Një grup konsulentësh të Këshillit Ekonomik dhe Social të OKB-së, me emrin “Gherush92”, ka kërkuar këto ditë që Komedia Hyjnore, e Dantes, të hiqet nga programet shkollore, për shkak të elementeve të shumta antisemite, islamofobike, raciste dhe homofobike në tekst.
Lajmi, pikant në vetvete, u komentua ndonjëherë në kontekstin e çështjeve të lirisë së shprehjes; edhe pse kërkesa e mësipërme ka të bëjë me programet shkollore, jo me qarkullimin e poemës së Dantes në treg.
Sipas Gazetës Shqiptare, që e përcjell këtë lajm me delikatesën e vet karakteristike, kërkesa për ndalimin e Dantes në shkollat anembanë botës, përfshi këtu edhe Shqipërinë, “paska gëzuar vetëm myslimanët.”
Në fakt problemi është serioz, dhe nuk ka të bëjë vetëm me Danten, por në përgjithësi me bashkëjetesën e detyruar, në epokën e sotme, të popujve, ideologjive dhe feve të ndryshme dhe shpesh në kundërshtim me njëra-tjetrën.
Zvogëlimi i distancave të çdo lloji, për shkak të teknologjisë dhe të emigracionit, ka bërë që kultura dhe njerëz që dikur jetonin në universe të ndryshme, të pabashkëmatshme, të vijnë tani në kontakt të ngushtë mes tyre.
Një përpjekje për t’iu qasur problemeve që shkaktojnë kontakte të tilla është edhe multikulturalizmi, tashmë i deklaruar si fiasko, në shumë vende të Europës.
Ndërkohë, në Europë, jo vetëm programet shkollore por edhe krejt programimi kulturor i qytetarit i ka ruajtur lidhjet me krishterimin – si fe dhe tonalitet i përgjithshëm kulturor; dhe krishterimi nuk mund të ndahet, megjithë përpjekjet e vona, nga anti-semitizmi dhe kundërvënia përçmuese ndaj feve të tjera.
Italia moderne nuk mund të kuptohet pa Danten, sepse nuk mund të kuptohet pa krishterimin.
Megjithatë, kjo Itali e orientuar si ndaj Vatikanit ashtu edhe ndaj Dantes, vjen duke u tkurrur; në bangat e shkollave italiane ulen në numër gjithnjë e në rritje fëmijë të imigrantëve myslimanë, të cilët – të mos e harrojmë – u është njohur dhe respektuar tashmë e drejta për të kultivuar fenë e tyre.
Këta fëmijë, bie fjala, lexojnë se, te poema e Dantes, Muhameti, i paraqitur si “heretik”, pikturohet në trajta makabre, i çarë më dysh, me zorrët që i varen këmbëve, madje krahasohet me një fuçi të prishur.
Meqë shumë nga këta fëmijë janë tashmë qytetarë italianë, ose të vendeve të tjera europiane ku studiohet Dantja, atëherë institucionet publike, të cilat hartojnë programet shkollore të letërsisë, kanë përgjegjësi edhe për shqetësimet që mund të krijojnë ndër nxënësit, të cilët deri atëherë Muhametin e kanë adhuruar si profet.
Si të harmonizohet barazia me diversitetin në këtë rast?
Ne shqiptarët kemi përjetuar një problem të ngjashëm, sa herë jemi ndeshur me antishqiptarizmin e fqinjëve tanë, që ndonjëherë ka depërtuar edhe në tekstet akademike dhe enciklopeditë; dhe jemi indinjuar dhe kemi ngritur zërin, kur kemi ndeshur në përshkrime dhe cilësime “fyese” për kombin tonë.
Ekziston edhe një lëvizje, në Ballkan, për t’i mënjanuar aspekte të tilla negative nga tekstet shkollore, sikurse e dimë dhe e kemi debatuar prej kohësh; një lëvizje nga e cila, të mos harrojmë, u sjell shqiptarëve më shumë përfitim se të tjerëve.
Dimë, nga ana tjetër, se urrejtja për Tjetrin qëndron shpesh në rrënjë të çdo parimi komunitar, ose bashkues; dhe kjo vlen si për kombet, ashtu edhe për fetë.
Natyrisht, asnjë humanist nuk mund të pranojë që fëmijëve besimtarë të një feje, të çfarëdo feje, t’u ofrohet, në shkollë, një tekst ku profeti i tyre përshkruhet në trajtat më makabre.
Kjo vlen edhe kur autori i tekstit në fjalë është Dantja.
Të mos harrojmë edhe se Dantja mbahet si më i madhi i poetëve të Italisë jo ngaqë i ka shpenzuar disa vargje, në kryeveprën e vet, për Muhametin.
Nëse mund të ushqejë Komedia Hyjnore intolerancën apo jo, për këtë mund të diskutohet; por ajo, sikurse mund të pritej, është e rrënjosur thellë në mendësinë e kohës kur është shkruar – ose të Mesjetës europiane.
Nxënësit dhe studentët në shkollat perëndimore ka vite, në mos shekuj që formohen kulturalisht me vepra të tilla, të cilat bashkëtingëllojnë mirë në kontekstin kulturor homogjen, të krishterë, të Perëndimit tradicional.
Në këtë kontekst edhe vetë kundërvënia ndaj krishterimit është kulturorisht e kushtëzuar prej tij, ose produkt i të njëjtit kontekst të përgjithshëm.
Prandaj, problemi me studimin e Dantes në shkollë nuk ka aq natyrë etike, sa lidhet drejtpërdrejt me kontaktin e kulturave të ndryshme, të cilat Perëndimi tashmë i njeh si të barabarta mes tyre.
Këto kultura, bie fjala kultura e krishterë dhe kultura myslimane, i kanë mekanizmat për të bashkëjetuar në distancë mes tyre ose të segreguara, por jo së bashku, ose duke ngrënë në të njëjtin çanak.
Institucionet publike, anembanë Perëndimit, janë të vetëdijshme për masën e fëmijëve nga kultura jo të krishtera, që janë dyndur në shkollat; problem që vjen e bëhet më akut, në kontekstin e plakjes së popullsive vendëse. Ideja është që këta fëmijë të edukohen në mënyrë të tillë, së paku nga shkollat publike, që të mësojnë vlerat e shoqërive pritëse, por pa u jetërsuar; ose pa u shndërruar, në proces e sipër, në armiq të realitetit që i rrethon.
Që nga momenti kur Perëndimi i ka bërë të vetat parime të tilla si ai i barazisë, i tolerancës fetare dhe i respektit për Tjetrin, atëherë pozita e Dantes në programet shkollore të letërsisë është dobësuar vetvetiu. Si edhe herë të tjera, do të gjendet një zgjidhje kompromisi; duke hequr nga tekstet pjesët e papërshtatshme.
Për fat të keq, zgjidhje të lehta për probleme të tilla nuk ekzistojnë; në një kohë që Perëndimi kërkon, me të drejtë, të shmangë dhunën me çdo kusht, ose të paktën segregimin kulturor të Tjetrit; pa çka se ky segregim po ndodh sot e kësaj dite, për arsye ekonomike, por edhe ngaqë përpjekjet për integrim tashmë kanë dështuar.
Këmbëngulja me Danten, ose me traditën kulturore mesjetare të Europës, është edhe ftesë implicite për kthim të feudalizmit, në kushtet – jo dhe aq imagjinare sa ç’mund të kujtojmë – të shndërrimit të komuniteteve të imigrantëve në koloni, ose ngulime, sërish njëlloj si në Mesjetë.
Gjithsesi, Perëndimit i mungojnë mjetet e sigurta për trajtimin efikas të diversitetit, i cili përndryshe shpesh lëvdohet, si vlerë dhe pasuri; pa çka se emergjenca e tanishme ka të bëjë me frikën nëse kultura Perëndimore, ashtu siç e njohim dhe e adhurojmë, do t’u mbijetojë dot bashkëjetesave intime me komunitete dhe kultura të tjera, armiqësore ndaj saj.
Ketu ne fakt dalin kontradiktat mes nje ekonomie boterore qe ka nevoje per levizjen e krahut te punes dhe kapitalit dhe nje politike mbareboterore te bazuar tek identitetet e kulturat etno-fetare.
Afermendsh politika italiane s’ka per ta pranuar kurrsesi nje gje te tille, sado te domosdoshem te jene per ekonomine italiane krahet e lire te punes me kulture islamike. Ajo parti apo me mire ai koalicion qe e pranon, humb padyshim zgjedhjet, si nje e nje qe bejne dy.
Une problemin do e shihja te ketille, a mund t’i imponoje nje pakice e vogel, ndryshime thellesore identitare nje shumice, per hir te bashkejeteses ?
Teoria e ekonomise boterore kerkon nje tabula rasa identitare vendeve te pasura, qe t’i mundesoje rehatine zhvillimit ekonomik.
Keta kane menduar para 40-50 vjetesh qe teknologjia do shtonte shume papunesine, keshtu qe edhe renia e lindshmerise ishte e pranueshme, biles e deshirueshme, mirepo nuk i bene llogarite me potencialin e terciarit, qe kerkon gjithnje e me shume krahe pune.
Tani s’kane ç’bejne eshte vone, zgjidhje s’ka, eshte bere shty te shtyjme.
Heqja nga komedia hyjnore e pjeseve politikisht jokorrekte nuk me duket zgjidhje e mire. Shume me teper ato pjese duhet te trajtohen hollesisht ne shkolla per mosha te caktuara pikerisht sepse jane kontroverse sot dhe pse kane qene pjese e pandashme e mendesise europiane ne mesjete. Me ne pergjithesi mendoj se problemet qe sjell bashkejetesa e komuniteteve me baza kulturore te ndryshme nga emigracioni apo globalizimi nuk duhet zgjidhur duke ngrene/hequr nga keto kultura por duke krijuar dicka te re. Duke u emancipuar nga feja psh dhe duke vene si sistem orientimi moral dicka te re.
Nese ne Amerike ky sistem i ri qe ka per baze lirine dhe pergjegjesine individuale ka patur kohe te mprehet e eshte zhvilluar organikisht pergjate dy shekujve Europa (sidomos kontinentale) ka fare pak kohe qe eshte zgjuar nga perrallat se emigrantet e viteve 50-60 do ti kishte vetem perkohesisht. Gjermania, vendi me i madh dhe njekohesisht me perqindjen e emigracionit nder me te medhate ne Europe vetem rreth viteve 2000 e ndryshoi politiken ndaj imigranteve afatgjate, ndryshim ky qe kulmoi me ligjin per te huajt (Aufenthaltsgesetz) votuar ne parlament ne vitin 2004 dhe hyre ne fuqi ne vitin 2005. Kush ka nisur studimet ne Gjermani para vitit 2000 ka nenshkruar gjithashtu nje leter se duhej te kthehet ne atdhe pas studimeve. Nenshkrim ky qe e benin edhe femijet e imigranteve afatgjate shume here te lindur ne Gjermani kur shkonin ne universitet.
Dhe nese flasim per ndryshime ligjesh vetem ne vitin 2005 atehere nuk mund te flasim akoma per ndryshime ne perceptimin social. Ne vitin 2010 Thilo Sarrazin deri me atehere anetar bordi i bankes qendrore gjermane (Deutsche Bundesbank) publikon librin me popullor nga autore gjerman te dekades “Gjermania po veteshperbehet” (“Deutschland schafft sich ab!”) ku argumentohej statististikisht se imigrantet myslimane dhe femijet e tyre po ulin dhe do ta ulin me tej IQ-ne e gjermaneve. Pa u futur ketu se sa e sakte eshte “shkenca” e IQ-se problemi trajtohej edhe si problem biologjik e ne te njejten kohe korrelacioni statistikor midis myslimanizmit te imigranteve dhe IQ-se trajtohej si nje relacion shkak-pasoje. Pra kane IQ te ulet sepse jane myslimane! Poashtu debati i jashtezakonshem qe e pasoi publikimin e librit behej serish sikur imigrantet nuk jane pjese e Gjermanise me te mirat e keqijat e tyre qe jetojne prej dekadash atje por mish i huaj. Edhe pse hapat politike e ligjore ne Gjermani jane ne drejtimin duhur retorika, debati dhe perceptimi publik jane shume larg te qenurit multikulturaliste.
Si i tille multikulturalizmi ne Europe nuk eshte provuar ndonjehere pra nuk ka se si te kete deshtuar. Imigrantet jane trajtuar pergjithesisht si te perkohshem dhe politika esenciale per shkollimin e tyre jane neglizhuar me dekada. Ajo cfare ka deshtuar ka qene politika e strucit per mbi 30 vjet. Ne bejme sikur keta nuk do rrine dhe i shperfillim. Ne varesi se si e definojme multikulturalizmin mua me duket se eksperimentet me te medha e relativisht te sukseshme jane ne Amerike apo me sakte ne shtetet bregdetare brenda Amerikes ku imigrantet kane tradite.
Eni, nuk e kuptova pse e hoqe Ameriken nga kazani, kur atje gelon ndaj Obames ‘akuza’ se eshte myslyman, kur republikanet rendin te theksojne se kush eshte me kristian, kush beson me pak tek evolucioni etj a thua se je ne Europen e shek 19, te pakten mua nga jashte kete pershtypje me jep.
Europa, sidomos ajo thellesisht etnike si Gjermania, Italia, Skandinavia etj, ka problem te dyfishte, i pari me etnine, i dyti me fene. Perqendrimi tek feja, lidhet me identitetin e krishtere te vete kulturave kombetare, aty gjermani apo italiani i shantazhuar per nacionalizmin historik, gjen strehen legjitime per te mbrojtur natyren etnike te bashkesise.
Europiani, kryesisht i djathte, por edhe plot te majte, ka hall te ruaje etnine e racen e bardhe, republikani amerikan ka vertet hall te ruaje Ameriken e krishtere, prandaj te dyja palet flasin per fene, por vetem ne Amerike degjohet retorike e krishtere, prej verteti.
Per mua siç e thashe vete e deshen biçikleten, ta pedalojne tani, tabula rasa identitare i pret, se demografia ben te veten, ashtu pa ndier zgjohesh me 30 % myslymane, afro-aziatike, qe kane qendruar ne heshtje atje ne periferi, e te kerkojne me force ate qe u takon, se u takon s’ke ç’u thua, i ke nenshtetas, kane punuar nje jete te diskriminuar.
Problem i vendeve te pasura, se vendet e origjines ruajne kulturat e racat e tyre. Hebrejte ankohen per antisemitizem ne Perendim, po ne Izrael kane ministrine e fese hebraike, ku filtrohet çdo gje, si thote populli u di menderja, popull per t’u marre shembull jane, qofte si shtet, qofte si diaspore.
Do te ishte me e udhes qe nxenesve ti shpjegohej mendesia mesjetare sesa heqja e teksteve nga perdorimi pasi kjo do ti shrbente me mire pasuesve te te gjitha feve apo identiteteve kulturore. Kete e them si musliman, si shqiptar dhe si emigrant prej 8 vjetesh ne Itali. Shortcut-i duket metoda me efikase por perfundimisht eshte me problematikja pasi nuk e shteron problemin por e nderlikon me tej.
Ky debat nuk mund te shihet i ndare nga iniciativa me pak te bujshme por jo me pak komplekse qe kerkojne nga vende si Arabia Saudite etj qe te heqin nga tekstet shkollore pasazhe qe konsiderohen antisemite; perfshi ketu mungesen e pjeseve nga Shekspiri ku personazhi eshte fjala vjen nje hua-dhenes hebre (te pakten nga shkollat ne Amerike) e keshtu me rradhe. Megjithate, do isha dakort me berikino-n qe ne vend te hiqen te tilla pasazhe, ato mund te nxisin nje debat te shendetshem mbi mendesite dhe parafytyrimet per tjetrin, se cfare perfytyrimesh jane trasheguar nga e kaluara, vecanerisht kur tjetri mund te jete tashme shoku i bankes. Nese hiqet teksti i Dantes, a do hiqen bashke me te tensionet nderkomunitare ne Evrope? Sigurisht qe jo. Do vazhdojne te vriten turq te tjere qe bejne donner per miletin e Gjermanise apo imame ne Bruksel. Para se te meren evropianet me Danten kane halle te tjera
Ky eshte nje zell i tepruar nen shtysen e te qenit politikisht korrekt. Me logjiken e “moslendimit” te ndjeshmerive te Tjetrit, i bije qe asnje nga klasiket e letersise te mos mesohet neper shkolla (edhe ai Shekspiri nuk e beri kot arap Otellon, pale ai cifuti qe donte te zbatonte kontraten e kiles se mishit). Holle holle, po ti hyjme kesaj pune, do pare edhe mitologjia me gjithe ata zoter e hyjni, se na prek tek besimi monoteist. E fillojme qe nga Homeri me mire, dhe jemi te gjithe te lumtur, neper shkolla do mesojme vetem letersine e paster multietnike, multifetare…..futja kot domethene, idiotesia e rradhes ne lagjen globaliste.
Unë flas vetëm me empati, meqë nuk kam profetë në jetën time, as për jetën time; por ma merr mendja se shembujt që sillen më sipër nuk janë të së njëjtës kategori me përshkrimin që i bën Dantja profetit kryesor të fesë të fëmijëve myslimanë në Perëndim, të cilët janë të detyruar, me program, që ta studiojnë atë pasazh.
Në NYC, para ca kohësh, u bë nami për një skulpturë (a nuk di ç’dreqin ishte) të njërit që e kish futur kryqin në urinë.
Dua të them: sa kohë që Perëndimi i lejon myslimanët të praktikojnë fenë e tyre publikisht, atëherë është thjesht e logjikshme që duhet të tregojë kujdes edhe me programet e shkollave publike.
Dakord jam une qe nuk hyjne ne te njejten kategori, por kam frike se po i hyre kategorizimit te historise, letersise, arteve….asnjehere nuk i dihet se ku mbaron zelli i te zellshmeve. Prandja dhe kemi kritike e analize per cdo fenomen, t’u shpjegohet atyre qe mund te keqkuptohen se bota ka ardhur duke u zhvilluar e duke kuptuar nevojen e pranimit e respektimit te tjetrit. Nuk me pelqen kjo metoda me “te mbuluar” “ta heqim nga programi.” Eshte shume radikale. Duket sikur dikush humbi nje bast, dhe fitoi ai ekstremi qe s’duhej. Nuk ma merr mendja qe nuk kishte rruge tjeter me te mesme, me te pranueshme e te arsyeshme.
Nese Dante po futet ne listen e te padeshirueshmeve, kjo do pare thjesht si nje perpjekje ekstreme per te “mirembajtur” shtepine.
Me hir ose me pahir, e verteta ngelet se do kete gjithnje e me pak italian dhe gjithnje e me shume te huaj – pjesa derrmuese e te cileve vijne nga kultura qe nuk jane te perputhshme ne vlera e interesa me ato te vendit. Sic eshte po aq e sigurte se do te kete gjithnje e me pak gjerman dhe gjithnje e me shume , fjala bie, turq/kurd etj, e keshtu me radhe per te gjithe Europen.
Kthimi ne mall ( commodity) i cdo aspekti te jetes ne vendet e botes se pare, qe nga lindja e deri ne vdekje, eshte nje nga pasojat e pakerkuara, te paqellimshme te sistemit, ku cdo aktivitet jo produktiv nga ana finanziare nuk ndiqet (dot) me, ose behet barre aq e rende financiare per qytetarin sa nese ai ka mundesi te zgjedhe, ai zgjedh te mos ta beje.
Ne mes te krizes financiare qe ka zene per kembesh Europen, me Greqine si fytyra e saj, situate qe prej kohesh mban te impenjuar vemendjen e te gjitheve, ka nga ata qe nuk harrojne se cfare po ndodh sot ne Europe eshte vetem preludi i asaj qe pritet te vije. Shume specialiste te ekonomise dhe finances mendojne se e ardhmja e Europes eshte e tashmja e Japonise.
Japonia, nje vend thuajse hermetikisht i mbyllur per dy mije vjetet e fundit, ku asnje kulture apo popullsi alien nuk ka qene ne gjendje te implantohet ne vend, eshte nje vend modern, madje post modern, me nje nivel te larte te jeteses, me nje sens civik te qytetareve te saj te paparalel ne bote, por qe i cili po vdes. Dhe kjo jo ne kuptimin figurativ te fjales. Para disa kohesh kryeministri i saj, per te marre masat per ti bere balle borxhit publik, i cili po rritet ne menyre eksponenciale( gati 300% i GDP), propozoi se nje nga masat kryesore te qeverise se tij, ishte rritja e taksave te konsumit ne 5%. Por nuk ishte shtytja per rritjen e taksave ajo qe ra ne sy ne diskutimin e tij. Ne fund te fundit natyra e “kafshes” eshte e tille. Cdo qeveri rrit taksat kur i shtohen shpenzimet. Cka ra ne sy ishte nje fjali e futur si rastesisht ne te:“ Ne jemi perballe nje shoqerie ne plakje dhe nje renie te nivelit te lindjes, te cilat jane te pa precedente ne historine e njerezimit.“ Japonezet, per te cilet hiperbola dhe ekzaltimet prej saj nuk jane nje sport kombetar, po qe se gjerat nuk ndryshoje, kane rrezik te hyje ne nje spirale renie demografike, ekonomike, sociale, qe nuk dihet se cfare pasojash mund te sjelle.
Kryeministri japonez, duke argumentuar ne mbrojtje te propozimit te tij per rritjen e takses, sqaroi se …” ne 2055, simbas te dhenave te qeverise, 40 % e popullsise do te jete mbi 65 vjec. Vetem 8% e popullsise do te jete nen moshen 15 vjec…“
Kjo eshte, ne opinion tim, i gjithe sekreti mbas shpalljes si te padeshirueshem te Dantes ne Itali. Italia, po ashtu si edhe Japonia ka nje perqindje lindjesh negative, ku si rrezultat , me shume vdesin se sa lindin.
Italia – 1.4 femije per familje
Japonia – 1.39
Greqia – 1.39
Serbia – 1.4
Shqiperia – 2.06
Dhe si me cdo gje tjeter ne boten e zhvilluar, ncs kostoja e prodhimit te nje malli ne vend eshte me e larte se sa po i njejti mall i prodhuar diku tjeter, atehere ky mall importohet. Fut ne kete kategori edhe njerezit. Po qe se kostoja e “prodhimit” te femijeve ne vend eshte shume e larte ( kushdo qe ka femije dhe jeton ne Perendim e di se sa te kushtueshem jane), atehere rruga me e kollajshme eshte ti importosh ata. Ose te besh harakirin si puna e japonezeve. Nje nga te dyja.
Do kishte edhe nje rruge te trete, por qe tani per tani s`ka dale ne skene sepse s`ka mbrapa asnje kapital politik dhe do te ishte aq jo korrekte nga ana politike: incentivimi inga ana e shoqerise ( lexo shtetit) per te rinjte qe te martohen e te kene femije sa me heret. Ne Spanjen e shk 16 psh, nje prej mbreterve, per te rritur numrin e popullsise, dekretoi se cdo cift qe martohesh dhe kishte femije para se prinderit te kalonin moshen 28 vjec, ata ishin te exempt (kush eshte fjala shqip?) nga taksat mbreterore. Ose rasti me bashkekohor eshte ai i Hitlerit – nje gjeni i marre ky – i cili duke marre ne dore nje Gjermani me 70 miljon shpirtra, llogariti se i duheshin 100 miljon gjerman per te realizuar planet e tij. E ne baze te kesaj, shteti gjerman i asaj kohe, cdo cifti te ri qe martohesh i ofronte nje kredi shteterore prej 1000 reichmarks, qe duhesh shlyer brenda 10 vjetesh. Kjo nuk ishte nje shume e vogel, dhe ishte e mjaftueshme per qirane e baneses dhe mobilimin e saj. Por nderhyrja e shtetit nuk mjaftohesh me kaq. Nese cifti kishte nje femije brenda vitit te pare, shteti i falte ciftit 250 reichmark. Nese ata kishin binjake, shifra e falur rritesh ne 500 reichmark nga kredia. Dhe vec kesaj kishet plot ligje te tjera qe mbeshtesnin, ndihmonin dhe lehtesonin familjet, lindjen dhe rritjen e femijeve.
Franca e ka zgjidhur problemin, se ka plot afro-aziatike, por me e bukura ne France eshte se ka shume martesa te perziera, ku bashkeshorti afro-aziatik qofte mashkull qofte femer nuk ia del pa patur minimumi 2 femije.
Prandaj Franca ka per te marre flamurin e mospranimit te metejshem te emigracionin te pakualifikuar, nuk ka me nje problem demografik , ka marre aq te huaj e ka aq martesa te perziera, sa problemi eshte zgjidhur.
Natyrisht problemi eshte i zgjidhur ne nivel shteteror, por nga pikepamja racore, meqe Franca eshte bere nje lloj Amerike e Europes, problemi i te bardheve ngelet, dmth plaken te bardhet e shtohen femijet e racave te tjera ose mulate.
Mosmbledhja e te dhenave etnike e mosnjohja e minoriteve, qe bazohet tek nacionalizmi shteteror/shtetist i jakobineve e qe u be baza e Frances moderne, e ben shume problematike analizen e dukurise. Aq me pak mund te mblidhen te dhena racore.
Gjithsesi do mbajtur parasysh shembulli freng, sepse eshte i vetmi qe ka shpetuar nga kriza demografike, jane ne nivelet tona rreth 2 femije per femer.
Japonezet kane nje ‘te keqe’ qe jane 99% e njejta race, ua kalojne vetem koreanet qe jane thuajse 100%, Hitleri gaboi shtet.
Kjo e ben shoqerine shume te ndjeshme ndaj ndryshimit racor e me tej etnik.
Me ate territor te vogel per popullsine, pa rezerva minerare dhe energjitike, Japonia nuk ka zgjidhje perpos te qenit Fuqi e Madhe, qe thith rezervat e te tjereve. E provoi me teknologjine dhe eksportet, po s’ka ç’ben teknologjia nese nuk perkthehet ne fuqi politike e ushtarake.
Nuk mund te ndjekin politika per rritje demografike se jane teper per ato ishuj malore. Them se nga 120 milion do ekuilibrohen tek 60-70 milionshi, ne nje interpretim neomaltusian. Do heqin per nja 50 vjet deri ne stabilizim.
Eshte e vertete qe problemet demografike te Europes jane ne qender te problemeve e krizes aktuale dhe Japonia nuk eshte krahasim i keq. Por Japonezet kane kulture shume te mbyllur e insulare ndersa shtetet me te medha te Europes jane me te hapura dhe kane akoma kohe ta kthejne trendin qofte nepermjet imigracionit qofte nepermjet politikave me te mira ndaj familjeve. Pikerisht per kete eshte e pafalshme per Europen te flirtoje me populistet e djathte, qe kane fituar pjese te konsiderueshme elektorati ne shume vende dhjetevjecarin e fundit (Austri, Zvicer, Hollande, Danimarke, e se fundmi Hungari). Ne dy vendet me te rendesishme France dhe Gjermani kemi zhvillime te ndryshme. Ne France kemi Marie Le Penn qe e ben populizmin e djathte me te shijshem per shtresen e mesme. Ne Gjermani per aresye historike populizmi i djathte ka pak shanse te dale hapur politikisht por eshte shendoshe e mire gjirizeve te “Die Linke” (parti e ekstremit te majte, trashegimtare e SED e Gjermanise Lindore).
Tani rekomandime te tilla per te hequr Danten nga programet shkollore do te ishin ne kufijte e qesharakes po te mos ishin dhurate e mirepritur per populistet e djathte qe i ke duke ferkuar duart.