Një tjetër gazetë amerikane, The Aspen Times, sot tallej me kontrastin midis dështimeve të njëpasnjëshme të presidentit Bush në SHBA dhe në botë, dhe pritjes madhështore që iu bë po këtij Bushi në Shqipëri. Unë nuk e di se ç’është kjo gazetë, as dua të zgjatem shumë me shakatë e autorit të artikullit, por nuk mund të mos rikujtoj se triumfi shqiptar i Bushit ia provoi opinionit publik ndërkombëtar se Shqipëria nuk është se i është larguar shumë izolimit të kohës së Luftës së Ftohtë; dhe se mbetet fragment i një universi paralel, ku koha rrjedh ndryshe e ku realiteti nuk është e thënë se koincidon doemos me realitetin e pjesës tjetër të planetit; as historia ka ndonjë raport çfarëdo me arsyen.
Përsëri sot lexoja në një editorial të “Shekullit” nga Bledar Kurti se çfarë traume ka mbetur, për shqiptarin, barriera praktikisht e pakapërcyeshme e vizave për të lëvizur jashtë vendit, ose shndërrimi i Shqipërisë në një kamp të lehtë përqendrimi në mes të Evropës, nga ana e pikërisht asaj eurokracie së cilës po duam t’i bëhemi vasalë me çdo kusht. Që vëmendja e publikut në Shqipëri përqendrohet, sipas rastit, në kumarin e mrekullueshëm të zgjedhjeve presidenciale, ose në denoncimin e sjelljeve të shëmtuara të grekëve, kjo nuk ka kurrfarë ndikimi në telat me gjemba që shtohen e shumohen përreth shqiptarëve, e që sot për sot mund të kapërcehen vetëm nga mizat, mushicat e insekte të tjera fluturake pleh-dashëse. Madje unë jam i prirur të shoh një lidhje midis këtij izolimi de facto të Shqipërisë, dhe skenave absurde në Fushë-Krujë, ku një burrë shteti praktikisht kokëvarur u prit me një entuziazëm të tillë që as ai vetë nuk ia kushton dot më vetes.
Është shpjeguar tashmë gjërë e gjatë se pritja e presidentit amerikan në Shqipëri shprehu kryesisht mirënjohjen shqiptare për SHBA e për politikën e saj në mbështetje të interesave kombëtare shqiptare; sikurse dihet edhe pa u thënë hapur, nga të gjithë fjalëtarët, se as fushë-krutanët as qeveritarët e tyre nuk pyesin dhe aq për dëmet që i ka sjellë administrata Bush rolit dhe prestigjit ndërkombëtar të SHBA si frymëzuese e idealeve republikane të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Kjo mund të interpretohet si pragmatizëm nga ana e një shoqërie që ka nevojë dëshpërimtare për përkrahjen e një të madhi; sikurse mund të interpretohet si një izolim vullnetar, nga ana e një shoqërie që ende nuk po e arrin dot pjekurinë e nevojshme për të vepruar si faktor i pavarur në arenën ndërkombëtare. Vetëm nga një entitet që e urren sovranitetin e vet mund të dëgjosh deklarata të tilla si ato të kryeministrit Berisha, i cili e siguroi Bushin se Shqipëria është gati “të miratojë çdo ligj” për ta përshpejtuar procesin e futjes në NATO…
Unë këtu nuk shoh veçse autarkinë e djeshme të Enver Hoxhës, të kthyer së prapthi; ose po atë pamundësi për të vepruar në arenën ndërkombëtare me pjekuri dhe arsye. Ata të djeshmit nuk pranonin kredi edhe sikur t’ua falje; këta të sotmit kanë dalë të lypin me kapele të rrjepur rrugëve e trotuareve të mbarë botës. Ta përligjësh pritjen surreale të Bushit në Fushë-Krujë (nga po ajo turmë që dje i hidhej në qafë Enver Hoxhës) duke arsyetuar se se shqiptarët nuk mund ta gjykojnë Bushin me standardet e elitave amerikane ose evropiane më tingëllon një lloj padronizimi elitist, ose dëshirë sado e pavetëdijshme për t’i trajtuar shqiptarët si gjysmakë e të metë e të vobegtë e qyqarë e gjynahqarë. Nëse janë vërtet ashtu, nuk jam gati t’ia pranoj vetes; edhe pse nuk jam as nga ata që e presin shpëtimin t’u vijë nga kallaballëku, me vota ose me revolucion… Edhe pse nuk i mbyll dot sytë para shenjave e dëshmive, sado pikëllimtare, se Shqipëria, tashmë dhe ajo po aq e dështuar dhe e izoluar sa super-mysafiri i vet, nuk po dëshiron të jetë pjesë e asgjëje që ka natyrë globale kolektive; as preokupohet shumë për të drejtat dhe detyrat që i jep qytetaria ndërkombëtare. Ndoshta zgjidhja më e mirë, për të gjitha palët, ishte që ndonjë parti në Tiranë të kujtohej të ofronte kandidaturën e Bushit për president të republikës shqiptare.
