TË PYETET POPULLI

“Shekulli” del sot me një editorial kushtuar fatit të figurës së Enver Hoxhës, brenda përpjekjeve për rishikim të historisë që është duke promovuar qeveria Berisha. Sipas autorit, Pasho Alimerko, u dashka bërë dallim midis Enver Hoxhës komunist dhe Enver Hoxhës nacionalist.

Shkruan Alimerko:

Tërë jetën komunistin Enver Hoxha e ka ndjekur këmba-këmbës nacionalisti Enver Hoxha, madje ky i dyti përherë e ka eklipsuar të parin. Historianët, megjithëse janë munduar shumë, asnjëherë nuk gjetën të paktën një dokument, që të dëshmonte qoftë edhe indirekt, se ai pat qenë nën ndikimin e ideve komuniste në rininë e tij […] Enveri u bashkua me komunistët, në një moment kthese historike. Ai u “dorëzua” komunist për të dalë në krye të komunistëve e për të marrë pushtetin. Ndryshe nga krerët teveqelë të së djathtës, Enveri ishte i sigurt se nazi-fashizmi s’kishte të ardhme. Llogaritë e tij u vërtetuan me përpikmëri të habitshme.

A ka qenë Enver Hoxha diktator? Po, Enver Hoxha ka qenë diktator! Por, i dashur lexues, mos harro, edhe Pjetri i Parë i Rusisë, Bonaparti i Francës dhe Mustafa Qemali i Turqisë kanë qenë diktatorë. Secili mund të sjellë plot shembuj të tjerë. Komunistin Enver Hoxha le ta gjykojnë sipas standardeve të tyre komunistët shqiptarë, në daçin le ta përjashtojnë nga radhët e tyre pas vdekjes, kurse për Enverin si burrë shteti duhet të vendosin 7 milionë shqiptarë kudo që ndodhen.

Shqiptarët rregullisht e kanë identifikuar shtetin ligjor me diktaturën, prandaj është afërmendsh që kaosi i sotëm social në Shqipëri t’ua ushqejë disave nostalgjitë për periudhën totalitare, kur “vendi ishte i qetë dhe mbretëronte rregulli”. Në një shtet që kërkon të jetë demokratik, por të cilit i mungojnë institucionet, demokracia katandiset shpejt në kleptokraci korruptive dhe populiste dhe herët a vonë “populli” do të fillojë të kërkojë dhe votojë “rregull”, duke iu referuar të vetmeve modele që i ofron historia.

Po a mjafton kjo për t’i mënjanuar, shpërfillur e harruar krimet e rënda të totalitarizmit, për të cilat Enver Hoxha ka qenë drejtpërdrejt përgjegjës? A mjafton vullneti për afirmim të nacionalizmit shqiptar, për t’i mbajtur këto krime jashtë vetëdijes kolektive të Shqipërisë post-komuniste?

Thotë Alimerko: “për Enverin si burrë shteti duhet të vendosin 7 milionë shqiptarë kudo që ndodhen”; por unë nuk ia shoh dot logjikën një kërkese të tillë, sa kohë që shteti i të cilit Enveri ishte burrë, nuk ka pasur ndonjëherë 7 milionë shtetas. Ndoshta autori kërkon të thotë se ish-diktatori i Shqipërisë mund t’i shërbejë si model kombëtarizmit të ri pan-shqiptar; ndoshta kërkon të propozojë që historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve të shkruhet edhe ajo me vota, në emër të demokratizimit të proceseve kulturore.

Por më tingëlloka absurde thirrja për rehabilitim të Enver Hoxhës, të paktën në rrafshin kombëtarist, nga një autor i cili ngrihet të kundërshtojë orvatjet për rishikim të historisë; sepse nuk mund të ketë përmbysje më të madhe në vizionet e kombëtarizmit shqiptar, sesa kjo ftesë, sado patetike, për ta luajtur mbrapsht filmin e rrëzimit të statujës së diktatorit nga sheshet e Shqipërisë…

22 Komente

  1. Nje tjeter shembull par excellence i mbrapshtesise se ithtareve te diktatures… Apologjetet e Enver Hoxhes po rremojne nga munden ne menyre qe t`a trukojne kufomen e kryesadistit te popullit te tij me pufka nacionaliste perdellimi.

