Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

Zgjedhjet, zgjedhjet, zgjedhjet!

E vetmja veprimtari politike në Shqipërinë e zhytur në errësirë të dimrit, si edhe shumë herë të tjera, ka të bëjë me zgjedhjet. Përsëri si edhe shumë herë të tjera, i kërkohet popullit t’ia sanksionojë e legjitimojë, nëpërmjet votës, pushtetin një skote oligarkësh të krimit dhe rrugaçësh ndërkombëtarë. Sa më të plota e të turpshme t’i kenë këta zhurmëtarë dështimet, sa më të rënda e të papranueshme shkeljet e ligjit, aq më të mëdha u dalin ngërdheshjet dhe fotografitë në faqet e gazetave. Pikërisht tani që u bë publike bashkëfajësia e kryeministrit të sotëm dhe e shokëve të tij të armëve për thyerjen e embargos ndaj ish-Jugosllavisë dhe furnizimin me naftë të makinës serbe të genocidit dhe të pastrimit etnik në Bosnje dhe në Kosovë; e pikërisht kur Shqipëria rezultoi të ishte vendi më i korruptuar në një anketë të përbotshme, pushtetarët e atjeshëm nuk reshtin së gërryeri me dhëmbë kafkat njëri-tjetrit, të mbërthyer për jetë a vdekje në betejën titanike të… zgjedhjeve zgjedhjeve zgjedhjeve, si riprodhim të “demokracisë” shqiptare. Në të vërtetë, 15 vjet mjaftojnë për të bindur edhe më entuziastët se regjimi i tanishëm në Tiranë nuk ka të bëjë fare me demokracinë, por është një oligarki që mbahet në këmbë me paratë e krimit nga njëra anë, e me vullnetin oportunist të Evropës dhe të organizmave ndërkombëtare nga ana tjetër, të cilat nuk do t’i pranonin dot kostot politike dhe financiare të një ‘pronunciamientoje’ në Shqipëri, as pezullimin e të drejtave civile nga ndonjë juntë ushtarake ad hoc. Paradoksalisht, këtu vendi ka arritur si pasojë e zbatimit frenetik të disa formave të cilat, përndryshe, i përshoqërohen demokracisë; të tilla si zgjedhjet, ose edhe sistemi aktual i partive politike dhe ndarja e pushteteve. Teatrit të politikës shqiptare sot i përshtatet për bukuri përshkrimi lakonik që i pati bërë një sociolog amerikan Meksikës së viteve 1980, me fjalët se “jeta publike atje nuk është veçse abuzim me paranë për të fituar pushtetin dhe abuzim me pushtetin për të fituar paranë.” Në rrethana të tilla, zgjedhjeve “të lira dhe demokratike” u kërkohet të kompensojnë për qeverisjen katastrofike të Berishës & Co., ashtu si më parë të Nanos & Co., dhe paralizën e dialogut midis palëve kundërshtare, e cila e degradon jetën politike të atjeshme në një “luftë pozicioni”. Mirëpo abuzimi me disa forma mekanike të demokracisë nuk është demokraci por demokraturë; dhe zgjedhjet, po të shkëputen nga procese të tjera të pjesëmarrjes së publikut në qeverisjen e vendit e të komunikimit midis forcave politike dhe institucioneve, do ta largojnë përfundimisht këtë publik nga politika, duke e katandisur sistemin në një tirani të kulluar të shumicës ndaj pakicave; çka tregon edhe se demokracia nuk u “instaloka” dot në një shoqëri ashtu siç “instalohet” diktatura. [2006]

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin