Shumë prej nesh e komentuan intervistën e fundit të ambasadorit të ShBA në Tiranë Arvizu, dhënë Zërit të Amerikës; dhe me të drejtë. Edhe pse z. Arvizu është para së gjithash diplomat dhe shumë herë është i detyruar të flasë me gjuhë diplomatike, fjala e tij dëgjohet si fjala e shtetit që ai përfaqëson, dhe pesha e ShBA në politikën shqiptare mbetet vendimtare.
Megjithatë, një pasazhi të intervistës nuk iu kushtua vëmendja e duhur nga analistët, edhe pse ai meriton të komentohet imtësisht, në vetvete dhe në implikimet e shumta. Në këtë pasazh, ambasadori Arvizu konstaton ekzistencën e “dy kampeve kundërshtare të kundërta, me pikëpamje mjaft të kundërta” në politikën shqiptare, dhe pastaj shton:
Lajmi i mirë është se ndryshe nga vendet e tjera të botës, këtu nuk kemi të bëjmë me dy ideologji të kundërta lidhur me drejtimin e ardhshëm të vendit. Asnjë njeri serioz në Shqipëri nuk është për ndonjë drejtim tjetër veçse për integrimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe në Perëndim, për vazhdimin e lidhjeve të ngushta me Shtetet e Bashkuara. Pra, nuk ekzistojnë ndarje serioze sektare në Shqipëri. Kemi të bëjmë thjesht me politika personale.
Vërtet, drejtimet dhe orientimet strategjike të politikës së jashtme shqiptare – integrimi i plotë i Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe vazhdimi i lidhjeve të ngushta me Shtetet e Bashkuara nuk janë vënë ndonjëherë në diskutim; çka do të thotë edhe se partitë politike, e majta dhe e djathta, pajtohen mes tyre për këto pika të programeve.
Në vijim të argumentit të vet, ambasadori Arvizu e përdor këtë premisë për të nxjerrë përfundimin se “nuk ekzistojnë ndarje serioze sektare në Shqipëri” dhe se kundërtitë e kundërvëniet mes forcave politike kanë të bëjnë “thjesht me politika personale,” dhe kjo deklaratë të bën të mendosh.
Nga njëra anë, lufta politike, në Shqipëri dhe kudo gjetiu, nuk bëhet vetëm për çështje të politikës së jashtme dhe të strategjisë ndërkombëtare, sado të rëndësishme të jenë këto. Nga ana tjetër, nuk duket se është për t’u përshëndetur, as për t’u konsideruar “gjë e mirë”, fakti që partitë politike në Shqipëri i kanë programet kaq të ngjashme mes tyre dhe praktikisht luftojnë mes tyre për pushtet dhe politika kuadri, jo për çështje politikash të mirëfillta, duke përfshirë politikën e jashtme dhe përparësitë strategjike.
Varfërinë e debatit politik në Shqipëri nuk po e konstaton i pari ambasadori Arvizu. Programet e partive të ndryshme janë publike dhe kushdo mund t’i krahasojë, për t’u skandalizuar vetë dhe vetvetiu me shkallën e homologimit. Kuptohet edhe se, kur forca të ndryshme madje të kundërta politike luftojnë për të njëjtat objektiva dhe u falen të njëjtave vizione në politikë dhe në ekonomi, në industri dhe në bujqësi, në financë dhe në transport, në mjedis dhe në kulturë, në arsim dhe në shëndetësi, atëherë lufta politike mes tyre është e dënuar, njëfarësoj, të mbetet luftë politikash personale ose për të marrë dhe mbajtur pushtetin.
Me fjalë të tjera, nëse partitë politike nuk arrijnë të imponohen si përçuese sistematike idesh politike dhe programesh që shprehin interesat e shtresave ose të grupeve të ndryshme sociale, atëherë dallimi mes tyre do të priret të kristalizohet si dallim ose kundërvënie mes personave në udhëheqje të partive; dhe vetë partitë do të priren të rrëgjohen në klane të kristalizuara rreth krerëve përkatës.
Edhe në fushën e përparësive strategjike të politikës së jashtme, ku ambasadori Arvizu vëren se nuk ka dallime në pozicionet e palëve, do të kishte vend për sugjerime diferencimesh politike – p.sh. në lidhje me shpejtësinë dhe natyrën e reformave të kërkuara e ndonjëherë të imponuara nga organizmat ndërkombëtare, ose bashkëpunimin ekonomik me fqinjët, ose pjesëmarrjen në operacione ushtarake dhe të anti-terrorizmit, siç ndodh rëndom në vende të tjera të Europës dhe të botës. Ka diçka të pasinqertë, hipokrite, madje fshehtazi kërcënuese, në këtë mungesë tërësore diferencash mes qëndrimeve ndaj çështjeve madhore strategjike; diçka që fare lehtë mund të merret si pozë oportuniste, ose edhe, për ta thënë troç, falsitet.
Megjithatë, mungesa e diferencave në politika, programe dhe qëndrime tërheq vëmendjen për natyrën e vet skandaloze tjetërkund – dhe pikërisht në çështje që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik të Shqipërisë vetë, politikat sociale, politikat e mjedisit dhe të turizmit, politikat e arsimit dhe të shëndetësisë, politikat e zhvillimit urban, politikat e transportit publik ose të gjitha ato sfera në të cilat partitë politike do të duhej të luftonin normalisht për interesat e shtresave, grupeve dhe të palëve që përfaqësojnë, me përkufizim të ndryshme.
A është gjë e mirë kjo? Natyrisht që nuk është gjë e mirë. Mungesa e luftës politike, ose e pluralizmit politik të mirëfilltë krijon, në publik dhe në vetë elitat politike, iluzionin se ka vetëm një bashkësi zgjidhjesh politike të pranueshme, dhe se e vetmja çështje në diskutim është se cila palë pikërisht, e majta apo e djathta, PS-ja apo PD-ja, Hasani apo Hyseni, është pala e përshtatshme për t’i mbikëqyrur dhe zbatuar këto zgjidhje të paracaktuara (zakonisht nga të tjerët, “ekspertët”, idealisht nga të huajt). Logjikisht, ky iluzion i dëmshëm, madje i rrezikshëm, shpie në atë realitet, ku lufta politike mes palëve shndërrohet në përplasje personalitetesh ose përballje personash, jo idesh.
Ambasadori Arvizu me të drejtë përsiat që politika shqiptare nuk artikulohet sipas kundërtish madhore, por është e kapur, do të shtonim ne, përjetësisht dhe dëshpërimisht, në ngërçin e përplasjes mes liderëve të grupimeve ose të klaneve të cilat, për shkak të një incidenti leksikor, quhen ende “parti politike”, por që në të vërtetë konstituohen si shtabe gjeneralësh të betejave të pafund për pushtetin në qendër dhe në bazë, dhe kuadrin në administratë dhe në institucionet. Kjo vërtet mund të shërbejë si provë që “nuk ekzistojnë ndarje serioze sektare në Shqipëri,” por z. Arvizu duket se e nënvlerëson nevojën e ngutshme që ndien politika shqiptare, në qendër dhe në periferitë, për pluralizëm të mirëfilltë të ideve, jo të personave.
E kam fjalën për atë lloj pluralizmi që kultivohet në një vend perëndimor model, si vetë ShBA; ku lufta politike shtjellohet e gjallë dhe zakonisht e shëndetshme në të gjitha nivelet: që nga çështje madhore si ajo e ndërhyrjes amerikane në Lindjen e Mesme ose e pranisë ushtarake amerikane në botë, e deri në çështje sociale të tilla si reforma në sigurimet shëndetësore, globalizmi dhe ekonomitë lokale, shkalla e ndërhyrjes publike në ekonomi, drejtimet e investimeve në teknologji, tarifat fiskale për shtresat e ndryshme të popullsisë, transporti publik/vs. transporti privat, ndërprerja e vullnetshme e shtatzënisë, marrëdhëniet mes fesë dhe shtetit dhe, jo për t’u nënvlerësuar, martesat gay ose qëndrimi ndaj homoseksualëve në forcat e armatosura. Dy forcat politike kryesore amerikane, demokratët dhe republikanët, artikulojnë pozicione kaq të arsyetuara dhe të përpunuara ndaj këtyre çështjeve, sa ndonjëherë mjafton ta dëgjosh a ta shohësh çështjen të formuluar, për të marrë me mend se si do të pozicionohen demokratët dhe si republikanët; çka do të thotë edhe se pluralizmi politik, në ShBA, është i integruar thellë në jetën sociale të vendit dhe arrin t’i shprehë kontradiktat brenda shoqërisë amerikane në mënyrë organike dhe të pavarur nga individët që e përçojnë këtë politikë dhe komunikojnë me publikun.
Nga ambasadori Arvizu unë do të kisha pritur, për këtë arsye, që t’i shpjegonte publikut të Zërit të Amerikës se teatri i politikës në Tiranë, që u vjen përditë në shtëpi nëpërmjet mediave, është më tepër imitim mekanik i pluralizmit perëndimor sesa versioni lokal i këtij pluralizmi; se një shoqëri nuk mjafton të jetë e përçarë dhe e segmentuar, për t’u konsideruar si pluraliste; dhe se kur një regjim autoritar shembet dhe copëtohet bujshëm në disa pjesë, këto pjesë nuk mjaftojnë, në vetvete, për t’u shërbyer si themel politikave pluraliste.
Aq me rëndësi kritike është anemia e debatit politik të mirëfilltë mes elitave politike në Tiranë, sa pa e tepruar mund ta numëronim mes shkaqeve të pareduktueshme të krizës të tanishme institucionale dhe konstitucionale; sa kohë që liderët politikë po e bëjnë zakon të luftojnë jo aq për të çuar përpara këtë apo atë program strategjik ose nismë konkrete, sesa për të qëndruar në pushtet me çdo kusht; me bindjen se ndërrimi i tyre në krye të punëve nuk do të ketë asnjë domethënie në jetën politike shqiptare, përveç stafetës së klaneve dhe hemorragjive shoqëruese të kuadrit, në të gjitha nivelet dhe instancat. E ushqyer nga varfëria e mendimit politik, kjo bindje ka gjetur shprehje, tani së voni, në pikëpamjen mjaft të përhapur se “si Berisha si Rama janë njëlloj”, e cila homologon jo vetëm dy liderët politikë të palëve ndërluftuese, por edhe vetë partitë politike, të cilat identifikohen nëpërmjet këtyre dy personave dhe konstituohen si zgjatime të trupit dhe të personalitetit tyre në shoqërinë shqiptare. Është një pikëpamje në thelb anti-politike, nga e cila asnjë e mirë nuk i vjen Shqipërisë dhe qytetarëve, por për të cilën përgjegjësi kanë vetëm e vetëm elitat politike të cilat e kanë thjeshtuar gjakimin e tyre në një kacavarje primitive pas pushtetit, të konceptuar si administrim të “plaçkës”.
Kjo varfëri, kjo amulli, ky rrafshim i mendimit dhe i debatit politik nuk premton asgjë të mirë edhe për zgjedhjet lokale, pavarësisht nëse këto do të zhvillohen tani ose do të shtyhen më pas ose do të gërshetohen me zgjedhje të tjera ose referendume. Nëse qytetarët do të thirren, në mes të kacafytjes politike të tanishme, për të zgjedhur, deri edhe në këndet më të humbura e më të amortizuara të provincës shqiptare, midis këtij njeriu të Berishës dhe atij njeriu të Ramës, me shpresë se rezultatet e zgjedhjeve lokale do të mund të shtihen pastaj në punë, si armë të reja, në dyluftimet mes krerëve në Tiranë, atëherë nuk ka pse të çuditemi, kur po këta qytetarë t’i përgjigjen ftesës për pjesëmarrje me indiferencë, dhe karikaturës së pluralizmit t’i kundërpërgjigjen me një karnaval të demokracisë.
Në rrethana të tilla, e kotë ta shtojmë, edhe objektivat madhorë të politikës së jashtme shqiptare, integrimi politik dhe ekonomik në BE dhe ruajtja e marrëdhënieve të ngushta me ShBA, do të vijnë duke u zbrazur krejt për nga kuptimi, meqë nuk do të shprehin aq vullnetin politik të qytetarëve, sesa oportunitetin politik të elitave përkatëse, në emër të mbijetesës së tyre si elita në pushtet.
Shënim: Ky shkrim, i botuar në Shekulli, më dt. 11 shkurt 2011, shtjellon më gjerë një shkrim të mëparshëm në blog. Ju ftoj, nëse keni kohë, t’u hidhni një sy komenteve te faqja e Shekullit, për të parë, së bashku me mua, sa e vështirë po bëhet të arsyetosh në klimën e sëmurë politike të krijuar në Tiranë. Të njëjtën gjë e kam ndier edhe te ResPublica, javët e fundit; lexuesit e këtyre mediave nuk duan më të reflektojnë, as të gjykojnë për çfarë por ndodh, por vetëm kërkojnë me çdo kusht mbështetje emocionale për dëshirën e tyre që të bjerë Berisha. E njëjta frymë, ndonëse me drejtim të kundërt, besoj se ndihet në media të tjera, të afërta me të djathtën.
Si dukuri, kjo konfirmon jo vetëm radikalizimin e opinionit, ose përçarjen e madhe, traumatike, hemorragjike, që po i ndodh opinionit publik atje, sidomos pas 21 janarit; por edhe radikalizimin e mendimit brenda kampeve të kundërta. Është një situatë kur qëndrimet ekstreme janë të destinuara të fitojnë; edhe pse qëndrimet ekstreme herët a vonë do të ushqejnë dhunën. Në mediat kjo edhe mund të gëlltitet; tek e fundit, shumë prej komentuesve janë veç llafazanë të padëmshëm; por nëse i njëjti tension elektrizon edhe forumet partiake ose politike në përgjithësi, triumfi i ekstremizmit asnjë të mirë nuk do të sjellë.
Vëreni edhe obsesionin e militantëve, vullnetarë ose operativë qofshin, me kohën ose më mirë koincidencat; një palë të thonë: “nuk është koha tani për të ngritur probleme të tilla”, ndërsa një palë tjetër “nuk është rastësi që ti ke zgjedhur pikërisht këtë moment për të…” etj. Paranoja dhe, ndonjëherë, teoritë e komplotit kombinohen me një vizion prej gjenerali në çmendinë, meqë sa më shumë tensionohet gjendja, aq më gjerë mbizotërojnë preokupimet e këtyre njerëzve me strategjinë. Gjëra të vogla, si p.sh. që politika duhet të ketë përmbajtje; që ajo duhet t’u flasë njerëzve për çfarë i shqetëson, jo t’i shndërrojë këta në publik televiziv të ndeshjeve të mundjes amerikane mes liderëve, etj. nuk tolerohen më.
Duke lexuar disa prej komenteve te Shekulli, m’u kujtua se kur e pyetën Mussolini-n, dikur para “marshit mbi Romë”, se cili ishte programi i partisë së vet, ky u përgjigj: “Të marrim pushtetin.” Ky ishte programi i Partisë Fashiste, një fjali e vetme. Çfarë më konfirmon, edhe pse nuk kisha nevojë, që fashizmi vjen natyrshëm në politikë, buron vetvetiu nga strukturat patriarkale, autoritarizmi, preokupimi obsesiv me çështje të etikës në politikë, kulti i dhunës si instrument purifikues, adoptimi, prej krerëve, i rolit tradicional të kryetarit të fisit…
Të gjitha këto surrogato të dhunës së mirëfilltë, masive, gjakut të derdhur, po e kalbëzojnë e qelbëzojnë atmosferën politike dhe në përgjithësi publike; njerëzit, në atë masë që shndërrohen në turma të pushtuara nga emocioni, kërkojnë veç viktima sakrifikale. Në kohëra të vjetra të paktën thernin një sorkadhe ose një pulë dhe e qetësonin Hyun!
Xhaxhai, ne nge paragraf shkruan:
…”Me fjalë të tjera, nëse partitë politike nuk arrijnë të imponohen si përçuese sistematike idesh politike dhe programesh që shprehin interesat e shtresave ose të grupeve të ndryshme sociale, atëherë dallimi mes tyre do të priret të kristalizohet si dallim ose kundërvënie mes personave në udhëheqje të partive; dhe vetë partitë do të priren të rrëgjohen në klane të kristalizuara rreth krerëve përkatës…”
Nje pergjigje e shkurter do te ishte: you can not miss something you have never known. Dhe ketu e kam fjalen per krijimin dhe percimin e ideve, e cila kalon patjeter ne nje rruge dykaheshe: nga privatja – ne publik – ne politike – ne shtet; dhe kahu tjeter: nga politika – shteti – publikja – privatja
Por edhe sikur keto elemente te ekzistonin, kjo nuk i ben ato nje ure qe do te mund te perdoret per te lidhur dy anet e gremines, ku ne njeren ane eshte privatja dhe ne anen tjeter eshte publikja. Kjo ure, te cilen Habermas e quan “sfera politike publike” duhet akoma ndertuar.
Habermas ka nje liber shume interesant me titullin “Transformimi Struktural i Sferes Publike”, ku ai merret me ekzaminimin e publicitetit qe ekzistonte ne Europe ne shek. 18., formimin e sferes publike politike, si pasoje, dhe rolin e saj si faktor politik ne jeten politike te kohes.
Krijimi i sferes publike politike – qe autori e quan sfera publike borgjeze – per here te pare ndodhi ne Angli, dhe koincidon me revolucionin industrial. Simbas autorit perpara tij ekzistonte vetem “publiciteti perfaqesues” (representativ publicity), ku mbreti ishte i vetmi person publik, dhe gjithe te tjeret ishin spektatore. Realmi i publikes dhe privates nuk ishte i ndare.
Katalizatori per kalimin nga sfera private ne ate publike ishte zhvillimi EKONOMIK. Dhe karakteristika e kesaj sfere publike ishte “perdorimi publik i arsyes ne debate racionalo-kritike”. Ne fund te fundit sfera publike s`ishte/eshte tjeter vecse sfera e njerezve private te cilen mblidhen se bashku per te krijuar nje “publik”. Habermas e sheh sferen publike te dale nga e te zhvlillohet prej gjirit te institucionit privat te familjes, dhe nga ajo qe ai e quan “sfera publike letrare”, ku diskutimet mbi artin dhe literaturen u bene te mundur per here te pare. Sfera publike nga vete perkufizimi i saj ishte inkluzive, por hyrja ne te varesh se pari nga edukimi i personit dhe nga kualifikimet e tij nga ana materiale.
Zhvillimi i sferes publike si entitet u arrit te institucionaizohet ne shek. 19 , neper kushtetutat e ndryshme ne Europe dhe konsensui publik u perdor si mjet per te balancuar pushtetin e shtetit, dhe per perdorim ilegjitim te pushtetit.
Po te perdoren te njejtat mjete ne te parit te shoqerise shqiptare dhe rolit/ ekizstences se sferes publike ne te, nuk do te ishte thjesht figure retorike, pohimi se ne Shqiperi ajo qe mbisundon jeten publike duket se eshte “represenatitive publicity”, ky mbret – shteti yni-, paraqet veten perpara nje audience, si i vetmi person publik. Te gjithe te tjeret s`jane vecse spektatore. Kapercimi i nje gjendje te tille kerkon me teper se sa perdorimi i fjaleve magjike per te larguar “syrin e keq”, sic eshte demokracia, liri e fjales, pluralizem, zgjedhje te lira etj, etj. Pa zhvillimin e nje sfere publike, jo vetem ne forme, por edhe ne permbajtje, zhvillimi i ideve qofshin ato te nje natyre ekonomike, politike, sociale apo kulturore, kristalizimi dhe venia ne jete e tyre, do te mbetet nje detyre e veshtire, ne mos e pamundur, per shoqerine shqiptare.
Habermas e ve theksin ne rolin e sferes publike, si nje menyre me ane te te ciles nje shoqeri civile artikulon interesat e veta.
Of course.
Po ne s’na mungon nje derrase a dy, ne na mungon e gjithe dyshemeja, gozhdet, margangozi, per te mos thene dhe lenda e pare qe mund te behet derrasa.
Keto faqet shqiptare ne internet ne kohe te tilla, me teper sesa nje sfere e mirfillte (alternative) publike (se kush ja ve veshin?), shfaqin frustrimet e shume shqipove pikerisht per mungesen e kesaj sfere.
Cfare ‘venues’ ka sot nje njeri i paingranuar ne–ose qe s’i bie fyellit te–falangave politike-mediatike-mercenare per tu shprehur?
Pa media te mirefillta, s’kemi gje ne vije.
Per privatet, veshtire te cmercenarizohen per ca kohe, po nje televizion publik i mirefillte do ishte ilac…per kete askush (ose shumepak-kush) flet me tashme, pra per ta bere TVSH nje televizion te mirefillte publik e jo nje radio-qeveria.
Xhaxha, kjo ceshtja e homologimit eshte pak me spec per vete karakterin e popullates. Thjesht populli eshte i kondicionuar qe te shohe gjithcka si mjet a rruge qe te dergon drej te njejtit synim. Besoj se te gjithe e dine qe po te flasesh me nje Shqiptar mbi zgjedhjet e tyre fetare do te thone ‘c’rendesi ka? Eshte e njejta gje’ madje haptazi do i homologojne fete dhe ideologjite me partite duke te thene “Eh..parti jane te gjitha”. Keshtu qe ai stan ate brume ka. Eshte nje ushtrim i kote ai i marrjes te mundimit te mendimit mbi programe partish, kur synimi ‘fashist’ mbetet ai i ‘poltikave te kuadrit’.
Dikush mund te permendi ketu Partine Komuniste qe kishte brume me vete(dmth njerez vertet parimore)..po ama ‘petrita’ ishin vetem 200…ata 20,000 te tjeret qe u shkuan pas me vone do u beje nder po ti quaje ‘pula’.
Po në qoftë kështu, dhe unë e kam vështirë të të kundërshtoj, atëherë ne kemi adoptuar një sistem formal që nuk i përgjigjet shoqërisë shqiptare, ose u kemi dhënë peshqve biçikleta. Ndoshta një regjim liberal dhe tolerant, që të respektonte të drejtat e njeriut, pronën private, pakicat dhe shtetin e së drejtës do të kish qenë për ne ku e ku më i mirë se ky i tanishmi, i organizuar rreth demokracisë dhe pluralizmit partiak.
Arvizu tek kjo pjese i referohet ndasive, duke marre parasysh vende e tjera te botes se trete dhe elementeve te ndjeshem per Ameriken si komunizmi dhe islami.
Kur thote integrimi ne BE dhe lidhjet e ngushta me SHBA-ne, thote qe as komunizmi as islami, nuk perbejne faktore me rendesi ne kete perballje politike.
Ai vete e ndjen veten te lehtesuar ne detyren e tij paqetuese.
Nga ana tjeter, çeshtjet e mirefillta te brendshme, nuk i interesojne shume diplomacise, se pergjithesisht likujdohen si çeshtje interesash jo mbarepublike, pra si çeshtje personale ose grupesh, qe ne fund te fundit lidhen me interesa vetjake.
Ketyre çeshtjeve nuk u jepet zakonisht titulli ‘interes publik proprie dicti’, meqe psh fakti qe nje punetor do rrogen e larte eshte interes i mirefille vetjak qe e shtyn te votoje per x ose y force politike qe premton rritje rroge.
Pra keto me shume se mirefilli publike, jane çeshtje qe rrokullisen mes privates dhe publikes.
Perkunder, diplomacia qe merret me interesin e mirefillte publik, i has sharra ne gozhde, kur brenda vendit ka kacafytje ku perfshihen komuniste apo islamike qe e pengojne vete diplomacine te kryeje punen e saj ne mbrojtjen e interesave te mirefillte publike ose interesave mbarepublike.
Mendoj se Arvizu kete ka pasur parasysh, kur ka folur i lehtesuar qe Shqiperia e Konferences islamike nuk eshte aspak islamike dhe se Edi Rama i akuzuar si komunist nuk eshte aspak komunist.
Pjesa tjeter, se kush eshte pro apo kunder abortit, ka rendesi zero per ate, sikunder thashe me lart, pak a shume gjithe çeshtjet e brendshme, nuk jane publike ne vetvete, meqe kemi me se shumti interesa individuale qe mbrohen fale bashkimit ne grupime, prej nga edhe behen çeshtje publike.
Nga çeshtjet e brendshme vetem ato morale, jane mirefilli publike, por vetem pse iu grabiten fese, aty ku feja eshte e forte nuk ka fare çeshtje morale, se jane punet e Perendise.
Megjithatë, Hyllin, gjërat janë të lidhura.
Edhe në ShBA, bie fjala, çështjet e martesave homoseksuale ose të abortit mund të jenë soft, por rrënjët i kanë në politikat e krishtera. Njëlloj edhe debati për heqjen e simboleve fetare nga institucionet publike. Në Shqipëri, është bërë një debat i ngjashëm për shamitë që përdorin vajzat myslimane për të mbuluar flokët; sikur ky debat të ishte përcjellë në tryezat e politikës, ja do ta kishim edhe elementin islamik dhe me të drejtë. S’ka ndonjë hata këtu – nëse feja kërkon të jetë relevante, sado pak, në jetën sociale atëherë do të përplaset me politikën se s’bën. E kam fjalën që, ngaqë partitë politike shqiptare nuk kanë program, por vetëm vullnet të organizuar për të marrë pushtetin, atëherë ne nuk e dimë, në thelb, se për çfarë do të dallohen ato mes tyre, nëse u hapin rrugë ideve. Ti thua: punëtori që kërkon të paguhet më shumë – kjo duket si kërkesë e pafajshme, mirëpo pas kësaj kërkese qëndron sindikata dhe pas sindikatës një parti e majtë, p.sh. komuniste. Ja ku doli edhe komunizmi, të cilit iu trembka ambasadori amerikan. Këto janë gjëra themelore në politikë, nuk u shpëton dot. Edhe një debat për çështjet e mjedisit, fare lehtë mund të kalojë në një debat mes atyre që i duan investimet e huaja në industri dhe të tjerëve që nuk i duan; pa përmendur rrezikun e një pale të tretë, që të kërkojë largimin e një baze të NATO-s, meqë po ndot mjedisin. Dhe ja ku dalim nga ujërat e zeza, te anti-amerikanizmi. Ose, bie fjala, një kompani nga Emiratet Arabe vjen të ndërtojë një hidrocentral në Shqipërinë e Veriut; nëse mjedisorët i kundërvihen atje për arsyet e tyre, por luajnë edhe kartën e ndikimit të Islamit, ose të Konferencës Islamike, ose ku di unë çfarë tjetër, kthehemi përsëri te çështjet madhore. Prandaj thelbi këtu është që debati mungon – po të kishte debat, atëherë do ta shihnim. Se si do të artikulohej ky debat, në forma pluralizmi të vetvetishme, këtë e shohim në forumet e lira të diskutimeve online: jugu përballë veriut, të krishterët përballë myslimanëve, qyteti përballë fshatit, të ardhurit përballë vendësve, shqiptarët përballë pakicave (joshqiptarëve), patriotët përballë të shiturve, e kështu me radhë. Kjo do të ishte politika shqiptare, po të liheshin gjërat të zhvilloheshin normalisht. Ta shihnim pastaj nëse do t’i dilte apo jo gjumi natën Arvizut.
Keto te gjitha qendrojne ne lidhje me Shqiperine, edhe mbi ndikimin e mundshem komunist apo islamik, prandaj edhe lehtesohet Arvizu qe perplasja per te cilen e kane sjelle arbiter, nuk i ka keto ngjyra, po eshte muhabet tregtaresh, jo dua kaq, po dua aq.
Ne fund te fundit, nuk mund ti kerkojme Arvizut te na ndihmoje ne nyjetimin e brendshem politik, te cilin as e duam nder te tjera dhe kete Arvizu e kapi menjehere duke na e ngjeshur qe jemi te korruptuar. Ne fakt korrupsioni ne Shqiperi eshte interesi publik me i mbrojtur ne absolut, po lexojme gjera ku korrupsioni mbrohet si interes publik e akuzohet si interes qeveritar( dmh i nje pjese te parise).
Per mua demokracia eshte interes paresor dhe Arvizu eshte kembane alarmi per demokracine, po ne fund te fundit Arvizu s’na ka ndonje gje per borxh, ate e kane sjelle se ne jemi kunguj qe veme ne krye kungujt e medhenj dhe atij i kane caktuar si rol qe ne te mos bejme harakiri per hir te kungujve te medhenj e keshtu te demtojme edhe interesat amerikane ne rajon.
Plasja me vjen edhe mua, po s’kemi ç’ti bejme. Me shume pershtypje me beri nje fraze e gatshme e Countryman :
-Kur ka një mungesë demokracie, përgjigjia është më shumë demokraci.
Pavaresisht recetes se tij, kjo ‘me shume demokraci’ si pergjigje, duhet menduar mire.
Si mund te reagojme me me shume demokraci ?
Nuk besoj si po behet ne shume media duke piketuar Arvizun dhe Ameriken, vendimi i Amerikes ne forme e prere eshte detyrues per ne, sepse po vete ne e kerkuam Arbitrazhin e saj.
Si tani, i kerkojme arbitrazh nje pale te trete dhe nuk duam te pranojme vendimin ?
Hidhur me vjen edhe mua, tek tema e pare i kam shprehur gjithe rezervat, por vendimi u mor, vete e kerkuam palen e trete.
Arbitrazhi eshte i detyrueshem, eshte si vendimi i gjykates.
Pertej Amerikes mesa di une s’ka gje tjeter, pra arbitri eshte suprem.
Ne nuk po tregojme civilizim me mospranimin e vendimit, biles nese ne vazhdojme gjate ne kete linje, rrezikojme qe heres tjeter pas Europes te na braktise edhe Amerika e do te na duhet ta nxjerrim vete qimen nga qulli, po si ?
Duhet te kuptojme pse eshte kaq e vertete fraza e gatshme e Countryman, kur ka mungese demokracie, pergjigja eshte me shume demokraci.