DOSTOJEVSKI I PAFAN

E madhe ishte indinjata, anembanë Perëndimit, për anulimin e një kursi leksionesh për Dostojevskin, në universitetin Bicocca, Milano.

Tani që shkruaj, anulimi është anuluar: kursi për Dostojevskin, nga Paolo Nori, do të mbahet normalisht. Nëse ka kuptim, sot, të përdoret akoma kjo fjalë, normalisht.

Por le të guxojmë e të shkojmë përtej emocionalitetit (dhe emocionalizmit) të rrjeteve sociale, dhe të mendojmë – qoftë edhe për pak minuta – për çfarë e bashkon Dostojevskin shkrimtar dhe ideolog me filozofinë e që e bindi Putinin të mësyjë me ushtri një shtet fqinjë.

Dostojevskin e admirojmë si autor nga më të mëdhenjtë e shekullit XIX; por le të mos e marrim për shenjt, aq më tepër që ai e shihte veten si profet.

Në sa po them këtu dhe në vijim, do të mbështetem në artikullin Dostoevsky’s Nationalism, nga Hans Kohn, botuar në Journal of the History of Ideas, Vol. 6, no. 4, tetor 1945. Autori ka qenë filozof amerikan dhe autoritet në lëmin e nacionalizmit.

Nuk jam në gjendje të gjykoj artikullin e Kohn-it, edhe pse nacionalizmi dhe pansllavizmi i Dostojevskit nxjerrin krye edhe në veprën e tij letrare (p.sh. te Djajtë). Mendoj se është mirë që argumentet e sjella në artikull të mbahen parasysh, edhe në kontekstin e sfidës së tanishme të Europës me luftën dhe cenimin e kufijve; por edhe me nacionalizmin rus të mishëruar në figurën e presidentit Putin.

Gjithsesi, lexuesin e ftoj ta lexojë vetë artikullin dhe ashtu edhe të gjykojë në mënyrë të pavarur.

Sipas Hans Kohn-it, autori i Krim e ndëshkim dhe Vëllezërit Karamazov, ishte nga ata nacionalistë rusë që huazuan koncepte nga Europa, për të idealizuar dhe mobilizuar gjithçka “ruse” kundër Europës.

Dhe jo vetëm – me shkëlqimin e tij si shkrimtar, Dostojevski arriti të bëhet zëdhënës i të gjitha rrymave të nacionalizmit rus: sllavofilëve, pan-sllavistëve, burokratëve konservatorë dhe adhuruesve të njeriut të thjeshtë – që të gjithë së bashku idealizonin Rusinë dhe urrenin Perëndimin.

Armiku i shpallur i Dostojevskit ishte intelektuali rus rrënjëdalë, që e ka humbur kontaktin me dheun dhe popullin e vet.

Vitet që shkrimtari kaloi në Perëndim – në Zvicër, në Itali dhe në Gjermani – nuk bënë tjetër veç ia shndërruan shkrimtarit neverinë për Europën në obsesion. Po të gjykosh nga letrat e tij të atyre kohëve, gjithçka atje i dukej e pështirë dhe e poshtër, ndërsa gjithçka ruse pafundësisht fisnike.

Dostojevski priste një luftë mes Rusisë dhe Europës, një luftë e cila për të nuk ishte thjesht çështje ushtarake ose politike, por përplasje e dy botëve të papajtueshme, e dy parimeve të kundërta të jetës dhe të shoqërisë. Për ta fuqizuar Rusinë në atë përplasje, duhej siguruar ndihma e të gjithë sllavëve.

Këto pikëpamje dhe qëndrime përkojnë me ato të Nikolai Danilevskit, një publicist dhe ideolog pansllavist, i cili predikonte, mes të tjerash, se misioni i Rusisë ishte që ta shkatërronte “Perëndimin e kalbur.”

Vetë Dostojevski e shihte liberalizmin dhe racionalizmin si rrezik vdekjeprurës për Rusinë, sepse këto e çlironin individin nga varësia ndaj Zotit dhe rendit moral, duke e çuar drejt dyshimit dhe imoralitetit.

Fjalët e tij kundër kombeve dhe feve të tjera tregojnë veç përbuzje të thellë dhe mungesën e çdo përpjekjeje për mirëkuptim.

Për të realizuar idenë dhe misionin kombëtar, Dostojevski kërkonte një kthim te Zoti, meqë te mungesa e fesë shihte rrënjën e çdo të keqeje. Por Zoti për të cilin ai fliste ishte Zoti Rus, dhe feja që kish në mendje ishte nacionalizmi.

Kish identifikuar dy forca që e kundërshtonin misionin e Rusisë: liberalizmi i shoqërisë perëndimore dhe universalizmi i kishës (katolike dhe protestante) në Perëndim.

Kur shpërtheu lufta ruso-turke, në vitet 1876-1877, Dostojevski shpresoi se kish ardhur më në fund momenti kur bota sllave, nën udhëheqjen e Rusisë, do ta realizonte fatin e vet: me entuziazëm e mirëpriti luftën dhe e përshëndeti si higjienë të botës.

Në përbuzjen e vet ndaj Perëndimit, Dostojevski ishte edhe haptazi anti-semit, duke mos kursyer asnjë nga akuzat vulgare kundër hebrenjve. Në një nga shënimet e veta të vitit 1880, ky anti-semitizëm arrin përmasa hitleriane: “padroni i gjithë Europës”, shkruan ai “është Hebreu dhe banka e tij. Ata sundojnë gjithçka, Europën dhe iluminizmin, krejt qytetërimin dhe socializmin, veçanërisht socializmin, sepse me ndihmën e tij Hebreu do të çrrënjosë krishterimin dhe do të shkatërrojë qytetërimin kristian.”

Si shkrimtar gjení, Dostojevski e kapërceu veten me veprën e vet, duke e pikturuar shpirtin njerëzor me gjithë dritë-hijet e veta. Por nacionalizmi i tij, pansllavizmi dhe racizmi brutal meritojnë vëmendje po aq sa Vëllezërit Karamazov: tek e fundit, dyndja e dhunshme e armatës ruse në Ukrainë i ka rrënjët frymëzuese në ultra-nacionalizmin rus dhe përçmimin – edhe moral – të komandantit Putin ndaj Europës, Perëndimit dhe liberalizmit.

Shpresoj se Paolo Nori nuk do të lërë jashtë leksioneve të veta – tashmë të çanuluara – edhe këto pasione të ideologut Dostojevski, të cilat gjejnë veçanërisht jehonë në ngjarjet e tanishme. Censura është e huaj për botëkuptimin liberal perëndimor; por njëlloj i huaj është edhe adhurimi konformist i teksteve të “kanonit”, të cilat veç humbasin, po të sterilizohen nëpërmjet shkëputjes nga konteksti i tyre filozofik, historik dhe politik.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin