Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

Festivali i Gjirokastrës

Ah, Festivali i Gjirokastrës! Duke parë gjendjen në të cilën është katandisur kultura sot në Shqipëri, ku po ai publik i bën temenara Samuel Beckett-it më një anë dhe fitueses së konkursit Miss Patosi i Ri më anë tjetër, duket sikur një rigjallërim, qoftë edhe i institucionalizuar, i folklorit është për t’u përshendetur. Në të vërtetë, sa më shumë që depërton në popull kultura amerikanizuese e TV-së dhe e Top-40, aq më shpejt arti popullor i mirëfilltë kthehet në një shprehje ose të izolimit kultural total, ose të refuzimit të vetëdijshëm të modës kozmopolitë dominuese, kryesisht nga pozita konservatore/ obskurantiste. Nga ana tjetër, dihet së folklori i kultivuar dhe tiranitë shpesh kanë ecur krah për krah, në kuptimin që regjimet ose diktatorët paranojakë i kanë përdorur kostumet popullore, daullet me lëkurë thiu dhe dialektet periferike si shenja të komunionit me popullin: çka do të thotë, të kontaktit të pandërmjetësuar nga ndonjë institucion demokratik. Megjithëse Enver Hoxha nuk arriti deri aty sa të kapardisej tepdil më poturet turkoshako-urbane të Gjirokastrës tradicionale, as ta nxirrte Gardën kombëtare në tirq e qeleshe[1], shumëkush do ta kujtojë entuziazmimin e sklerotikëve të byrosë vënë përballë vitheve folkloristike të fshatareve të thjeshta patriotike. Natyrisht, kohet kanë ndryshuar, dhe vështirë se publikut të ftuar do t’i jepet rasti të shohë Fatos Nanon të përfshirë në ndonjë valle çame të rreptë, e as Ingrid Shulin si pjesëtare honorifike të kompleksit çiftelik të Kurbneshit: gjynah, së të paktën farsa do të kishte qenë autentike. Përndryshe, në atë masë që rapsoditë e rastit për Azem Hajdarin vetvetiu do të përjashtohen nga repertori për oportunitet politik, Festivalit të ardhshëm të Gjirokastrës nuk i mbetet veçse të jetë një martesë vulgare midis tam-tameve nacionaliste pro-kosovare dhe erotikës orientale, fund e krye e manipuluar nga diletantë. Paria e vendit do të begenisë të ngjitet në kala thjesht për të dalë në TV, për të mbllaçitur kukurecet e shishqebapet teksa të zbrazen faqoret, e për t’i hedhur një sy tregut të bollshëm të ijeve e të këllqeve bardhoshe, pa llogaritur këtu masën shëtitëse të sarhoshëve, kodoshëve dhe dylberëve, që me siguri do t’i shqetësojë pa masë banorët rend-dashës grekë, të vendosur rishtas në qytet.

Natyrisht, nuk e kam fjalën për vlerat e folklorit shqiptar – të cilat njihen – por vetëm e vetëm dua të vë në dyshim kapacitetin e kulturës së sotme zyrtare shqiptarë për t’i përcjellë këto vlera. Festivali Folklorik kërkon mobilizim fondesh të mëdha më shumë sesa retorikë boshe pseudo-atdhetare, gjë që në Shqipëri sot nuk mund të realizohet veçse duke iu bërë thirrje firmave private, pa përmendur mundësinë që ndonjë aparatçiku t’i vejë mendja e t’u kërkojë ndonjë sponsorizim grekëve (ruajna Zot). Dhe për mendimin tim privatët do të jenë të interesuar për aspektin thjesht komercial të folklorit, jo për vlerat e tij autentike, kështu që specialistët nuk besoj se do të lejohen të thonë fjalën e fundit. Aspekt komercial do të thotë edhe që folklori të orientohet më zor për nga shijet e shtresës më konservative të popullatës urbane, të cilat shije në praktikë shprehen me aktivizimin e çengive, të muzikës thjesht turko-orientale, dhe të antenave satelitore për të parë TV-të iraniane. Edhe vetë Sofia Loren pati fat që u kultivua si aktore në kushtet e një lulëzimi të shëndetshëm të kinematografisë italiane, sepse po të kishte debutuar në Shqipërinë e tanishme, do t’i kishte rënë bretku nëpër konkurset e Miss-eve, e në paradat e modës të tregtarëve të stofrave.

[2000]


[1] Kur e kam shkruar këtë, s’e kisha përfytyruar dot se ridisenjimi i uniformave të gardës sipas modelesh të huazuara ndoshta nga rekuizita e Teatrit të Kukullave në Tiranë, do të realizohej vite më pas, me vullnet të presidentit shqiptar, Alfred Moisiut.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin