Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

NJË FESTË ME SHUMË ZERO

Qeveria shqiptare dhe institucionet e tjera të shtetit, duke filluar nga Parlamenti, kanë premtuar festime madhështore për 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Ky jubile do të festohet në një atmosferë ku temat kombëtariste dhe flamujt kuqezi sa vinë e zënë kryet e titujve në mediat, falë edhe angazhimit populist të AKZ-së.

Është ende herët të flitet për këto festime “madhështore”, por jo të tërhiqet vëmendja për implikimet e tyre.

Para së gjithash, duhet pyetur se përse po e festojmë me kaq bujë këtë përvjetor; një përse që nuk ka të bëjë aq me shkaqet e mirëditura, sesa me synimet e këtij premtimi të kushtueshëm.

Përkujtimi i së shkuarës nuk ka asnjë vlerë në vetvete, ose jashtë pranisë së kësaj së shkuare në të sotmen.

Asnjë vlerë në vetvete nuk kanë as numrat e rrumbullakët si 100, numrat e pjesëtueshëm me 5, ose datat në kalendar si të tilla. Të nxjerra nga konteksti, këto aritmetika naive prekin vetëm mendjet e foshnjeve.

Festimi me bujë i pavarësisë do t’ia vlente vërtet sikur pavarësia e Shqipërisë sot të ishte në rrezik – por të gjithë e dimë se nuk është kështu. Përkundrazi, në rrezik është pavarësia e institucioneve të shtetit shqiptar, për shkak të paaftësisë, korrupsionit dhe meskinitetit të klasës sunduese.

Nuk ka asnjë të keqe që njerëzit të festojnë dhe të kremtojnë gjithçka dëshirojnë – në familje, në shoqëri, në komunitet. E keqja nis kur, në këto festa, fut turirin e vet të lyrosur pushteti.

Dyshimi im dhe frika ime është se 100-vjetori i pavarësisë do të përdoret, haptazi dhe lirisht, nga qeveria e Berishës, për të kërkuar pak legjitimitet nga qytetarët, duke u paraqitur – sado qesharake të jetë kjo në vetvete – si vazhduesja e institucionit sovran që u përurua në 1912 në Vlorë.

Qytetarët që do të mblidhen në liturgjitë e radhës, për të kremtuar shenjat dhe simbolet e shtetit njëqindvjeçar, në të vërtetë do të kremtojnë qeverinë e sotme, si rojtare dhe depozitare të historisë së kombit.

Berisha, Topalli dhe të tjerë udhëheqës të shtetit dhe drejtues të institucioneve të larta do të shfaqen në tribunat, presin shiritat, lexojnë fjalimet e radhës, shpërndajnë dekoratat, përurojnë përmendoret, premtojnë fondet.

Do të tunden flamujt, shfaqen filmat dokumentarë përkatës, do të vishen gjindja me kostume popullore, përmendet “plaku i urtë Ismail Qemali”, Marigoja, Skënderbeu; do të luhet himni dhe do të shtien topat.

Në rrethanat kur mbi këtë qeveri dhe këtë shumicë rëndojnë akuza shumë të rënda, për vrasjet politike të 21 janarit 2011, festimi me pompë, ngjyra, saze, recitime, qofte të skarës dhe fishekzjarrë i një date të zbrazur nga çdo kuptim do të ishte edhe rast i mirë për të rehabilituar pushtetin në sytë e syleshëve.

Nëse nuk është kështu, atëherë le të premtojnë Berisha, Topalli dhe të tjerët se nuk do të përzihen në festimet, nuk do t’i nxjerrin portretet e konsumuara në kamerat, as do të ulërijnë nga podiumet e mitingjeve.

Qytetarët mund të festojnë për bukuri edhe pa mysafirët që u imponon pushteti në sofrat. Le të jetë 2012-a një vit i qytetarit që përkujton dhe nderon të shkuarën nëse ka ai vetë arsye për ta bërë këtë, jo i kravatave dhe i ngërdheshjeve të pushtetarëve, që e kanë mendjen veç të riprodhojnë të sotmen edhe nesër.

Pa Komente

  1. kot për sport; A di ndokush ndonjë qeveri të çfardolloj vendi të globit, që duhet ta kishim neve, që do të të dukej e përshtatshme për të justifikuar këto lloj festimesh?

    1. Edrus, ka një kontradiktë logjike në pyetjen tënde – sepse çdo vend ka qeverinë e vet; nuk është si këmisha që e blen në dyqan dhe që nesër mund t’ia shohësh të veshur (të njëjtin model) kasapit të lagjes.

      1. Po ç’faj ka Berisha, që gjendet në kohën dhe vendin e duhur, se përfiton diçka në kredo politike, kur kushdo që të ishte në vendin e tij do të bënte të njëjtën gjë.
        Italia kishte 150vjetorin e formimit… edhe Berluskonit vetë, megjithë aleancën politike me Lega Nord (irredentiste dhe separatiste në kulm), ju desh të festonte in pompa magna 25 Prillin (ditën e çlirimit të Italisë) dhe të gjitha aktivitetet e tjera jubilare. Nuk mu duk se Berluskoni pati ndonjë përfitim të madh (megjithse as nuk do dëmtohej dhe aq po të mos merrte pjesë), por megjithatë, për hir të detyrimeve istitucionale, ju desh dhe bëri vetëm atë që i takonte kryeministrit të shtetit të cilit i është betuar në çastin e krijimit të qeverisë.

        1. Edrus, në shkrimin tim unë nuk mora si kundërshembull ndonjë vend tjetër. Megjithatë, meqë e përmende Italinë, po të përgjigjem.

          Me siguri ti e di se çfarë festoi, shprehimisht, Italia: 150 vjetorin e Bashkimit (Unità); dhe kjo nuk ishte rastësi. Shteti italian dhe institucionet kremtuan pikërisht atë arritje që u rrezikohet realisht sot: bashkimin.

          Anembanë Europës, shumë vende festojnë fundin e Luftës II Botërore; për arsyen kryesore se regjimet në këto vende e nxjerrin legjitimitetin nga ajo fitore, janë krijesa të luftës antifashiste.

          Në Shqipëri, kremtimet më të mëdha e më të kushtueshme që mbaj ndonjëherë mend, kanë qenë ato të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, në 17 janar 1968; por arsyeja për këtë nuk ishte vdekja e një plaku të sëmurë, 500 vjet më parë; por vullneti i regjimit të Hoxhës për ta shpalosur skënderbejadën si metaforë të përplasjes së tij të atëhershme me Bllokun Lindor (Traktatin e Varshavës).

          Festime të mëdha u bëheshin edhe përvjetorëve të Çlirimit: madje XXV e kishin shkruar edhe në faqen e Dajtit, me rastin e 25 vjetorit; mirëpo regjimi e festonte Çlirimin sepse e bazonte legjitimitetin e vet në fitoren e 29 nëntorit 1944. Kish fituar një luftë, doemos që do ta festonte – madje me Enverin në krye. Asgjë të çuditshme në këtë mes.

          Përkundrazi, regjimi i sotëm në Tiranë nuk ka asnjë lidhje me 28 nëntorin 1912, përveç ndonjë dëshire që ka për ta përvetësuar atë datë dhe atë ngjarje, sikurse ka përvetësuar edhe shumë gjëra të tjera, prona reale dhe simbolike të qytetarëve shqiptarë; dhe, më anë tjetër, siç e thashë tashmë, pavarësia e Shqipërisë sot nuk është në diskutim.

  2. Sigurisht politika do ta shfrytezoje nje ngjarje te tille,dhe ska rast me te mire se sa ky qe te mbuloje veten ne syte e publikut shqiptar,me `patriotizmin` qe me siguri do te jete pa kufizim une nuk besoj se ky moment do ti nxjerr te pastert keta ne syte e atyre qe i njohin,,
    Thjesht sa do te bejne adetin,qe fati u solli ne dere Ndonjehere shansi eshte mbreti i botes, dhe djalli sic thuhet ne librat fetar, prandaj mbetet gjate ne pushtet!

  3. Une nuk arrij te kuptoj se pse gjykohet Berisha ne kete mes. Ne Berishen nuk e zgjodhem na e dha te pregatitur Partia. Eshte njesoj sikur macja te na sillte nje mi ne mes te dhomes, dhe ne ne vend te qortojme macen qortojme miun. Berishen na e zgjodhi Ramizi dhe kasta e tij, dhe ne nuk patem te drejten e fjales ne kete mes, si gjithmone.
    Berisha eshte krejt ne rregull me te tijen; ai eshte ne vazhdim te politikes komuniste ne nje forme me te “perparuar”. Ai dhe qeveria e tij jane trashegimi e Partise se Punes.

    1. Po po, Saliu insider trader i PPSH-se, perendimor par ekselence, i djathte, demokrat e disidenti i madh qe e luftonte komunizmin nga brenda! Kal troje gjenial! Saliu e urrente aq shume PPSH-ne sa kur pa qe Sovietiket komuniste shtypen me dhune revolucionin demokratik te Prages, i shtyre nga urrejtja e madhe per ta ne periudhen kur regjimi stalinist i Hoxhes do behej me shtypes, i izoluar dhe i erret se kurre, Saliu vendosi te behej komunist. Por kjo s’mjaftonte! Qe ti luftonte me mire komunistet nga brenda, atij i duhej te behej sekretar partie, mjek byroje dhe mik femijve te Hoxhes! E kishte parashikuar diten Saliu kur Ramizi do ta conte tek qyteti i studenti te merrej vesh me bashkefshatarin e tij te zhurmshem, meqe ishte tropojan dhe i besuar i partise…

      Jo ka shume mundesi, por dhe Enveri ishte i shinjestruar specifikisht nga emisaret serbe per te udhehequr partine qe ata themeluan, sic edhe Saliu eshte produkt dhe peshqesh park ekselence i monizmit.

      1. Saliu nuk e cek boshtin politik. Ai eshte pikerisht arrivist i kompleksuar province, produkt dhe misherim i perparesise ne shkollim te fshataresise kooperativiste qe kishte partia, pragmatist e karrierist qe per pushtet ka perborxh te kaleroj cdo ideologji.

        Pavaresisht pergjegjesive masive qe ai ka mbi shpatulla si njeriu kryesor i politikes shqiptare keto 20 e kusur vjete, nuk duhet anashkaluar fakti Saliu eshte zbatim i katovices se regjimit komunist ne Shqiperi.

        1. Po pra, shteti i puntoreve dhe fshatarve na la si trashegimi si pari politike e ekonomike, puntoret, fshataret. sekretaret e partise, brigadieret, sigurimsat, aparatciket e pergjithesisht servilet dhe lakejte qe i mbijetuan spastrimeve brutale te partise. Ketu kthehemi serisht te komenti origjinal i L, qe provohet si i vleftshem jo vetem per kete teme por per te gjithe nostalgjiket e mbeshtetsit e rregjimit qe cfryjne me turfullim ndaj Saliut e regjimeve te tij, gje qe i nxjerre hipokrite qesharake.

          Jo ne parim per edukimin e larte e kishin shume keq, sepse si kriter paresor ishte perberja moralo-politike dhe ajo klasorja ne vend te aftesive dhe meritave intelektuale dhe akademike. Rregjimi i zogut nga ana tjeter, edhe pse i mbytur me anadollakeri e prapambetje dhe nje projekt aspak i mbaruar, e kishte meritokracine per baze me shume se ai komunist.

  4. Si çdo jubile, ne mbare boten, qeverite kane njekohesisht te drejta e detyrime morale e historike qe t’i perkujtojne e festojne me se miri.

    Xha xhai ne kete rast konteston te drejtat morale e historike te kesaj klase politike, ne veçanti asaj ne pushtet.
    Mirepo ne aspektin e detyrimeve morale e historike qeverise Berisha nuk mund t’i thuhet dot gje, perveç se xha xhai nuk pranon si te qenesishme detyrimet, por vetem te drejtat.

    Ne kete rast te dyte nuk pajtohem aspak, sepse vijueshmeria e shtetit ne vetvete eshte fakt mese i mjaftueshem per burimin e detyrimeve, ne fund te fundit pavaresisht modelit te qeverisjes e nga buron legjitimiteti i modelit, shteti ku po praktikohet ky model eshte vijues moral e historik i atij qe i hodhi rrenjet ne 1912. Biles eshte edhe juridik ne te drejten nderkombetare dmth eshte pergjegjes per çdo akt e fakt te ketij 100 vjeçari.

    Persa i perket te drejtave morale e historike, une besoj se qe prej çastit kur Zogu hyri nga Jugosllavia me mercenaret e tij per te marre pushtetin e deri me sot, asnje model qeverisjeje nuk mund te pretendoje te drejta morale e historike.

    Vete Berisha ne identifikimin e Zogut si model, ne fakt ben shkeputjen (apo mohon) nga te drejtat morale e historike.
    Ne 1924 Shqiperia u shkeput nga idealet qe sherbyen si motor i krijimit te shtetit, per te vazhduar jeten si nje donkishot politik apo me mire i vetmi donkishot politik i Europes.

    Po me vone vete Enveri, qe prej 1955 me mosdestalinizimin e vendit, u fut perseri ne binaret e donkishotizmit politik brenda vete grupit te vendeve komuniste.

    Sot berishistet po aq sa socialistet jane perfaqesues se donkishotizimit politik, te dyja palet jane shkeputur nga binaret e Europes, per hir te pushtetit ne vend.

    Problemi ngelet i njejti pavaresisht ndryshimit te modelit qeverises, shqiptaret nuk po kryejne dot ate kapercimin dialektik hegelian drejt progresit, por po riprodhojne shkaqet e pasojat shekullore te realpolitikes shqiptare.

    Rilindja politike 1878 – 1924 u vendos si antiteze por nuk arriti dot te permbushej si e tille, prandaj prej 1924 kemi vazhdimin e tezes me modifikime te lehta, dmth me pershtatje ndaj modernes, ideologjive moderne , me ndryshime siperfaqesore por asnje ndryshim ne thelbin politik( politike si mjedis ku prodhohet vendim-marrja, jo si parapolitike a politike moderne).

    Aftesite tona shekullore per pershtatje te persosur formale por asnjehere thelbesore, te cilat jane shkaku i mbijeteteses, po na kthehen kunder kur ne na nevojitet pikerisht nje kapercim dialektik qe sjell permiresimin.

    Kete vit klasa politike do beje te njejten gje, do pershtatet formalisht si hiperpatriotike,meqe e kerkon 100 vjeçari, por pa hyre per asnje çast tek nacionalizmi politik (çdo forme patriotizmi, politikisht nuk ka shprehje tjeter perpos nacionalizmit politik),dmth pa kryer asnje hap politik, pa ndermarre asnje hap konkret politik me ngjyra nacionaliste ( ta zeme kerkese zyrtare Maqedonise per zbatimin e Marreveshjes se Ohrit ose presion ndaj Serbise per njohjen e Kosoves,apo ne politiken e brendshme ndonje pakete konkrete per mbrojtjen e prodhimit, rivendosjen e tarifave te forta doganore ndaj mallrave te subvencionuara te BE-se, Turqise e me radhe).

    Pra do te kemi nje hiperinflacion te patriotizmit si ndjenje por pa ndonje kanalizim konkret tek nacionalizmi politik, me pak fjale pese me hiç.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading