Konflikti midis Ministrit të Drejtësisë Rusmaili dhe Drejtorit të Burgjeve Shehri përfundoi me dorëheqjen e të dyve, pas akuzave të ndërsjellta për korrupsion. Veçanërisht Shehri, pasi dha dorëheqjen, bëri publike biseda të regjistruara që implikonin vëllain e ministrit në përpjekje për të ndikuar rezultate të një tenderi dhe të tjera allish-verishe dhe marifete, të cilat janë bërë tashmë markë tregtare e qeverisjes dhe e prokurimeve në Shqipëri.
Nuk dua të ndalem këtu në faktin që, si edhe herë të tjera, i gjithë ky tallaz brenda forcave politike në pushtet nuk pikëniset nga ndonjë dëshirë për të penguar korrupsionin ose për të pastruar etikisht mjediset e shërbimit publik, por vetëm nga përplasja e grupeve dhe e tarafeve brenda PD-së, e cila manifestohet kryesisht si politikë kuadri. Edhe përpjekja patetike e Shehrit për të bërë publike materiale të regjistruara, të cilat ai vetë deri dje i kish mbajtur në sirtar për t’i përdorur si shantazh ndaj ministrit të vet, vërteton se këtu është fjala për një vringëllimë armësh midis bajraqeve kundërshtare, ose larje hesapesh pas dështimit të matrapazllëkut të radhës.
Nuk dua të ndalem as në faktin tjetër që, me sa kam parë, bisedat e përgjuara nga Shehri nuk implikojnë drejtpërdrejt Rusmailin ministër, por vëllanë e tij; dhe dorëheqja e ministrit vërteton, sado tërthorazi, se politika e klaneve familjare është zyrtarizuar tashmë, në mjediset e qeverisë Berisha dhe në korridoret e pushtetit në Tiranë. Shto këtu edhe përsiatjen, bërë e përsëritur nga mediat, se Shehri është “njeriu i presidentit Topi”, për t’u bindur se i gjithë ky spektakël mediatik ka të bëjë, më tepër me një ristrukturim të raporteve të forcës brenda PD-së, jo me vullnetin për të luftuar korrupsionin në politikë.
Më në fund, nuk dua as të ndalem në faktin që askush nga protagonistët e kësaj ngjarjeje nuk m’u duk i skandalizuar nga praktika – besoj e jashtëligjshme dhe etikisht e neveritshme – e regjistrimit të fshehtë të bisedave, me synimin për t’i përdorur më pas për shantazhe ose për të shkatërruar politikisht kundërshtarët. Duke e futur në krizë kufirin midis privates dhe publikes, kjo praktikë i helmon marrëdhëniet midis personaliteteve të politikës dhe i heq politikës vetë thelbin e saj, që është pikërisht përpjekja për të arritur kompromise dhe marrëveshje nëpërmjet lëshimesh të dyanshme.
Dua vetëm të vë në dukje që regjistrime të tilla si ato që ka publikuar Shehri nuk janë të njëjtat nga regjistrimet e kryera nga përgjues profesionistë, të bisedave ku asnjëra nga palët nuk e di që është duke u regjistruar. Përkundrazi, kur një bisedë regjistrohet fshehurazi prej një pjesëmarrësi, ose protagonisti, atëherë vetë natyra e bisedës përçudnohet, duke u shndërruar në farsë; sepse regjistruesi është i vetëdijshëm se fjalët e tij do të bëhen nesër publike, prandaj fillon të luajë teatër, ose të marrë poza artificiale, duke shprehur jo veten por rolin që i jep vetes. Me sa mbaj mend, kjo ndodhi për herë të parë me një regjistrim që i bëri Spartak Ngjela bisedës së vet me Sali Berishën; gjatë së cilës Ngjela tingëllonte si mishërim i urtësisë dhe i virtytit demokratik europian, ndërsa Berisha reagonte halldupçe.
Dobia e kryerjes dhe e publikimit të regjistrimeve të tilla është e dyshimtë, edhe në rastet më të flagrante. Dëmi që i sjellin ato procesit demokratik dhe krijimit të lidhjeve të besimit të ndërsjellë midis protagonistëve të jetës politike është, përkundrazi, i pallogaritshëm. Ka ardhur koha që parlamenti në Shqipëri të miratojë një paketë ligjore ku regjistrimi i bisedave pa miratimin paraprak të pjesëmarrësve dhe sidomos bërja publike e këtyre bisedave të ndëshkohen me rreptësi të madhe, për t’i dhënë fund një herë e mirë këtij helmimi të politikës.
Por, nga ana tjeter, keto lloj regjistrimesh mund edhe te luajne deri diku funksionin e Big Brother. Ne nje vend ku parimet morale te politikes nuk jane te brendshme tek politikanet tane, frika mund t’i beje qe te sillen ashtu si duhet.
Diskutimi per regjistrimin e bisedave private apo, sic quhen “kasetat klandestine”, sot nuk zhvillohet thjesht ne kuadrin e moralit politik, por eshte edhe nje temat me te nxehta te debatit mes juristeve lidhur me nje aspekt te rendesishem te tyre qe eshte pranueshmeria si prova ne nje gjykim penal.
Ndersa une jam dakort se, nga pikepamja morale, regjistrimi i bisedes nga njeri prej regjistruesve eshte i gabuar, “thyerje e besimit”, etj, nuk mund te thuhet e njejta gje nga pikepamja ligjore.
Regjistrimi i nje bisede private nga nje i trete, qe nuk eshte pjesemarres ne te, eshte pa dyshim nderhyrje ne jeten private dhe perben veper penale. Po ashtu, regjistrimi i nje bisede private nga nje autoritet shteteror (lexo: prokuroria, policia gjyqesore) behet vetem ne kuader te nje gjykimi penal, me autorizim te gjykates, perndryshe nuk mund te perdoret. Por regjistrimi i nje bisede private nga njeri prej bashkebiseduesve eshte nje akt thjesht privat dhe, si i tille, nuk ka asnje ndalim ligjor. Me te drejte, sepse ne momentin qe ne bisedojme me dike heqim dore nga privacia e mendimeve tona ne favor te ketij personi dhe jemi te ndergjegjshem se gjithcka themi ai mund t’i riprodhoje ne cdo lloj forme.
Nga ana tjeter, per shkak se prokuroria sot nuk eshte duke funksionuar shume mire dhe per shkak se nje pjese e madhe e funksionareve te larte shteterore kane imunitet nga ndjekja penale, regjistrimi klandestin i bisedave private eshte duke u pare si mjeti i vetem (ndoshta) qe kane qytetaret per t’u mbrojtur dhe denoncuar aktet e korrupsionit apo shperdorimit te detyres.
Praktika gjyqesore ne kete fushe eshte ndare ne dy drejtime: 1) pranimin e tyre si prova, me arsyetimin se nje qytetar privat nuk i nenshtrohet rregullave me natyre procedurale per pergjimet (ne fund te fundit, ai regjistron veteveten sepse eshte pjese e bisedes), dhe 2) refuzimin e tyre si prova, me arsyetimin se cdo pergjim duhet te kryhet nga nje autoritet procedues, duke patur autorizimin perkates.
Duhet te them se jam nje mbeshtetese e flakte e pikepamjes se pare, e cila gjen mbeshtetje ne praktiken gjyqesore te te gjitha vendeve demokratike. Nga ana tjeter, cdo vendim per refuzimin e ketyre lloj regjistrimeve si prova nuk eshte gje tjeter vecse shprehje e mungeses se profesionalizmit te gjyqtareve, ne rastin me te mire, apo e korruptimit te tyre, ne rastin me te keq.
Dhe, per ta mbyllur, pavaresisht nga sa kam thene ne paragrafin 2, une mendoj, se aktualisht duhet te hidhemi perpjete nga gezim qe njerezit kane filluar te perdorin edhe “cimkat” per te regjistruar kerkesa te padrejta e korruptive sa here kane mundesi. Kjo tregon se ata nuk po i neshtrohen me realitetit, nuk po pranojne me te behen viktima, po ngrene krye. Fakti qe te dy bashkebiseduesit mund te jene njelloj te korruptuar nuk na ndalon te gezohemi me ndeshkimin e vetem njerit prej tyre, sepse edhe tjetrit do t’i vije radha.
Hmmm..
Ok, deri diku bashkudhetoj paqesisht me mendimet e Lavender, deri diku thashe.
Praktika dhe normativa ligjore aktuale sot ne Shqiperi korrespondon me varianti nr.2 te prezantuar nga kolegia, pra me mospranimin, apo me sakte mos njohjen si “prove” te pergjimeve te siguruara nga individe, pershkak te rregullimit qe ka koncepti i “proves” ne Kodin e Procedures Penale te RSH (neni 149, por edhe te tjere) si “njoftime mbi faktet dhe rrethanat qe lidhen me vepren penale QE MERREN PREJ BURIMEVE TE PARASHIKUARA NE LIGJIN PROCEDURAL PENAL, NE PERPUTHJE ME RREGULLAT E CAKTUARA PREJ TIJ…”. Sidoqofte, pergjime te tilla mund te sherbejne si indicje per organin e akuzes…
Nga ana tjeter, e kam te pamundur te ndaj me te gezimin “qe njerezit kane filluar te perdorin edhe “cimkat” per te regjistruar kerkesa te padrejta e korruptive sa here kane mundesi”.
Jo me kot, rastesisht apo per injorance te hartuesve te normes procedurale penale eshte vendosur qe, do te konsiderohen prova nga ana e gjykates vetem ato te siguruara prej burimeve te njohura nga ligi, madje edhe keto, duhet te jene ne perputhje me rregullat e caktuara. Kjo nuk eshte nje praktike dhe normative vetem shqiptare, perkundrazi.
Natyrisht qe ka nje logjike ne gezimin e Lavender, por kjo logjike nuk merr parasysh anen tjeter te medaljes, ate qe pikerisht ne Shqiperine ku (sipas Lulian Kodres) “… parimet morale te politikes nuk jane te brendshme tek politikanet tane”, teatri i korruptimit mund te kete si aktore te vet jo vetem profesionistet e korrupsionit por edhe njerez realisht te paperlyer (figurantet e rastit), por qe nen ndikimin e jashtezakonshem, e theksoj, te jashtezakonshem te amoralitetit, do te bien preh jo e deshires, por e shtyses per mekat.
Cfare dua te them me kete? E thjeshte fare, ne kete Shqiperine tone te varfer, me administrate te paguar keq, nuk perben asnje sfide gjetja e nje numri aspak te vogel nepunesish te niveleve te ndryshme, te cilet jane potencialisht viktima te ketyre pergjimeve. A thuhet qe cdo njeri e ka nje cmim? E pra, nese kete cmim ti duhet vecse ta ofrosh, permes nje shqiptimi sa me korrekt te shifres, ne menyre qe te degjohet qarte ne registrim, dhe jo ta japesh ne te vertete, do te jete e veshtire te mos e shtysh ne mekat edhe me te pafajshmin njeri. Nese i ben balle 10000 euro-ve, c’te koston ti thuash 100.000, 300.000?
Pa dyshim, frika ruan vreshtin, por ju pyes ju a do te ishit te gatshem te shihnit te njohurin a mikun tuaj realisht te paperlyer por qe i ka folur goja pak si shume ne poziten e dordolecit qe tremb korbat?
Sepse dereziu, ndoshta nuk ka pare as edhe 1 cent me sy, por fjala ne regjistrim eshte vertitur asisoj nga peshkatari, qe peshku te konsiderohet sikur e ka kafshuar grepin.
Ah, do te hidhet dikush e do te thote: “provat nuk kane vlere te paracaktuar, eshte gjykata ajo qe vendos per to”, po vertet, keshtu eshte, por mos harroni se ne rrethin tone te mbyllur, jane pikerisht gjykatat, me sakte gjyqtaret ata qe perfliten me shume per korrupsion. Atehere, per te shpetuar X-in, perse te mos plasim brenda Y-in?!
Kujtoni ate maksimen e njohur te filozofise se ligjit se “me mire dhjete kriminele te lire, sesa nje i pafajshem i denuar”. Dhe ndersa me shejtanllek mund te themi: “hej, po kur behet fjala per 100 kriminele te lire, a vlen kjo maksima:)?”, pergjigja do te ishte qe askush nuk mund te jape garanci askund se edhe te pafajshmit do te qendrojne ne rendin e njeshifrorit.
Se di, une per vete nuk e gjej dot guximin ti bashkohem Lavender kaq lehte, ndonese nuk eshte pa vlere si ide.
Po ndoshta eshte ceshtje kendveshtrimesh, produkte te eksperiencave te ndryshme.
Me vjen te qesh, po, sikur per cdo bisede shoqerore me shoke e te njohur punonjes te drejtesise te kisha pasur me vete ndonje “cimke”, sot me gjase, ndoshta nuk do te mund te inkriminoja, por pa dyshim (duke njohur edhe predispoziten e mender qytetarit shqiptar ndaj thashethemit) do te mund te hidhja balte mbi kaq shume njerez, po mbi kaq shume…
Madje, tani qe e mendoj, nuk me vjen fare te qesh… Po sikur ai tjetri, e jo une ta kete pasur ate “cimken”?
Hej vellezer, motra, po shaka po benim, shaka…:).
Me duket se nuk jemi duke u kuptuar.
Mua sinqerisht me pelqeu shkrimi i xha xhait dhe, pa dyshim, ai ka te drejte ne kendveshtrimin moral e politik. Une desha ta sqaroj per situaten ligjore dhe te shpreh besimin tim te thelle se perdorimi i ketyre metodave nga qytetaret dhe mediat mund te sjellin vec permiresim ne situaten aktuale te korrupsionit ne Shqiperi.
Analiza jote ligjore e ceshtjes eshte thjesht e ceket. Me vjen keq te shprehem me keto fjale, aq me teper qe nuk jemi duke e bere kete debat balle per balle, por cdo menyre tjeter te shprehuri do te jete “ardhje rrotull muhabetit”.
Regjistrimet private te bisedave, ashtu si dhe fotografite apo videokasetat private jane dokumenta, per qellimet e Kodit te Procedures Penale (lexo n. 191), qe do te thote se personi regjistron fakte qe i kane ndodhur atij vete, nepermjet nje menyre te regjistrimit te tyre. Pra, keto regjistrime jane prova. Te kuptohemi, keto prova vertetojne ato qe pasqyrohen ne to. Pra, nese une te them gjate bisedes se i kam marre kaq leke x personi ne kembim te nje favori, kjo nuk provon se une vertet e kam bere kete gje, por vetem se une te kam rrefyer ty se e kam bere. Por nese personi qe me jep leket, me filmon gjate ketij veprimi, filmimi eshte dokumenti qe provon se ne ate moment te caktuar une mora nje shume lekesh nga ai person, por perseri prokurori duhet te provoje qellimin tim, etj.
Per sa i takon pjeses tjeter te komentit, menyra se si mund te perdoren “cimkat” dhe produktet e tyre nuk ka fare te beje me legjislacionin dhe ate cfare parashikon ai per to.
Nuk me duket as morale dhe aq me pak profesionale te ndalojme perdorimin e ketij lloji te proves vetem sepse dyshojme se me te mund te abuzohet. Rastet e abuzimit jane gjithashtu objekt shqyrtimi dhe i nenshtrohet te provuarit, por ato nuk mund te prekin kurrsesi parimin.
Te me fale auditori jo jurist per kete shpjegim te gjate. Tani une e ndjej qe jam pak si shume serioze, por jam marre gjate me kete ceshtje dhe ndjej nje zemerim te thelle sa here qe kemi tendencen te bejme teori te kota e te shkojme ne drejtim te kundert me praktikat e te gjithe vendeve demokratike.
Pa i hyrë në pjesë diskutimit juridik midis Lavender dhe PNH, dua vetëm të kthjelloj diçka në lidhje me autenticitetin e një bisede të regjistruar nga njëri prej pjesëmarrësve. E ceka edhe në shkrimin sipër se pjesëmarrësi që po kryen regjistrimin e di që ky regjistrim nesër mund të bëhet publik, prandaj merr pjesë në bisedë duke pasur parasysh reagimin e një publiku imagjinar, por që nesër do të jetë real. Kjo do të thotë që pjesëmarrja e tij në bisedë nuk udhëhiqet nga logjika e bisedës, por nga logjika e publikut; dhe ai nuk përfaqëson në bisedë vetveten, sikurse partneri i tij, por rolin që i është besuar nga pushteti, ose rolin në të cilin dëshiron ta shohë publiku. Një term i thjeshtë për këtë lloj falsifikimi do të ishte “teatër”, edhe pse ky teatër luhet për publikun e nesërm, jo të sotmin. Nga ana tjetër, një bisedë mes dy vetëve, ku njëri pjesëmarrës nuk reagon në përputhje me logjikën e brendshme të bisedës, por sipas një skenari të cilin ia dikton roli, nuk është bisedë normale; dhe nuk është normale jo sepse njëri pjesëmarrës luan teatër, por edhe ngaqë pjesëmarrësi tjetër i përgjigjet të parit, duke u bërë pjesë edhe ai e këtij teatri që po regjistrohet për sallat e së nesërmes. Nuk dua të them, me këtë, se një orvatje për korruptim, e regjistruar me këtë teknikë, nuk është orvatje për korrupsion; por vetëm se biseda që regjistrohen nga pjesëmarrësit vetë nuk janë biseda autentike, as duhen shitur si të tilla.
Dakort, po cfare efekti ka kjo ne praktike?
Dua te them, nese ti me afrohesh te me japesh para me qellim qe te fitosh nje tender dhe une nuk te kthej pergjigje, por te ftoj ne nje bisede tjeter, te cilen e regjistroj, jo sepse jam nje qytetar i mire, por sepse per arsye te ndryshme dua te te diskreditoj ty, cfare ndryshimi sjell kjo per pjesen qe ti je nje person qe do te fitoje kontrata duke blere komisionin?
Nuk e di nese jam e qarte ne idene time. Biseda dhe qellimi mund te mos jete i vertete per ate qe regjistron, por eshte per ate qe regjistrohet dhe kjo nuk eshte pak.
Besoj se efektin në praktikë duhet ta përcaktojnë juristët; unë vetëm vërejta që biseda, në vetvete, është e stisur, i bindur se kjo nuk mbahet gjithnjë parasysh dhe se regjistrimet e kryera nga biseduesit shpesh perceptohen dhe trajtohen njëlloj si regjistrimet e kryera nga palë të treta. Nga ana tjetër, nëse A i qaset B me një propozim korruptues, por B e regjistron bisedën dhe më pas e bën publike, kjo ndoshta provon që A është i korruptuar, por nuk provon që B është i pastër – meqë B po luante teatër. Sipas një logjike djallëzore madje mund të thuhej që edhe B është njëfarësoj i molepsur, sa kohë që A guxon t’ia bëjë një propozim të tillë; në kuptimin që A e percepton B si të korruptueshëm, përndryshe nuk do të kish marrë mundimin t’i qasej. Përndryshe, kur të bëhet publik regjistrimi, B mund të thotë që thjesht kishte ndërmend të testonte integritetin etik të A-së, meqë kish dyshime se A-ja korruptohej lehtë. Nëse nuk gabohem, një mbrojtje e tillë është përdorur në SHBA nga disa persona të akuzuar se kanë vizituar faqe Interneti që përmbajnë pornografi të miturish; të cilët, kur janë zbuluar, kanë thënë se i kanë vizituar ato faqe dhe kanë blerë ose shkarkuar material që andej për ta njohur më mirë problemin.
The play is the thing
wherein I’ll catch the conscience of the king.
Hamlet
Xha xha, kam frike se nuk eshte gje e keqe mungesa e autenticitetit ne kete rast. Arena politike eshte ne vetevete nje teater, ku aktore te ndryshem luajne gjeste te ndryshme morale. Ne qofte se ne nje interviste apo konference per shtyp, A politikan luan keto gjeste morale deri ne demagogji, ne biseda private me B politikan, ai eshte vetvetja. Keshtu, ne qofte se B vazhdon te luaje gjestet morale duke sjelle me vete nje cimke, A do diskreditohet, nderkohe qe B do vazhdoje rolin qe edhe ka pasur gjate gjithe kohes ne publik, deri sa te vije C dhe te diskretitoje edhe politikanin B, e keshtu me rradhe ne rotacion. Deri sa aktoret politik t’i perqafojne gjestet morale deri ne vdekje, kjo nuk eshte nje gje shume e keqe.
