Më bëri përshtypje, para disa ditësh, komenti i një vizitori në blog, i cili e merrte për të mirëqenë që emri shqiptar mysliman Omer (ose Omar) qenkësh vijim i emrit të poetit të lashtë grek Homer.
Natyrisht, prej askujt nuk mund të kërkosh që të njohë etimologjinë e emrave të përveçëm të njerëzve – fushë e specializuar e onomastikës, me të cilën merren vetëm një grusht dijetarësh.
Njëlloj natyrisht, fakti që ky vizitor kujtonte se dinte diçka për emrin Omer – edhe pse diçka krejt të gabuar, ose të gabuar deri në ulërimë – nuk besoj se ka të bëjë me kuriozitetin e tij intelektual, por thjesht me propagandën kombëtariste, ose më mirë, me aspektet më të marrëzishme të kësaj propagande.
I njëjti komentues kishte përmendur edhe emrin Pirro, që sipas tij nuk ndeshej në grekët, por në shqiptarët; duke shkruar:
Ku humbi emri Homer? Siç humbi dhe emri Pirro në Greqi. Vetëm shqiptarët mbajnë emrin Pirro në Greqi.
Unë nuk di nëse emri Pirro ka humbur në Greqi, as i kam mjetet për ta verifikuar. Por të thuash se “vetëm shqiptarët mbajnë emrin Pirro në Greqi” është diçka tjetër: simptomë e një vetëdijeje kombëtare të rreme, ose më mirë të rrejshme.
M’u kujtua, në këtë kontekst, një komentues i librit “Ilirët”, të J. J. Wilkes, në amazon.com, i cili i shpjegonte arkeologut dhe historianit britanik se “emrat e udhëheqësve ilirë janë ende të gjallë në gjuhën tonë të bukur indo-europiane”; ndërsa një komentues tjetër e pyeste autorin “nëse kish dëgjuar ndonjëherë për ndonjë sllav të quajtur Ilir, Teuta ose Agron.”
Ajo çfarë ka ndodhur me komentet e librit të Wilkes-it e ilustron më së miri shëmtinë e kësaj vetëdijeje të rreme, që e ka kultivuar në shqiptarët e sotëm propaganda kombëtariste. Mund të kem lexuar dhjetëra mijëra komente për libra në amazon.com, por këtë shëmti intelektuale, që gjej te komentet për librin në fjalë, s’e kam parë gjëkundi. Imazhi që më vjen në mendje, është ai i dhive që hanë librat e një biblioteke të shkërmoqur.
Por le të kthehemi në temë. Edhe komentuesit në amazon.com, edhe ky vizitori ynë në blog, e mbajnë për gjë të madhe që shqiptarët e sotëm përdorin emra të tillë si Ilir, Teuta, Agron ose Pirro; thuase kjo dëshmon ose konfirmon, në ndonjë farë mënyre, “lashtësinë” e shqiptarëve ose vijueshmërinë iliro-shqiptare.
Në fakt, sikurse e di çdo njeri i pamolepsur nga virusi i fesë kombëtariste, emrat ilirë janë shfaqur relativisht vonë në kulturën shqiptare – duke filluar nga vitet 1920-1930, krahas me gjallërimin e një kombëtarizmi laik, që kërkonte ta themelonte unitetin kulturor të shqiptarëve mbi shqiptarinë, ose historinë e tyre të përbashkët.
Në ato vite më rezulton të jenë përdorur edhe emrat e parë ilirë, si Ilir, Agron, Tefta (për Teuta), Bardhyl dhe Genci; me nxitjen e historianëve, gjuhëtarëve dhe të arsimtarëve; dhe krahas emrave të tjerë të ngjashëm, si Leka, Pirro dhe Skënder. Përdorimi i emrave të tillë ishte një gjest artificial i krijimit të një tradite ndoshta të nevojshme, për përndryshe të paqenë – meqë lidhjet e shqiptarëve me ilirët, sa i takon kulturës sonë kombëtare, janë zbulim akademik i shekullit XX.
Dukuria ka paralelet e veta edhe gjetiu; madje edhe në grekët. Ndryshe prej shqiptarëve, grekët asnjëherë nuk i humbën krejt lidhjet me lashtësinë, madje edhe në periudhat më të errëta të historisë së tyre; kjo falë faktit që greqishtja gjithnjë ka qenë shkruar, por edhe faktit tjetër, që kultura greke, si e ndryshme nga ajo e krishterë, ka qenë ruajtur e kultivuar më parë në Bizant, e pastaj në Europën Perëndimore.
Megjithatë, në Mesjetë grekët u vinin fëmijëve, sipas rastit, emra nga shkrimet e shenjta (si Andreas, Ioannis, Lukas, Maria, Solomon, Petros, Pavlos, Stephanos), ose emra të periudhës bizantine (si Aleksios, Anastasios, Athanasios, Vasilios, Kristoforos, Georgios, Andronika, Konstantinos, Kristina, Dimitrios, Despina, Evgenia, Eleni, Irene, Margarita, Panagiotis, Sofia, Spyridon, Stavros, Stylianos, Theodoros, Theofilos, Zoi).
Në shekullin IV të erës sonë, Gjon Krisostomi u kërkoi prindërve t’i emërtonin fëmijët e tyre sipas shenjtorëve dhe martirëve; çfarë pati efektin e paparashikuar që të rehabilitonte, si të krishterë, shumë emra që në fakt të tillë nuk kishin qenë (p.sh. Demetrius, Dionysia dhe Aleksandra; ose emra latinë si Markos, etj.)
Pamjen onomastike e ndërlikonte edhe më tej fakti që murgjit ortodoksë kishin emrat e tyre, që ishin rezervuar për ta vetëm: Gjerasimos, Makarios, etj.
Vetëm kur, gjatë shekujve XVIII dhe XIX, grekët zhvilluan vetëdijën e tyre kombëtare moderne dhe u shkëputën, të parët në Ballkan, prej Perandorisë Osmane, filluan të përdoreshin në masë emra të nxjerra nga lashtësia parakristiane, si Aristotel, Sokrat, Ksenofon, Apollon, Antigoni, Dhimosten, Miltiadh, Androkli, Irakli, Kasandra, Idhomene, Sofokli, Kaliopi, Kaliroi, Athina, Elektra, Klio, Arsinoi, Melpomeni, Edip, Evridhiqi, Efterpi, Homer, Telemak, Urani, Nestor, Dhiogjen, Minella, Perikli, Elpiniqi, Odhise, Alqiviadh, etj. (këtyre ua kam shqipëruar grafinë).
Emra të tillë depërtuan me të shpejtë edhe ndër të krishterët ortodoksë shqiptarë dhe vllehë (së bashku me ndonjë emër të pazakonshëm, si Viron, i cili është, në fakt, versioni grek i emrit të poetit anglez Byron).
Ka pra, një paralelizëm, midis zhvillimeve onomastike në të dy vendet – kalohet nga një traditë e krishterë, pak a shumë tejkombëtare, te një traditë më e vjetër, në mos më e ngushtë, e cila privilegjion elementin kulturor etnik vendës.
Dallimi kryesor do të ishte se emrat e lashtësisë greke lidheshin ngushtë me një kulturë të shkruar; ndërsa shumë emra ilirë, që u adoptuan prej shqiptarëve, nuk kishin ndonjë domethënie kulturore përtej përkatësisë së tyre ilire.
Njëlloj, nëse për grekët modernë nuk vihej në dyshim lidhja e tyre kulturore dhe gjuhësore me grekët e lashtësisë, për shqiptarët modernë lidhja me ilirët u vendos, si të thuash, në tavolinë nga elitat kulturore të kombit, duke u parapëlqyer ndaj hipotezave të tjera: asaj pellazge dhe asaj trake (dake). Që këtej, përdorimi i emrave ilirë prej shqiptarëve të sotëm është dukuri po aq artificiale sa edhe lyerja e flokëve ose përdorimi i një proteze; dhe vetë këta emra nuk kanë të ardhme në kulturën shqiptare si të tillë, ose si emra ilirë, meqë është e pamundur t’u njohësh ndonjë prestigj kulturor çfarëdo ilirëve të mistershëm të lashtësisë, të tillë që t’i bëjë prindët e nesërm ta trupëzojnë ilirizmin në dëshirat e tyre për fëmijën.
Tani, sa për emrat grekë të traditës pagane, gjallërimi i përdorimit të tyre si pjesë e konstituimit të kombëtarizmit grek modern njihet ndryshe edhe me emrin “progonolatri”, ose adhurim i stërgjyshëve. Domethënia e këtij procesi shekullarizues, në emër të Rilindjes së kombit, duhet parë edhe në perspektivën e identifikimit, edhe të grekëve modernë, me fenë e krishterë, e cila kërkonte përdorimin e një bashkësie emrash pak a shumë fikse. E megjithatë, Kostas Dhimaras, në Historinë e letërsisë greke moderne, përmend një ceremoni të mbajtur në Athinë, në vitin 1813, ose tetë vjet para se të shpërthente lufta e grekëve për pavarësi. Gjatë kësaj ceremonie, një mësues, duke mbajtur në duar degë ulliri dhe dafine, u vuri emra të rinj nxënësve të vet, duke shqiptuar këtë formulë: “Këtej e tutje emrat tuaj nuk do të jenë më Janis dhe Pavllos, por Perikli, Themistokli, ose Ksenofon…” Aq u përhapën këta emra, se edhe Patriarku Gregori V lëshoi një qarkore, për ta ndaluar përdorimin e emrave të tillë paganë, laikë, revolucionarë.
Dukuria nuk i shpëtoi, aso kohe, edhe një vëzhguesi të mprehtë si Ali Pashai i Janinës, i cili thuhet të ketë vërejtur: “Ju grekët seç po përgatitni diçka të madhe. Ju s’i pagëzoni më fëmijët tuaj si Janis, Petros dhe Konstantinos, por si Leonidhas, Themistokles, Aristidhes… Çfarë do të ngatërroni tani?” (Për sa më sipër, shih Stephen G. Xydis, Modern Greek Nationalism, në Nationalism in Eastern Europe, edited by Peter F. Sugar and Ivo John Lederer, University of Washington Press, 1969, f. 209-211).
Në atë kohë grekët ndërruan deri edhe emrin e tyre etnik – nga romios ose rum, në helenë; një emër, ky i fundit, që i shprehte më mirë lidhjet preferenciale me lashtësinë parakristiane, ose, të paktën, parabizantine. Historianët e kanë gjurmuar këtë bindje që në një memorial të dijetarit të shquar bizantin Plethos (Georgios Gemistus), drejtuar Perandorit Manuel II Paleologut, ku i shkruan: “ne, mbi të cilët ju sundoni, jemi helenë nga raca, siç duket prej gjuhës sonë dhe edukimit tonë stërgjyshor.” Kur lexon për kombëtarizmin ante litteram të këtij neoplatoniku të shekujve XIV-XV, shqiptarit do t’i kujtohet si, një shekull më vonë, edhe Gjon Buzuku do të shprehte hapur, në hyrjen e Mesharit të vet, vetëdijen se po i shërbente, me gjakimin e vet, jo vetëm fesë së krishterë, por edhe gjuhës shqipe, si faktorin themelor të kombit.
Emrat e njerëzve përbëjnë jo vetëm provë ose dëshmi të mitologjive kolektive të një periudhe të caktuar, por edhe marrin pjesë aktivisht në këto mitologji, duke u dhënë atyre shpirt e duke i trupëzuar në marrëdhëniet sociale aktuale. Në këtë kontekst, nuk është aq artificialiteti i prirjeve kulturore që e dëmton integritetin social, sesa rrejshmëria që i shoqëron këto prirje, ose vetëdija e rreme që vjen si dhuratë me mitin.
Tradita orthodhokse greke ne onomastiken njerezore ka ndjekur nje tradite pergjithesisht te mirepranuar ndergjegjerisht nga te gjithe , qe femijet fillimisht do te merrnin emrat e gjysherve dhe me pas te shenjtoreve e martireve fetare, per te cilet kishte dhe ka edhe dite te vecanta gjate vitit te cilat festoheshin e festohen me fort sesa ditelindjet apo datelindjet . Eshte e vertete qe ne periudha te vecanta njerez te lexuar , te indinjuar nga realiteti i hidhnin syte dhe nga lashtesia duke ringjalluar emra te famshem historike ne trimeri , filozofi , art , etj. me shprese se duke marre mbi shpine nje emer te tille te “rende” , “zoti” do t’i falte dhe dhuntite, mencurite , aftesite , etj. te te parit “frymor” fillestar qe njihet me kete emer ne te shkruarat apo gojedhenat ne qarkullim . Keto “tradita” mbase ishin dhe nje nga fijet e vazhdueshmerise se grekeve te lashte me ata moderne pavaresisht nese jane bere ndergjegjesisht apo jo … Dhe kjo vazhdon…Deshmi jane atmemedhetaret tane , te cilet duke shkuar per nevoja ekonomike ne Greqi , kane pranuar te “ripagezohen” , duke zevendesuar emrat e tyre te marra gjate kohes se para eres demokratike nga nje liberth i vockel prane gjendjeve civile si matrikullim komunist , me nje emer shenjtoresh apo martiresh orthodhoks…Dhe ne fene orthodhokse kjo vazdhdon “orthodhoksisht”…
Per Ju Xha Xhai kam nje pyetje : Eshte e vertete qe nga “romios” u kthyen ne “helene” greket , por nuk kuptova shprehjen tuaj = romios ose rum= ?! A mund te me ndihmoni per kete “ose-n” ?…
Shkruan:
Janë sinonime, me bazë të njëjtë etimologjike. Romios i përgjigjet më tepër periudhës bizantine, rum periudhës osmane. Shih edhe:
http://tinyurl.com/5gbuvf
dhe:
http://tinyurl.com/4x4658s
Ne lidhje me historine e emrave te vonshem shqiptare, sidomos per ndryshimin e tyre ne Greqi, ekziston nje tekst shume i bukur i botuar ne nje reviste franceze, nga nje studiuese gjermane (te pakten jepte mesim ne Berlin, deri ne vdekjen e saj te parakohshme), dhe eshte perkthyer ne shqip nga une, por fatkeqesisht pa mundur te gjeje deri tani driten e botimit (bashke me ca tekste te tjera po aq te vlefshme per studiuesit shqiptare). Teksti permban rreth 17 faqe word, dhe eshte, me ç’me duket mua, studimi me serioz qe eshte bere deri me sot, mbi kete problem.
Xhaxhai gabohet, per mendimin tim, ne qasjen e kesaj çeshtjeje. Nuk e kuptoj se çfare problemi shkakton perqafimi i emrave te lashte ilire, apo dhe i atyre pagane te 40-50 viteve te fundit. Madje gabohet edhe aty kur thote se keta emra s’kane te ardhme ne kulturen shqiptare, kur ne fakt eshte e kunderta : këta emra do të qëndrojnë më shumë, me kushtin që Shqiptarët të dinë të ruajnë frymën laike ndërmjet tyre. Emrat fetarë, duam apo s’duam ne, janë thjesht një mënyrë për t’u dalluar nga tjetri, me një Hasan apo Kristoforidh, ne shkojmë me një vulë në ballë, nuk kemi më nevojë për hapjen e bisedës, e dimë nga ç’horizont vjen dhe çfarë mendon pak a shumë mbi këtë apo atë. Ndërsa me emra të lirë si Ilir apo Agron, Shqiptarët zhvishen nga dallimet e tyre fetare dhe bëhen të gjithë njëlloj : thjesht Shqiptarë. Për mua, kjo do të ishte një zgjidhje mëse e mirëpritur. Kjo s’do të thotë që të kalohet në udhëzime e budalliqe si në kohën e Enver Hoxhës që të linin të zgjidhje në një listë, njerëzit janë të lirë të vënë emra si të duan.
Dhe nuk është e vërtetë se kështu forcohet nacionalizmi. Emrat ilirë janë tashmë mjaft larg në kohë për të ndezur diçka çfarëdo. Dhe është shumë e saktë ajo që asnjë popull tjetër përreth nesh, nuk i përdor emrat ilirë, thjesht sepse nuk ndihen si pasardhës të tyre, nuk janë të lidhur me ta. Emrat e Serbëve janë tipikë serbë, të nxjerrë nga heronjtë e tyre, si dhe, këtu më duket se e harrojmë të gjithë (xhaxhai në radhë të parë), janë emrat sllavë ata që kanë sjellë modën e emrave paganë. Po të vini re, në emrat sllavë, sidomos serbë, bullgarë, rusë, ka shumë emra që po të përkthehen shqip japin gjithfarëlloj : paqe, mirësi, liri, gëzim, etj. E njëjta gjë si në emrat tanë të parafundit (sepse të fundit, prirja është për një ndërkombëtarizim – perëndimor – të këtyre emrave).
Për kujtesë, emri Arbër është mjaft i përhapur në Shqipëri, madje kemi dhe eseistë që quhen kështu. Dhe kjo nuk i ka bërë të jenë më nacionalistë se shokët, se për shembull Idrizi apo Dhimitraqi. Shkurt, nxjerrja e emrave nga historia jote, nga rrënjët e tua, nuk ka asgjë të keqe në vetvete. Këtu mund t’ju jap plot emra që sot në Francë po bëjnë kërdinë, sidomos emrat me prejardhje kelte (mos harroni se në Francë kemi një rajon të tërë pasardhës të kulturës kelte !) Bretagne, është e mbushur me emra të tillë, dhe madje kanë një krenari të tyren. Vallet, këngët, janë tipike të ndikimit kelt. Dhe nuk e ka gjetur gjë Francën, nga kjo veçori. Kam mendimin se disa gjëra fryhen e stërhollohen më shumë se ç’duhet.
Ne fakt, une do isha kurioz si duhet te reagojme ne sot, kur pinjollet e vegjel te klases sunduese Meksikane (te bardhet), u vene emrin djemve te tyre Tenoch
Këtu ka një moskuptim që duhet ndrequr, sepse përndryshe nuk e vazhdojmë dot si duhet këtë muhabet.
Një emër si Arbër, bën pjesë në kategorinë e apelativëve – këta janë emra të përveçëm, të cilët vijnë nga emra të përgjithshëm të cilët përdoren lirisht nga folësit.
Kështu, emri Gëzim vjen nga fjala gëzim; kjo e dyta, emër i përgjithshëm i shqipes, me kuptim të mirënjohur.
Çfarë është denotacion te gëzim, përfundon si konotacion te Gëzim; meqë një person i quajtur Gëzim nuk është e thënë të jetë i gëzuar, por ne, prej emrit të tij, mund të spekulojmë se lindja e tij ka qenë një gëzim për prindët dhe familjen (pa çka se atë person mund ta kenë quajtur ashtu për nder të aktorit të mirënjohur Gëzim Kruja).
Edhe Arbër është apelativ; përkon me emrin e përgjithshëm arbër, i cili është edhe etnonim. Si emër i përgjithshëm, arbër ka një kuptim, p.sh. “banor i viseve të Arbërisë… etj.”; po ashtu, mund të përdoret në shumës, etj.
Emri i përveçëm Arbër vjen nga emri i përgjithshëm arbër; të quhesh Arbër nuk do të thotë se je arbër, por vetëm që kush ta ka vënë emrin, i jep rëndësi lidhjes së shqiptarëve të sotëm me arbrit e djeshëm.
Edhe këtu, denotacioni i fjalës arbër (ose kuptimi siç mund të gjendet në fjalor) përfundon në konotacion të emrit të përveçëm Arbër.
Emra si Gëzim, Dhurata, Shpresa, Flutura, Arbër, Ilir, Agim, Durim, Ylli, Liri, Xhevahir, Lauresha, Pranvera, Drita, Skifter, Manushaqe, Vjollca, Flamur, Petrit, Sokol, Fitim, Fitore, Kreshnik, Çlirim, etj. janë emra apelativë, që rrjedhin nga fjalë të shqipes ende në përdorim.
Nga pikëpamja historike, shumica dërmuese e emrave të përveçëm janë apelativë; vijnë nga fjalë të gjuhës – që këtej edhe përpjekjet e shumta për t’i etimologjizuar. Megjithatë, ne sot nuk i quajmë dot apelativë emrat ilirë, sepse nuk ua dimë kuptimin që kanë pasur emrat e përgjithshëm që përkonin me ta. Kështu, një emër si Andamion nuk do të thotë asgjë, përveçse që është emër ilir; dhe kjo e dallon emrin Andamion nga emri Arbër, bie fjala.
Tani, ky Andamion, në kohën ilire, me siguri ka pasur një kuptim (p.sh. “pajtues i gjaqeve”); por ne këtë kuptim sot nuk e dimë, as do ta konsideronim fjalën Andamion si shqipe, sikur të mos na kishin shpjeguar, priftërinjtë e kombëtarizmit, se është fjala për një emër me prejardhje ilire, që e bart forcën magjike me vete (vërtet: denotacioni i këtij emri nuk është veçse origjina e tij).
Përkundrazi, nuk ka nevojë për ndërmjetësinë e onomasiologut, për të marrë vesh që emri Vjollca është shqip (meqë e dimë se ç’do të thotë vjollcë, si emër i përgjithshëm).
Kësaj teme do t’i kthehem, gjithsesi, sërish, në mënyrë më të zgjeruar.
Hasani dhe Kristoforidhi nuk ka pse te shihen si vula ne balle, por edhe si piketa identitare te cilat duam apo nuk duam ne deshmojne per historine. Eshte tjeter pune nese vendosja e ketyre emrave eshte bere realisht ne kontekstin e domethenies se tyre; pra nese kur i veme emrin dikujt Jovan kemi vertet parasysh vepren e shenjtorit, apo data e lindjes na lidh me shenjtin perkates, por gjithsesi ne te dyja rastet emri flet per nje perkufizim etnohistorik. Vetedija fetare mbi emrin duket se ka qene e dobet perderisa ato jane braktisur me kohe per te kaluar ne te tjera etiketa, qe kane problemin e madh se nuk jane lende per zgjedhje te lire, por sugjerime edhe propagandistike te aktualizuara edhe si nje lloj korrigjimi historik. Vendosim emrin Teuta, per te mos vijuar me mballomen ortodokse Dhimitrulla apo Eftali qe sot japin ngasje se kemi te bejme me ndonje plake zemer mire qe sepse mban perhere ne xhep dy kokrra veze. Nese e shohim keshtu, atehere edhe prirja per te ilirizuar nomenklaturen e emrave nuk eshte edhe aq laicizuese edhe pse pasoja ajo ka dhe krijon. Fundja emri, personin dikur e lidh me dicka, qofte edhe nese referenca historike qe ai pretendon se bart nuk adreson origjinat identitare te aferta. Ta zeme nje Ilir nuk tradheton as myslimanin dhe as ortodoksin, edhe pse une mendoj se per emrat ka patur prirje te ndryshme mes katolikeve, ortodokseve dhe myslimaneve; keta te fundit kane qene me zemerhapur ndaj ofertes ilire ne onomastike. Nese themi se Hasani dhe Kristoforidhi jane vula ne balle, kjo do te thote se ne perpiqemi jo te evoluojme ne procesin historik qe na perfshin, por ta retushojme ate ne emer te nje perspektive qe e marrim te mire pa vertetim. Nderkohe qe eshte edhe mbiemri ai qe tradheton keto lojera qe jane me zarar te madh, sepse sikunder shumecka deshmojne se ende ne nuk jemi te lidhur me nje identitet te qarte, me koherence te brendshme dhe qe ne diversitetin e vet te zhvillohet duke krijuar paragjykime qe jane tipike edhe per Europen. Te shendetshme do te thosha une. Ta zeme ne tolerojme fustanellen dhe kenget e Veriut, i degjojme po njesoj, teksa kur vjen puna te gjuha dhe emri ngreme gishtin e akuzes. Ndoshta ngaqe gjuha dhe emri jane ngarkese politike dhe jo vetem historike. Ketu dua te kujtoj se ne permallemi me shkrimtaret tane dhe poetet, qe jane ashtu te mire me gjithe emrat e cuditshem; kur i degjojme u injorojme origjinen per t’u bere lidhjen ekranizuese ne kujtese vetem me vargjet dhe tekstin. Nje Lasgush eshte nje Lagush, nje Migjen kurre nje Millosh dhe nje Nol asnjehere nje Theofan. Ah, se mos nxehesh ti; Xhevahir Spahiu eshte perhere Xhevahir Spahiu. Po pse jo Xhevo mendjekrisur nga Skrapari? C’ka dua te them eshte se edhe nese emrat tradhetojne identitetin e tyre qe adreson krahinen, nuk ka pse te refuzohet dhe te sugjerohet nje ombrelle shuarese si iliromania per te thurrur keshtu nje shqiptari qe pikerisht se eshte e tille eshte e kompleksuar nga historia e vet, e pra gjithe cene dhe artificiale. Ajo qe ka rendesi dhe eshte fakti se e gjithe kronika onomastike ilire ka krijuar nje tradite nder shqiptare dhe priret te ruaje funksionalitetin e vet si subjekt perzgjedhjeje edhe ne te ardhmen, ndoshta tashme jo si riprodhuese miti, por si praktike emertese qe gjithsesi eshte legjitime si e tille vetem nder shqiptare. Nuk ka arsye te besueshme te mendohet se dikur kroatet do te nisin perdorimin e ketyre emrave, qe historia i ka rihedhur ne qarkullim per te mbuluar paturpesisht Hasanin dhe Kristoforidhin qe kane qene te tille edhe nese jane apo jo pasardhes te Agronit dhe Gentit. NUk eshte tallur me shume askush me iliret sesa ne, por fundja na falet se jemi bijte.
Lidhur me emrat ose me sakt mbiemrat aktuale shqiptare, me lejoni te shpreh arsyjet emia se perse ne vazhdimesine e fallsitetit te paskrupullt si gjithmone te pseudo politikaneve tane, jane nderuar ne gjendjen civile arbitrarisht mbiemrat qe i perkasin shtetasve shqiptare me origjin muslumane ne jug te Shqiperise. Me konkretisht fjala eshte per nje mbledhje te sigurise kombetare te propozuar nga ish ministri i mbrojtjes Zabit Brokaj me 1999, qe mbiemrat e ketyre trevave, Arsyeja eshte qesharake por e kosnideruar kombetare. Ne, pra shqiperia, duhej te unifikonte mbiemrat me shqiptaret e kososves per te patur nje gjenialogitet sic e kane serbet me vic, greket me s, bullgaret me ov, etj dhe ky vendim u percaktua te eksperimentohej kryesisht tek labet, tu jepej nje prapashtese me AJ. kesisoj mar shkas te sjell ne kujtese nje mori emrash politikanesh qe po i permend qe kane nderuar mbiemrin.
ishte Zabit Broka e kthehu ne Zabit Brokaj
Ferdinant Xhaferri ne Ferdinant Xhaferraj
Fatmir Xhafa ne Fatmir Xhafaj,
Lefter Xhuveli ne Lefter Xhuvelaj
dhe mijera mbiemra te nderuara ne gjendjet civile, duke i shkaktuar deme te pallogaritshme ne kosto emigranteve shqiptare vecanerisht ne itali dhe greqi. Keto nuk jane per te qeshur, por kur behet fjale qe nderojne me “dhune emrat” ne greqi, atehere i bie qe ketu nderohet emri ne gijotine do apo sdo personi. dhe si rrjedhim humbet gjenollogjia ose pema e familjes dhe ne pergjithesi humbet serioziteti i statistikave dhe historise.
Shume zbulim interesant. Sidomos qe Serbet paskan gjeneaologjira te ruajtura me perpikmeri protestantesh.
Xha Xhai te faleminderit , deri me tash nuk e kisha hasur qe , ne periudhen osmane emertimi i grekeve te lashte “romios” ishte shnderruar ne “rum” , bile edhe ne ca perpjekje individuale per te perkthyer Ricosin , per disa poezi e kam bere qe ne fundvitet “70 te vargu “romios agapise romja ” , pata ngecur seriozisht shume edhe ne lypjen e ndihmesave te me ” te leciturve ” se une…Megjithate , sforcerisht bie dakort me Ju dhe rekomandimet Tuaja…Perseri Ju falemnderit ! …
Mbaj mend një koment fantastik tek Peshkupaujë përsa i përket vendosjes së emrave të grekërve në kohën e Ali Pashait… ndokush që e frekuenton Peshkun dhe arrin ta gjejë atë koment e ta sjellë, besoj se do t’i kontribuonte shumë këtij diskutimi
Ja dhe ai komenti i famshëm: http://www.peshkupauje.com/comment/216759#comment-216759
Xhaxha:
Nuk duhet te revoltohesh me komentatorin ne amazon.com qe thote “emrat e udhëheqësve ilirë janë ende të gjallë në gjuhën tonë të bukur indo-europiane”; ndërsa një komentues tjetër e pyeste autorin “nëse kish dëgjuar ndonjëherë për ndonjë sllav të quajtur Ilir, Teuta ose Agron.”
Nje citat pothuajse te perafert me kete e gjen ne librat shkollor qe lexojne shqiptaret sot ne Ballkan, ku shkruesit e ketyre teksteve drejtojne mesuesin qe tu vertetoje nxenesve qe keta jane ilire meqe ne klase ka djem dhe vajza me emrat Agron dhe Teuta – fakt – qe libershkruesi shkruan – rrefen vazhdimesine e kombit tone qe nga kohet ilire dhe moshumbja e rrenjeve tona. ne po te njejtin mesim, nese nuk gaboj libershkruesi thote qe emra shqiptar jane Teuta, Agron, Drini etj dhe Preng, Mrika dhe Gjergj. Edhe pse autoret kane emra myslyman, keta emra tregohen si emra te huaj.
Emra shqiptarë të mirëfilltë janë apelativët: Drita, Agim, Shpresa, Bujar, Kujtim, Lis, Flutur, Shqipe, Gazmend, Arta, Shpend, Shpëtim, Besnik, Zana, Vesa, Bardha, Shkëlqim, Drenusha, Vjollca, Fllad, Besa, Ylber, Diella, Fatmir. E shoh shumë të arsyeshme (edhe pse të pashpresë) një fushatë kulturore për nxitjen e tyre nga kombëtaristët laikë, sesa dalldinë pas emrave ilirë dhe vetëdijes fiktive që i shoqëron. Nga ana tjetër, unë nuk shoh asnjë të keqe, përkundrazi, në përdorimin e emrave europianë të përgjithësuar, si Diana, Robert, Silva, Adrian, Albert, Martin, Suzana, Liliana, Eduard, Roland, Elda, Ernest, Elvira, Alfred, etj., të cilët shprehin kolektivisht dëshirën për t’i përkitur Europës; ose emra kulturorë laikë, si Hektor, Nausika, Virgjil, Spartak, Uliks, Natasha, Ana, Zhuljeta, Greta, Manfred, Briseida, etj. Natyrisht, prindërit janë të lirë t’u zgjedhin fëmijëve emrat që dëshirojnë. Synimet e censurës, në këtë moment, është t’i bëjë ata të ndihen me faj, nëse zgjedhin një emër të huaj; por kjo betejë, sikurse të gjitha betejat donkishoteske të puristëve, është e dënuar të përfundojë me zbythje dhe disfatë që pa nisur mirë; sepse puristët tanë i kemi pak kokëtrashë; dhe nuk mund ta përfytyrojnë dot rolin e tyre, përveçse si të xhandarit.
Puristet e fituar luften pse kishin shtet per 50 vjet e tani puritanizmi po vazhdon ne Kosove me enveristet e Hashim Thacit, Isa Mustafes dhe Atifete Jahjages. Aty ka gallate, pse Mustafa po emerohet Ilir e Osmani po ja ve emrin djalin Alban e Pellazg. Megjithate, ri-islamizimi, ortodoksizimi dhe perendimorizimi i shqiptareve po krijon nje reaksion te ri emeror. Muslimanet femijet e tyre po i emerojne Abdullah dhe Muhamed, ortodokset Jani dhe Kostandin, e perendimoristet, apo ata qe sdine sec jane, Majkell, Xhoni e Mateo. Ne Tirane, nje psikolog me tregoi qe kishte nje pacient me emrin Xhimi Arixhiu, ndersa une kenaqem kur shoh dibrane me emrin Ilir Osmani apo pse jo edhe shqiptariste me emrat Kreshnik Spahiu, Endri Shabani dhe Erion Velija. Dikush behet ilir, dikush kreshnik nga spahi, dikush henri nga shaban, dikush erion nga veli…. e nje dite pashe ne Vizion + qe njeri e kishte quajtur djalin e tij Hamilton, meqe gjyshi quhej Hamit e donin ti ngjallnin emrin te atit. Jam kurioz te di se cdo ti lidhe kete Hamiltona e Jani e Muhamed me njeri tjetrin pas 50 vjetesh?
Me tregon dot dikush se ne cilin vit jane imponuar dhe zyrtarizuar mbiemrat ne Shqiperi? E nese ka ndonje akt ligjor apo debat parlamentar per kete?
Po Fistula cfare do te thote?