Nuk do të jem i vetmi që habitem me indiferencën e shtypit shqiptar ndaj luftës në Liban.
Në faqet e gazetave shqiptare online vetëm lajme për bëmat e atjeshme nuk gjen. Plot profka për Posh Spice dhe Ms. Puerto Rico-n; por lajme për ngjarje të vërteta tronditëse ose të tilla që kërkojnë shqiptime të qarta dhe pozicionime politike jo. Me siguri në Shqipëri televizioni u ka dhënë hapësirën e duhur masakrave, krimeve dhe shëmtive të tjera të luftës, por fakti që shtypi i anashkalon këto gjëra vështirë se mund të kundërshtohet, sikurse mbetet flagrante heshtja e qeverisë dhe e diplomacisë shqiptare.
Mirëpo shqiptarët historikisht janë interesuar për këto gjëra, sidomos kur ndodhin në Mesdhe, që është gjithnjë deti ynë, si me thënë. Vetëm një shekull më parë deri edhe guvernatorin e Libanit e kishim nga anët tona… Pa përmendur pastaj që vetë realiteti shqiptar sot në Ballkan i detyrohet, në thelb, vëmendjes ndërkombëtare ndaj genocidit serb në Kosovë dhe vullnetit të shteteve të huaja, të afërta e të largëta, për të vepruar vendosmërisht e në mënyrë etike në mbrojtje të kosovarëve, duke u zotuar deri edhe ushtarakisht kundër Serbisë së Milosheviçit.
Mund të thuhet se Shqipëria nuk ka ndonjë interes për të mbrojtur në Liban; as ndonjë rol për të luajtur në zgjidhjen e krizës së atjeshme. Nëse është kështu, atëherë aq më keq për diplomacinë tonë. Shqipëria dhe Libani kanë gjëra të përbashkëta, meqë edhe atje si tek ne bashkëjetesa pak a shumë harmonike midis të krishterëve dhe myslimanëve është kusht për ekzistencën paqësore të shtetit.
Por nëse është vërtet kështu, atëherë pse të mos orvatej Mustafaj ynë diplomat i thekur me një mision paqeje, sado informal, në vendet e përfshira në konflikt? Vallë nuk do të ishte kjo edhe në interesat afatgjatë të Shqipërisë vetë, si aktor në teatrin e Mesdheut, e të miqve e partnerëve tanë atje të vjetër e të rinj, pa lënë jashtë as Izraelin?
Që Shqipëria është shtet më vete i njohur nga bashkësia ndërkombëtare dhe me pretendime për të hyrë në “familjen evropiane” kjo sjell një varg detyrimesh në kapërcyell midis politikës dhe etikës, ose domosdoshmërinë e kultivimit të një ndjenje përgjegjësie për çfarë ndodh përreth. Unë nuk pres që qeveria shqiptare sot të shqiptohet qartë për çështje të tilla të largëta si konflikti midis Kinës dhe Tajwan-it, balenat që vrasin japonezët në det të hapur, raketat që hedh kot më kot Koreja e Veriut ose rezultatet e zgjedhjeve në Meksikë – por Libanin e kemi tek dera e shtëpisë dhe gjithnjë do ta kemi.
Me fjalë të tjera, shqiptarët, këtu si edhe në raste të tjera, tregojnë një papjekuri të frikshme – sado të fshehur prapa maskës së dinakërisë gjoja levantine, për të mos “e prishur” me të mëdhenjtë, ose për të mos u ngatërruar, ose të tipit “ç’më duhet mua” e “ç’na hyn ne në qese”. Nga një pikëpamje, indiferenca ndaj kontekstit ndërkombëtar dhe shpërfillja ndaj hapësirës publike në qytetet janë dy simptoma të së njëjtës patologji.
Po cilës patologji pikërisht? Unë këtë papjekuri sociale të institucioneve që i përfaqësojnë shqiptarët – shteti, qeveria, parlamenti, diplomatët – do ta shihja si shenjë të një refuzimi për të pranuar mbi vete përgjegjësitë që vijnë me sovranitetin. Shteti shqiptar, si shtet sovran, ka detyrime jo vetëm ndaj taksapaguesve në Shqipëri, por edhe ndaj komunitetit ndërkombëtar – mes të cilave edhe detyrimet morale për të marrë pjesë në shqetësimet globale.
Në këtë kuptim, unë deri edhe pjesëmarrjen aq të përfolur të Shqipërisë në Konferencën Islamike – të cilën përndryshe gjithnjë e konsideroj akt të nxituar, hipokrit dhe politikisht të papërligjur – do ta quaja më të pjekur sesa këtë mefshtësi të vetëdijshme e të përsëritur të shtetit e të shoqërisë civile shqiptare ndaj konflikteve në rajonin mesdhetar, të cilat ndoshta nuk i prekin drejtpërdrejt interesat e ngushta materiale të shqiptarëve.
Kjo sepse vullneti për t’u bërë e ndier pjesë bashkësish mbikombëtare e për të vepruar në bashkëpunim me aktorë të tjerë të teatrit ndërkombëtar është shenjë burrnie dhe qytetërimi – gjithë duke mbetur edhe kundërshtim i vendosur i jargavitjes servile ndaj atyre fuqive të huaja të cilave qeveritarët shqiptarë kanë vendosur t’u futen në sqetull. Do ta dënojnë, bie fjala, qeveria shqiptare, presidenti dekorator dhe shtypi shqiptar bombardimin izraelit në Qana të Libanit, ku u vranë 34 fëmijë libanezë? Nëse jo, pse? Sepse e konsiderojnë normale a nuk u bëhet vonë që të vriten fëmijët ashtu? Apo sepse kanë frikë mos lëndojë padronët e vet, të vërtetë a të perceptuar, dhe kjo frikë ua kushtëzon sjelljen e deklaratat publike më shumë se parimet etike e të së drejtës ndërkombëtare?
Si në një rast, ashtu edhe në tjetrin, qeveria dhe shoqëria civile dalin të çnderuar nga kjo mesele. Rrahjet e shëmtuara në parlamentin shqiptar, sjelljet prej egërsirash rrugaçe të deputetëve boksierë e mundësa, shkatërrimet e skrivanive e të vazove me lule e bëma të tjera të përcjella me zhurmë e entuziazëm të madh nga faqet e para të gazetave nuk mjaftojnë për të përligjur heshtjen e shtypit për dramën e Libanit, vuajtjet e popullsisë civile atje, shkatërrimet e pronës dhe të infrastrukturës, rrezikun që konflikti të përhapet më tej… Deri edhe pickimet e merimangës në fushë, sado dramatike, nuk mund të marrin përparësi ndaj katastrofës së qytetërimit në Liban! E pikërisht atij qytetërimi që të gjithë duam ta bëjmë tonin e ta adhurojmë perëndisht…
Pjekuria a burrnia e një shteti dhe e një shoqërie mund të përkufizohet në mënyra të ndryshme; por nuk do të ishte gabim edhe të mendohej si gatishmëri për t’u shqetësuar sinqerisht për probleme që i kapërcejnë interesat e ngushta, parrokiale, provinciale e të cekëta të jetës së përditshme; problemet e raporteve të elitave dhe të individëve me ofiqet përkatëse në hierarkitë e pushtetit; rishpërndarjen e parasë publike dhe kronikën e zezë, rozë e të bardhë. Ndër shqiptarët që njoh personalisht, shumë mendojnë e sillen si qytetarë të bekuar me vetëdijen publike dhe me aq fisnikëri sa të më bëjnë të ndihem krenar edhe unë – si bashkatdhetar i tyre. Edhe historinë e shqiptarëve e gjej të pasur me shembuj të tillë. Por institucionet që na përfaqësojnë e që flasin me zërin tonë, janë e mbeten shumë larg këtij modeli.
* * *
Të thuash që diplomacia shqiptare mund të kishte lëvizur me rastin e krizës në Liban nuk mund të kushtëzohet nga mundësitë konkrete që mund të ketë ky ekzekutiv për të bërë diçka. Nevoja për një reagim diplomatik të Shqipërisë nuk buron nga kapacitetet ekzistuese në Ministrinë e Jashtme atje – e kundërta do të ishte e vërtetë: Ministria e Jashtme duhet të konfigurohet në mënyrë të tillë që t’u përgjigjet nevojave diplomatike afatgjata të shtetit shqiptar, jo nevojave të klaneve e të grupeve të interesave për të dërguar njerëzit e vet bajlozë e shoferë ambasadash në Junan e në Tarabulluz.
Unë e shpreh këtë nevojë nga pozitat e një qytetari, d.m.th. nga këndvështrimi i shoqërisë civile; dhe me një mënyrë krejtësisht ndryshe nga ç’mund ta shtronte, bie fjala Besnik Mustafaj, në mbledhjen e qeverisë Berisha. Ky dallim nuk është aq formal sa ç’mund të duket. Natyrisht, unë e kam edhe një ide se si mund të ishte ky ndërmjetësim, por jam i bindur se Mustafaj & Co. janë në pozicion të tillë që t’i kenë këto ide më të frytshme e më të realizueshme. Ideja ime, për shembull, do të ishte që Shqipëria të tentonte një mision të lehtë eksplorativ, qoftë edhe në nivel ambasadori, në Liban, në Izrael, në Siri, në Jordani e në Qipro, duke u bashkërenduar me përpjekjet amerikane dhe britanike.
Shqipëria mund të shprehte publikisht gatishmërinë për të bërë diçka, edhe sikur kjo të mos përfillej. Presidenti Moisiu mund të dilte me një deklaratë çfarëdo, dhe Berisha pas tij, thjesht për të treguar se Shqipëria, shteti shqiptar, janë e ndihen pjesë e bashkësisë ndërkombëtare. Opinionit publik në Shqipëri meriton të përqendrohet në diçka tjetër nga çikërimat të neveritshme të kuadrit. E gjithë kjo, nga pozitat e një shqetësimi qytetar, jo si rezultat i ndonjë përpjekjeje për të ndihmuar drejtpërdrejt ekzekutivin Berisha në punën e vet administrative të përditshme.
Shqipëria mund të angazhohet në mënyrën e vet në zgjidhjen e krizës në kuadrin e përpjekjeve ndërkombëtare për këtë zgjidhje, duke shfrytëzuar disa tipare unike të vetat, që nuk i ka as Malajzia, as Spanja, as Kili. Nëse politika e jashtme shqiptare i ka pak a shumë të përcaktuara e të formuluara aleancat strategjike të Shqipërisë dhe synimet afatgjata të shtetit, për shembull, për t’u pranuar në NATO, atëherë mund të veprohet në përputhje me këto perspektiva. Gjëja më e keqe që mund të bëjë qeveria shqiptare, gjithsesi, është të heshtë; sepse duke heshtur tregon se nuk dëshiron të jetë pjesë e komunitetit ndërkombëtar, dhe se nga bota kërkon vetëm tutelë dhe mbikqyrje, si të ishte fëmijë me nevoja të posaçme…
Angazhimi i Shqipërisë duhet të burojë edhe nga dëshira e saj për të qenë anëtar me të drejta të plota i bashkësisë ndërkombëtare. Shteti shqiptar nuk mund të mësohet me rolin prej fëmije invalid ose me probleme ose gjysmë i vonuar që ka nevojë për mbikqyrje konstante të të rriturve – i cili rol na bën të gjithëve me turp, kudo ku jemi. Nga ana tjetër, shqetësimi im kishte të bënte edhe me një farë paralelizmi evident midis mefshtësisë së politikës së jashtme të Shqipërisë dhe indiferencës së mediave ndaj krizës në Liban. Unë këto dy fenomene i shoh si të lidhura ngushtë, dhe më del parasysh një Shqipëri që është katandisur edhe më keq se ajo e izoluara dhe autarkikja e kohës së Enver Hoxhës; sepse ajo e atëhershmja dukej sikur nuk donte që të luante rol aktiv në arenën ndërkombëtare, ndërsa kjo e tanishmja nuk mundet ose edhe nuk e percepton fare kontekstin ndërkombëtar përtej hundës së vet. [2006]