Ky per mendimin tim eshte morali ne pergjithesi. Kur vjen puna tek ligji dhe detajet e tij ne praktike, nuk ma merr mendja te perputhet aq lehte me moralin e pergjithshem, dhe une shpall injorance ne lidhje me ligjin, praktiken dhe rastet e vecanta te ligjit.
xha xha,
problemi qe ti ngre qendron shpesh edhe ne Shqiperi, atehere kur prokuroret mjaftohen me regjistrimin dhe nuk mbledhin prova te tjera.
Por ka dallim (dhe me falni prape per detajet ligjore) mes pranueshmerise se nje prove dhe vleres se saj ne gjykim. Diskutimi ketu ka lindur per pranueshmerine apo jo te regjistrimeve. Une personalisht mendoj se duhet te pranohen. Pastaj, se sa vlere kane per fajesine ose jo te personit, kjo eshte ceshtje tjeter, sepse normalisht duhet te kete edhe prova te tjera per te mbeshtetur ate qe del nga regjistrimi.
Rastet qe permenden i perkasin vetem kastes Tiranase te ngjizur gjate diktatures. Thjesht kane mesuar si te ‘cover their arse’ nga pararendesit e tyre karreriste. Jane po te njejtit ‘bej-ngrenes’ per te cilet na lajmeroi beu i fundit i Vlorajve. A thua duhet te habitetimi me bemat e tyre? Jo!
thjesht duhet te habitemi sa rezil-iente jane
Po vertet, eshte e sigurt qe nje nga dy (The) Juristet:) qe po gjelkokoshen nen buzeqeshjet e turmes eshte keqkuptuar.
E rilexoj enzimen me te fundme te xhaxhait dhe (me subjektivitet natyrisht:)) besoj se ai qe i qendron besnik temes jam une d.v., cka me perforcohet edhe nga dy nderhyrjet e xhaxhait qe personalisht i lexoj si perpjekje per te kthyer “kaun ne brazde”, nese mund te perdor pa fyer kend nje shprehje popullore.
Neni 191 (“Marrja e dokumenteve”), qe me eshte sugjeruar per lexim, thote:
“1. Lejohet marrja e dokumenteve që përfaqësojnë fakte, persona ose sende nëpërmjet fotografimit, filmimit, fonografimit ose çdo mjeti tjetër.
2. Kur origjinali i një dokumenti është prishur, ka humbur ose është zhdukur, mund të merret kopja.
3. Dokumentet që përbëjnë provë materiale duhet të merren cilidoqoftë personi që i ka krijuar ose që i mban.”
Eshte pikerisht kjo norme qe mundeson marrjen si prove , te filmimeve te bera nga organe te specializuara apo operatore TV te ngjarjeve kriminale te ’97 apo shtator ’98, sikunder edhe te regjistrimeve te nje kamere vezhgimi te nje banke prane te ciles ka ndodhur nje akt kriminal, e keshtu me radhe.
Konteksti i “Teatrit te korruptimit” eshte krejt tjeter. Kuptohet nga vete titulli: teater i korruptimit!
Sic thote vete ai qe na nxiti ne keto nderhyrje:
“Dua vetëm të vë në dukje që regjistrime të tilla si ato që ka publikuar Shehri nuk janë të njëjtat nga regjistrimet e kryera nga përgjues profesionistë, të bisedave ku asnjëra nga palët nuk e di që është duke u regjistruar. Përkundrazi, kur një bisedë regjistrohet fshehurazi prej një pjesëmarrësi, ose protagonisti, atëherë vetë natyra e bisedës përçudnohet, duke u shndërruar në farsë…”.
Kesaj i qendroja dhe une ne nderhyrjen time, ne te cilen debati juridik me Levander ishte periferik. Sikunder me siper, edhe ne kete koment, thjesht nuk ndaj te njejtin gezim dhe gatishmeri me kolegen per te perdorur “prova” te ketij karakteri per te inkriminuar individet, dhe askund nuk them se filmimet etj. duhen perjashtuar si prova.
Eshte e gjitha e zeze mbi te bardhe, dhe te dua se ndryshoj dot.
Nothing personal, just business.
Mua ky muhabet me kujton filmat me Mafie, ku personazhet qe e dine fare mire se po pergjohen, gjejne menyra te tjera per tu marre vesh ne pazaret e tyre. Kush beson se keto pergjimet do frenojne korrupsionin, sheh endrra te bukura. Korrupsioni ka marre ato permasa ne Shqiperi se eshte ngritur ne sistem, korruptohen te gjithe ata qe kane gje ne dore.Po te ishin ministrat te pakorruptuar do zgjidhnin drejtore te pakorruptuar, keta do zgjidhnin nepunes te pakorruptuar e keshtu me rradhe. Eshte qelbur peshku nga koka, me nje fjale.
Pergjimi i bisedes private nga persona private, te paautorizuar dhe te paparashikuar ne ligj, eshte i paligjshem dhe i pamoralshem. Pergjimi, sado inkriminues qofte, ka vetem vlere per te nxitur fillimin e hetimeve te bazuara ne ligj nga organet perkatese. Nuk ka asnje vlere prove perpara gjykates. Pergjimet e kryera me vendim gjykate nga organet e ngarkuara me ligj, jane padyshim prova te ligjshme dhe te pranueshme. Kjo eshte norme ne gjithe legjislacionin dhe praktiken e vendeve qe funksionojne ne baze te ligjit.
Te brohorasesh pergjimet e privateve apo medias dhe ti quash mjet ne luften kunder korrupsionit eshte amorale. Jo vetem per “teatrin” qe permendi XhaXhai, apo “abuzimin” qe permendi PNG, por per mesazhin qe i jep gjithe shoqerise. Nje shoqeri qe e sheh shpresen e rimekembjes tek keto mjete, qe normalisht jane te perbuzeshme, nuk ka shume gjasa te behet.
Qellimi i nderhyrjes sime ne kete diskutim ishte t’i jepja pergjigje atyre qe xha xhai shkruan ne shkrimin fillestar: “…praktika – besoj e jashtëligjshme dhe etikisht e neveritshme – e regjistrimit të fshehtë të bisedave… regjistrimi i bisedave pa miratimin paraprak të pjesëmarrësve dhe sidomos bërja publike e këtyre bisedave të ndëshkohen me rreptësi të madhe”. Keshtu qe nuk me duket se kendveshtrimi i juristeve ne kete debat eshte jashte teme apo i tepert.
Nderkohe qe nuk e kuptoj se cili eshte ne te vertete qendrimi i PNH (ne nderhyrjen e pare shprehet: “…pergjime te tilla mund te sherbejne si indicje per organin e akuzes…”, kurse ne te dyten: “…askund nuk them se filmimet etj. duhen perjashtuar si prova…” dhe besoj eshte i qarte dallimi mes proves e indicies), nuk mund te jem kurrsesi dakort me deklarimet e prera te LG.
Se pari, regjistrimet private te bisedave nuk jane pergjim dhe, se dyti, qellimi i Kodit te Procedures Penale dhe rregullave per pergjimet, eshte te mbroje qytetarin nga nderhyrjet arbitrare te autoriteteve shteterore. Dhe, se treti, perpara se te flasim per praktikat e vendeve te tjera, le t’i njohim ato. Mund t’ju rekomandoj te informoheni per vendimet e Gjykates Europiane te te Drejtave te Njeriut., p.sh, ceshtjen Schenk kunder Zvicres (e vitit 1988!!!). Megjithese ne ate kohe ne Zvicer regjistrimi i nje bisede private nga njeri prej pjesemarresve perbente veper penale, gjykatat zvicerane kishin pranuar si prove nje regjistrim privat (pavaresisht se personi qe e kishte kryer ishte denuar per kete fakt), nderkohe qe Gjykata Europiane shprehet se pranimi i nje prove te tille nuk e ben procesin te padrejte, per sa kohe palet kane te drejte te shprehen para gjykates per vertetesine ose jo te saj.