikan, me të varfër dhe të dobët të lënë të vdesin në gjirize.

Besojmë gjithashtu në solidaritetin ndërmjet vendeve të pasura dhe të varfëra dhe zonave brenda BE-së, prej nga zënë fill edhe fondet nga të cilat vende si Irlanda dhe Portugalia kanë përfituar kaq dukshëm gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit. Dhe besojmë te solidariteti ndërmjet Veriut të pasur të botës dhe Jugut të saj të varfër — prej nga vijnë ndihmat tona bujare kombëtare dhe të BE-së, si dhe përkushtimi për ngadalësimin e ngrohjes globale, e cila do të lëndojë në mënyrë të shpërpjestuar disa nga më të varfërit e kësaj bote.

Mangësi – Kjo është fija ku realiteti i Europës nuk arrin, me dhimbje, aspiratën e vet. Ka një shkallë domethënëse solidariteti shoqëror, të ndërmjetësuar nga shteti, në vendet më të pasura europiane, por ja që edhe në qytetet tona më të begata kemi ende lypësa dhe të pastrehë që flenë ku të jetë. Në vendet më të varfëra të Europë Lindore, shteti i mirëqenies ekziston kryesisht në letër. Të jesh i varfër, i moshuar dhe i sëmurë në wild east-in e Europës nuk është më e pëlqyeshme se të qenit i varfër, i moshuar dhe i sëmurë në wild west-in e Amerikës. Po, pati transferta të mëdha financiare drejt vendesh si Portugalia, Irlanda dhe Greqia, por ato drejt shteteve anëtare të reja të BE-së sot janë shumë dorështrënguara. Në periudhën 2004-06, 15 shtetet “e vjetra” anëtare kontribuan mesatarisht €26 për frymë në vit në buxhetin e BE-së për zgjerimin — pra solidariteti ynë ndëreuropian u ngjit deri te çmimi i një filxhani kafe çdo muaj. Sa për solidaritet me pjesën e mbetur të botës, BE-ja gjendet në krye të “treguesit mbi standarde të dyfishta” të Oxfam-it, që masin praktikat proteksioniste të Veriut të pasur. Proteksionizmi ynë bujqësor është po aq i lig sa i kujtdo, dhe BE-ja është përgjegjëse, bashkë me US-at, për ngecjen e turpshme në vend të raundit të Dohas në bisedimet për tregtinë botërore.

Këto janë, e përsëris, thjesht shënime drejt një historie të re europiane. Ndoshta na duhet të shtojmë apo heqim një a dy tema. Mandej eshtrat e zhveshura duhen mbushur me mish. Joshja popullore, lëre pastaj ngazëllimi, nuk kanë për t’u prodhuar nga një listë gjashtë emrash abstraktë. Gjithçka varet nga personalitetet, ngjarjet dhe anekdotat që i japin jetë dhe ngjyrë narracionit. Këto do të ndryshojnë nga një vend në një tjetër. Historitë e lirisë europiane, paqes ose larmisë mund dhe do të duheshin treguar ndryshe në Varshavë dhe Madrid, majtas dhe djathtas. Nuk ka nevojë të ketë një version të vetëm të historisë sonë, i cili t’u bëjë të gjithëve — jo narracionit që do të përdorej njësoj si niveli i interesave në eurozonë. Vërtet, të imponosh njëformësi në emër të larmisë do të ishte kontradiktore. Megjithatë, për hir të së njëjtës strukturë të eshtrave, historitë e mishëruara, të treguara në finalndezçe, italisht, suedisht ose frëngjisht do të kenë një ngjashmëri të fortë prej familjeje, si në rastin e qyteteve europiane.

Thurur bashkë, gjashtë fijet do të japin një rrëfim të asaj prej nga kemi kemi ardhur dhe të vizionit se ku duam të shkojmë. Fije të ndryshme, sidoqoftë, do të tërheqin më fort popuj të ndryshëm. Për mua, historitë më frymëzuese janë ato mbi lirinë dhe larminë. Në mendjen time i pranoj edhe të tjerat, por këto janë ato dy që i kam për zemër. Ato janë arsyeja pse mund të them, pa fryrje, se e dua Europën. Jo me të njëjtën ndjesi që dua familjen time, sigurisht; asgjë nuk krahasohet me të. As edhe me ndjesinë si dua Anglinë, edhe pse në një ditë me shi i afrohet asaj ndjesie. Por ka një ndjesi kuptimplote, sipas së cilës mund të them se e dua Europën — me fjalë të tjera, se jam patriot europian.

Historia jonë e re europiane nuk do të prodhojë kurrë atë lloj besnikërish krenare që qe karakteristike për shtetet komb të para-1914-s. Europa e sotme nuk është si ajo — fatmirësisht. Sipërmarrja jonë nuk ka nevojë apo as që e dëshiron atë lloj zjarri emocional. Europianësia mbetet një identitet dytësor, më i ftohtë. Europianëve sot nuk u bëhet thirrje të vdesin për Europën. Shumicës sonë as që i është bërë thirrje të rrojnë për Europën. Tërë ajo që lypset është ta lëmë Europën të rrojë.

Për të rrahur mendimet mbi këtë propozim, shkoni te Çfarë historie do të duhej të tregonte Europa?

*teleologjike – që i shpjegon dukuritë përmes qëllimit për të cilat shërbejnë
**built-in – i brendshëm, i trupëzuar.
***Bond Street dhe Kurfürstendamm – rrugë, përkatësisht në Londër dhe Berlin, sinonime të luksit, çmimeve të shtrenjta dhe frekuentimit nga shtresat e kamura të shoqërisë.
****CAP – Common Agricultural Policy – Politikat e Përbashkëta Bujqësore

5 Komente

  1. Interesante por sikur nuk ka asgje Europiane ne keto 6 koncepte pervec faktit qe historikisht kane ‘lindur’ ne Europe ose i referohen mendimit te ndricuar Europian.
    Te hedhesh tezen qe Europa duhet te rindertoj nje narracion te ri te bazuar mbi keto 6 fije (plus/minus) me thote qe alternativa nuk do ti perfshinte? ose qe nuk ekzistojne sot per sot? Ska shtet sot qe te mohoj qofte edhe nje nga keto 6 pika edhe nese ne praktike nuk i ndjek.

  2. Artikull shume interesant. Ne fakt Bashkimi Europian, skela politike e Europes eshte me te verte ne krize. Dhe kriza nuk mund te shpjegohet vetem me deshtimin e kushtetutes europiane para dy vitesh por me mungesen e nje vizioni te qarte mbi te ardhmen e e BE-se ne kohen e globalizimit dhe nen nje konstelacion te ri boteror.

    BE lindi si nje projekt bashkues nga shtetet europiane te pasluftes kryesisht per ti dhene fund njehere e pergjithmone lufterave brenda europes. Kete qellim BE dhe zhvillimi i larte ekonomik e kane arritur tashme prej vitesh. Per europiano – perendimoret eshte e pamendueshme te zhvillojne lufte me fqinjet e tyre. Gjithashtu, ne europe tashme nje pjese e mire e popullsise nuk e kane perjetuar luften e dyte boterore dhe nuk kane lidhje direkte me kete lufte. Mungesa e luftes pra nuk mund te perdoret me si baze per zhvillimin e metejshem institucional te europes. Nerkohe qe sot kemi kushte krejt te ndryshme globale ne krahasim me periudhen e krijimit te BE, struktura politike brenda BE nuk ka ndryshuar aspak. Nderkohe qe BE lakmohet nga vendet e europes-lindore pikerisht per stabilitetin dhe rritjen ekonomike qe sjell anetaresimi ne te, tek vete shtetet e vjetra te BE me peshe ekonomike e demografike sharmi i BE ka humbur me kohe.

    Ne post-komunizem dhe ne kushtet e globalizimit BE-se i duhet nje vizion i ri politik i cili duhet te shkoje pertej bashkepunimit ekonomik dhe shmangjes se lufterave.

  3. Europës i duhet të vendosë nëse identitetin do ta konsolidojë në ballafaqim me Islamin, apo me SHBA; vendim që nuk është i lehtë, dhe që do të ketë pasoja globale. Politikisht aleanca atlantike mbetet më tërheqëse, edhe për arsye thjesht kulturore; ekonomikisht jo. Për fat të keq, SHBA e tetë vjetëve të presidencës Bush ka ardhur duke u de-europianizuar me shpejtësi, megjithë përpjekjet e dëshpëruara të Tony Blair. Rritja e tensionit politik dhe ushtarak midis Rusisë dhe NATO-s, për shkak të politikave agresive të NATO-s në kufirin rus, i ka thelluar edhe më kontradiktat midis Europës dhe SHBA, sepse askujt në Europë nuk i intereson kthimi në ballafaqimet e Luftës së Ftohtë. Në qoftë se vende të ndryshme që duan të sfidojnë politikat imperiale amerikane vendosin të heqin dorë nga dollari amerikan, për të kaluar në euro, kjo do ta acarojë edhe më tej konfliktin ndëratlantik. Nga ana tjetër, Europa ka një problem potencialisht serioz me imigracionin nga vendet islamike, në aspektin demografik por edhe kulturor; problem që, në praktikë, shpie në një forcim politik të së djathtës populiste në të gjitha vendet me peshë në kontinent dhe, ipso facto, e dobëson eurocentrizmin e elitave financiare dhe burokratike të Brukselit. Edhe strategjia amerikane afatgjatë është momentalisht në favor të forcimit të kësaj së djathte, meqë objektivat e saj përkojnë me teoritë dhe politikat e neocon-ëve në SHBA, së bashku me mitet e rrezikut islamik për Perëndimin që kanë fituar besueshmëri sidomos pas 11 shtatorit 2001. Në mungesë armiqsh të përbashkët, Europa e Bashkuar dhe SHBA nuk kanë arsye objektive për të mbetur aq afër sa ç’ishin në kohën e tankeve të Traktatit të Varshavës…

  4. Mua nuk me duket se Europa ka alternative tjeter pervecse aleances me Ameriken. Kjo per aresye kulturore, historike dhe ekonomike. Nuk duhet harruar qe ekonomia europiane eshte e nderthurur ne menyre te pazgjidhshme me ate amerikane.

    Me te vertete Bush dhe vala neo-konservative ne Amerike i kane larguar vendet europiane nga Amerika keto 8 vite. Por Bush-it i ka mbetur vetem nje vit ne pushtet. Nese e ndiqni pak fushten presidenciale amerikane do te keni vene re se te gjithe kandidatet (pavaresisht nga krahu politik) jane per bashkepunim me te madh me aleatet e vjeter te Amerikes dhe per pershtatjen e strategjive te saj per nje bote multi-polare. Vete neo-konservativet jane dobesuar politikisht me luften e irakut e cila po shkon si mos me keq.

    Ne europe nderkohe gjermania e franca jane afruar perseri me ameriken. Dhe po te shohesh arenen nderkombetare me te vertete sheh qe per europen alternativa ndaj boshtit Amerike-Europe nuk ka. Shihni se cpo ndodh per zgjedhjet e dumes ne Rusi. Presidenti Putin po nxjerr dhe nje here ne pah se metodat e kgb jane te vetmet qe ai di te perdore ndaj kundershtareve politike. A mundet qe Europa me traditen e saj demokratike te kete aleance strategjike te qendrueshme me nje vend qe po rreshqet perseri ne diktature si Rusia? Pastaj mos harroni qe shume nga vendet e Europes lindore e kane akoma te fresket shijen e hidhur te sundimit nga diktatoret rus. Mos te flasim pastaj per demokraci e te drejta te njeriut ne Kine.

    Sa per zhvillimin ekonomik te Europes une nuk jam aq optimist sa xha xhai. Per mendimin tim pak vende europiane ja kane dale ti pershtasin ekonomite e tyre ndaj sfidave te reja globale. Sot e ne te ardhmen nje nga avantazhet me te rendesishme per nje ekonomi post-industriale eshte se sa shpejt kalohet nga nje shpikje apo zbulim i ri tek nje produkt i gatshem. Dhe ketu Europa eshte ne pozicion te keq duke e filluar qe nga sistemi universitar shteteror dhe mungesa e kultures se bashkepunimit te universiteteve me firmat private e deri tek mungesa e mekanizmave financiare qe mbeshtesin teknologjite e reja (venture capitalists) apo mungesa dhe rezistenca ndaj nje sistemi te perbashket europian per te thithur forca shume te kualifikuara (brain gain). Pervec kesaj Europa eshte demografikisht ne tkurrje .

    Nga burime private 🙂 une di qe tek manageret amerikane ekziston nje trend i ri per ti mesuar femijve te tyre mandarin(kinezce).Pra jo gjermanisht apo frengjisht. Amerikanet llogarisin Kinen si konkurrente me te madhe se Europa.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin