Kemi folur edhe herë të tjera për partitë politike sot në Shqipëri, rolin e tyre në polarizimin dhe segmentimin e shoqërisë shqiptare, partitokracinë, pseudo-pluralizmin, shndërrimin e partive në automjete të blinduara për nevojat e liderëve përkatës.
Situatën e tanishme të dikotomisë PS-PD e kemi cilësuar si një vazhdim të monizmit të dikurshëm totalitar me mjete të tjera, ku partia unike e dikurshme është ndarë tashmë përgjysmë, me dy pjesët që simulojnë diçka si luftë politike, por që nuk ka, në të vërtetë, asnjë përmbajtje përveç luftës për pushtet.
Në vijim të këtyre intuicioneve të miat, e gjej me interes të madh një artikull të tanishëm të Afrim Krasniqit në Gazetën Shqiptare, ku autori ndër të tjera merret me raportet midis partive politike në Shqipëri dhe kushtetutshmërisë.
Krasniqi, që duket se e njeh mirë fushën për të cilën flet, vë në dukje pak a shumë sa më poshtë për partitë politike në Shqipëri:
– Atyre u mungon demokracia e brendshme funksionale;
– Një pjesë e mirë e tyre nuk kanë program të shkruar politik, as dihet se çfarë përfaqësojnë;
– I kanë përqendruar forcat e tyre dhe inciativën në sigurimin, ruajtjen dhe riprodhimin e pushtetit ekstra-kushtetues;
– I kanë hypur në zverk parlamentarizmit dhe përfaqësimtarisë si shtylla të demokracisë;
– Synojnë kontroll të pushteteve apo imponim politik të tyre;
– E shohin administratën qendrore apo lokale si platformë për fushatat e tyre politike (elektorale);
– Zbatojnë një kriter antikushtetues të ndarjes së pushtetit qendror dhe lokal mbi bazë të përqindjes së votave;
– Janë të gatshme të përdorin të gjitha burimet shtetërore dhe publike në funksion të fushatave elektorale.
Si i bëhet për t’i shpëtuar kësaj së keqeje, ose këtij tumori partitokratik, që po ia zë frymën kushtetueshmërisë dhe demokracisë në Shqipëri?
Krasniqi sugjeron këto zgjidhje:
– Përqafimi i modelit perëndimor
– Forcimi i institucioneve kushtetuese
– Kufizimi i pushtetit të partive politike
– Zgjerimi i modelit të demokracisë direkte në zgjedhjen e zyrtarëve të lartë
– Korrigjimi afatgjatë i Kushtetutës dhe sistemit politik nëpërmjet votës popullore.
Me të drejtë, autori vëren se shpresa për zgjidhje të shpejtë të këtij problemi është e pakët, sa kohë që vetë partitë kanë pushtet edhe mbi ndryshimet e mundshme kushtetuese.
Atëherë si i bëhet?
Edhe unë i kam do sugjerime, në mbështetje të zgjidhjeve që ofron Krasniqi.
Forca e partive politike të mëdha, që e mbajnë gjallë partitokracinë, lidhet drejtpërdrejt me financat e tyre. Një pjesë e këtyre financave vijnë nga buxheti i shtetit; të tjera, besoj, nga kuotizacionet; të tjera akoma nga donatorët e ndryshëm. Një pjesë tjetër, natyrisht, sigurohet me rrugë të fshehtë dhe ndoshta të paligjshme; duke zhvatur biznesin e madh, ose anasjelltas, duke u darovitur prej tij.
Forca e partive politike varet e tëra nga arkat e tyre.
Për këtë arsye, nëse duhet goditur partitokracia, goditja duhet të nisë nga një shqyrtim tërësor i mënyrës si këto financohen, duke filluar nga financimi publik e deri tek detyrimi për transparencë të plotë të financimit privat.
Demokracisë në Shqipëri sot i duhen institucione të forta: një parlament moralisht i denjë dhe intelektualisht i përgatitur; gjyqësor eficient, i pavarur dhe trim; ekzekutiv që të merret me punët e qeverisjes, jo me ruajtjen e pushtetit të liderit të radhës. Partitë politike, në formën që kanë sot, janë si të thuash një e keqe që u ka zënë shqiptarëve derën.
Mund të më thonë se demokraci pa parti politike nuk mund të ketë; dhe ndoshta me të drejtë. Atëherë le të përpiqet publiku në Shqipëri jo që t’i shpërndajë këto skuadra të kacafytjeve e brigada të përçarjes, por veç t’i ripërmasojë, duke i çliruar nga gjigantizmi i tanishëm.
Mënyra si funksionojnë sot PD-ja dhe PS-ja, burimet e mëdha financiare që konsumojnë dhe roli që luajnë në jetën politike të Shqipërisë nuk u përgjigjet nevojave të demokracisë, as të publikut, as të zgjedhësve, as të taksapaguesve; por vetëm u shërben interesave të një grushti njerëzish që luftojnë mes tyre për të siguruar pushtetin dhe për të pasur ekskluzivën në raportet me biznesin e madh, sidomos me atë biznes që manovron në kufi të ligjit dhe të paligjshmërisë.
Kjo bie veçanërisht në sy gjatë fushatave elektorale; për atë të zgjedhjeve të vitit 2009, Krasniqi vëren se:
Shqipëria, vendi më i varfër në NATO, zhvilloi një nga fushatat më të kushtueshme e luksoze midis vetë vendeve të NATO-s. I njëjti fenomen duket se po përsëritet edhe në zgjedhjet e reja lokale, ku interesat financiare të pushtetit qendror e lokal nuk kanë vendosur ende kufi me interesat partiake qendrore dhe lokale, ku grupe lobuese financiare janë në kërkim të kandidatëve të preferuar për kryetarë njësish vendore dhe ku vetë partitë kanë shpallur kriter “jozyrtar” mbështetjen financiare të kandidatëve të tyre.
Natyrisht, për të verifikuar financat e partive duhet një ligj i hollësishëm; dhe këtë ligj nuk ka asnjë mundësi që ta kalojë parlamenti i kontrolluar tërësisht prej partive dhe interesave partitokratike.
E vetmja mënyrë për të dalë nga ky rreth vizioz është referendumi – dhe pikërisht ai referendum që do të kërkojë, të paktën, transparencë totale të financave dhe mundësisht ndalimin e financimit nga burime private dhe entitete të huaja, përtej shumave simbolike.
Ideja këtu është që të gjendet një mënyrë për t’ua tharë financat aparateve partiake, burokracive dhe hierarkive të zyrtarëve të cilët jetojnë dhe riprodhohen duke i shërbyer jo vendit të tyre, as publikut, por ambicjeve dhe interesave të atyre që i paguajnë, me pará që ua marrin bizneseve, të cilave vetë liderët u sigurojnë kontrata, lehtësi fiskale dhe ekskluziva gjithfarësh. Nëse ka parti që do të mbijetojnë nëpërmjet kuotizacioneve të anëtarëve, ato do ta meritojnë gjithë avantazhin e mbështetjes nga një grup politikisht i organizuar dhe i motivuar mirë.
Ky reduktim i financave do të sjellë edhe një të mirë tjetër anësore – sa kohë që partitë politike nuk do të kenë mjete financiare për të përsëritur fushata parazgjedhore super të shtrenjta, si ato të vitit 2009, atëherë kjo do t’u hapë rrugën drejt parlamentit kandidatëve të pavarur.
Do të thonë: ashtu në Parlament do të vijnë vetëm ata që kanë mundësi ta financojnë fushatën me paratë e tyre private. Vërtet, po nuk është më mirë kështu, sesa me bedelë?
Nga ana tjetër, një referendum hipotetik mund të kërkojë edhe që të vendosen kufij të rreptë nga sipër për shpenzimet elektorale, duke përfshirë spotet televizive, parrullat, pllakatet, koncertet dhe të tjera forma sa të kushtueshme, aq edhe të panevojshme. Tek e fundit, edhe televizionet private, kur ta shohin se nuk do të paguhen më prej partive për spotet, do t’ia japin vetë hapësirën debateve politike parazgjedhore, duke i shlyer shpenzimet eventuale me të ardhurat nga reklamat.
Të mos harrojmë që, në Itali, çështja e financimit publik të partive politike erdhi në rend të ditës me hetimet e të ashtuquajturit operacion mani pulite, i cili e goditi rëndë dhe thellë mekanizmin thellësisht korruptiv të marrëdhënieve midis biznesit të madh dhe politikës. Për arsye që dihen, në Shqipëri gjyqësori nuk e ka as prestigjin, as pavarësinë institucionale, as kurajon për të ndërmarrë një operacion të tillë; prandaj unë nuk shoh mundësi tjetër, përtej referendumit.
Problemi është serioz; partitokracia po ia konsumon krejt oksigjenin institucioneve, dhe vetë partitë po shndërrohen në parazitë që majmen në kurriz të interesit publik. Problemi është madje aq serioz, sa mund dhe duhet të trajtohet në mënyrë kirurgjikale, pa u druajtur se kjo do ta dëmtojë pluralizmin në Shqipëri – meqë ky pluralizëm, në atë masë që ekziston, ka kohë që nuk shprehet më nëpërmjet formulës shumëpartiake.
Xha xha dhe kush do ta ndermarri fushaten per berjen e referendumit per kete ligj qe verifikon dhe kufizon financat e partive politike? Kush do ta organizoje referendumin? Si do te arrihet qe te behet ky referendum?
Një parti e vogël ad hoc me shumë vullnet të mirë do të mjaftonte. Nëse përnjimend të intereson si çështje, do të bëje mirë t’i hidhje një sy historisë së Radikalëve në Itali dhe sukseseve të tyre politike nëpërmjet rrugës referendare – edhe pse parti e vogël në vetvete [http://it.wikipedia.org/wiki/Partito_Radicale_(Italia)]. Gjithsesi, veprimtaria e radikalëve që kam parasysh këtu nuk ka lidhje, së paku në këtë kontekst, me operacionin mani pulite.
Me duket e veshtire qe te shkulet plutokracia me nje referendum ku perseri ushtrimi i pushtetit u lejohet vetem plutokrateve.
Pushtetin dikur e ushtronin ata qe kishin tokat, pastaj ata qe kishin fabrikat, tani ata qe kane bankat.
Po te shikojme se bankat ne Shqiperi nuk jane shqiptare, nderrimi i partirokracise sipas stilit te vjeter qe sjell vetem plutokraci me nje te stilit te ri ku vetem pasaniket zgjidhen na çon ne nje plutarki te kulluar e te kontrolluar teresisht nga jashte (fale bankave te huaja).
Shqiperia eshte vendi i fundit ne Europe ku pushteti politik i reziston fuqishem bankave dhe kjo fale informalitetit ekonomik.
Tani, kjo partitokraci ‘bedelesh’ reziston si e tille fale informalitetit ekonomik, keshtu qe per tu kthyer ne plutarki, nuk ka nevoje per referendum, por vetem per futjen e ekonomise ne binaret e formalitetit, aty ku Bankat jane padrone absolute te realitetit ekonomik.
Ne fakt shkalla e formalitetit ne Shqiperi sa vjen e rritet fale presionit te huaj bankar qe politikisht shprehet me permbushjen e kritereve te BE-se.
Me mire nje shtet mafiozesh shqiptare qe veprojne nepermjet partive e informalitetit apo mafiozesh te huaj qe veprojne nepermjet bankave e fondacioneve ?
Mbase pyetja duhet shtruar :
– Me keq nje shtet ……….
Pra me pak fjale xha xha ti zgjidhjen e sheh brenda sistemi, brenda nje sistemi te dominuar nga dy PPSH-ja e riemeruar per here te dyte, dhe nje degezim i saj (PD) te cilat e blinduan akoma me shume kete sistem ne favor te tyre me ndryshimin e kodit zgjedhor dhe kushtetutes ne 2008. Legjislatura e kuvendit te republikes qe doli nga zgjedhjet e 2005 kishte 13 parti, kurse kjo e fundit ka 6 ku vetem 2 nga ato 4 te tjerat kane me shume se nje deputet. Mbase ti shikon ate qe beri VV ne Kosove dhe mendon se mund te arrihet dhe ne Shqiperi, por une dyshoj teper sepse klima dhe vullneti per ta ndryshuar sistemin nuk ndryshojne ne Shqiperi.
Të ndash shapin nga sheqeri, partitë nga paratë, republikën nga demokracia, sa ka shkruar dhe si e ka shkruar A. Krasniqi me sa ka ditur dhe sa s’ka dashur ai është e lodhshme e virtualisht e padobishme.
Pavarsisht, duhet thënë se modeli perëndimor është republika (republikë nëse do ta mbani); demokracia – për më tepër kjo e drpdr-jta – i bie krejt ndesh. Të vësh zgjidhje dhe ato të jenë në kahe krejt të kundërta, nuk është gjë e mirë; duhet të jetë e keqe nëse bëhet për interesa të rastit.
Përqafimi i modelit perëndimor. Cilit? Mos vallë atij që jepet tek filmi The Adjustment Bureau, në të cilin politikanë të dorës së parë luajnë role të dorës së tretë?
“Demokracia ekziston vetëm atje ku nuk ka asnjë aq të pasur sa të mund të blejë një tjetër dhe asnjë aq të varfër sa të shitet” (Jean-Jacques Rousseau)”