Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media / Revoltë

NA GËNJEJNË

Sot qëndrimi ndoshta më i arsyeshëm, përballë çdo informacioni në rrjetet sociale, është skepticizmi: me gjasë, po të shërbehet diçka e pavërtetë, shpesh edhe me synimin për të të mashtruar. Ky lloj kujdesi skeptik vlen veçanërisht për informacionin e përcjellë me imazhe – fikse ose video. Më e mira është t’i shohësh si të dyshimta dhe të mos i përdorësh si premisa, për të nxjerrë përfundimet e tua. E shumta, mund t’i shohësh si copëza argëtuese dhe të dëfrehesh me to. Por pa harruar se krijuesit e këtij informacioni gjithnjë synojnë të përfitojnë prej teje, në mos drejtpërdrejt, të paktën tërthorazi.

Ka një kategori modeste përdoruesish që nuk e kanë marrë vesh akoma se imazhet manipulohen, me AI ose edhe me softuer tradicional; dhe se një imazh, sado “fotografik” të duket, mund të jetë po aq i rremë sa edhe pseudonimi i atij që e ka nxjerrë ose e ka bërë “share”; ose edhe reputacioni i atij që e propagandon. Këta përdorues u përkasin zakonisht moshave të treta, që janë mësuar me një lloj tjetër mediash, ku fotografia dhe videoja (filmi) vlente edhe si provë materiale. Këta nuk janë shumë, por ndërhyjnë shpesh dhe shkruajnë komente pa fund, ose bashkëndajnë gjëra pa i verifikuar. Madje pa u shkuar mendja se ca gjëra, për shembull imazhi i Ramës duke u arratisur nga Rinasi, nuk mund të mos i verifikosh para se t’i bësh të tuat. Nuk e njohin qasjen kritike. Edhe pse e zbatojnë, me zell të madh, ndaj kujtdo që shpreh një mendim që bie ndesh me gjërat që ata besojnë ose kujtojnë se “dinë”.

Një kategori tjetër përdoruesish edhe e kanë dëgjuar, që imazhet mund të manipulohen ose të krijohen nga hiçi, por nuk janë gati – në parim – për t’i verifikuar ato imazhe, që mbështetin bindjet e tyre personale (të krijuara zakonisht falë imazhesh dhe tekstesh të tjera, njëlloj të rreme). Për ta një kartelë klinike e Ramës është gjë e sajuar, por jo një kartelë e ngjashme e Berishës; sepse Berisha është i anës tjetër, kundërshtari i tyre politik, për të cilin edhe gënjeshtra shndërrohet në të vërtetë, madje duhet të shndërrohet në të vërtetë. Këta i trajtojnë teoritë konspirative si forma të retorikës – ose argumente “metaforike”.

Ca të tjerë i konsumojnë imazhet në vijueshmëri të tekstit shoqërues; dhe kur u është konfirmuar se Ministrisë së Arsimit i kanë kallur zjarrin, e besojnë edhe imazhin – e krijuar me AI – të ndërtesës së ministrisë, përfshirë nga flakët. Madje jo vetëm e besojnë, por edhe ua shpërndajnë të gjithëve dhe bëjnë thirrje për këtë ose për atë. Imazhi i një institucioni që digjet është tronditës – por kjo nuk e bën të vërtetë. Por mund ta bëjë gjithsesi të dobishëm, për ata që duan ta vënë në punë.

Imazhi i fabrikuar i Ministrisë së Arsimit në flakë

Një kategori e katërt e dyshojnë menjëherë se imazhi mund të jetë i sajuar, por vendosin të mos e dyshojnë haptazi – sepse informacioni përkatës u shërben bukur, sidomos për të mobilizuar miqtë e vet dhe për të goditur armiqtë. Këta njerëz arsyetojnë pak a shumë kështu: imazhi mund të jetë i gënjeshtërt, por shpreh një të vërtetë të madhe. Ministria mund të mos jetë djegur deri në çati, por edhe mund të ishte djegur. Rëndësi ka që njerëzit të revoltohen. Kjo lloj qasjeje i trajton imazhet “fotografike” si të ishin piktura ose ilustrime – që duhen gjykuar për efektin e tyre, jo për marrëdhënien e tyre me realitetin. Këtu do të futja edhe të gjithë ata që i japin përparësi estetikës (“sa i bukur ky imazh!”) ndaj vërtetësisë.

Ngjan me këta një kategori e pestë përdoruesish: ata që e dinë se imazhi ose informacioni është i rremë, por megjithatë e trajtojnë si të ishte i vërtetë dhe e përdorin si argument në diatribat dhe arsyetimet e tyre, me shpresën se të tjerët nuk e kanë pikasur fabrikimin.

Një grup tjetër, i gjashti, – që do t’i quaja më shumë aktivistë se përdorues – marrin pjesë vetë në fabrikimin dhe shpërndarjen e imazheve të rreme, sepse duan që me to të ndikojnë opinionin publik, miqtë dhe kolegët e tyre, dhe këdo tjetër që do të infektohet nga virusi i gënjeshtrës.

Përballë këtij grupi, qëndron kundërfigura e tij – ata që paraqitin si të rremë krejt informacionin që shpërndahet në mediat sociale, duke synuar paralizën. Paraliza komunikimit i kanoset, potencialisht, nga çdo qasje kritike ndaj informacionit në mediat sociale; pyetja që duhet bërë këtu është se kush përfiton nga kjo dambllosje.

Natyrisht, një imazh i fabrikuar ende mund të pikaset, nga një mendje e kthjellët dhe e përgatitur. Ende mund të thuhet, po ashtu, se problemi kryesor në rrjetet sociale nuk janë sajimet dhe fabrikimet, por mungesa e mendjeve dhe e qasjeve kritike ndaj informzacionit; ose një lloj predisponimi i përhapur që, përballë atij informacioni që na intereson, na fton madje na bind që ta çarmatosim me vetëdije sistemin imunitar (atë që anglezi e quan “healthy skepticism”). I ulim të gjitha mbrojtjet, sepse duam që ajo diçka të ketë ndodhur, sa kohë që na i konfirmon gjepurat që kemi në kokë.

Është kjo dëshirë, që i bën përdoruesit të klikojnë dhe të bëjnë share informacione të sajuara e të paqena, duke ia sinjalizuar algoritmit, i cili pastaj bën punën e vet dhe angazhohet masivisht në përhapjen e dizinformimit.

Kështu ndodhi, ditët e fundit, me imazhin e një gruaje shtatzënë, që kish dalë në protestë duke valëvitur flamurin kuqezi, e veshur me uniformën “tipike” të protestuesve (veshje të zeza, çantë shpine, maskë). Edhe pse u provua se ishte fabrikuar me AI, imazhi u pëlqye dhe u përhap me rrugë virale, madje u integrua në një foto tjetër të fabrikuar, si mural i stilit të Bansky-t i vizatuar në fasadën e një ndërtese të paidentifikueshme, që me gjasë nuk ekziston fare në Tiranë (dhe gjetiu). Kurioze është që kjo fotoja e dytë rimerr elemente të fotos së parë, sikur të ishte kjo tjetra – djathtas –autentike. U argumentua madje se imazhi fillestar, i paraqitur si foto “autentike”, ishte për t’u shijuar dhe konsumuar si vepër arti vizual – të themi pikturë ose pllakat – sa kohë që i përmbante elementet e nevojshme për të përçuar frymën e protestës, përfshi edhe notat sentimentale (shtatzënia, sakrifica, e ardhmja) dhe simbolikën kombëtare.

Mediat online që e shpërndanë foton si “reale”, e shoqëruan me komente të tilla instrumentalizuese si:  “Një fotografi që flet më shumë se një mijë fjalë. Mes tensionit dhe turmës, flamuri kuqezi qëndron lart, duke u kthyer në simbol të qëndresës dhe guximit.” “Edhe gratë shtatzëna në protestë! Revolta qytetare nuk njeh kufij!” “Një imazh i fuqishëm që simbolizon qëndresën, shpresën dhe luftën për një të ardhme më të mirë për brezave që po vijnë”, të cilat të paktën provojnë se redaktorët e tyre u verbuan (ose zgjodhën të verbohen) nga potenciali propagandistik dhe mobilizues i imazhit, pa e vrarë mendjen për të verifikuar burimin e këtij dokumenti ose autorin e fotos (fotografin).

Imazhi gjithnjë manipulon, madje edhe kur është mirëfilli fotografik dhe synon të dokumentojë. Nuk ka foto që të mos ndërhyjë në perceptimin e realitetit – dhe të gjithë gabojmë, kur harrojmë se kemi të bëjmë me shenja, riprodhime dhe ikona (në kuptimin semiotik), të cilat veprojnë edhe me formën e tyre, ngjyrën, kuadrin, zgjedhjen e këndit, momentin e shkrepjes. Mass mediat janë vërtet zgjatime të shqisave (për ta thënë me McLuhan-in), por këto zgjatime – kur përsosen në funksionin e tyre – priren që t’i zëvendësohen realitetit (“ta amputojnë”, për ta thënë prapë me McLuhan-in). Inteligjenca artificiale thjesht ka ulur në mënyrë dramatike kostot e manipulimit, duke ua vënë këtë në dispozicion të gjithëve, si realizim të dëshirës.

Është e natyrës intime të algoritmit në rrjetet sociale që ta zgjerojë distancën mes subjektit (përdoruesit) dhe realitetit; prandaj sajimi, fabrikimi dhe manipulimi vijnë, si të thuash, me territorin. Rol kryesor këtu luan edhe zbehja e përgjegjësisë (autoritetit) moral të burimit – tjetër gjë është BBC-ja ose CNN-i ose Deutsche Welle, dhe tjetër gjë një portal që u krijua pardje; jo se BBC-ja ose CNN-i ose Deutsche Welle nuk manipulojnë, por sepse po t’u shpëtonte a po t’u zbulohej këtyre institucioneve të konsoliduara një fabrikim ose gënjeshtër, kjo do t’u kushtonte shumë, në terma të reputacionit por edhe thjesht ekonomike; prandaj edhe gënjejnë e manipulojnë më rrallë.

Dhe ngaqë sajimi është i integruar në vetë mënyrën si funksionojnë rrjetet sociale, i ashtuquajturi citizen journalism nuk mund të funksionojë ndarazi nga reputacioni i protagonistëve. Një copë informacioni, tekstual ose vizual, i hedhur në rrjet, nuk vlen as sa elektronet që e mbajnë gjallë – përtej mundësisë (madje ftesës implicite) për ta bashkëndarë dhe për të ndikuar mendjet e të tjerëve. Suksesi i kësaj teknologjie të shumëfishimit mekanik varet nga naiviteti i përdoruesve, siç varet nga budallallëku i tyre, padija dhe partizanllëku. Është e pamundur të ndjekësh një talk show në televizionet shqiptare, pa ndeshur në dikë – zakonisht gazetar “me emër” – që thotë gjepura të llojit: “DO TË NDODHË DIÇKA SHUMË SHPEJT”, “AMERIKANËT DO TË NXJERRIN INFORMACIONE”, “E KAM NGA NJË BURIM I SIGURT”, “RAMA MUND TË JETË ARRATISUR MBRËMË”, teksa të tjerët e shohin si të ishte profet. Këta që flasin kështu, kanë krijuar reputacionin e tyre, si profetë të një realiteti që nuk vjen kurrë. Bota e tyre mbetet e kyçur në dëshirat, ëndrrat dhe gjakimet e publikut humbës; dhe prandaj edhe paguhet – për të këputur lirisht të trasha.

Gjithnjë kam dyshuar se qëllimi i vërtetë i kësaj dyndjeje të rrjeteve sociale me fabrikime, përfshi këtu edhe imazhet e fabrikuara, nuk është aq manipulimi i opinionit publik nëpërmjet mashtrimit, por neutralizimi i plotë, nëpërmjet diskreditimit, i një mediumi vetvetiu demokratik madje subversiv – si Interneti – i cili e kish dikur potencialin për të sfiduar, të paktën në afat të mesëm, pushtetin ndaj informacionit (si in-form-im i mendjeve). Natyrisht, kur them “qëllimi”, nuk i referohem ndonjë agjencie keqdashëse, por vetëm logjikës që ndjekin sisteme të tilla kaq masive, kur monetizohen. Vetëm kështu, dyshoj unë, mund të kundërshtohet efekti magjik i pjesëmarrjes masive të qytetarëve, në çfarë dikur ofronte një model relativisht të besueshëm i agorës.

(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është krijuar me AI. Një version më i shkurtër i kësaj eseje ka dalë si status në Facebook.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading