(ose muzgu i fisnikërisë kombëtare)
Dikur na mësonin në filozofi të historisë se njerëzit e mëdhenj përvijohen në horizontin e një kombi atëherë kur i kërkon epoka, të gatshëm për të marrë në duar timonin e anijes e për t’i dhënë popullit shpresën dhe vizionin e domosdoshëm në kohë krizash. Shqipëria e sotme duket se i përmbush parakushtet për të pasur një plejadë heronjsh e kapitenësh, të cilët ta udhëheqin drejt qytetërimit, mbrothësisë dhe paqes sociale; pse krizën e kemi me bollëk e të gjithanshme, turmat të gatshme e madje të etura për tribunë, problemet të shtruara palë-palë për zgjidhje. Megjithatë, shqiptarët e mëdhenj nuk po duken gjëkundi, dhe ndër elitat e pushtetshme të Tiranës mediokriteti shndrit si kurrë më parë. Të gjithë ata shqiptarë që ëndërrojnë për rikthimin e një Abdyl Frashëri, një Ismail Qemali ose një Luigj Gurakuqi në krye të vendit, duhet të mjaftohen me çakërdisjen e mjerë të deputetëve të sotëm në parlamentin e Republikës. O tempora o mores, thonin latinët; por në kontekstin shqiptar thënie të tilla po tingëllojnë tashmë dramatike.
Burra si ata s’vijnë më – është një shprehje që e dëgjon shpesh bisedave, madje të shoqëruar me një grimë nostalgjie për të shkuarën e të paharruarën. Në të vërtetë, burrat “zotnij” që e bënë Shqipërinë – duke filluar me Rilindësit e duke u shtyrë deri në fund të mbretërisë së Zogut – meritojnë përnjimend admirimin jo vetëm të historianëve, por edhe të të gjithë atyre që do t’i kishin dëshiruar sot e kësaj dite në pushtet. Nëse njerëzit e mëdhenj shquhen prej të tjerëve jo vetëm për inteligjencën dhe aftësitë e mëdha komunikuese, jo vetëm për vendosmërinë dhe magnetizmin e karakterit, por edhe e kryesisht për përkushtimin vetëmohues ndaj çështjes publike, gatishmërisë për shërbim, vizionin e qartë, profilin e lartë etik dhe besimin që ngjallin në masën e ndjekësve, atëherë Rilindja shqiptare ia dhuroi me bollëk të tillë katalizatorë socialë shqiptarisë. Të paktën kështu na rrëfejnë historianët dhe biografët, e sidomos na e provon vepra e tyre, ose zgjimi i mrekullishëm i një kombi deri atëherë të narkotizuar nën Portën e Lartë.
Në ato dekada të shembjes së madhe të perandorisë, ose të zgjimit të përgjithshëm të popujve në Ballkan e gjetiu, nën fanfarat romantike të poetëve dhe të vizionarëve gjithfarësh, ardhja në krye të punëve e personaliteteve jo vetëm të shquara e me influencë, por edhe e para së gjithash me profil etik të pacenuar ishte një domosdoshmëri; sepse fjala e tyre jo vetëm ishte vendimtare për të zgjuar vetëdijën kombëtare, por edhe vetë fjala interiorizohej, në thelb, si zgjim i kësaj vetëdije. Një shekull më vonë, skenari i shembjes së perandorisë praktikisht u përsërit, këtë herë me ngrehinën e madhe të sundimit totalitar në Lindje; por ndryshe nga atëherë Shqipëria nuk prodhoi dot burra të kalibrit të vëllezërve Frashëri, të Ismail Qemalit e të Gjergj Fishtës, që me veprën e tyre e sidomos me prestigjin e gjestit të tyre t’i jepnin formë historisë kombëtare. Shkaqet e një shterpësie të tillë shqetësuese në krye të vendit nuk janë triviale, as mund të përshkruhen lehtë; por nevoja që ndiejnë sot shqiptarët për një udhëheqësi të denjë e të mirëbesueshme i kapërcen caqet e spekulimit publicistik. Me fjalë të tjera, elitat politike në Shqipërinë e sotme nuk respektohen prej shoqërisë së atjeshme, deri në atë shkallë sa edhe legjitimiteti i tyre si elita të vihet në diskutim e në dyshim.
Ndryshe nga vendet e Evropës perëndimore, që i kanë institucionet të konsoliduara e të riprodhueshme natyrshëm, Shqipërisë së sotme i duhet të krijojë shumëçka nga hiçi. Besimi i masave – ose i publikut – në të ardhmen e pashmangshme të integrimit kontinental, të tregut të lirë dhe të pluralizmit social nuk mund të kultivohet veçse nën frymëzimin e sinqertë të elitave. Publiku, nga ana e vet, gjithnjë është në kërkim të pikave të referimit, ose të atyre që do ta udhëheqin në lëvizje politike madhore, si ato që lypen në Shqipëri. Mirëpo sistemi i përzgjedhjes demokratike dhe i pluralizmit partiak, ashtu siç zbatohet në praktikën e atjeshme, shpesh nxjerr në krye jo figura etikisht të admirueshme dhe personalitete të përkushtuara ndaj shërbimit publik, por pelivanë e lojtarë të shkathët, shakaxhinj të përkryer, akrobatë të manovrës politike e të dredhive të shumëfishta, zhonglerë dinakë, të hurit e të litarit e që s’ua ha qeni shkopin, virtuozë të batutës e të gatishmërisë televizive, dhelpra të kulisave dhe të celularit, hijena të politikës, ose banorë të skutave nokturne të ndërgjegjes sociale, njerëz nga të cilët nuk do të donim të blenim një veturë të përdorur. Nuk duhet të jesh as idealist as ëndërrimtar i çartur, për të nxjerrë përfundimin se këta Untermenschen nuk mund t’ia sjellin e t’ia garantojnë të ardhmen Shqipërisë.
Sociologët dhe analistët e komunikimit prej kohësh kanë vënë re se, në një epokë si kjo e sotmja, kur shoqëria si pakt individësh të lirë ia lë vendin publikut përkufizuar sipas mesazhit që e konstituon si të tillë d.m.th. si publik, edhe personalitetet e mëdha ose liderët e mirëfilltë të një kombi vijnë e zëvendësohen prej mediave, ose vetë infrastrukturës së vetëdijës kolektive. Në shoqëritë perëndimore prej kohësh është vërejtur se teatri politik i demokracisë gjithnjë tundohet nga format karnevaleske, në një kohë që publiku vjen duke i humbur lidhjet me etosin e duke u identifikuar gjithnjë e më tepër me këngëtarë, konferencierë, sportistë, heronj të ekranit televiziv, aktorë të pompuar në stratosferë dhe të tjera figura virtuale të cilat i flasin drejtpërdrejt sistemit limbik të trurit. Teksa vëmendja e këtij publiku koagulohet rreth personaliteteve pop, elitat në pushtet organizohen e konsolidohen rreth miratimit numerik të votës, sondazhit, pëlqimit statistikor, telekomandimit televiziv e të tjerave mekanizma që nuk kanë fare të bëjnë me personalitetin e liderit të kuptuar në mënyrë romantike-tradicionale. Shqipëria këto forma totalitare komunikimi i ka importuar me lehtësi të madhe, madje pa u preokupuar për imunitetin e ulët të shoqërisë së atjeshme ndaj trukeve mediatike të kumtimit masiv; mirëpo kjo e ka ulur frikshëm peshën e logosit, ose fjalës së arsyetuar, në jetën publike dhe pikërisht në një epokë kur logosi shoqërisë shqiptare i duhet më shumë se kurrë.
Përdhosjen e parive mediat moderne e kanë kthyer në parim elementar suksesi, pse pakçka e gozhdon vëmendjen e publikut më ngulitazi sesa skeletet që u zbulohen liderëve në dollapet – shpesh me bashkëpunimin entuziast, në mos bashkëfajësinë, e opozitave. Vetë elitat i janë dorëzuar tashmë ritualit të përdhosjes, madje duke u tunduar ta përdorin për qëllimet e tyre e duke e shaluar popullaritetin ose admirimin e natyrshëm mes kolegësh të vesit, ose tek e fundit edhe frikën e njeriut të rrugës ndaj Leviatanit kalbësisht të korruptuar të shtetit. Në mungesë të figurave me profil të lartë, ose me prestigj të tillë etik që t’ua eklipsojë vetvetiu trivialen e veprimtarisë së përditshme, sistemi përpiqet të kundërpeshojë duke i ofruar publikut sipas rastit teknokratë ose meritokratë, e në përgjithësi shpresën e vakët se një vend mund të nxirret nga kriza duke zbatuar formula të përpikta, lëçitur për së mbari në universitete të Evropës. Mediat, nga ana e tyre, vetëm sa e përgatitin publikun për momentin kur me votë të lirë të sjellin në krye të punëve futbollistin ose këngëtarin televiziv të radhës. Në këto rrethana, nuk është për t’u habitur që të dëshpëruarit të pyesin përsëri se pse nuk po i prodhon dot më Shqipëria burrat e djeshëm.
Skeptikët do të vërenin, në këtë rast se edhe të mëdhenjtë e djeshëm nuk do ta përballonin dot trysninë mediatike, në kuptimin që suksesi dhe prestigji i tyre dje lidhet njëfarësoj me luksin e distancës – të kuptuar si distancë aristokratike nga shoqëria e atëhershme plebease, por edhe si distancë shëruese nga vëmendja e kureshtarëve të sotëm. Nëse demokracia mediatike që i është imponuar shoqërisë shqiptare e përjashton vetë konceptin e kësaj distance të elitave nga konstituencat, ose të heronjve nga publiku përkatës, kjo nuk mund të thuhet se ka shërbyer për të vendosur ura respekti, prestigji e mirëbesimi mes masës së votuesve dhe udhëheqësve të saj. Përkundrazi, teatrizimi i politikës në Shqipëri dhe gjetiu ecën krah për krah me hapjen e pallateve të pushtetit ndaj telekamerave, gazetarucëve dhe në përgjithësi voyeurismit të publikut çfarëdo. Në një epokë kur shprehja “me dyer të mbyllura” tingëllon ofensive ndaj ndjeshmërive demokratike dhe kulturës së glasnost-it ose tejdukshmërisë foshnjore, elitat vetë kapen peng i rolit të tyre në krye të shtetit dhe i nevojës jetike për të kënaqur, ose zbavitur instinktet e ndjekësve të tyre.
Në një demokraci të fermentuar mirë, si ajo amerikania, trivializimi i jetës publike po kundërpeshohet nga një aktivizim i pashembullt i praktikave dhe sidomos i institucioneve religjioze evangjeliste në një masë njerëzish që ende e ndien fort nevojën për t’u identifikuar me një pari përnjimend ndriçimtare. Në Shqipëri, ku roli i feve në jetën publike është vetvetiu i kufizuar për arsye historike të mirënjohura, populli do të kërkojë vetvetiu një rikthim të figurës së Mësuesit – ose asaj figure heroike që një shekull më parë ua përçoi vizionin Rilindës masave. Tallazet sociale në periudhën paskomuniste, lëvizjet e popullsisë, zhbalancimet demografike për shkak të emigracionit dhe ripërkufizimi brutal i rolit të librit në jetën sociale të vendit ia kanë vështirësuar shumë Mësuesit kthimin në rolin e vet të natyrshëm prej bariu të shqiptarëve. Kapja dëshpërimtare pas figurave të tilla si Ismail Kadareja ose Nënë Tereza dëshmon se dëshira për ndriçim sidomos në rrafshin etik mbetet e gjallë, madje konstitutive për identitetin shqiptar në këtë fillimshekulli. Të tjerë e projektojnë të njëjtën dëshirë në riciklimin e miteve të romantizmit Rilindës, duke ia kërkuar shëlbesën shqiptarizmit në transhendencën e Panteonit kombëtar.
Mirëpo edhe personalitete të kalibrit të shkrimtarit të madh Kadare trishtojnë në vetminë e tyre, ose në pamundësinë për të koaguluar rreth vetes elita po aq të denja sa edhe shpresat që kanë shqiptarët e sotëm ndaj udhëheqësisë së kombit. Çka po duket se i mungon Shqipërisë nuk është vetëm mekanizmi për zbulimin e këtyre personaliteteve dhe garancitë për t’i nxjerrë e për t’i mbajtur në krye të punëve; por edhe vetë shtresat sociale që normalisht do t’i prodhonin elitat e domosdoshme për momentin. Një Abdyl Frashëri, një Ismail Qemali, një Gjergj Fishta, një Fan Noli, një Ahmet Zogu, një Luigj Gurakuqi madje mutatis mutandis një Ismail Kadare nuk dalin rastësisht e vetvetiu në skenën kombëtare, por janë produkt i vyer brezash kultivuar me pasionin e udhëheqjes dhe të shërbimit publik, ose i asaj fillese sociale që pa frikë mund ta quanim aristokraci të shqiptarizmit. Pikërisht kjo lloj aristokracie kombëtare si klasë e privilegjiuar në dhunti intelektuale dhe morale, të drejta dhe detyra, po i mungon Shqipërisë së sotme, dhe për arsye të mirëditura.
Vite më pas, kur të analizohen në hollësi pasojat e kobshme të eksperimentit totalitar në Shqipëri, shfarosja fizike dhe sociale e ajkës së kombit me siguri do të konsiderohet si krimi më i rëndë që kreu regjimi i Enver Hoxhës ndaj popullit të vet. Duke eliminuar sistematikisht të gjithë ata që deri atëherë e tradicionalisht identifikoheshin si “dyer të mëdha” ose “familje të mira”; duke i pushkatuar, burgosur, internuar, poshtëruar e shpronësuar më të shumtën e atyre që në një mënyrë ose në një tjetër ishin shquar me veprën e sidomos pozitën e tyre sociale në Shqipërinë e Zogut, regjimi i Enver Hoxhës vuri në veprim për dekada me radhë një lloj mekanizmi pervers antievolucionar në shoqërinë shqiptare, duke eliminuar me vetëdije prej saj pikërisht shtresat më të shquara e më të suksesshme, të cilat ishin depozitare të kulturës së udhëheqësisë dhe të filozofisë ndriçimtare të vetë Rilindjes kombëtare. Ata që habiten sot kur lexojnë kujtimet e shumëpërfolura të Eqrem Bej Vlorës, mbetur gojëhapur me kontrastin midis preokupimit fisnik të parisë së atëhershme dhe cirkut kaotik të parisë së sotme në Shqipëri, duhet ta kenë kuptuar tashmë se virtyti i gatishmërisë për shërbim publik dhe i prirjes madje vokacionit për shkëlqim etik dhe prestigj social nuk mund t’i mbijetojë përndjekjes së pamëshirshme të bartësve të tij të vetvetishëm.
P.S. E kam shkruar këtë artikull më se një vit më parë, kur edhe e kam botuar te “Bota Shqiptare”, në Romë. Ndoshta do të kisha bërë më mirë të kisha pritur edhe një vit…
Ribotoje!