    Premisat e “argumentave” qe z. Alimerko parashtron me patos, jane te ngarkuara me paragjykimet e tij personale. Nuk e di ne a ja vlen te merresh me te dhe me ato qe shkruan ai, kur lexon fjaline e pare :”Tërë jetën komunistin Enver Hoxha e ka ndjekur këmba-këmbës nacionalisti Enver Hoxha, madje ky i dyti përherë e ka eklipsuar të parin.” Po thote se komunistin ke Enveri e paska ndjekur, dmth, i vinte nga prapa nacionalisti, dhe pastaj, ne te njejten fjali vjen pohimi se i dyti PERHERE e ka eklipsuar te parin… Tashti, o e ka ndjekur nga pas, ose e ka parakaluar qe ta eklipsoje; te dyja njeheresh sado gjenial te kete qene shoku, s`ma ha mendja se i bente dot njeheresh. Vetem nese artikullshkruesi e din qe artikullnjeriu ne fjale kane patur shume “diej” perreth, dhe e bente eklipsimin nga i donte prapanikja apo paramendja.

  2. Duam apo s’duam, për të mirë apo për të keq, kriminel apo burrë shteti EH i ka bërë një vënd vehtes në histori dhe 50 vjet vështirë që të harrohen.
    Njerëzit s’është se bëjnë Enverin më të mirë se Ramizi, Saliu apo Nano, është ndoshta mungesa e shtetit që i bën njerëzit që të shikojnë pa besim të sotmen për të kujtuar ato ç’ka të mira pati e djeshmja.

    Xhaxha, është rrojtur me terrorin e shpatës së diktaturës së proletariatit mbi kokë…… mos më thuaj se të gjithë kanë qënë të lirë të shprehen dhe të veprojnë në këto 17 vjet demokracie.
    Sepse është e vërtetë që janë bërë shumë krime atëhere, Por vetëm atëhere???
    Dhe sinqerisht, nuk shikoj asgjë të gabuar në të parit me gjakfohtësi të të gjitha “modeleve” që na pati ofruar historia, dhe nëse i duhet vënë vizë Enver Hoxhës, i duhet vënë vetëm për përndjekjen me çmënduri të qëndrimit të tij të patundur(thjesht kultit të tij të individualizmit) duke lënë pas ëndërrën e të gjithë atyre që luftuan dhe punuan ndershmërisht për krijimin e një shoqërie sociale e të drejtë… dhe nëse bën një raport të atyre që luftuan dhe punuan për një Shqipëri Socialiste, do të bindesh se qenë shumë shumë më të shumtë se ata të përndjekurit (dhe këtu mund të shtojmë dhe hajdutët e pulave që së fundi dolën të gjithë të përndjekur,bile, megjithëse qeveria nuk i njeh si të tillë, dhe ata që hëngrën burgje dhe internime që ishin më të shumtë në numër se vetë armiqtë e popullit, dhe këtu e kam fjalën për ata komunistë dhe familjet e tyre që nuk ju dukën të përshtatshëm nomenklaturës)

  3. Edrus, per ate vendin qe Enveri i ka bere vetes ne histori, kjo s’eshte ndonje merite e tij: cdo i marre apo kriminel i ben nje vend vetes si Herostrati, Xhinxhis Kani, Attila, Torquemada, Stalini, Hitleri, Mao, Jack the Ripper etj, etj etj. Ceshtja e shtruar ketu eshte pikerisht se cfare vendi: ne piedestal, ne kosh, apo diku ne mes.
    Thua se s’jane bere krime vetem atehere: edhe ky pohim nuk shpie asgjekundi, sepse edhe krimet kane shkalle te ndryshme. Eshte njesoj sikur te thuash se Afrika e Jugut s’mund te quhet shoqeri me e dhunshme se Irlanda sepse krime ndodhin edhe ne Irlande.
    Une personalisht s’dij ndonje periudhe te historise sone kombetare ku krimi te kete arritur permasa te tilla si nen Enverin. Me cfare tjeter mund te krahasohet ajo? Ketu e kam fjalen gjithmone brenda historise sone, se po ta krahasojme me Pol Potin, Enveri del fare pufte!
    Une them se Enveri ishte nje gjeni i se keqes dhe qe s’ja vershellente fare as per komunizem, nacionalizem, e me the te thashe. Ai ja vershellente vetem per pushtetin e tij personal, nese do te nuhaste qe kete do ja siguronte fashizmi ose budizmi, do qe bere sakaq ithtar i tyre. Ketu Enveri s’ben dallim nga figurat totalitare te vendeve te tjera: per ta vetem pushteti ka rendesi, pastaj te tjerat jane thjesht nenprodukte

  4. “A ka qenë Enver Hoxha diktator? Po, Enver Hoxha ka qenë diktator! Por, i dashur lexues, mos harro, edhe Pjetri i Parë i Rusisë, Bonaparti i Francës dhe Mustafa Qemali i Turqisë kanë qenë diktatorë.” Shtoji kesaj liste pozitive diktatoresh edhe listen e Nekes, qe populli te pergjigjet asnjeanshmerisht, perndryshe po ben politike, jo histori.

  5. “Njerëzit s’është se bëjnë Enverin më të mirë se Ramizi, Saliu apo Nano”

    Ndonese fjali e ndertuar ne nje menyre qe me pak perpjekje mund ti japesh me shume se nje kuptim, ne analize te fundit, relativizimi i nje personazhi historik si EH sherben pa nje pa dy ne c’vidhosjen e ingranazhit mendor qe perpunon imazhin e zoterise se tij, imazh qe, ndersa vitet ikin dhe ne vijojme te drejtohemi nga udheheqes qe lene shume per te deshiruar si Berisha a Nano, na nis e behet disi me i pranueshem.

    Por nese kjo ndodh, atehere ne nuk paskerkemi mesuar asgje nga historia jone, dhe popujt qe kane memorje kaq te shkurter, dhe mekanizma kaq te prapambetur intelektuale te analizes, jo vetem qe kane prirjen ta riperserisin gabimin historik, por edhe te krijojne pritshmeri jo thjesht e vetem irreale, por deri ne kufijte e halucinances per te ardhmen e tyre.

  6. @Neke, s’më duket se e pata vënë në piedistal (për mendimin tim modest, për shumë gjëra nuk e meriton atë vënd)

    @PNH, ju thoni:”Por nese kjo ndodh, atehere ne nuk paskerkemi mesuar asgje nga historia jone”…. eppur me ato figura e zëvëndësuam (dhe po ato vazhdojnë të luajnë fijet e politikës shqiptare) . Keni të drejtë: ne nuk paskerkemi mesuar asgje nga historia jone

    Por nëse Enver Hoxha mund të konsiderohet diktator, jo bashkë me të të dënohet dhe puna e të gjithë atyre që punuan dhe sakrifikuan për një Shqipëri më të mirë, dhe që me sa mund të gjykoj, Shqipëria u bë më e mirë se sa qe ose është.
    Dhe gjithashtu, jo sepse Ai konsiderohet diktator, të dënohet çdo alternativë e majtë që kërkon ringritjen e vlerave morale dhe mbështetjen sociale (dhe këtu nuk bëj asnjë aludim me të majtën shqiptare sot, që e shikoj larg punës për të arritur këto rezultate), sepse nëse Benito Musolini u var me kokëposhtë për qëndrimin e tij gjatë L2B, kjo nuk i pengon aspak italianët që të vlerësojnë Republikën Sociale të themeluar prej tij (të njëjtat gjëra që ndërtoi dhe socializmi në Shqipëri).

    Tek “Përpjekja” para ca ditësh ishte një artikull shumë i bukur përsa i përket problemit të “memories dhe historisë”, dhe ka të drejtë autori, kur thotë që jemi emocionalisht akoma të përfshirë nga periudha e “ndritur” e ndërtimit të socializmit, dhe është e natyrëshme që “memoria” të mos lejojë një gjykim objektiv historik (nga ku dhe kërkimi i rishikimit të historisë, qoftë nga personazhi i cituar në artikull, por edhe nga kryeministri ynë i nderuar, nuk mund të aplikohen pa ndezur debatin e përjetshëm: e lagu/ s’e lagu.

  7. Shpesh dëgjon të thuhet: ai regjim ka pasur edhe anë të mira; ose janë bërë edhe gjëra të mira. Çështja, në të vërtetë, duhet formuluar kështu: a mund të konceptohen e të vlerësohen të gjitha ato të ashtuquajtura “arritje” të shkëputura nga krimi totalitar, ose në vetvete? A mund të thahej këneta e Maliqit e të nxirrej kromi nga nëntoka pa punën prej skllevërish të të burgosurve politikë? A mund të ndërtoheshin hekurudhat e të hapeshin tarracat pa punën angari të “vullnetarëve” (çfarë ironie në këtë emër)? A mund të prodhohej buka në vend, pa kolektivizimin e detyruar të pronës në fshat? A mund të kryhej alfabetizimi dhe shkollimi masiv i popullatës pa indoktrinimin njëlloj masiv të kësaj popullate me formën më brutale të ideologjisë totalitare? A mund të sigurohej stabiliteti politik i jetës së vendit dhe “qetësia” e rendit publik pa dhunën policore sistematike të zbatuar verbërisht ndaj të gjithëve? A mund të nxitej e të mbahej gjallë interesi i publikut për kulturën dhe veprimtaritë kulturore brenda vendit përtej varfërimit absolut të tregut dhe mbylljes së kufijve? A mund të kultivohej kapitali social dhe fryma komunitare e bashkësisë përtej përgjimit dhe spiunimit të ndërsjellë, ose dhunimit të jetës private? A mund të konceptohet etika e atëhershme e bashkëjetesës përtej frikës viscerale se, sa hap e mbyll sytë, Partia ose Ai mund të të zhdukte nga faqja e dheut, ty dhe familjarët e tu? Unë nuk u jap dot përgjigje këtyre pyetjeve, por gjithnjë më mundojnë.

  8. Xhaxha, pikërisht sepse nuk mund të ndahen nga regjimi totalitar, për kë i konsideron si arritje këto arritje ja atribuon sistemit.
    Meqë ra llafi…. e dimë se si nxirret kromi nga Bulqiza sot, shikojmë dhe “vullnetarizmin” e krahut dhe trurit shqiptar të shkojë e të hapë tarraca në… Greqi dhe të fshijë haletë e italjanëve.
    Mos më thuaj se shqiptarët jetojnë dhe janë pa frikë sot?
    Atëhere, ç’ka ndryshuar???

    Po, kemi lirinë e fjalës!
    Sepse kemi mundësi që të rrimë përpara një kompiuteri (sa të tjerë e kanë këtë mundësi?!), por edhe pse fjalët e tua, të mijat dhe të të gjithë neve që flasim këtu, mund të përmbajnë kritika, analiza, këshilla, me nder muhabetit: Kush na pjerdh??
    Në fund të fundit, ATA e kanë ndarë mëndjen që të bëjnë sipas mëndjes së tyre (ndërsa ne i gëzohemi “Lirisë së fjalës” ).

    Vërtet që janë pyetje që s’mund t’ju përgjigjemi atyre që përmëndje, por nëse të njëjtet pyetje do ti bëje për ku jemi… kam frikë se do ta kishe akoma më të vështirë.

  9. Gjykimi i një regjimi, mendoj, nuk mund të bëhet duke shkëputur ngjarje apo fakte nga konteksti i kohës dhe i sistemit. Arritjet në elektrifikimit, apo të arsimimit në Shqipëri, mund të ishin bërë fare mirë nga një regjim demokratik; ashtu siç ndodhi në realitet në vende të tjera evropiane.

  10. Xhaxha, mund t’a kem gabim, por nqs arritja do ishte e vertete, atehere ndoshta edhe mund te justifikohej diktatura. Por ne qofte se ka vetem pseudo-arritje dhe propagande qe i quan keto arritje te mirefillta, (hekurudhat? buka? elementarja e edukimit? qetesia? kapitali social? ku jane? E lashe jashte interesin publik per kulturen dhe veprimtarite kulturore, pasi mendoj se eshte e vetmja qe nuk mund te shihet pa drejtimin ideologjik te cfaredo shoqerie) cfare mund te justifikohet?

  11. Pyetjet qe shtron Xha Xhai ne komentin nr.7 jane dhe me thelbesoret per te trajtuar “arritjet” e diktatures. Mund te thuhet se shumekush do pozicjonohej ne menyre te atille qe te justifikonte disi diktaturen; te tjeret do shkonin ne nje “dismissive mode” per t`i hedhur poshte si te pavlefshme sepse keto arritje ishin gjithsesi ne sherbim te diktatures.

    Nuk mendoj qe krahasimet qe ben edrus me kohet e sotshme hyjne shume ne pune per nje perfundim komparativ te kesaj dileme; te pakten mendoj qe nuk kane domethenie te drejtperdrejte, jo qe nuk vlejne PER SE.

    Thene thjesht, “arritje” ka patur, duke marre parasysh nivelin e pergjithshem. Qe keto arritje i kane sherbyer sistemit diktatorial, as nuk diskutohet. A mund te zhvleresohen atehere si te pavlefshme e si jo te njemendta?

    Them se nje prove e mire per kete pyetje do ishte po te merrej parasysh faktori kohe. Me kete dua te them perspektiva kohore, vete kohezgjatja e ketyre “arritjeve,” c’funksion, c`fytyre e c`sherbim kishin ne stadet e fundit te sundimit diktatorial.

    Po t`i shohesh keshtu, keto “arritje” ngecin vetiu ne vend, sepse riprodhojne, shume here me defekte edhe per qellimin te cilit duhej t`i sherbenin, nje status-quo te ndeshkuar (per nga vete natyra e totalitarizmit dhe izolimit cnjerezor qe diktatura kllaposi mbi popull) te deshtoje.

    Besimi naiv se te pakten u arrit dicka, eshte po ashtu i verber, dhe ndoshta pa dashje, ja zgjat pranine fantazmave te shumta te diktatures qe akoma persillen ne “mest` tene.”

    P. S. – Lulian, si mund te shihet interesi publik per kulturen dhe aktivitetet kulturore pa ideologjine qe e “udheheq” nje shoqeri?! Me habit ndonjehere, vella… 🙂

  12. Losttext, mund edhe ta pranoj moskrahasimin kohor të arritjeve ekonomike kulturore të sotme me të atëhershme, por nëse vazhdojmë ta cilësojmë diktaturë atë të atëhershmen, vazhdojmë ta bëjmë pikërisht duke bërë krahasimin me arritjet madhështore të demokracisë sot (Krahasim kohor i pranueshëm në këtë rast?!!!)

    Ndërkohë që kërkojmë të zbulojmë se jemi pellazgë apo ku di unë, harrojmë që në ’45 në gjithë botën toka punohej akoma me qe, dhe që nga ajo bazë u nis ndërtimi i Shqipërisë, dhe për sa u ndërtua, e krahasuar me arritjet e vëndeve të tjera (kujdes:Atëhere) qenë arritje të pamenduara se mund të arriheshin ndonjëherë nga ndonjë popull çobenësh.
    Mund të ketë patur dhe shumë ideollogji në kulturë dhe edukim, por fakti është se si unë dhe shumica e shokëve të mij, as nuk pranuam që të hynim në parti as kur na luteshin dhe jo më që të bënim kërkesa, dhe falë atij sistemi arsimi dhe edukimi u bëmë të zotët e vehtes ne dhe shpresoj që të na ndjekin nga pas dhe fëmijët.

    Lostext, asgjë s’do të ndryshonte ndjenjat e mija ndaj teje 😛 dhe nuk e kam me askënd personalisht, por meqë jam më i ‘lidhur’ me ty desha të të pyes, me gjithë optimizmin që mund të kesh, duke patur parasysh se ç’castë politike drejton këtë jodiktaturë në Shqipëri: Kur mund të shohim ndonjë vepër tjetër madhore (nëse ndërtimi i ndonjë hekurudhe ose hidrocentrali mund të quhet i tillë)??

  13. Duke i thjeshtuar gjërat në maksimum, mund të thuhet se ata të djeshmit të thernin, këta të sotmit të vjedhin; po gjithsesi, në të dy rastet, vendit i del zot një elitë (klikë) gangsterësh (të fortët), të cilët e përdorin pushtetin për të shkelur ligjin. Çfarë thotë kjo për aftësitë shtetformuese të shqiptarëve, në qoftë se këta nuk janë në gjendje të nxjerrin në krye të punëve njerëz që të respektojnë e të mirëmbajnë shtetin ligjor? Megjithatë, sistemi i sotëm mund të mendohet si më i qytetëruar se i djeshmi, sepse dhunën shtetërore, të paktën, e ka reduktuar dhe margjinalizuar; por shteti asnjëherë nuk ka qenë i vetmi burim i dhunës ndërshqiptare dhe maskarallëkun e rrugaçërinë nuk i solli totalitarizmi (por vetëm u hapi rrugë drejt majave, kur ia qëroi Shqipërisë elitat tradicionale duke ia eliminuar fizikisht). Çështja, besoj unë, është nëse duam apo jo ne si shqiptarë të jetojmë së bashku e t’u bindemi ligjeve që i kemi bërë tonat? Se nga lajmet që vijnë nga Shqipëria, të paktën që prej 1990-ës, nuk më duket se vërtet duam; madje më bindin se vendi mbahet në këmbë nga zori, meqë nuk ka zgjidhje tjetër të pranueshme.

  14. Edrus, thua “nëse vazhdojmë ta cilësojmë diktaturë atë të atëhershmen…”

    Meqe ekziston mundesia qe nuk e cileson diktature, sepse ke vene ‘nese’ perpara, diskutimi qe po bejme ketu mbi “arritjet,” nuk ja vlen te vazhdohet. Sic thua dhe vete, no hard feelings, :).

    Ke hak per ato qe thua Xha Xha, e dime te gjithe, por ca pesimist, gjithsesi… “Aftesite shtetformuese te shqiptareve” nuk kane patur hapesiren, shtysen dhe kohen e duhur te formohen e te stabilizohen. Vete elita oligarkike qe mban pushtetin (meqe ra fjala per ta, edhe keta te therin, po ashtu si te djeshmit, po u hyre shume ne pjese…) lejon fare pak vend per kete qellim; edhe kur e ben, e ben me shume per efekte propagande. E vetmja tradite ligjvenese dhe ligjmbajtese qe ka njohur shqiptari ka qene kanuni dhe mendesia e klanit, fisit, ose e perdhunes (diktatures). Deri vone ka qene keshtu; shekulli 21 na ka gjetur te katapultuar gati ne po ate gjendje, relike te se shkuares e te zvetenuar. Mbetet vetem per t`u pare aftesia rigjeneruese e kombit ne kushtet e reja qe jane krijuar. Dicka do mugulloje me ne fund.

  15. madje më bindin se vendi mbahet në këmbë nga zori

    Ai vend nuk mbahet gjalle nga ‘zori’ i vendasve, por nga ‘zori’ i Brukselit.

  16. Losttext, e vë atë ‘nëse’ ashtu siç e vë dhe NËSE do flisja për Zotin: E bëj thjesht për repekt të besimit të të tjerëve ndaj bindjeve të tyre, sepse nuk më duket e drejtë që përderisa nuk besoj në to unë, të ofendoj me mospranimin apriori të ‘idealit’ të tyre, dhe bërja e avokatit të shejtanit në këtë rast, më shtyn më tepër nga “ekstremizmi” i ‘ateistëve’ ndaj të atëhershmes 😉

    Xhaxha: Në ditët e rrëmujave, pasi gjithçka dukesj sikur po shkonte drejt pluralizmit (të paktën qe bërë plenumi i Kq për atë punë) dhe pasi për njohje më nga afër (kisha mundësinë e ‘takimeve të tipit të tretë’ me Kryeministrin e tanishëm dhe me Azemin) me figurat që do udhëhiqnin, pyetjes që një sekretar partie(shok familje) më bënte se si e shikoja unë të ardhmen, ju përgjigja: Shpresoj që të kthehet mbreti dhe ta marrë në dorë, të paktën e dimë se do thërrasim “Rroftë Mbreti”, duke i lënë të gjithë të çuditur për këtë dëshirë që edhe ata e dinin se ishte shumë larg ‘idealeve’ të mija për një shoqëri të emancipuar.
    Por nëse atëhere arrija në këtë absurditet sepse shikoja se kush do na drejtonte, tashmë nuk jam dakord as me JU, sepse tashmë ka ardhur koha që një brez i ri është rritur dhe edukuar jashtë ideollogjive të sotme dhe të atëhershme, një brez që qoftë dhe për idealizmin e shpirtit të tyre të pastërt, kërkojnë që të kthehen dhe të punojnë për një Shqipëri më të mirë, të ndërtuar me rregullat e ekonomisë së tregut dhe me shtetin e së drejtës që ata janë mësuar ta respektojnë atje ku kanë marrë formimin (dmth në gjithë botën).
    E di që jemi shumë realistë dhe të djegur tashmë nga qulli dhe e shikojmë pa besim dhe kosin e këtij brezi të ri, POR NËSE TË GJITHË DO TË SHIKOJMË QË TI DREJTOJMË QË TË VAZHDOJNË TË BESOJNË NË IDEALIN E TYRE, dizka shumë më e mirë se “diktatura” se ” demokracia” se “mbreti” apo kanuni mund të profilizohet në drejtimin e Shqipërisë së ardhëshme.

  17. Losttext, une kam thene qe nderkohe qe te gjitha arritjet e tjera, me pak perpejekje mund te vleresohen dhe te interpretohen edhe si te pavarura nga drejtimi ideologjik i nje shoqerie cfaredo, kulturen nuk jam ne gjendje t’a ndaj nga idete qe kjo shoqeri prodhon, apo qe e udheheqin kete shoqeri. Cfare ka te habitshme ketu? Xhaxhai kishte vendosur disa arritje ne funksion te regjimit te kaluar. Ajo qe une desha te shpreh ishte se mund te gjykohet nese keto jane arritje te mirefillta, apo pseudo-arritje, pasi mund te gjykohet empirikisht mbi to, nderkohe qe nje gjykim i tille mbi arritjet e kultures ne funksion te nje sistemi ideologjik, eshte me veshtire te behet, pasi e gjithe kultura mund te gjykohet arritje, por njekohesisht mund te gjykohet pseudo-arritje. Keshtu qe kur Xhaxhai pyet: “a mund të konceptohen e të vlerësohen të gjitha ato të ashtuquajtura “arritje” të shkëputura nga krimi totalitar, ose në vetvete?” une mendoj se po, pervec kultures.

  18. “Në të dy rastet, vendit i del zot një elitë (klikë) gangsterësh (të fortët), të cilët e përdorin pushtetin për të shkelur ligjin”. Mos shko me larg. Ose jane keta qe e kane bere ligjin dhe vazhdojne t’a bejne, ose ligji ka zbritur shabllon dhe keta po e shkelin. Ne qofte se eshte rasti i pare, atehere eshte shume shpejt per te folur, por ne qofte rasti i dyte, atehere jo pesimizem, por shkul floket me mire.

    Sidoqofte eshte heret te qahemi sot. Kur te na dali Dr. Fausti basketbollist, rrezik do qajme me mall jo vetem drurin e Enverit, por edhe qiriun e Berishes e kazinote e Nanos.

  19. Për t’iu kthyer prapë temës së arritjeve nën totalitarizëm: të ashtuquajturat “vepra”, si hidrocentralet ose hekurudhat ose kombinatet, kanë natyrë monumentale, janë objekte që i qëndrojnë kohës dhe, përveç funksionit utilitar (për të gjeneruar energji, transportuar njerëz dhe mallra, prodhuar të mira materiale) kanë edhe një funksion simbolik, duke u kujtuar njerëzve periudhën kur u ndërtuan. Prandaj sot shumë njerëz, dhe nuk e kam fjalën për ne që diskutojmë këtu, i shohin këto monumente dhe pyesin: pse nuk ndërtohen të tilla edhe sot? Pyetjes sime nëse këto monumente mund t’i perceptojmë, ose t’i mendojmë veçmas nga krimi totalitar, ose dhuna policore e regjimit, Lulian Kodra i përgjigjet se po, mund t’i mendojmë. Unë këtë e kuptoj kështu – mund t’i mendojmë, njëlloj sikurse kur shohim piramidat e Egjiptit nuk na shkon mendja vetvetiu te puna e skllevërve që është dashur për t’i ngritur, por mund edhe thjesht t’i admirojmë si shenja të madhështisë njerëzore. Mirëpo unë e kam jetuar periudhën totalitare dhe mbaj mend se, kur në Shqipëri ndërtohej, bie fjala, Hidrocentrali i Komanit, breza të tërë fëmijësh rriteshin praktikisht pa proteina: pa mish, pa qumësht, pa djathë, pa vezë; madje edhe foshnjat e gjirit i ushqenin me llokume (ose me niseshte). Këta breza tani mund ta kenë harruar që janë rritur me qepë, në një kohë që Komani është përsëri aty. E kam fjalën që vuajtjet e djeshme nuk ka monument të na i kujtojë, ndërsa arritjet që u mundësuan nëpërmjet atyre vuajtjeve janë vetë monumente. Po të kisha mundësi, do të bleja një sipërfaqe në Tiranë, për ta kthyer në një lagje muze të qytetit totalitar të atëhershëm, me libraritë ku shiteshin veprat e Enverit, punishtet ku pikturoheshin pllakatet e 1 majit, e sidomos MAPO-t, ose magazinat popullore ku shiteshin kopertona biçikletash ose brisqe, dyqanet e zarzavateve të mbushura me turshi, dyqanet e mishit ku gjeje vetëm sallo, ‘pastiçeritë’ ku pihej kafeja me çikore, ose dyqanet për enë kuzhine, të mbushura me shtamba dhe kripore. Prandaj veprat që i kanë mbijetuar regjimit të atëhershëm jam i prirur t’i shoh si monumente të torturës, jo të suksesit; edhe pse janë ngritur me punë të ndershme, të keqpaguar e ndoshta të shkuar dëm.

  20. Lulian, me ndje, te kisha keqlexuar 🙂

    Edrus, deri ke zoti vajte byrazer? Me kujtove Ahmadinexhadin qe ketu ne Nju Jork perseriti “tezen” e tij se nuk ka qene holokaust ai qe ndodhi gjate L2B-se, se keshtu u eshte mbushur mendja disave. Edhe sipas tij duhet vendosur kualitativi ‘nese.’

    Thote Xha Xhai: ” E kam fjalën që vuajtjet e djeshme nuk ka monument të na i kujtojë, ndërsa arritjet që u mundësuan nëpërmjet atyre vuajtjeve janë vetë monumente.”

    “Veprat” e diktatures gjellojne akoma ‘obsolete’, jashte funksionimit, kurse anti-vepra, nese mund te shprehem keshtu, monumenti i munguar qe thote Xha Xhai, jane vete njerezit dhe kujtesa e tyre, gjithashtu e tromaksur nga tokmaku stagnant i tranzicionit.

  21. Ky muhabeti i “arritjeve” mua me kujton dy pyetje, njera me naive e injorante se tjetra: “Pse edhe ata jashte kete diellin tone kane?” (Jo, jo, neve kete diellin na e ka bere Partia) dhe e dyta: “Si je kaq mosmirenjohese, kush te beri me shkolle e me pune ty?” Sipas tyre, ne na kish bere me shkolle partia, na mbante me buke, me drita, me rend, te mbrojtur nga armiqte. A thua se gjetke mileti s’kishin as shkolla, as drita, as pune, as rruge, dhe as rend. Ne 50 vjet pune (diku me shume e diku me pak, se ne nuk eshte se shquhemi per punetore) shume me shume do ishte bere nen nje regjim tjeter. Mos harroni se prindet tane me 50 vjet pune ne komunizem, s’kane asgje per te treguar sot, jetojne te gjithe me ndihmen e femijeve. Nese ndonjeri mendon se edhe ky realitet eshte faji i qeverive hajdute sot, atehere lodhemi kot.

    Kjo demokracia aktuale vertete nuk eshte sic duhet dhe sic e duam, por mbase duhet te hedhim syte perreth dhe te krahasohemi me ata qe e punonin token me qe si ne para 50 vjetesh, por deshi fati dhe nuk i kapi kalemi andej nga ana e komunizmit, dhe te shohim se ku ishin ne vitet ’90, kur u zgjuam ne te uritur e te paditur. Nuk ka nevoje te presim 30 vjet qe te kuptojme se sa shume kohe, energji, jete kemi humbur nen komunizem.

  22. “Prandaj veprat që i kanë mbijetuar regjimit të atëhershëm jam i prirur t’i shoh si monumente të torturës, jo të suksesit; edhe pse janë ngritur me punë të ndershme, të keqpaguar e ndoshta të shkuar dëm.”

    Xha xha, une jam shume dakord me ty, por ajo qe po them une eshte thjesht ana tjeter e se njejtes monedhe. Njesoj si veprat e regjimit te kaluar mund te shihen si monumente te tortures, po ashtu edhe veprat e sukseshme mund te shihen si monumente te sakrifices te se pafajshmit. Keshtu psh, hekurudhat amerikane mund te shihen si monument i sakrifices se sklleverve te zinj, suksesi i energjise berthamore mund te shihet si monument i sakrifices se Nagasakit dhe Hiroshimes, etj. Mirepo cfare eshte ai kriter qe na ben te shikojme nje veper si monument torture dhe nje veper tjeter si monument sakrifice? Ajo qe une kam thene, eshte se ky kriter eshte vlera empirike e perdorimit te vepres, ajo qe ti e ke quajtur “funksion utilitar”. Kjo vlere nuk ka fare lidhje me sistemin ideologjik ne te cilen vepra eshte ngritur, perndryshe, energjia berthamore ne Iran apo zhvillimi ekonomik se fundmi i Kines do ishin monumente te regjimeve perkatese. Po, eshte e vertete qe ne ia veshim deshtimin apo suksesin e nje vepre, deshtimit apo suksesit te nje regjimi, por lere menjane per nje sekonde dialektiken historike te progresit dhe Marksin, sepse suksesi apo deshtimi i vepres nuk varet nga kapitali i punes apo i gjakut, pasi keto te fundit kane vlere te njejte si ne torture dhe ne sakrifice.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin