Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Politikë

FLUTURIME ME PRESH

Të flasësh për përdorimin e figurave stilistike në ligjërimin publik shqiptar e t’i kritikosh, duke filluar ta zëmë nga krahasimet, është si të merresh me qimet në sy ndërkohë që trarët të kanë rënë mbi kokë. Si të thuash, tingëllon finesë e tepruar kur sharjet në politikë po ua kalojnë mejhaneve më të pista nënurbane.Megjithatë, kur krahasimet, metaforat, batutat, sharjet, nofkat, e tejkalojnë qerthullin politik, për të zënë vend nëpër media e në publik, atëherë problemi bëhet më i mprehtë përderisa nuk mund t’u atribuohet veçorive të politikës. Ka një fije të padukshme që i lidh figurat retorike me realitetin. Kjo lidhje është më e qartë tek krahasimet se sa tek metaforat, por ekziston edhe tek hiperbolat. Meqë ra fjala, duhet thënë se i gjithë komunikimi politik shqiptar i nënshtrohet një hiperbolizimi konstant, duke e droguar artificialisht publikun, që e ndjek skenën e politikës shpeshherë i çoroditur.

Në infosferën shqiptare qarkullojnë pa teklif e prej kohësh krahasime nga më të guximshmet. Aktorët kryesorë të politikës janë krahasuar sa e sa herë me Hitlerin, Millosheviçin, Hoxhën, e kështu me radhë. Përdorimi i këtyre krahasimeve vetëm i zhvleftëson ato, për sa kohë përdoren pa dallesat e duhura. Shembullin e fundit ndërkombëtar mund ta gjeni në rastin e intelektualit Umberto Eko, i cili e krahasoi kryeministrin italian Berluskoni me Hitlerin (sic et simpliciter). Nga titujt e gazetave binte qartë në sy se diçka nuk shkonte. Sepse të gjithë lexuesit e kuptuan se pohimi i mësipërm tingëllonte i tepërt, se kishte diçka tjetër, të pathënë, të pashpjeguar në fjalët e shkrimtarit të njohur. Ose kishte diçka që nuk shkonte në përcjelljen e tyre.

Nga vetë mediat mësuam se krahasimi ishte i induktuar, madje i provokuar. Gjatë prezantimit në Jerusalem të romanit të tij të fundit “Il cimitero di Praga” (Varrezat e Pragës), gazetarët i bënë këtë pyetje: “A mund të krahasohet Berluskoni me Gedafin e Mubarakun?”. Përgjigjja paska qenë: “Jo, krahasimi, po të flasim nga pikëpamja intelektuale, mund të bëhej me Hitlerin: edhe ai arriti në pushtet me zgjedhje të lira”. Siç shihet qartë, pohimi i Ekos ngjan krejt ndryshe nga titujt e gazetave që iu përkushtuan. Nga një anë mendimi për krahasimin i është kërkuar shprehimisht, nga tjetra ai e ka bërë krahasimin me Hitlerin në trajtën e mundësisë, vetëm nga një pikëpamje e caktuar dhe vetëm me mënyrën e ardhjes në pushtet.

Gjithsesi, ka diçka të tepruar në krahasimin e Berluskonit me Hitlerin. Krahasimi nën akuzë, në qoftë se niset nga premisat e Ekos, mund të bëhet për një sërë liderësh nëpër botë. Shumë prej tyre e kanë marrë pushtetin me zgjedhje të lira, shumë prej tyre mund të degjenerojnë në diktaturë. Mund të gjenden edhe shumë elementë të përbashkët midis diktatorëve të dikurshëm dhe atyre të tanishëm, madje edhe midis atyre që potencialisht mund të bëhen diktatorë. Krahasimi i përkryer nuk ekziston, por edhe kur është shumë difektoz nuk qëndron dot në këmbë. Madje krahasime të tilla bëhen kundërprodhuese, sepse nisen nga qëllime të mira (për të paralajmëruar rrezikun) dhe përfundojnë në zhvleftësimin e vetvetes, ndoshta nga zelli i tepruar.

Unë vetë e citoj vazhdimisht shembullin e zgjedhjes së Hitlerit për të nënvizuar idenë se ardhja në pushtet me votim të lirë nuk të imunizon automatikisht nga tendencat diktatoriale. Demokracia është gjithnjë në rrezik, sikurse rrëshqitja në diktaturë gjithnjë në pritë. Votat e qytetarëve, edhe kur janë plebishitare, nuk e autorizojnë aspak shkeljen e rregullave demokratike. Përkundrazi, ia rrisin përgjegjshmërinë e liderit.

Në Shqipëri ka kohë që krahasime të tilla bëhen në mënyrë spontane, pa u pyetur nga kurrkush, me fluturime gjuhësore pindarike nga më të guximshmet. I bënin dikur demokratët, i bëjnë sot socialistët. Këta të fundit kanë shansin të përdorin në krahasime emra tejet aktualë si Gedafi, Mubarak, Ben Ali, etj. Mirëpo hiperbolat nënkuptojnë mirëbesimin e përdoruesit; si të thuash po e teproj për t’u marrë vesh. Në rastin e krahasimeve, sidomos kur publiku është i ndarë në tifozë, teprimi perceptohet si shenjë barazie, ndaj edhe fillojnë automatikisht zhvleftësimet e spekulimet, duke shkuar tek e fundit në kufijtë e fyerjes.

Lufta politike i përmban të gjitha. Në ring, dihet, jo gjithnjë respektohen rregullat. Porse politika shqiptare ka kohë që po përleshet jashtë ringut duke përdorur karriget në vend të dorezave, sharjet në vend të fjalëve, akuzat në vend të kundërshtimeve. Deri dje thuhej se fjalët janë gurë e mund të vrasin, ngjarjet e janarit dëshmuan se fjalët mund të shndërrohen në plumba të njëmendtë. Politika shqiptare ka nevojë për normalitet, por ky nënkupton së pari kthimin e gjuhës (përfshirë figurat stilistike) në vathën e arsyes.

Pa Komente

  1. Për fat të keq, krahasimi me Hitlerin nuk ka më asnjë lloj kuptimi, meqë vetë Hitleri, si shenjë, e ka humbur kuptimin, duke u bërë funksionalisht i baraslvershëm me diçka si pjesëtimi me zero në aritmetikë.

    Natyrisht, ka një Hitler historik, të cilin ndoshta e studiojnë historianët dhe psikologët, madje edhe politikanët; por ky tashmë ka humbur përballë mitit të Hitlerit si e keqja absolute, e mishëruar në një fytyrë njeriu.

    Psikologjia kolektive ndoshta ka nevojë për figura të tilla, rreth të cilave të organizohet moralisht; mirëpo kur flasim për vlera absolute kemi pranuar, në thelb, kalimin nga racionalja në irracionale.

    Në kontekstin e këtij debati, krahasimi me Hitlerin e ndërpret debatin, duke e shndërruar objektin e krahasimit në vrimë të zezë. Për këtë kemi folur, kur diskutonim rreth Ligjit të Godwin-it.

    Berlusconi-n dhe Hitlerin mund t’i krahasojnë mes tyre historianët, por jo politikanët, të paktën jo brenda caqeve të diskursit publik.

    Përndryshe, në situata krize, kur arsyeja duket e pazonja për të ofruar zgjidhje, krahasimi është e vetmja procedurë gjysmë-racionale që ende mund të japë shpresë.

    Për shembull, krahasimi i Berishës me Mubarakun e Egjiptit ose me Kadafin e Libisë çalon në shumë pika – por vjen në vështrim në momentin kur kundërshtarët e Berishës, të të gjitha llojeve, pyesin veten si mund ta largojnë këtë njeri nga pushteti.

    Nëse ndodh kjo, pak rëndësi ka sa i saktë është krahasimi; sepse analogjia ushqehet me forcën e imazhit – dhe imazhi që ka publiku sot është ai i liderëve autoritarë në Mesdhe, që po bien njëri pas tjetrit, përballë revoltës popullore.

    Kaq mjafton për të përftuar një efekt domino; tek e fundit, revoltën popullore nuk e përçojnë as semiologët, as analistët në mediat, por njerëzit në rrugë, ose turma – e cila “arsyeton” nëpërmjet imazheve, metaforave dhe simboleve.

    Objektivisht, ngjarjet në Tunizi, në Egjipt dhe në Libi nuk mund të krahasohen me situatën në Shqipëri; por, edhe një herë objektivisht, rreziku që të plasë edhe në Shqipëri një revoltë e pakontrolluar, si ajo që po ndodh bie fjala tani në Libi, varet nga gatishmëria e njerëzve për t’i besuar krahasimit.

    Ekuacioni është i thjeshtë: nga njëra anë, një lider intransingjent, autoritar, i keq nga goja, i armiqësuar me institucionet; nga ana tjetër, një masë njerëzish të pakënaqur, që shohin se ç’po ndodh me liderët autoritarë gjetiu.

    Në këtë pikë, që krahasimi të funksionojë, ose të shndërrohet në veprim praktik në rrugë, duhet që masa e njerëzve të besojë se fajtori kryesor për pakënaqësinë e tyre është pikërisht Berisha.

    Deri tani kjo nuk ka ndodhur; dhe nuk ka ndodhur jo sepse turmat e dinë që Berisha nuk është as Mubaraku, as Kadafi; por sepse turma sot për sot marrëdhëniet me Berishën duket se i ka më të mira, se ç’i ka me kundërshtarët e Berishës, duke përfshirë edhe liderët e opozitës.

    Në Shqipëri nuk ka një forcë e cila t’i kundërvihet autoritarizmit të Berishës në rrafshin popullor, masiv, qytetar, të gjerë dhe difuz, si në Tunizi dhe në Egjipt. Armiqtë më të mëdhenj dhe më të vendosur Berisha duket se i ka brenda elitave – dhe institucioneve të shtetit.

  2. Për shembull, krahasimi i Berishës me Mubarakun e Egjiptit ose me Kadafin e Libisë çalon në shumë pika – por vjen në vështrim në momentin kur kundërshtarët e Berishës, të të gjitha llojeve, pyesin veten si mund ta largojnë këtë njeri nga pushteti.

    Me shume kjo behet nga opozita per te legjitimuar bashibozukllekun e saj, pra protestat dhe jo Kuvendin, rrugen jashteinstitucionale (per te kerkuar rrezimin e Berishes) dhe jo parlamentare, edhe pse maxhoranca e qeverise eshte me delikate se kurre dhe opozita ka me shume deputete se kurre.

    Dhe ne kete pike opozita deshton disa fish, jo vetem qe sado autoritar qe eshte Berisha populli e di qe ai s’eshte Hitler a Mubarak (se edhe sikur te deshte te ishte, s’mundet te jete ne Shqiperine e sotme) por dhe per faktin qe subjekti qe i fryn ketyre retorikave–opozita me Ramen ne krye–eshte krejt i diskredituar ne syte e popullit tashme pas dy vjetesh arratisje nga rruget institucionale dhe bredhje rrugeve.

    Shto ketu pervec lodhjes dhe zhgenjimit te masave nga Rama, i cili pasi ja bunkerizoi Tiranen s’i le rrehat as me protestat e tij te pafundme, dhe apatine qe pason nga zhgenjimi me te gjitha subjektet, dhe del qe endrra e opozites per demonstrata alla-egjiptiane masive dite e nate eshte flluske sapuni, te ciles megjithate ajo i fryn, se fundja ca do beje tani, ate rruge ka marre ka dy vjet.

    Nga ana tjeter, aty ku ka vend per krahasim (jo njehesim ama), si fjala vjen mungesa e demokracise ne parti, aty s’meshon opozita se Rama e udheheq partine me te njejten autoritarizem si Berisha. Dmth ka konsensus ne kete pike.

    1. Se ve ne dyshim se rasti juaj eshte fiks-elit shqiptare, ajo qe thash ne komentin me poshte.

  3. “Armiqtë më të mëdhenj dhe më të vendosur Berisha duket se i ka brenda elitave – dhe institucioneve të shtetit.”

    Dakort, elite kundershtare, por mos duket si egzagjerim elitizmi i kundershtis se Berishes!?
    Mund fare afer te jete kundershtim brenda llojit, se sa elitar, me perjashtim, ne se me elite keni parasysh funksionare institucionesh.
    Popullor dhe elit, rrafshi i tyre eshte rrafshuar, goditur, per 20-te vjet eshte bere lemsh e kaluara ne politik, dhe e vetmja gje qe shohim, po thuren veshje popullore nga ai lemsh, ku elit i ngec te jete kush ka abuzuar me shume.

  4. Heren e pare si tragjedi, te dyten si hiperbole, tha. Nese krahasimi nuk eshte i vlefshem, ky eshte dallimi. Mire ben qe na e kujton. Ec e mbushi mendjen dynjase se farsa eshte edhe me tragjike se tragjedia, tashti.

  5. ”’Objektivisht, ngjarjet në Tunizi, në Egjipt dhe në Libi nuk mund të krahasohen me situatën në Shqipëri; por, edhe një herë objektivisht, rreziku që të plasë edhe në Shqipëri një revoltë e pakontrolluar, si ajo që po ndodh bie fjala tani në Libi, varet nga gatishmëria e njerëzve për t’i besuar krahasimit.”’

    Ne Shqiperi nuk plas se nuk behet fjale per nderrim sistemi dmth opozita nuk lufton ne emer te demokracise apo ndonje sistemi islamik/komunist a ku di une, po lufton kunder ‘kusarise e matrapazllekut’, dmth te ike Sala te vije lala, te ike Iliri te vije Dritani ose e thene popullorçe:

    – Ngrehu prift te ulet hoxha.

    Nderkaq Mubaraku eshte me lule se Berisha, po te kish qene Berisha ne Egjipt e te kishte kontrollin e ushtrise si Mubaraku, do kish bere kerdine si po ndodh ne Libi.
    Berisha Mubarakun e beri me 1997, ate vit do kish bere Gedafin po te kishte nen kontroll ushtrine.

    Kontrollin e terthorte ose autoritarizmin e bute pas 2005, Berisha e praktikoi se kish frike nga ndonje ’97 e dyte dhe nga presioni nderkombetar, jo se eshte burre me i mire se Mubaraku apo Gedafi, te gjithe keta nje mut jane, biles Mubaraku eshte me i mire se Berisha, pasi ka luftuar nje jete te tere per Egjiptin(dhe per veten sigurisht), me arme ne dore per 30 vjet e si politikan 30 vjet te tjera.
    Mubaraku i perket kategorise se ‘monarkut te iluminuar’, kurse Berisha ‘tiranit grek’.

    Ne nje sistem autoritar, Mubarakun e zgjedh 100 here para Berishes.

    Keshtu gjendja nuk u pershkallezua jo se nuk funksionoi krahasimi Berisha-Mubarak, por sepse OPOZITAT jane te ndryshme, ajo ne Egjipt luftonte per ndryshimin e sistemit kurse kjo ne Shqiperi per karrige.
    Njerezit e pakenaqur, sakrifikojne jeten per ndryshimin e sistemit por jo per karrigen e njerit apo tjetrit.

    Opozita shqiptare nuk beri asgje per ti dhene vetes vizionit e nje force qe kerkon ndryshim sistemi, perkundrazi vazhdimisht edhe sot po perforcon imazhin e nje opozite qe kerkon karrigen dhe pike.

    Pra diferencen e ben opozita jo pushteti dhe njerezit nuk kane asnje deshire te perfundojne si 4 te vraret e 21 Janarit, sepse njeriu koken e le per nje ideal ose per te futur para ne xhep, jo keshtu kot, sa per te qene epiqender e propagandes te dy paleve qe duan karrige.

    1. Opozita shqiptare nuk beri asgje per ti dhene vetes vizionin e nje force qe kerkon ndryshim sistemi, perkundrazi vazhdimisht edhe sot po perforcon imazhin e nje opozite qe kerkon karrigen dhe pike.

      Për mendimin tim, opozita, përveç panoramës që i bën më sipër, ka edhe fajin e degradimit të të gjitha llojeve të protestave.
      Me paaftësinë e saj për t’u përballur në parlament (që jo se është e paaftë që të përballet, por se i pëlqen situata e krijuar që të shtyjë legjislacionin “pa prek pun me dorë”) ajo është burimi i energjisë së pushtetit Berisha.
      Me (kinse) protestat e saj, ajo përpiqet që të japë imazhin e luftëtarit, ndërkohë që nga ana tjetër… vetëm se shton pesimizmin dhe apatinë e njerëzve për të ngelur sot&mot fatalistë të nënshtruar të atij sistemi të firmosur Berisha-Rama.

  6. “… të atij sistemi të firmosur Berisha-Rama.”

    …temperatur mendore, ose “fluturime me presh”

  7. Qe te hyme ne vathen e arsyes, apo me sakte arsyetimit, argumenti i Pishakut me kujton si forme “slippery slope.” Ne formatin klasik, ky argument tregohet me qerosin. Psh, nese te bie nje qime floku, nuk mund te quhesh qeros, kjo do ishte e tepruar. E me qe me nje fije te rene nuk quhesh qeros, as edhe kur te bie nje qime floku tjeter, nuk quhesh qeros. Mirepo meqenese qimet e flokut bien nje nga nje, e me nje fije te rene nuk quhesh qeros, ti mund te arrish tek qimja e fundit e flokut, kjo te te bjere, e meqenese eshte vetem nje qime qe te bie, prape te mos quhesh qeros. Po njesoj, Pishaku argumenton se Berluskoni, i votuar ne popull, por qe kalon ligje ku kryeministri nuk mund te hidhet ne gjyq per korrupsion pasi eshte shume i zene, nuk vlen per ta futur Berluskonin ne kategorine e diktatoreve si Hitleri, pasi kjo eshte vetem nje qime floku, e me nje qime te rene, nuk mund ta quajme qeros, do ishte e tepruar. Po ashtu, kur Berisha sillet e flet si Enver Hoxha per te droguarit me koka kole nga imperializmi amerikan, apo te dorguarit nga Al Kaeda, sic tha Gadafi per protestuesit, kur vete Berisha thote se protestuesit e 21 janarit ishin te droguar, nuk mund ta quajme Enver e Gadaf, pasi kjo vetem nje qime floku eshte. Po ashtu kur flet per puc shteti e komplote kunder rendit kushtetues, nuk mund ta krahasojme me asnje kategori tiranesh, pasi edhe kjo vetem nje qime floku eshte, e serish do ishte e tepruar. Edhe kur si pucist kategorizon institucionet e pavarura kushtetuese pervec protestuesve e opozites, duke futur keshtu shkopinj ne rrota te prokurorise, prape nuk mund ta quajme diktator, pasi nje qime floku eshte. Edhe kur kundershtaret e vet i kualifikon si zjarrvenes e tradhetare, prape nje qime floku eshte dhe eshte e tepruar ta krahasojme me diktatoret. Edhe kur kerkon tabulatet telefonike te organeve te pavarura kushtetuese e kembengul se mos marrja e tyre tregon mungese drejtesie, prape nje qime floku eshte. Edhe kur 21 janari shnderrohet ne 2 prill, prape nje fije floku eshte dhe e tepruar ta klasifikojme ne nje grup me diktatorin e fundit te komunizmit Shqiptar. Po ashtu, kur pasi qytetaret vriten ne rruge nga shteti sepse guxojne te protestojne, e menjehere me pas Berisha shpall privatizimin e gjithckaje kishte mbetur pa privatizuar, eshte e tepert ta krahasosh me diktatore te llojit te Pinochet, pasi po nje fije floku eshte.

    Ne vathet e arsyes ka shume arsye qe krahasimi te qendroje, ne mos me nje diktator te vecante, me klasen e diktatoreve. Te thuash se Berisha eshte Gadaf, Ben Ali, apo Mubarak, eshte krahasim qe qendron pikerisht per arsye se ai shfaq vecori te cilat i perkasin kesaj klase liderash. Ne vathet e arsyes ky nuk eshte edhe aq krahasim, se sa klasifikim. Ashtu si nje njeri pa floke klasifikohet si qeros sepse eshte akumuluar nje numer i madh flokesh te rena, ashtu dhe Berisha mund te klasifikohet si tiran sepse eshte akumuluar nje numer i madh arsyesh per ta klasifikuar te tille. Kjo eshte klasa – tirania – dhe krahasimi behet me individet e vecante qe i perkasin kesaj klase, por qe gjithsesi, arsyet ekzistojne e jane te shumta ne vathet e arsyes. Gjithcka tjeter, me duket si nje perpjekje e deshtuar per te fshehur qerosllekun me floke preshi, meqe edhe i doli emri ne titull ketij te fundit.

    1. Personalisht nuk jam ithtar as i jakobinizmit, as i cicmicizmit spekulativ; mundohem të ngre probleme thelbësore që prekin sferën publike shqiptare. Për Berluskonin nuk u zgjata, e mora thjesht si shembull ndërkombëtar, meqë vetë Umberto Eko e përgënjeshtroi në një farë mënyre krasimin (Berluskoni është si Hitleri) që ia kishin atribuar mediat, duke thënë se shprehja ishte shkëputur nga një kontekst i veçantë. Por është e qartë se unë nuk mendoj se kryeministri italian është si Hitleri.
      Qëllimi i shkrimit tim kishte më shumë të bënte me veçoritë e ligjëratës publike në Shqipëri, që karakterizohet nga një komunikim i eksituar, në thelb i droguar, që shkon përtej rreshtave të komunikimit normal. Krahasimet ishin shembuj.
      Kërkova që politika të mos komunikonte duke fluturuar në qiell, por t’i lidhte fjalët pas realitetit, në të mirë të politikës vetë.
      Ky komunikim i egërsuar mund të ndërsejë edhe tifozët dypalësh, pra duke krijuar arenën e përkryer për përledhje permanente. Ulja e toneve do ta lidhte gjuhën superetorike me arsyen, se gjuha kocka s’ka, por kocka thyen.
      Sa për flokët, edhe unë kam pak mbi kokë, por nuk e dija që bëkam pjesë në një kategori me Musolinin :).

  8. Nuk eshte hera e pare qe intelektuale te se majtes apo afer me te, krahasojne politikanet e vendeve demokratike (ku futet edhe Shqiperia, sipas konfirmimit amerikan) me Hitlere e Musolinra. Edhe Soros pati nje shkarje te tille njehere dhe krahasoi Bushin me Hitlerin duke u detyruar qe ta terhiqte ate qe kishte thene per Bushin dhe pranuar qe ne nje Shoqeri te Hapur, edhe sipas standardeve sorosiane, nuk mund te flitet per diktatore si Hitleri.

    Nderkohe edhe e djathta nuk ka ngelur prapa, ka nje diskurs agresiv me aludime per leninizmin e Obames apo te dikujt tjeter.

    Ne fakt, e majta utopike, ajo me fantazi te shfrenuar, nuk kqyr si te permisoje sistemin, si garantin per sot e per neser ndaj çdo lloj problematike autoritare e dobesie institucionesh, por pret Mesine. I ka varur shpresat tek ndonje profet qe do te vije dhe nuk do te kete asnje lloj temptimi keshtu qe sistemi nuk na duhet fare. Me gjase edhe do ta zhdukim shtetin fare. Keta jane fuckin joke. No big deal.

    Tani te dalim te Berisha dhe te ju bejme qejfin ramisteve me lloj lloj etiketash dhe t’u themi qe po, Berisha eshte i biri i djallit. Sipas njerezve afer tij, i kane pare Berishes ne koke tre 6. Kjo eshte mese e vertete. Po nese doni e pranojme qe Berisha eshte edhe vete Satanai/Djalli/Iblisi/Dreqi, problemi qendron se pse nuk e hiqni nga aty ku eshte. Mund ta hiqni me zgjedhje, mund ta hiqni me beteje parlamentare, mund ta hiqni me propagande etj. Presidenti nuk kontrollohet nga Berisha, prokuroria nuk kontrollohet nga Berisha, Sherbimi sekret jo, opozita jo e jo atehere çfare prisni?

    Pse nuk hetoi apo nuk heton prokuroria Gerdecin? 21 janarin? korrupsionin sipas opozites te ministrave te qeverise? E kontrollon Berisha prokurorine? E kontrollon Berisha shumicen e mediave?

    Nese kjo opozite eshte e paafte te munde Berishen megjithese zoteron plot pushtet, atehere ç’faj ju kemi ne ore zoterinje?

    Shqiptaret nuk jane aq te trashe sa te mos dine dallimin ndermjet nje diktature dhe diktatori, si ajo ne Libi, Egjipt etj. dhe Shqiperise sot. Diktaturen shqiptaret e kane vuajtur mbi kurriz. Nuk kane nevoje te shfletojne literature qe te mesojne karakteristikat e diktaturave, kane pervoje jetesore me te.

    Kur degjojne te tilla krahasime shqiptaret e çdo lloj bindjeje politike vetem qeshin dhe nuk i marrin seriozisht, pavaresisht qe per shkak angazhimesh politike edhe mund t’i brohorasin. Po te ishte per te besuar krahasime te tilla, Edi Rama duhej izoluar me kohe se ka ngjashmeri me disa nga emrat qe na tmerrojne ne sapo i degjojme.

  9. Te krahasosh Berishen me Enver Hoxhen, me e pakta eshte naivitet, me e shumta propagande demonizuese partiake. Ne te kundert Berisha ka sherbyer si gome shpetimi per te gjithe ata qe kane arsye te tremben nga e kaluara e tyre. Imagjinoni nje te djathte klasike pa Berishen dhe me kryetar X. I vrullshem dhe i menjehershem do te ishte denimi i krimeve te diktatures, prandaj kot qahen te majtet nga Berisha. Nese Berisha ka bere mire apo keq me qendrimin e tij te bute, kjo eshte nje çeshtje qe ha diskutim.

  10. PS e ktheu pllaken e gramafonit nga krahu tjeter tani: S’jemi si Libia e si Tunizia, e megjithate Toka rrotullohet, kshu qe pra Berisha duhet te ike. http://www.noa.al/2011/02/ps-ja-pse-nuk-jemi-libi-e-tunizi/

    Bir retoriku nenes ku te te kap me pare… I beri cope militantet Edi Rama, keta te gjorit duhet te kene frena te forta qe te marrin kthesa te tilla 175 grade.

    Mentor Kikia ka nje artikull interesant tek Start, me te cilin s’ka dyshim qe shume komentues ketu s’do jene dakort: http://www.gazetastart.com/analist.php?kategoria=Analistet&analist=Mentor_KIKIA&nr=32542

  11. …’Jo, krahasimi, po të flasim nga pikëpamja intelektuale, mund të bëhej me Hitlerin: edhe ai arriti në pushtet me zgjedhje të lira…”

    Eco, si cdo i majte, ne emer te shpirtit (quaje ndryshe ide), eshte i lire ne miell, e i shtrenjte ne krunde. Aq me teper kur je ne Jeruzalem.

    1927 – prodhimi industrial ne Gjermani eshte 22% me i larte se sa ne 1913
    1926 – Shtator. 600 mije te papune ne Gjermani
    1928 – Ne zgjedhje Nacional Socialistet fitojne 12 vota ne nje parlament prej 600 vetash. E gjithe klasa politike tallesh me “burrin e vogel”
    1929 – Shembja e tregut te aksioneve ne USA. Banakat amerikane kerkojne pagimin brenda 90 ditesh pagimin e te gjitha borxheve qe Gjermania u kishte atyre
    1930 – 3 miljon te papune
    1930 – zgjedhje te reja. Nacional Socialistet fitojne 107 vende ne parlament,nga 12 heren e fundit. Social Democratet fitojen 143 vende, ose 24.5 % te parlamentit. Komunistet fitojne 10.7 % te parlamentit. Komunistet bashke me Kominternin shohin oren e xhepit, se kur do te vije ora e revolucionit te tipit rus. Hindenburgu, presidenti i republikes, si nje junker i vjeter, pranon me mire djallin qe e njeh se sa ate qe s’e njeh. Dhe cakton kancelar te Gjermanise Bruning, kryetarin e partise katolike qendrore. Ajo kishte vetem 11.3 % te parlamentit.
    1932 – 6 miljon te papune.
    1932 – 270 mije gjerman per ate vit, shohin vetevrasjen si rrugedaljen e vetme nga gjendja e mjere socio-ekonomike
    1932 – Berlini eshte kapitali i Europes per pornografi, prostitucion dhe droge
    1932 – Shteti i Thuringia-s i duhet te harxhoje 90% te buxhetit te vet per pagesat e welfare.
    1932 – Industria gjermane, pothuajse ne bllokim te plote.
    1932 – Zgjedhjet ne Gjermani, per president. Perballe njeri tjettri junkeri Hindenberg, me rreshterin Hitler. Hinderberg fiton me 19 miljon te votave. Hitleri humbet me 11 miljon.
    1932 – Korrik. Zgjedhjet parlamentare ne Gjermani. Nacional socialiste fitojne 230 vende nga 670. Komunistet 89. Pa shumice votash, Nacional socialistet nuk krijojne dot qeveri, por dhe nuk pranojne te aprovojne qeveri qe nuk denjon ti marre ata ne konsiderate.
    1932 – Nentor. Zgjedhje te reja parlamentare. Nacional Socialiste, per cudi te te gjithve, humbasin 34 vota, nga 230 ne 196. Komunistet fitojne 11 vota me teper, per nje total prej 100 votash, ose 17% te parlamentit. Duke pare rritjen e vazhdueshme te komunisteve, dhe me bindjen se kush qendronte prapa tyre, duke pare keqesimin e vazhdueshem te gjendjes socio-ekonomike ne vend, dhe paaftesine e klases politike per te bere marre masa ne kete drejtim, Hindenburg ne janar te 1933 ia jep pushtetin Hitlerit, duke e caktuar ate kancelar.
    Demokracia s’hyn kerkund ketu. partia e Hitlerit nuk fitoi asnjeher mbi 37% te vendeve ne parlament.

    Cfare gjithe ky sinopsis tregon, eshte se njeriu eshte nje kafshe sociale. Se pari kafshe. Dhe me pas nje qenie sociale.’Si e tille , ne shkolle na mesonin se mbi te gjitha njeri ka nevoje ne radhe te pare per nje strehe per tu mbrojtur, rroba per tu ngrohur, dhe ushqim per tu ngopur.
    Ne zgjedhjet e 12 nentorit te vitit 1933, pjesmarrja e gjermaneve ishte 96 %. Votat per Hitlerin ishin 92%.
    Po te mos ta kish zhytur Gjermanine dhe boten ne luften e 2 boterore, ka shume mundesi qe Hitleri per gjermante, do kish hyre ne histori si gjermani me i madh i te gjitha kohrave.

    p.s: meqe ishim tek preshi, me duket se s’do kete me presh ne gjithe Afriken e veriut dhe ne Lindje te mesme, per nje kohe shume-shume te gjate.

    1. “Ne zgjedhjet e 12 nentorit te vitit 1933, pjesmarrja e gjermaneve ishte 96 %. Votat per Hitlerin ishin 92%.”

      A nuk po konfirmon vetë atë që thotë edhe Eco për Berluskonin (dhe këtu për Berishën), që Hitleri u zgjodh demokratikisht me vota të lira?
      “Sikur të mos kishte … hyrë Hitleri në luftë, është njësoj si “Po t’mos kishte halla…”

      Se edhe për në Shqipëri, Berisha do ishte figura historike më e rëndësishme edhe se Skënderbeu sikur… të mos ishte thyerja e embargos së naftës, Gërdeci, 21 Janari, ’97 etj etj etj…

      1. Loje kalamajsh.

        Une them “ja ariu”, ti me pyet “ku i ka gjurmet. Pa ato s’kemi gje”

        Nderkohe:
        * News
        * UK news
        * British identity and society

        Searchlight poll finds huge support for far right ‘if they gave up violence’

        Level of far-right support could outstrip that in France or Holland, says poll for Searchlight…”

        Por cfare ka te beje kjo? Mjafton qe perrallat me mbret mund te vazhdojne se treguari.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin