Kam jetuar aq sa t’i mbaj mend beharët kur nuk ishte gjithnjë vapë, mbrëmjet freskonin dhe ato pak ditë me zheg përvëlues alternoheshin me ditë të tjera kur mezi ç’prisje sa të dilje përjashta. Këtë e them si dikush që ka jetuar shumë vjet në Tiranë, me paranteza pak-vjeçare në Romë dhe në Napoli, dhe pastaj me tridhjetë vjet të tjera në New York. Mund të them, madje, se – ndryshe nga bretkosa proverbiale – mbaj mend jo vetëm beharët dikur, por edhe vetë rritjen graduale të temperaturës. I vetëdijshëm se këtë e kemi dhuratë sa prej ngrohjes globale, aq edhe prej zgjerimit të qyteteve, tkurrjes së sipërfaqeve të gjelbra, betonit dhe kondicionimit të ajrit, që i bën ndërtesat dhe makinat të vjellin nxehtësi në rrugë. Dhe sidomos: ia detyrojmë pasionit tonë diabolik për ta mbjellë tokën e qytetit me beton.
Vitet e fundit, edhe në New York-un tim, edhe në Tiranë – ku kam ardhur relativisht shpesh – e kam kapur veten duke i zgjedhur itinerarët e ecjes në qytet sipas trotuarëve me hije. Deri atje sa të kem krijuar në përfytyrim një hartë të lagjeve dhe të qytetit vetë, ku zonat me hije dhe zonat me diell t’u përkasin dy hapësirave të ndryshme. Në New York, gjatë verës, përpiqem t’i shmangem daljes përjashta gjatë ditëve të nxehta, duke i lënë punët për në mbrëmje. Në Tiranë këtë nuk e bëj dot – prandaj hijet e Tiranës, gjatë një dite gushti me zheg përcëllues, më duken gjithnjë e më të çmuara.
Për fat të mirë, ende nuk kam probleme fizike kur dal në vapë; por sikleti i të nxehtit më heq dëshirën për të jetuar dhe përjetuar si dikur. Qyteti, që zakonisht e dua dhe e shijoj me gjallërinë e vet publike, më kthehet në armik, më sulmon me flakë acetileni dhe dritë lëbyrëse, teksa shputat e këmbëve më djegin si të shkelja mbi thëngjij. Këtë mbaj mend ta kisha provuar shumë e shumë vjet më parë në Romë, ku gurët e vjetër me të cilët janë shtruar rrugët në qendrën historike e mbajnë nxehtësinë për ta rikthyer natën. Ndonjëherë edhe në Napoli, ku Vezuvi të djeg edhe nga nëndheu. Por jo gjetiu.
Vendet ende të bekuara me pemë të mëdha, në Tiranë, tani më duken si oaza – ku gjithçka funksionon këndshëm, duke filluar nga frymëmarrja. Por këto vende i gjej gjithnjë e më rrallë. Nga qyteti plot pemë, fëshfërima gjethesh dhe hije i fëmijërisë sime, Tirana tani është kthyer në një zonë të rrezikshme, ku qytetarët që guxojnë të kuturisen përjashta i ekspozohen rrezatimit vrastar… prej diellit. Nga i cili nuk të mbrojnë as syzet e diellit (sado firmato të jenë), as kremërat kundër rrezeve UV. Nxehtësia, aq veshtullore sa të pluskosh në të, e kthen qytetin në një vend për t’u shmangur me çdo kusht. Si të mos mjaftonte tkurrja e gjelbërimit, ndërtimet e mëdha ia kanë hequr Tiranës edhe komunikimin ajror, flladin freskues, luksin e të pasurit një mal – Dajtin – fare afër. Mjekët flasin për shëndet fizik të rrezikuar nga temperaturat e larta; psikologët për shëndet mendor po aq të rrezikuar. Me mijëra janë viktimat e këtij zjarri të ngadalshëm, por gjithnjë infernal: disa shtete i numërojnë të vdekurit prej të nxehtit, por yni e kalon kohën duke numëruar turistët.
Një libër që kam këto ditë në duar, Shade, The Promise of a Forgotten Natural Resource, nga Sam Bloch (2025, Random House), më kujton se hija – në kontekstin e qyteteve tona që përcëllohen në diellin e muajve të verës – është edhe ajo pasuri natyrore, si uji, ajri i pastër, gjelbërimi. Nëse deri dje kultura perëndimore i ka kënduar diellit dhe e ka vlerësuar këtë si burimin e shëndetit, sot prioritetet kanë ndryshuar dhe ndoshta ka ardhur koha për t’iu falur hijes. Dielli i drejtpërdrejtë mund të jetë me vlerë për vende të rrethit polar; por gjetiu në botë njerëz e kafshë janë vënë në kërkim të mbrojtjes natyrore që ofron hija.
Më kujtohen menjëherë rrepet e mëdha, në qendrat e fshatrave tona, të paktën të Jugut (në Qeparo rrapi është 250-vjeçar); që shërbenin si tempuj, teksa në hijen e tyre sublimohej dhe riprodhohej komuniteti i banorëve. Sot e kësaj dite, një pemë hijerëndë e madhështore mjafton, për t’i dhënë hapësirës dinjitetin e një qendre, ku njerëzit të ulen, të kuvendojnë dhe të marrin vendime. Koha kur Çajupi qesëndiste “burratë në hije që lozin e kuvendojnë” nuk u përket më analeve të folk-feminizmit, por atyre të historisë klimatike: sot puna përjashta në diell, për gati tre të katërtat e vitit, është me dëm të madh për shëndetin.
Ata që po ia ndërtojnë e rindërtojnë Shqipërisë qytetet, me kryeministrin Rama në krye, nuk duan t’ia dinë për këto çikërrima të jetës së përditshme të qytetarëve. Rama me siguri i ka qëmtuar hijet, në Tiranën e rinisë së vet dandy – që përkon me timen; por sot kryeqytetin ai e shijon kryesisht përmes revistave e renderimeve të arkitektëve jashtëtokësorë që thërret pranë vetes që nga hapësirat yjore, ose e shumta nga dritaret e makinës. Nuk besoj se i qëllon shpesh të kapërcejë, në mesditën e një dite gushti, sheshin e madh të Tiranës, për t’i djegur mushkëritë me afshin përvëlues që vjen nga lart e nga poshtë, teksa fukarenjtë dhe turistët, që qëllojnë aty, vijnë rrotull si zombie të progresit. Veç ujit gjithnjë me lemzë, kryeqytetit tani po i refuzohet tinëzisht edhe hija.
Bloch flet në libër për hijen, si vlerë dhe burim qetësie e shëndeti që e ka shoqëruar përherë qytetërimin; deri atje sa ta shohë edhe si një nga kushtet elementare, për të pasur aktivitet njerëzor mirëfilli. Rrëfen si edhe perandorët e Romës dhe sunduesit në Europën mesjetare kujdeseshin që qytetet e tyre të kishin hije të mjaftueshme, për njerëzit që banonin atje dhe për vizitorët. Dhe e realizonin këtë herë me arkitekturë e ndërhyrje urbane (i portici di Bologna), herë me gjelbërim. Ideja është që qyteti nuk mund të vlejë si mjedis e si motor qytetërimi, nëse nuk ofron një hapësirë të jetueshme përjashta. Larg nesh ajo ditë, kur do të na duhet të gërmojmë e të futemi poshtë si urithi, për ta lënë mbidheun në dispozicion të soditësve milionerë, nga verandat e kullave që kanë ndërtuar për vete.
Njëlloj si kultura, edhe hija është një pasuri që ndërtohet hap pas hapi. Nuk mjafton vetëm mbrojtja nga dielli – duhet që edhe njeriu të ndihet mjaftueshëm i qetë dhe i sigurt, nën atë mbrojtje. Një rrap në qendër të fshatit e fiton respektin e të gjithëve edhe nga historia e atyre që ka strehuar nën vete. Kur pritet një pemë, bashkë me të zhduket edhe trashëgimia e kujtesës soft e atyre që kanë përfituar nga hija e saj. Nga hija madje edhe peizazhi i diellzuar duket më i bukur.
Zbythja e hijeve në qytete, në rrethanat e rritjes së pandalshme të temperaturave, që sot i kapërcen kufijtë e verës, për t’u shtrirë edhe në pranverë edhe në vjeshtë, po i detyron njerëzit të struken në qendra tregtare, në dyqane, në kafe e në restorante me ajër të kontrolluar. Pa e vrarë shumë mendjen, ne heqim dorë nga lehtësitë që na jepte dikur natyra, për të pranuar jetesën si në një planet armiqësor. Të rrethuar nga një peizazh betoni, edhe trupat tanë fillojnë të rreshken e të vyshken, dhe pas tyre edhe mendjet. Edhe pse Tirana ende i përket një gjeografie që me pak kujdes mund të shijohet 365 ditë në vit, elitat që vendosin për ne (edhe për ne) po bëjnë të pamundurën për ta shndërruar në një artikulim pervers betoni në shkretëtirë.
Disa pak gjëra për t’u menduar, teksa bëheni gati për t’u përballur me vapën që ju pret përjashta.
(c) 2026 Ardian Vehbiu & Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.