une nuk votoj per bushin.
Vizita e Bushit nga një shqiptar që jeton në Itali ishte akoma më e ngarkuar me domethënie për të gjitha ato që ndodhën gjatë atyre shtatë “orëve” të famshme që na kushtuan diçka rreth 1 milion dollarë. Në Romë, ashtu si në të gjitha qytetet që kishte vizituar më parë, për motive sigurie ai as nuk vizitoi të famshmen zonë të Trastevere për motive sigurie. Komuniteti i “sant egidio” u detyrua ta takonte presidentin më të fuqishëm të botës brenda murene të ambasadës amerikane në Romë. Në qëndër të qytetit pati protesta gjatë gjithë qëndrimit të tij dhe policia me shumë mundim arriti t ambante situatën nën kontroll. E vetmja gjë e mirë që bëri Bushi për Italinë ishte sebepi i dorëheqjes së një senatori italian që pasi mori pjesë në kokteilin me presidentin donte të shkonte në orar në disa studio televizive për një talk show “shumë të rëndësishëm”. Gjithnjë për sigurinë e “njëshit” asnje makinë nuk mund të qarkullonte në qëndër dhe senatori në fjalë, duke përfituar nga pozita e tij kërcënon një ekip mjekësor dhe i detyron që ta shpien me ambulancë me sirena të ndezura tek studiot televizive. E detyruan të jepte dorëheqjen, edhe pse parlamenti ja refuzoi (Itali hesapi). Megjithatë kjo ishte e vetmja gjë pozitive që Bushi shkaktoi në Itali. Pritja në Shqipëri ishte tejet e sproporcionuar dhe tregonte një shkëputje totale të shoqërisë sonë dhe të klasës politike, nga realiteti botror që na rrethon. Si gjithnjë po i hipim anijes së gabuar, një anijeje pa kapiten, një president që jo vetëm nuk di të dali nga rrëmuja e irakut (eufemizëm ky) por mezi po administron dhe shtetin e tij, një lider pa busull si e quajti dikush para disa ditësh në një gazetë. Në gjithë këtë shteti ynë hedh lekët poshtë me spote televizive, me postera gjigandesk mirëseardhjeje, me pemë fallco, me bojëra të reja dhe podiume “cabriolet” për kryeministrinë e kështu me rradhë. Gjëra të denja për rregjimet ushtarake të shpërndara akoma nëpër botë. Ketu kanë humbur busullën dhe nuk po më duket se po administrojnë “gjënë publike” por diçka që i përket raportit eskluziv personal të kryeministrit të radhës. Si gjithnjë në këtë mes shqiptarët nën lenten e mediave italiane nuk mund të shpëtonin pa ndonjë epitet, dhe ja ora e presidentit, skenë e përshkruar në mënyre diletanteske nga gazetarët e edicionit qëndror të lajmeve të rrjeteve publike italiane (Rai).