THARMI I MARRËZISË

Si i bëhet kur fshati nuk e do më budallanë e vet?

Pyetje që ia bëj vetes, kur dëgjoj marrinat që po bëjnë shqiptarët me të marrët. Duan t’i mbledhin, t’i numërojnë, t’i kundërshenjojnë, t’i heqin sysh, t’i pastrojnë, t’i syrgjynosin përtej – për të shpëtuar “fëmijët” sikurse thuhet ritualisht në këto raste.

Përpëlitje filistinësh për ta përjashtuar të keqen që nuk më mallëngjejnë; sepse e kuptoj që ishte pikërisht vrasja e rëndë e Peshkopisë, ose më mirë riprodhimi e inskenimi i saj hipokrit madje histerik nga mass mediat, që papritur e mbushi Shqipërinë me skizofrenë, mundësisht me sëpata gjakësore në duar.

Kjo grua këtu qëllon me tullë policin, ai gjytyrym atje del në ballkon me kallash për të heshtur dasmorët; ndërkohë historitë ndjellin histori të tjera, si në një reaksion zinxhir, derisa mbarë opinioni beson se e ka izoluar të keqen duke e rrëfyer obsesivisht.

Ç’bën ky shtet? Ç’bën kjo qeveri?

Fshati kërkon ta heqë qafe budallanë e vet, ose talismanin që deri dje e mbronte nga mëkati i normalitetit, ose kërcënimi fatal i normalitetit.

Javën që shkoi ia kushtova disa orë “Njerëz dhe minj”, të Steinbeck; një libër që e kisha lexuar vite më parë, në një përkthim italishte të paraluftës. Po ta kisha pasur, do të kisha rilexuar edhe një tregim të Turgenjevit, “Mumu”, të cilin e mbaj mend të botuar si vëllimth më vete, të ilustruar e për fëmijë, në Tiranë.

Të dy veprat kanë në qendër gjigantë të gjymtë: njëri, Lenny i Steinbeck-ut, është ndoshta krejtësisht idiot; bujkrobi Gjerasim i Turgenjevit vetëm shurdhmemec, por edhe pak i ngadalësuar mendërisht.

Edhe Lenny, edhe Gjerasimi kanë një raport me botën ku dhembshurinë nuk e ndan dot nga vdekja; Lenny nuk e kupton se qenushin e ka ngordhur ai vetë, duke e përkëdhelur tej mase, ndërsa Gjerasimi detyrohet ta mbytë Mumu-n e vet në lumë, sepse ashtu e kish urdhëruar pronarja.

Të dy gjigantët, i Steinbeck-ut dhe i Turgenjevit, përfundojnë në burgun e vdekjes së tyre, të cilin e mbartnin me vete, mbi shpinë, njëlloj si mallkimin që u kish bërë natyra.

Çuditërisht, në lexim e sipër m’u kujtua edhe mua një budalla gjigant i fëminisë sime në Tiranë: Titi, që derdhej rrugëve me një farë nxitimi të pamotivuar, duke tërhequr këmbët zvarrë, ari i arratisur prej cirkut, në kërkim të pyllit primordial. Titi ishte nga ata që “nuk të ngisnin po të mos e ngisje”, edhe pse ne gjithnjë i druheshim, ndoshta ngaqë ishte i bëshëm, si autobus; ndoshta edhe ngaqë shpesh ishte i inatosur me botën, ose shefin e vet në qiell.

Megjithatë, Titi e qetësonte mëhallën; ishte shenjë e pakundërshtueshme se jeta vazhdonte, e qetë dhe e përditshme, dhe se ne mund ta vazhdonim futbollin në mes të rrugës.

Ka qenë një kohë kur kujtoja, gjysmë me shaka, se këta të marrë na i dërgonte Perëndia për të na provuar. Kishte diçka njëkohësisht të shenjtë e të frikshme në sorollatjet e tyre, monologjet, piskamat në autobus ose në rrugë, përpjekjet për të mësyrë në një lokal të respektueshëm, objektet që mbanin me vete, qëmtuar plehrave të rralla të Tiranës së atëhershme.

Më vonë kam kujtuar edhe që marrëzia i duhet shoqërisë për t’u përftuar; tharm, sado kutërbues, i normalitetit; madje edhe atëherë kur normaliteti përthyhet si persekutim, përqeshje, torturë ose… mjekim.

Kush e njeh, sado pak, historinë e psikiatrisë, do të më kuptojë kur them se mjekimi i të sëmurëve mendorë e ka trashëguar diçka nga dëshira djallëzore, brenda secilit prej nesh, për ta ndëshkuar marrëzinë nëpërmjet dhimbjes.

Nuk është e vështirë ta lexosh një tekst të psikiatrisë klinike si të ishte manual ekzorcizmi; dhe nuk e kam fjalën këtu për djegiet në turrë të druve, as për linçimet e njimendëta të të marrëve, në Mesjetë.

E kam fjalën, përkundrazi, për këmishën e forcës, dushet me ujë të akullt, klizmat e përsëritura, shushunjat, elektroshokun.

E kam fjalën për lobotominë, e cila në Amerikë u përsos deri në atë shkallë sa mund të kryhej në kushte ambulatore, duke e kallur thikën në tru nëpërmjet syrit…

E kam fjalën për infektimin e të sëmurëve me malarje, me shpresë se ethet malarike do t’ua qetësonin delirin. E kam fjalën për komën insulinike, gjithashtu të shkaktuar artificialisht.

Të gjitha të shkuara, por jo të harruara.

Tepër cinik mendimi se shoqërisë i duhen të marrët për të shfryrë impulset e veta sadike, pa u ndëshkuar. Po kush nga ne, të shëndoshët, nuk ka qeshur së paku një herë me vuajtjen e tjetrit?

Ku janë ata fëmijë që nuk e kanë gjuajtur ndonjëherë me gurë budallanë?

Ja edhe një anekdotë kuptimplote, që e kam gjetur në një libër të një psikiatri anglez që shërbente në ishujt e Paqësorit. Spitalin psikiatrik, ku punonte autori, vetëm një gardh e ndante nga spitali i lebrozëve. Çdo ditë lebrozët mblidheshin hareshëm në anën e tyre të gardhit, për t’u tallur me të marrët.

Meqë talljen nga vrasja vetëm një gardh e ndan, nuk mund të mos e mendoj gardhin si dyfish mbrojtës – ne prej tyre, ata prej nesh; së bashku me ngushëllimin se marrëzia i përket një bote të përtejme. Po cila marrëzi?

Gjithnjë nga fëminia, më kujtohet si gjysma e çunave të mëhallës e humbën virgjërinë duke u praktikuar me një jevgë budallaqe e madhoshe, me dhëmbët e para të thyera e që i vareshin jargët nga goja; nuk di kur filloi ajo e shkretë të mbetej me barrë, por jam i sigurtë se nuk do të ketë reshtur, deri vonë vonë vonë.

Çfarë festivali genesh në fëmijët e saj! Ç’pasurim i racës pellazge!

Proverbi italian “La madre degli imbecilli è sempre incinta” do ta ketë zanafillën te kjo gatishmëri e të marrëve për ta bërë publik seksualitetin. Në krahasim me aventurat e ekzibicionistëve që shëtitin rrugicave mbështjellë me pardesy të gjata, barra e budallaqes u bën të gjithëve pyetje nga më metafiziket.

Kam njohur edhe një vajzë, të mençur, lindur nga prindër të certifikuar si idiotë… Nuk di pse, por çdo gjest i saji, deri edhe te një orvatje jo shumë e suksseshme për të zverdhur flokët, merrte trajta heroike.

Marrëzia më duket, ndonjëherë, si ajo tapa që e mban vaskën të mbushur me ujë – e padukshme, e pistë, e lidhur flokësh, megjithatë e bën të mundshme mrekullinë e të larit.

Pa folur për atë marrëzi që e kemi me vete, ose na shfaqet në ëndrra, aq rrëmbyeshëm sa vetëm zgjimi na shpëton prej katastrofës totale; për buzën e padukshme të greminës, ose frikën se mendjen mund ta humbim po aq lehtë sa ç’e kemi gjetur.

Prandaj ia falim shoqërisë kur i përdor të marrët për t’i përndjekur, për t’i ndëshkuar e për t’i shfarosur; ose si lojëra për të na stërvitur me instinktet e dhunës, dëbimit, talljes dhe zotërimit seksual.

Edhe vrasja e kryer, pak si pa dashur, prej Lenny-t të Steinbeck-ut, ishte njëfarësoj pasojë e afshit seksual të viktimës së tij; ose dëshirës për t’u pushtuar trupërisht nga kolosi fëmijë, gjysmë perëndia, demi i bardhë mitologjik, i dalë prej detit, për këtë Pasiphae të Kalifornisë rurale.

Që këtej edhe dobia e dyanshme e gardhit; ose roli i marrëzisë në zhvillimin e institucioneve qytetëruese, pa përmendur progresin teknologjik që u detyrohet instrumenteve të kontrollit ose teknikave terapeutike.

Pa përmendur, më në fund, edhe që trajtimi që kërkon t’u bëjë Shqipëria të marrëve na ndihmon të gjithëve të kuptojmë, edhe pse jo deri në përligjje, trajtimin që po i bën Evropa Shqipërisë…

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: