Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

Dy herë i vdekur

Të gjithë i kemi përcjellë – besoj – lajmet nga Shqipëria për aksidentin e dyfishtë që ia mori jetën Gramoz Pashkos dhe të tjerëve me të në helikopterin qeveritar. Gazetat shkruajnë të lara e të palara për këtë punë, por mua nuk di pse më është shpifur një ndjenjë neverie e përgjithshme që nuk po e largoj dot.

E kuptoj që ata që e kanë njohur Gramozin nga afër e vuajnë vdekjen e tij në mënyrë shumë personale e intime, por disa artikuj që kam parë në shtyp, të tipit “ti nuk ke ikur, ti rron, ti do të vish prapë të pimë verë” e të ngjashme me to nuk më duken të hijshme. Nuk kam të drejtë të gjykoj sa është prekur ky apo ai nga kjo vdekje në vetvete e papritur, por mua së jashtmi artikujt mortorë më kanë lënë të kuptoj dy gjëra: (1) që lufta politike në Tiranë bëhet midis njerëzish që kanë mes tyre më shumë të përbashkëta se dallesa dhe (2) që një pjesë e mirë e këtyre luftëtarëve të tryezave e kanë kuptuar se ku i ka katandisur moralisht politika.

Çka ndodhi me helikopterin qeveritar ishte dështim i madh i radhës për shtetin shqiptar, por aksidente edhe ndodhin. Për mua edhe më diskredituese është që kreu i qeverisë shqiptare u implikua drejtpërdrejt – si kryeministër – në pasojat e një aksidenti shumë të dhimbshëm për Pashkon dhe të afërmit e miqtë e tij, por përndryshe dhe në vetvete banal.

Vdis pa të të dua, thotë një fjalë popullore. Sulmuesit dhe komisarët e PD-së nuk lanë baltë moçali pa ia hedhur Pashkos në fytyrë, kur ky u distancua prej Berishës diktator të para 1997-ës. U desh që i njëjti Pashko të rrëzohej nga shkëmbi, që të zbulohej se sa i vyer paskësh qenë për Shqipërinë.

Logjikisht, tani pritet të dalë në skenë kryeshambellani Moisiu, që të dekorojë me zell të pashoq të gjithë ata që u përfshinë njëfarësoj në këtë katrahurë: duke filluar nga viktimat, e duke përfunduar me bocmanët e motobarkave që tani kërkojnë të gjejnë ndonjë mbeturinë të helikopterit në det.

Pati edhe zëra që guxuan të përmendin turpin e një shteti si Shqipëria, që nuk arrin dot të mbajë një repart reanimacioni për të qenë, por i sfilit të sëmurët e vet VIP-a në gjithfarë udhëtimesh e helikopterësh – sidomos po të kihet parasysh se kryeministri Berisha vetë dikur nuk ka qenë pilot, por mjek, madje i nderuar.

Megjithatë, më shumë edhe se vdekja e hidhur e Gramoz Pashkos dhe e të tjerëve me të, krizën e shëndetësisë shqiptare e tradhton epidemia e verdhëzës që ka rënë këto ditë në Tiranë. Sikurse kolera pak vjet më parë, edhe verdhëza sot është një sëmundje që njëfarësoj lidhet me praninë anonime të fekaleve të thjeshta të popullit në tryezat e përgjithshme, të pasura e të varfëra, të Tiranës verore.

Nuk më rezulton që mjeku i djeshëm Berisha dhe të tjerët të kenë dalë publikisht me të madhe për të reaguar ndaj këtij skandali të padëgjuar të tiranasve që hanë e pinë fekalet e tyre në mes të Evropës… edhe pse verdhëza nuk është nga ato sëmundje që mund të shpërfillen lehtë. Aq më pak që të sëmurët me verdhëz nuk ka arsye t’i hipësh me zhurmë të madhe në helikopterë qeveritarë e t’i shpiesh për kura agresive në Bari e në Janinë.

Me fjalë të tjera, qeveria duket sikur interesohet për shëndetin e shqiptarëve dhe për shërbimin shëndetësor publik vetëm kur është fjala për gjeste politike spektakolare, ose për t’i shpëtuar jetën këtij apo atij dinjitari e politikani e artisti të shumëdekoruar, ose edhe thjesht një fëmije qyqar me leukemi në majë të malit, për të cilin ka shkruar kjo apo ajo gazetë…

Me ç’mbaj mend unë, gjeste të tilla gjithnjë bëhen me vonesë dhe janë të panevojshme përveçse për autorët e tyre; madje u heqin viktimave të rastit edhe të drejtën për të vdekur me dinjitet. Burra të dambllosur e të paralizuar e me shtyllën kurrizore të këputur në mes e me kafkën të hapur, a me kancer të metastazuar në çdo qelizë të trupit e në forma terminale e me zemrën piksur në skorje që u varet në një fill peri e aortën të çarë tejendanë, a me mëlçi të bërë shoshë nga cirroza ose me zorrë e rropulli të derdhura në asfalt pas aksidentesh automobilistike, paketohen me zell të madh në barrela ultramoderne dhe dërgohen me ngut të madh (dhe me paratë publike) për të vdekur me mundime të papërshkruara përtej detit, që kapadaijtë e karagjozët e administratës të qetësojnë ndërgjegjen e tyre të vrarë e të bëjnë figurë të mirë në mediat!

Nuk ka doktor më të keq e më të padenjë për besim se shteti, tha.

Ministri Cikuli i pari duhet të ulet e t’i shpjegojë kryeministrit të vet që shëndetësia publike nuk ka të bëjë shumë me rastet teatrale ekstreme të varura pezull midis jetës dhe vdekjes, ose me sëmundjen të filtruar nga mass mediat në trajta melodramatike ose tragjike – por me punën e përditshme, kokulur dhe pa bujë të të gjithë atyre që përditë e modestisht e larg kamerave duhet të kujdesen për t’ua ruajtur shëndetin qytetarëve, në mënyrë të tillë që të mos flitet kurrë në mediat për gjëra të tilla të qelbura si hepatiti A dhe uji i pijshëm i ndotur me materie fekale.

Por ndoshta kjo është të shpresosh si shumë. Nuk di nga e ka marrë kjo klasë politike kulturën e shpifur të teatralitetit, të gjestit histrionik, të jargëzimit – ose të një protagonizmi kallp prej soap operash meksikane, të zhyer në kombinime pa shije të kronikave rozë, kronikës së zezë dhe korrespondentëve nga dyert e spitaleve. Martesa e ministres Trashani, që kishte pushtuar sot faqet e para të gazetave, ma përforcon edhe më bindjen për elitat e atjeshme si një kastë të mbyllur, që e krijojnë vetë realitetin e tyre sepse nuk munden as duan të përballen me realitetin përjashta.

* * *

Te kjo travesti e shtypit dhe e shambellanëve të radhës unë shoh edhe një përpjekje – të palodhur e shpesh patetike – për të krijuar, riprodhuar e shpërndarë me çdo kusht njëfarë narrative pozitive, frymëzuese, me ngjyra heroike.

Shumë pak vlera u kanë mbetur të shenjta shqiptarëve urbanë sot, përtej parasë, tapive të pronave në Janinë dhe dhomave të gjumit. “Jeta e njeriut” si emërues i përbashkët etik duket megjithatë t’i ketë rezistuar korrozionit; prandaj edhe ca nga këto narrativa të sforcuara japin e marrin me njerëz që “shpëtojnë jetët”…

Dje narrativa të ngjashme, me njerëz që “binin në krye të detyrës”, kishin të bënin me ndërtimin e socializmit në Shqipëri: Adem Reka, Shkurte Vata dhe të tjerë qyqarë që s’po më kujtohen.

Sot nuk është e lehtë të bësh hero dikë që jep jetën për të mbrojtur BMW-në e vet nga kusarët e rastit, ose për një administrator prostitutash që flijohet në përpjekje të armatosur me konkurrencën diku poshtë ndonjë ure në Napoli apo në Milano…

Nuk është doemos negative kjo prirje për të heroizuar pilotët, shoferët, rojet, truprojet, policët, doganierët, nënoficerët, gardistët e të tjerë shërbyes publikë si këta – ose “shërbëtorë të popullit”, siç i quanin dikur. Megjithëse gjithnjë mund të pyetet se ç’vlerë ka ruajtja e jetës, madje in extremis, brenda një shoqërie që kujdesin për njeriun e rrugës e ka shpërfillur krejt.

Sikurse nuk është doemos pervers gjithë ky interesim për narrativat negative të kronikës së zezë e për krime të shëmtuara, por përndryshe krejt banale e të rastit, poshtë e lart nëpër Shqipëri. Duket sikur vlerësimi sublim për jetën vjen e gjallërohet vetëm në kontakt me vdekjen. Edhe pse të vdekurit vetë nuk është se do të entuziazmoheshin dhe aq me këtë farë respekti.

[2006]

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin