Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Politikë / Totalitarizëm

MËSIMET E TETORIT

Dikush diku do të jetë duke festuar, sot, 90-vjetorin e Revolucionit të Tetorit, ose të lëkundjes së parë, vendimtare, të atij tërmeti katastrofal që do ta shkundte qytetërimin perëndimor nga themelet.

Madje aq keq, sa edhe sot e kësaj dite, kur çizmja totalitare në Evropën Lindore i është dorëzuar pluhurit të stendave të muzeumeve, Perëndimi ende heziton t’i kthehet asaj të keqeje, duke u besuar ende formulave gjeopolitike të pas Luftës II Botërore.

“Mësimet e Tetorit” për dekada me radhë frymëzuan dhunën policore nga Tirana në Pnom-Pen, nga Havana në Pekin, nga Berlini në Hanoi. Vuajtjet e popujve të Bashkimit Sovjetik më parë, e të krejt kampit socialist më pas, nuk ka dhé që t’i tretë e krematorium që t’i djegë.

Mësimet e Tetorit… Qeveria e kryesuar nga Kerenski, që hipi në pushtet në Shën Peterburg pas përmbysjes së monarkisë, i besonte logosit demokratik, ose modeleve të ndriçuara të Europës Perëndimore. Shumë politikanë dhe intelektualë të majtë shpresonin në shtetin ligjor dhe në legalitetin.

Mirëpo mes shumëve që luftuan e që sakrifikuan, fitorja i buzëqeshi – për ta thënë me një klishé të nevojshme – Leninit.

Pas trazirave të korrikut 1917, Lenini i pat thënë Trockit, duke iu referuar forcave të rendit të qeverisë Kerenski: “Tani është momenti i përshtatshëm, për ta, që të na pushkatojnë”; ndoshta ai vetë ashtu do të kishte vepruar.

Ky njeri, “i thjeshtë si e vërteta” (Gorki), që më vonë do të nderohej si gjysmë-perëndi e do të përfundonte i balsamosur, faraon në zemër të piramidës totalitare që kishte krijuar, ia kish falur shpirtin e vet dhunës. Lufta civile, sipas tij, ishte “forma më e ashpër e luftës së klasave,” dhe lumenjtë e gjakut që do të derdheshin ishin garanci e “fitores së sigurt”.

Ky kolos filozofik i epokës së re do ta quante shtetin e parë të proletarëve “sistem të dhunës së organizuar” e do të bënte thirrje për “ta pastruar tokën ruse nga të gjitha insektet e dëmshme”, për të nxitur “terrorin masiv” kundër punëtorëve grevistë e “për të pushkatuar një në çdo dhjetë parazitë”.

Mësimet e Tetorit mbeten të vyera për ata që kërkojnë të marrin e të mbajnë pushtetin, madje edhe pa revolucion. Jo rastësisht, nëntëdhjetë vjet më parë, pushteti përfundoi në duart e bolshevikëve – ose grupit më radikal mes atyre që ishin ngritur kundër monarkisë, e që kishin shaluar kalin e protestës kundër luftës, padrejtësive shoqërore, mjerimit dhe prapambetjes së Rusisë Cariste.

Pushteti sovjetik vërtet doli nga gryka e pushkës – por jo në fushë të betejës, as përballë armikut të armatosur. Pushteti sovjetik doli nga gryka e pushkës të skuadrave të pushkatimit: këtë u mësoi revolucioni i Tetorit gjithkujt diti të përfitojë më pas nga Lufta II Botërore, për të përmbysur rendin publik, në emër të ambicjes personale ose utopisë kolektive.

Të tjerët – ata që nguruan e që u turpëruan, ata që u përulën përpara ligjit, ose Zotit, ose edhe thjesht porosive të nënave të tyre, dolën të humbur. Prandaj edhe mësimi më i madh i Revolucionit të Tetorit, besoj, ishte se u tregoi gangsterëve e psikopatëve anembanë se mund edhe të triumfonin, po t’i mbeteshin besnikë vetvetes; ose po të mos u dridhej dora, madje edhe kur duheshin masakruar fëmijët – duke filluar nga familja e Car Nikollës…

I pari që përfitoi nga këto mësime ishte Stalini, por i fundit nuk ka lindur ende.

Gjurma e tetorit të 1917-ës në kujtesën globale nuk ka të bëjë aq me revolucionin si përshpejtim marramendës i historisë, sesa me legjitimimin e shëmtisë së krimit politik. Edhe Mussolini në Itali e sidomos Hitleri në Gjermani ishin bij natyralë të kësaj magjepsjeje të politikës me dhunën – për të mos folur për Europën e dalë nga marrëveshjet e Jaltës.

Sot “Iliçi ynë” u flet njerëzve me gjuhë tjetër, të kuptueshme për brezat e telefonisë celulare, Internetit, të drejtave qytetare, Bashkimit Europian; por joshja e metodave leniniste për zgjidhjen e konflikteve nuk është fashitur, as dëshira për t’i dhënë fund dialogut duke u rënë me grusht të hekurt tryezave të bisedimeve.

Në një botë ku dialektika politike është zhvendosur e tëra në virtualitetin e mass mediave, edhe skuadrat e pushkatimit i kanë ndërruar karabinat me kamera, mikrofonë dhe tastiera kompjuteri.

Mësimet e Tetorit mbeten kështu të gjalla dhe aktuale: rrugaçë të të gjitha vendeve, shpresoni!

8 Komente

  1. ju ftoj te reflektojme ketu kryesisht ne heshtje mbi simboliken qe mbart kostoja e konservimit te pastermase se Leninit ne sheshin skenderbej te kremlinit

    si formulohet shkresa per delivrimin e fondit per pagesen e hotelit te egjiptologut belg, i cili ka ardhur per here te dyte per ekspertizen e asaj chka cilesohet (citoj) “midhje kanibale” shfaqur serisht ne laringitin mitingash mbi vagona?

  2. Xhaxha, i ke rene pikes me kete analize te Tetorit, vertet qe mjetet kane ndryshuar, por synimet jane po ato, ose duke cituar Brecht-in “barku qe e polli ende s’eshte shterpezuar”. Lenini duket se i mashtroi te gjithe: jo vetem masat qe e ndoqen, por dhe ata qe e ndihmuan dhe e financuan, si p.sh. gjermanet qe i mundesuan udhetimin e famshem me tren nga Zvicra per ne Petrograd. Me kujtohet kur erdhi lajmi ne Tirane se qenkej bere nje film me Ben Kingsley-n per ate udhetim te shenuar permes Evropes, dhe se aty thuhej (larg qofte!) se Leninin e kishin ndihmuar gjermanet. Kur ja thashe kete fakt nje shokut tim te afert qe shquhej ne ate kohe per partishmeri, ai ma preu se kjo s’mund te ishte vecse provokacioni me i fundit i borgjezise nderkombetare per te erresuar figuren e Ilicit. “A mund ta imagjinosh” me tha shoku, duke folur me shqipen totalitare, “se borgjezia gjermane mund te ndihmonte Leninin qe po shkonte ne Petrograd per te nisur revolucionin qe do t’i bente varrin vete borgjezise?”
    Nejse, u zgjata kot me kete episod, se desha te thoja dicka tjeter. Per ate fillimin e politikes se rrugacerise, qe thote Xhaxhai, mua me duket se fillimi sikur qe me Revolucionin Francez (apo mos duhet te shkojme edhe me perpara, te Anglezi?) A mund te na ndricoje dikush per lidhjet dhe ndryshimet mes tyre? Mos valle Jakobinet luftuan me teper per “virtytin” dhe s’qene aq rrugace sa Ruset? Apo duhet thene ne menyre cinike se etja per pushtet eshte e njejte, pavaresisht nga maska e rradhes qe perdoret?

  3. Tetor qe edhe kur Davidi goditi Golinë… Ai rrugaç me llastiqe që guxoi ti gjuante pushtetit të më të fortit.
    Atje duhet kërkuar zanafilla (dënuar?!) e “rrugaçërisë” .

    Nëse shikojmë hollë hollë, të paktën nga citimet e prura këtu, Lenini nuk kishte hipokrizinë që ta lustronte me fjalë më të bukura se të tjerët luftën për të mbrojtur pushtetin për të cilin ëndërroi, dhe nëse kërkoni që të shikoni po aq hollë, ÇDO regjim/pushtet që ka arritur të vendoset në çdo kohë dhe në çdo cep të botës, nuk ka bërë as më shumë dhe as më pak se regjimi/ideollogjia e tij.

    Nganjëherë thuhet se, është kollaj që të flasësh nga sipër karros së fitimtarëve, por nuk më duket se edhe kjo qerre nga e cila flasim mund të jetë aq e “ndritur” dhe e pastërt nga ato principe të revolucionit të Leninit, sepse siç thshë dhe më sipër, çdo pushtet dhe ideollogji që kanë qënë dhe do të vijnë, për të siguruar “mbijetesën” pikërisht mbi atë dhunë ndaj armiqve të saj do të rrojë… bile ka edhe më keq, kur të mos ketë armiq, do të jetë në gjëndje që të gjejë të tjerë, mjaft që të tregojë forcën e supermacisë së saj… histori e njohur dhe nga kalamajtë e shkollave të mesme tashmë.

  4. I bukur ky reagimi i Edrus!
    Dmth na del se s’paska ndonje ndryshim te madh midis khmer rouge dhe demokracise suedeze apo zvicerane, sepse te gjithe ruakan pushtetin e me te fortit?!!!!!!
    Bile ata qe s’jane hipokrite, si Lenini, kane padyshim epersi morale.
    Hmm, me siguri do kem munguar te ai mesimi ne shkolle te mesme kur na eshte thene kjo gje, sepse gjer me sot nuk e kisha ditur, bile as e kisha degjuar gjekundi.
    Kam lexuar qe edhe ai qerrata Pol Poti s’dinte c’qe hipokrizia, ai ta thoshte cope: “Ti ke qene mesues ne regjimin e vjeter, u ke mesuar cilimijve tane gjepurat dhe hipokrizite e borgjezise nderkombetare, zhduku ne pune te detyruar, dhe po s’te pelqeu, te pret plumbi!”
    U pa puna, duhen riaktivizuar Komitetet e Enverit, bile duhet te perhapet pervoja jone edhe ne Kamboxhia!

