Pishaku me të drejtë ia këndon virtytin dorëheqjes; sikurse edhe shpjegon pse e ka kaq të vështirë sot kultura politike shqiptare ta pranojë këtë institucion.
Në thelb, dorëheqja është gjesti i kujt beson se jeta nuk i fillon, as i mbaron me detyrën politike; por shumë-shumë me misionin. Është kundërvënie e logjikës së individit ndaj logjikës autoritare të grupit.
Por gjestet e politikanëve, publike dhe private, gjithnjë i binden një kodi të caktuar, të thjeshtë por efikas, e që i ka rrënjët në bindjet, shijet dhe ambiciet e tyre. Gjithnjë më duket sikur klasa e sotme në pushtet, pozitë e opozitë, vetëm rastësisht ia deklaron besnikërinë kushtetutës republikane; ose sepse ashtu ia kërkojnë rrethanat madhore.
Prej kohësh është përsëritur se “këta të sotmit”, për ta thënë me një shprehje kurioze por të rëndomtë, investimin shpirtëror e kanë te mbajtja e pushtetit, jo tek ideali i shërbimit publik ose ndonjë ideal tjetër çfarëdo.
Më pak është folur për mënyrën se si e realizojnë vetveten këta protagonistë të jetës politike në Shqipërinë post-totalitare; ose për kodet që përdorin, me ose pa vetëdije, për të riprodhuar vetveten si pushtetarë ose politikanë.
Hipoteza që më ngacmon mua, është se këta të mëdhenj aktualë të jetës shqiptare, në veprimtarinë e tyre rutinë, nuk sillen aspak si liderë zgjedhur me votë të lirë nga qytetarët e republikës; por si të frymëzuar nga pozimi dhe impozimi autoritar i paraardhësve të tyre totalitarë.
Ky ngatërrim kodesh më kujton një bandë mirditorësh në romanin “Viti i Mbrapshtë” të Ismail Kadaresë, të cilët e kishin bërë zakon të manovronin në bazë hartash të vjetra të ushtrive austriake e duke kopjuar manovra austriake të muajve më parë…
Shumëkush do ta mbajë mend mënyrën si e realizonte figurën e vet në publik Enver Hoxha: si një kombinim të sharmit dhe të tmerrit; ose mishërim të karizmës e të lavdisë të një lideri që i kish fituar – me dhunë e me dredhi e me zotësi – të gjitha betejat.
Enver Hoxha ishte trupëzim i autoritetit të imponuar nëpërmjet lavdisë, e cila lavdi, në fund të fundit, i kishte rrënjët në fitoren ushtarake të Frontit Nacional-Çlirimtar dhe të komunistëve vetë gjatë Luftës II Botërore.
Krejt etika e pushtetit komunist përligjej në një mënyrë ose në një tjetër me fitoren e arritur gjatë Luftës, e cila konsiderohej dhe paraqitej e plotë, absolutisht pozitive dhe e drejtë, triumfale dhe në origjinë të gjithçkaje që po realizohej prej komunizmit në Shqipëri.
Në të vërtetë, autoritarizmi i të gjitha klikave komuniste në vendet e Lindjes mbështetej në marrjen e pushtetit me dhunë, zakonisht në kontekstin e një konflagracioni me përmasa ndërkombëtare.
Përkundrazi, klasa politike që mori pushtetin në Shqipërinë e viteve 1990 u ngjit në tribunat e jetës publike jo duke fituar ndonjë luftë a revolucion; as duke i kaluar armiqtë në jatagan; por pak a shumë u vendos atje si kinse e dalë nga shoqëria civile nëpërmjet votës qytetare, pas implozionit të diktaturës kokëvarur Alia dhe kolapsit të regjimeve autoritare në Lindje.
Mirëpo ata që e morën pushtetin, duke filluar nga Sali Berisha vetë, nuk arritën dot t’i ndërronin në kohë reflekset e vjetra të sjelljes në publik dhe të aktivitetit të tyre si politikanë; dhe vijuan ta mbështetin autoritetin e tyre në një “fitore” këtë herë krejt imagjinare (sa kohë që pushteti u kish mbetur, si të thuash, në dorë).
Prandaj pushtetarët post-komunistë, sado intelektualë e anti-komunistë shpesh të deklaruar, nuk hoqën dot dorë nga pompoziteti, retorika e fryrë, banjat e turmës, takimet me nëna e motra, pensionistë e ushtarakë të liruar, veteranë e veterinerë, të rinj e të reja, bletërritës e radioamatorë. Një pjesë vërtet e gënjeheshin me iluzionin se “vota e popullit” u jepkësh të drejtë ta quanin veten udhëheqës popullorë, në kontakt të pandërmjetëm me bazën elektorale, ose njeriun e rrugës.
Edhe sot e kësaj dite figura si Berisha, Meta, Nano, Rama, Topi e ndonjë tjetër i sheh të përqafuar me gjithfarë plakash dhëmbërëna e buqeta lulesh shumëngjyrëshe, ose duke shtrënguar në krahë fëmijë topolakë që ua ofrojnë – simbolikisht – prindët e gatshëm për sakrifica karnale, ose me shalle qesharake në qafë, si i ziu Pal Vata qëmoti; ose duke vendosur fisnikërisht kurora në varre të rënësh me të cilët nuk i bashkon më absolutisht asgjë. Nuk është për t’u çuditur që ky protokoll grotesk i bën pastaj të kujtojnë se përnjimend e kanë trashëguar autoritetin e dikurshëm të Enverit, Mehmetit e të Hysniut – që e kishin rrëmbyer pushtetin duke u kacavarë mbi piramida viktimash e armiqsh ekzekutuar pa mëshirë.
Iluzion kolektiv, që i bën edhe më qesharakë sa herë u kërkohet të kryejnë detyra normale për të cilat paguhet politikani, ose të arrijnë kompromis me palët kundërshtare si në rastin e tanishëm të zgjedhjeve për president.
Edhe një politikan “hipermodern”, si Edi Rama, të përshëndet me 6 (gjashtë) fotografi të vetat në faqen fillestare në Internet të Partisë Socialiste (përkundrejt vetëm një fotoje në faqen përkatëse të Bashkisë së Tiranës; çka më bën të dyshoj se imazhin partiak koreano-verior ia kanë pompuar aparatçikët e atjeshëm)…
Ka të ngjarë edhe që politikanët tanë, kur adoptojnë kode të paraqitjes publike, të ndjekin këshilla të këshilltarëve të vet të shkathët e pa skrupuj, të cilët e kanë kuptuar se publiku shqiptar po kërkon përsëri e me të madhe Enver Hoxhën… siç u duk qartë edhe në Fushë-Krujë (por kjo është çështje tjetër). Me fjalë të tjera, sjellja groteske e këtij apo atij protagonisti përndryshe krejt të dështuar të politikës shqiptare të jetë kodifikuar enkas, ose me synimin për të fituar sa më tepër popullaritet.
Tek e fundit, a nuk ishin qytetarët shqiptarë që rivotuan në pushtet Sali Berishën, ose një burrë shteti që vetëm pak vite më parë e kish çuar vendin në buzë të katastrofës institucionale? Aso kohe u tha që votuesit pëlqyen te Berisha autoritetin, intransigjencën, vendosmërinë dhe “burrninë”; të cilat vështirë se mund të mbahen për virtyte primare të shtetarit republikan modern…
Pyes veten ç’fat do të kishin pasur në Shqipërinë e sotme politikanë si, bie fjala, Giuliano Amato; Walter Vetroni; ose tek e fundit edhe vetë Romano Prodi, që tek ne nuk do të kishte bërë dot më tutje se drejtor i arsimit shëndetësor, ose fundja edhe pajtues gjaqesh…
E pyes veten jo vetëm për të spekuluar; por sepse e ardhmja e Shqipërisë në Evropë është në duar të njerëzve si Amato; jo të kreshnikëve vetullsqifterë, Mujëve e Halilëve e impersonatorëve të Hoxhës.
Pushtetarët e sotëm në Tiranë, sado të zotët, të shkathët e finokë, nuk i derivojnë dot kodet e veta të sjelljes nga ndonjë farë triumfi primordial e përaftësues; sepse deri tani veç kanë dështuar në të gjitha fushat. Ndoshta u ka mbetur, megjithatë, ende pak hapësirë për të riprovuar, këtë herë duke u mbështetur në përulësinë. Po kush guxon t’ua sugjerojë?
Nuk ka nevojë të sulmohen politikanët. Ata janë përfshirë në një proces spontan vet-shkatërrimi. E vetmja gjë që duhet bërë është të jesh i vendosur për mos tu dhënë dorën, kjo është të thuash, mos tu shkosh në ndihmë. Ti lësh me veten e tyre dhe në të tyren.