  5. Neke, nuk më rezulton të kem thënë se unë apo gjysma e botës ëndërruan Pol Potin?!
    Nuk të duket se “lufta kundër terrorizmit” e shpallur nga Amerika është e njëjtë me atë të “luftës kundër armiqve të brëndshëm dhe të jashtëm”???
    Ntyrisht, që pasi nuk të kujtohen orët e historisë së bërë, e ke më kollaj që ta konsiderosh më të drejtë këtë “luftën” e sotme dhe ta “përdhjesësh” atë të së kaluarës.
    Pikërisht për këtë ndërhyra, jo për ti dhënë të drejtë ose për të dënuar njërën apo tjetrën, por nëse duam të jemi objektivë, të mos qëllojmë me sy mbyllur mbi diçka që është bërë e modës që të sulmohet nga të gjithë dhe po aq verbërisht të mos jemi në gjëndje të shikojmë “luftën e re të klasave”.
    Sepse nëse do të bësh krahasime… shiko dhe historinë e lavdishme të demokracisë amerikane se si përndoqi mijëra intelektualë komunistë para dhe pas luftës së dytë Botërore… do të gjesh shumë ngjasi me Pol Potin tënd të dashur.

  6. mësimi më i madh i Revolucionit të Tetorit, besoj, ishte se u tregoi gangsterëve e psikopatëve anembanë se mund edhe të triumfonin, po t’i mbeteshin besnikë vetvetes

    Ndoshta nje Rus tjeter, Dostoevski, e ka permbledhur mire kete ide kur thote

    “I could not become anything: neither bad nor good, neither a scoundrel nor an honest man, neither an hero nor an insect. And now I am eking out my days in my corner, taunting myself with the bitter and entirely useless consolation that an intelligent man cannot seriously become anything; that only a fool can become something”

    Fyodor Dostoevsky
    Notes from the Underground

  7. Edrus, ja c’thuhet ne postimin tend:
    “ÇDO regjim/pushtet që ka arritur të vendoset në çdo kohë dhe në çdo cep të botës, nuk ka bërë as më shumë dhe as më pak se regjimi/ideollogjia e tij……çdo pushtet dhe ideollogji që kanë qënë dhe do të vijnë, për të siguruar “mbijetesën” pikërisht mbi atë dhunë ndaj armiqve të saj do të rrojë…”
    Me vjen keq por e vetmja domethenie e ketyre fjaleve eshte se cdo regjim/pushtet ben dhe do te beje po ate cka beri Lenini, dmth Zvicra me Pol Potin aty-aty jane.
    Sa per enderrimet e masave lidhur me rezultatet e revolucioneve, dhe zhgenjimet e tmerrshme qe pasojne, kjo eshte nje teme tjeter.
    “Lufta kunder terrorizmit” eshte gjithashtu teme tjeter dhe as qe ishte fare objekt i postimit te Xhaxhait, as i reagimit tim. Pra une s’bera ndonje krahasim ndermjet “luftes” se sotme dhe asaj te kaluares, rrjedhimisht komenti yt se “perdhjeva” te kaluaren eshte fare jashte loje. Sa per dijeni, mendoj, dhe e kam thene edhe me pare, se politika e sotme amerikane, dmth Shtepia e Bardhe aktuale, ka shume aspekte te ngjashme me totalitarizmin. Jo me kot une mora shembull Zvicren, jo Ameriken.
    Pra ne reagimin tim nuk dhashe ndonje vleresim per demokracine amerikane, rrjedhimisht komenti yt edhe ketu eshte perseri jashte loje.
    Evokimi i Amerikes ne diskutim nga ana jote, duket se verteton prirjen, qe une komentova, per t’i futur te gjithe ne nje thes (qe te mos lodhemi me vogelsira te tilla, de, jo po kush eshte i mire e kush eshte i keq, sa vrau ky apo ai etc etc).

  8. Po pra mer Neke, po nuk qe modeli Zvicerian që kërkonim të realizonim në Shqipëri… ëndërra e Berishës dhe e të gjithë neve, ishte ta bënim Shqipërinë si Amerikaaaa!
    Prandaj dhe lidhja ime e asaj që ishim, me atë që ëndërronim të realizonim këto vite, dhe … me atë që jemi . nuk mund të fuste në valle Zvicrën.

    Por kam frikë se po të propozosh ndonjë demokraci zviceriane në Shqipëri, do të hash ndonjë burg për agjitacion e propogandë si armik i popullit që do me fut mizat ndërmjet popullit tonë dhe popullit të madh e vëlla amerikan 😛

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin