Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

KU E GJEN ZANAFILLËN IDENTITETI KOMBËTAR SHQIPTAR?

Rreth librit Zanafilla e mendimit kombëtar të Albert Bikajt

nga Valton Vuçitërna

Ka libra që arrijnë të plotësojnë me sukses disa nga boshllëqet e shumta që ende ekzistojnë në fushat e historisë dhe antropologjisë. Por ka edhe të tjerë që e shtjellojnë tezën e tyre me një forcë aq bindëse, sa nuk mund të shihen thjesht si vepra që mbushin një zbrazëti, por si punime që hapin horizonte të reja kërkimore. Zanafilla e mendimit kombëtar: diskursi i humanistëve arbënorë përgjatë Renesancës (2025) e Albert Bikajt është pikërisht një vepër e tillë. Bëhet fjalë për një studim me ambicie të mirëfilltë akademike, i mbështetur mbi një bazë të gjerë burimesh, me një metodologji të qartëdhe i shkruar me një seriozitet intelektual që shpesh mungon në historiografinë shqiptare. Libri përmban gjithashtu një tension teorik themelor, të cilin autori nuk arrin ta zgjidhë plotësisht. Megjithatë, sipas mendimit tim, kjo nuk duhet parë si mangësi, por si ftesë – ky tension pasqyron kompleksitetin e çështjes dhe nxit diskutim më të thellë, në vend që të ofrojë një përgjigje përfundimtare, por të pamjaftueshme.

Argumenti i Bikajt

Përpara së gjithash, ia vlen të përqëndrohemi tek ajo që Bikaj synon të arrijë me këtë vepër, pasi është një aspekt që mund të keqinterpretohet lehtësisht. Nuk kemi të bëjmë as me një lavdërim të pakomplikuar të arritjeve të humanistëve arbërorë, as me një manifest nacionalist të maskuar me gjuhë akademike. Përkundrazi, vepra është një përpjekje si më komplekse, ashtu edhe më interesante.

Argumenti qendror i Bikajt është se vetëdija kombëtare, pra ndjenja e përkatësisë ndaj një populli të veçantë me gjuhë, prejardhje, territor dhe heronj të përbashkët, nuk lindi papritur në shekullin e XVIII, siç pretendojnë studiuesit modernistë me ndikim, si Ernest Gellner, Eric Hobsbawm dhe Benedict Anderson. Sipas tij, diskursi kombëtar u formua gradualisht brenda hapësirës kulturore të Evropës katolike, i nxitur nga Rilindja evropiane dhe zhvilluar nga humanistët, të cilët i dhanë identitetit një interpretim letrar dhe intelektual.

Në mbështetje të këtij argumenti, Bikaj përdor kryesisht paradigmën e historianit zviceran Caspar Hirschi. Duke ndjekur këtë qasje, ai pohon se humanistë arbërorë si Marin Barleti, Dhimitër Frangu dhe Marin Beçikemi nuk ishin thjesht përfitues pasivë të ideve të Rilindjes, por aktorë të vetëdijshëm që synuan të ndërtonin dhe artikulonin një diskurs qartësisht shqiptar në kuadër të komunitetit arbëror të diasporës venedikase.

Ky interpretim e vendos historinë intelektuale shqiptare në zemër të zhvillimit evropian të mendimit kombëtar, disa shekuj më herët sesa pranohet nga shumica e historiografisë moderne. Megjithatë, duhet theksuar se edhe studime të tjera, veçanërisht gjatë viteve të fundit, kanë kontribuar drejt rindërtimittë pranisë shqiptare në rrjete më të gjera evropiane dhe mesdhetare të shkëmbimeve intelektuale, politike dhe ekonomike. Ndër më të rëndësishmet është vepra Agents of Empire: Knights, Corsairs, Jesuits and Spies in the 16th-Century Mediterranean World / Agjentë Perandorish: Kalorës, Korsarë, Jezuitë dhe Spiunë në Botën Mesdhetare të Shekullit të XVI (2016) e Sir Noel Malcolm, e cila tregon mënyrat e shumta dhe komplekse se si anëtarët e një familjeje arbëro-venedikase u vunë në shërbim të disa perandorive.

Mjeti kryesor metodologjik që përdor Bikaj është imagologjia, një degë e letërsisë krahasuese që studion mënyrën se si identitetet kolektive perceptohen dhe ndërtohen përmes tekstit, sidomos në marrëdhëniet ndërmjet kombeve. Në veprat e humanistëve arbërorë ai identifikon katër topoi themelorë, pra motive të përsëritura: mitin e prejardhjes kombëtare, gjeografinë, karakterologjinë (studimin e karakterit njerëzor) dhe figurën e heronjve. Kjo qasje sjell një lexim sistematik dhe të organizuar të veprave të humanistëve arbërorë, të cilat prej kohësh janë përdorur si burime historike, por rrallëherë janë analizuar në këtë mënyrë.

Në biseda personale, Bikaj e përkufizon pozicionin e tij teorik si konstruktivizëm tradicionalist. Me këtë ai nënkupton se kombi ka rrënjë të thella historike, por se formësimi i tij kërkon një proces të gjatë zhvillimi dhe artikulimi, përpara se të marrë trajtën që njohim sot. Ai nuk është as modernist, që mohon ekzistencën e çdo vetëdijeje kombëtare domethënëse para shekullit XVIII, por as primordialist, që e konsideron kombin një kategori natyrore, të përjetshme dhe biologjikisht të pandryshueshme. Përkundrazi, Bikaj zë një pozicion të ndërmjetëm, duke pranuar njëkohësisht ekzistencën e një identiteti etnik paraprak dhe rolin vendimtar të kontributit intelektual në shndërrimin e këtij identiteti në një diskurs kombëtar të artikuluar. Ky pozicion më duket i mbrojtshëm dhe intelektualisht i ndershëm, dhe meriton të shqyrtohet sipas logjikës së vet përpara se të vlerësohen përfundimet ku të çon.

Vlerat e veprës

Do të ishte e padrejtë të mos theksoja arritjet e Bikajt në këtë studim dhe sa shpesh ai ofron analiza të sakta e bindëse, madje në mënyra që janë të rralla në këtë fushë.

Arritja më e madhe e librit qëndron në zotërimin e burimeve, si parësore dhe dytësore. Bikaj lëviz zhdervjellshëm ndërmjet teksteve humaniste latine, materialeve arkivore venedikase, historiografisë shqiptare të periudhës komuniste dhe paskomuniste, si edhe një gamë të gjerë studimesh evropiane mbi kombëtarizmin. Krahas veprës së Hirschit, ai mbështetet edhe te Fan Noli, Oliver Schmitt, Athanas Gegaj, Zrinka Blažević dhe Lucia Nadin, duke zhvilluar një dialog të vazhdueshëm dhe të thelluar me secilin. Vetë bibliografia që ai përpilon përbën një kontribut të rëndësishëm për disiplinën, pasi u ofron studiuesve dhe studentëve të ardshëm një bazë të gjerë dhe të mirëorganizuar për kërkime të mëtejshme.

Veçanërisht mbresëlënës është rindërtimi i komunitetit të diasporës arbërore në Venedik. Sipas dijenisë sime, ky është trajtimi më i plotë deri më sot në gjuhën shqipe. Kapitujt që përshkruajnë shoqërinë ku vepronin humanistët arbërorë i japin librit një themel historik që u mungon shumë studimeve teorike mbi nacionalizmin. Kjo e zhvendos analizën përtej veç historisë abstrakte të ideve. Bikaj i vendos humanistët në një komunitet fizik refugjatësh, të cilët përballeshin çdo ditë me sfidën e ruajtjes së identitetit në mërgim dhe ushtronin mjete diplomatike e kulturore për ta vënë Europën në dijeni të këtij identiteti.

Njëkohësisht, Bikaj ofron një kritikë të argumentuar dhe të drejtë ndaj historiografisë marksiste shqiptare. Ai evidenton shtrembërimet ideologjike të studiuesve si Aleks Buda dhe Androkli Kostallari, të cilët projektuan mbi humanistët vlera nacionaliste laike, duke lënë në hije dimensionin po aq themelor fetar të diskursit të tyre. Barleti dhe Frangu shkruanin pro fide et patria, për fenë dhe atdheun njëkohësisht. Ky përkushtim i dyfishtë përbënte boshtin e veprës së tyre. Çdo interpretim që përpiqet të eliminojë këtë dimension fetar shtrembëron jo vetëm tekstet origjinale, por edhe vetë mënyrën se si ata e kuptonin misionin e tyre. Në një kuptim më të gjerë, historiografia komuniste prirej ta paraqiste sekularizmin iluminist si një tipar “natyror” dhe të lashtë të shqiptarëve, duke mohuar rëndësinë e dukshme të fesë në vetëdijen kombëtare të Mesjetës. Bikaj arrin ta rivendosë këtë ekuilibër në mënyrë bindëse, çka përbën një nga kontributet më origjinale të librit.

Bikaj është po aq i drejtë edhe ndaj autorëve me të cilët nuk pajtohet. Kritika e tij ndaj shkollës moderniste të mendimit kombëtar nuk bie kurrë në karikaturë, por mbetet e mprehtë dhe e mirëargumentuar. Një shembull domethënës gjendet tek analiza e interpretimit orientalist që Enis Sulstarova i bën Barletit. Sulstarova, duke u mbështetur në teorinë e famshme postkoloniale të Edward Said-it, e lexon diskursin antiosman të Barletit si një formë të “tjetërsimit,” që riprodhon struktura të dominimit kulturor. Bikaj e konsideron këtë qasje jo vetëm të ndikuar nga ideologjikia, por edhe analitikisht të paqëndrueshme. Korniza teorike e Said-it u ndërtua për të shpjeguar mënyrën se si fuqitë perëndimore projektonin pushtetin e tyre mbi Lindjen e kolonizuar; aplikimi i saj ndaj një prifti arbëror në mërgim, që shkruante për të mbrojtur popullin dhe atdheun e vet përballë një force pushtuese perandorake, përmbys vetë marrëdhënien e pushtetit që kjo teori synon të analizojë. Edhe pse e konsideron interpretimin e Sulstarovës anakronik dhe ideologjik, Bikaj ruan gjithmonë një ton të matur dhe akademik.

Autori vlerëson gjithashtu kontributin e dinastisë Engjëlli në historinë kulturore shqiptare. Kjo familje fisnike me prejardhje perandorake bizantine u vendos në Venedik pas pushtimit osman dhe luajti një rol të rëndësishëm në financimin e veprimtarisë së humanistëve arbërorë. Ky aspekt ka marrë pak vëmendje në historiografinë moderne, ndaj përfshirja e tij përbën një meritë të veçantë të librit. Edhe proza e Bikajt është po aq e saktë dhe e kontrolluar, formale por jo e thatë, e qartë pa sakrifikuar elegancën akademike – një cilësi e rrallë dhe gjithmonë e lavdërueshme.

Dimensioni politik: Shëmbulli më i fortë pro konstruktivizmit

Përpara se të ndalem te thelbi teorik i librit, dua të theksoj një nga pikat e tij më të forta: përpjekjen e autorit për të nxjerr në pah karakterin qartësisht politik të shkrimeve të humanistëve dhe atë që ky fakt zbulon mbi natyrën e projektit të tyre intelektual.

Barleti, Beçikemi dhe Frangu nuk shkruanin të shkëputur nga rrethanat që ndikonin shoqërinë ku jetonin. Ata ishin mërgimtarë, pjesëtarë të një komuniteti arbëror që kishte humbur dheun e vet si pasojë e pushtimeve osmane dhe që tashmë mbijetonte nën mbrojtjen e Republikës së Venedikut. Pozita e tyre politike ndikoi thellësisht në mënyrën se si shkruanin, impakt që Bikaj e identifikon me saktësi dhe që çdo lexim serioz i veprave të tyre nuk mund ta shpërfillë.

Barleti i paraqet shqiptarët si besnikë ekskluzivisht ndaj Republikës së Venedikut, duke mos njohur askënd tjetër përveç Dozhës si sundimtarin e tyre legjitim. Frangu i përshkruan arbërorët si mburojën e Alpeve dhe mbrojtësit besnikë të Papës dhe të mbretërve të krishterë. Ndërkohë, Panegyricus i Beçikemit, siç e kërkon vetë natyra e këtij zhanri letrar, është plotë me lavdërime dhe, për këtë arsye, nuk synon domosdoshmërisht të ofrojë një rrëfim historik objektiv. Këta autorë vareshin nga mbështetja e patronëve të tyre venedikasë për mbijetesën e komunitetit arbëror dhe për vazhdimin e veprimtarisë së tyre kulturore e diplomatike. Për këtë arsye, do të ishte e pandershme që veprat e tyre të lexoheshin si shprehje të papërpunuara të krenarisë etnike ose të entuziazmit nacionalist. Si gjithmonë, mjedisi politik dhe publiku të cilit u drejtohej ky diskurs duhet të konsiderohen në çdo analizë të plotë.

Humanistët e paraqitën çështjen arbërore me një gjuhë dhe argumentim që fuqitë kryesore të botës së krishterë mund ta kuptonin dhe ta pranonin me lehtësi. Kjo shfaqet më qartë në formulimin e Barletit për Shqipërinë si antemurale Christianitatis (mburoja e Krishterimit). Ky titull, të cilin Barleti e përdori me vetëdije strategjike, i ishte dhënë Shqipërisë nga Papa Piu II. Duhet kujtuar se marrëdhëniet ndërmjet Venedikut dhe Selisë së Shenjtë ishin shpesh të tensionuara, mes mosmarrëveshjeve mbi autoritetin e Kishës dhe pavarësinë politike të republikës detare venedikase.

Megjithatë, përballë kërcënimit osman, interesat e tyre përputheshin. Venediku synonte të ruante perandorinë tregtare në Mesdheun Lindor, ndërsa Papati kërkonte të organizonte një kryqëzatë të re pas rënies së Kostandinopojës më 1453. Në këtë kontekst, Barleti përdorte autoritetin e Papatit për ta paraqitur kauzën shqiptare si pjesë të mbrojtjes së mbarë Krishterimit, duke u bërë njëkohësisht thirrje interesave strategjike të Venedikut.

Nevojat e menjëhershme politike të komunitetit të tij e shtynë Barletin të theksonte një narrativë besnikërie ndaj Venedikut. Ishte një ndërtim i vetëdijshëm intelektual, të cilin korniza imagologjike e Bikajt e shpjegon me finesë. Në këtë kuptim, bëhet fjalë për një “konstrukt” në domethënien më të saktë të fjalës. Siç tregon Bikaj, përkthimi i veprës Historia të Barletit në disa gjuhë evropiane nuk ishte aspak rastësor; ai përfaqësonte një përpjekje të qëllimshme për ta bërë çështjen arbërore të kuptueshme dhe bindëse për mbarë opinionin evropian.

Tensioni teorik: Çfarë sugjerojnë dëshmitë

Ka libra që, në një moment të caktuar, të shtyjnë të mos mjaftohesh më thjeshtë me leximin, por të hysh thellë në debat me vetë tekstin. Me këtë vepër, sa më shumë përparoja, aq më tepër më rritej bindja se dëshmitë që paraqet Bikaj, të kombinuara me njohuritë bashkëkohore nga gjenetika, antropologjia dhe gjuhësia, tregojnë një vazhdimësi historike më të thellë sesa mund të shpjegohet edhe nga korniza e tij teorike mjaft bujare. Kjo nuk përbën as një të metë fatale dhe as një kundërthënie të pazgjidhshme, por ushtron presion mbi modelin e tij interpretues. Sipas mendimit tim, në kontekstin shqiptar, ky presion e shtyn konstruktivizmin tradicionalist të Bikajt shumë pranë primordializmit.

Bikaj e mbështet argumentin e tij në tezën e Caspar Hirschit, sipas së cilës diskursi kombëtar filloi të merrte formë në Krishtërimin mesjetar dhe u zhvillua më tej nga humanizmi i Rilindjes. Mendoj se kjo është një sfidë e fortë dhe e argumentuar ndaj teorive moderniste. Megjithatë, vetë Hirschi i ndjek rrënjët e këtij zhvillimi deri te trashëgimia e Perandorisë Romake. Roma e lashtë ishte edhe në atë kohë një botë ku identiteti latin funksiononte si një shtresë e dallueshme brenda identitetit më të gjerë romak, gjë që vë në pikëpyetje disa nga premisat e konstruktivizmit.

Një shembull domethënës është mos maiorum (zakoni i të pareve). Ky nuk ishte thjesht një parim qytetar romak, por një traditë me prejardhje qartësisht latine, e rrënjosur thellë në identitetin kolektiv. Ai i lidhte romakët me zakonet, besimet dhe normat e paraardhësve të tyre si një trashëgimi e gjallë. Një koncept i tillë mund të kuptohet vetëm si shprehje e vetëdijes etnike. Ai presupozonte një vijimësi prejardhjeje dhe një komunitet të përcaktuar nga gjaku e jo vetëm nga ligji, duke krijuar një dallim të qartë ndërmjet atyre brenda dhe jashtë trashëgimisë së kësaj tradite.

Në periudhën e vonë, Roma ndërtoi një vetëkuptim universalist: në parim, kushdo mund të bëhej romak nëse plotësonte disa kushte. Megjithatë, kjo ide bashkëjetonte në tension të vazhdueshëm me mos maiorum, një praktikë e lidhur thellësisht  dhe e lidhur me një prejardhje specifike. Familjet e mëdha romake (gentes), si Julët, me pemët e tyre gjenealogjike dhe maskat mortore të paraardhësve, zotëronin një trashëgimi që një qytetar i ri nga Hispania nuk mund ta fitonte thjesht duke mësuar latinishten ose duke siguruar shtetësinë romake. Kështu, identiteti romak funksiononte në dy nivele: një identitet qytetar e universal dhe një bërthamë etnike latine që nuk mund të zhdukej.

Kjo nuk fillon papritur me Romën. Vetë ky qytetërim trashëgoi koncepte të tilla të dallimit qytetar dhe etnik nga latinët e hershëm, paraardhësit e të cilëve kishin zhvilluar forma të ndarjes ndërmjet “nesh” dhe “atyre” shumë përpara lindjes së shkrimit. Në një pikë të kësaj vazhdimësie historike, kufiri ndërmjet identitetit të ndërtuar dhe identitetit primordial bëhet gjithnjë e më i paqartë. Kjo ndodh sepse procesi i ndërtimit vazhdon për aq shumë breza, sa përfundimisht bëhet pothuajse i padallueshëm nga vetë natyra; jo sepse dallimi është i pavlefshëm, por sepse vazhdimësia është bërë pjesë e qenies së komunitetit.

Argumenti i Bikajt se vetëdija kombëtare gjermane ose franceze kërkoi një ndërtim aktiv gjatë Rilindjes ka forcë bindëse, pikërisht sepse këto identitete u formësuan në rrethana pasromake. Humanistët gjermanë iu kthyen Tacitit për të gjetur një përshkrim të paraardhësve të tyre dhe të dy kulturat debatuan nëse Karli i Madh i përkiste gjermanëve apo francezëve. Kufijtë etnikë ndërmjet tyre ishin vërtetë të diskutueshëm, për shkak të historisë së tyre të ndërthurur. Në krahasim me ta, kufijtë etnikë të shqiptarëve paraqiteshin shumë më të qartë.

Le të marrim si shembull komunitetin arbëror në Venedik, ashtu siç e përshkruan Bikaj. Stratiotët, kryesisht ushtarë arbër të rekrutuar nga trevat e Greqisë, u identifikuan menjëherë nga venedikasit si arbërorë dhe ndikuan në mënyrën se si shoqëria pritëse e perceptonte këtë komunitet. Refuzimi i vazhdueshëm i tyre për t’iu nënshtruar komandantëve grekë dëshmon prezencën e një kufiri etnik të vetëdijshëm dhe të qëndrueshëm. Arqipeshkvi Pal Engjëlli, pjesëtar i dinastisë Engjëlli, hodhi në letër formulën e pagëzimit, tekstin më të hershëm të njohur në gjuhën shqipe. Ky nuk ishte krijimi i një gjuhe të re, por regjistrimi i një gjuhe të lashtë, e cila sot njihet si përfaqësuesja e vetme e mbijetuar e degës së saj indo-evropiane.

Një tjetër shtyllë e rëndësishme e kësaj vazhdimësie është dëshmia gjenetike. Një studim gjenomik i vitit 2023 evidentoi një vazhdimësi të jashtëzakonshme të prejardhjes së popullsisë së Ballkanit Perëndimor nga Epoka e Vonë e Bronzit dhe Epoka e Hekurit deri në Mesjetën e Hershme në territorin shqiptar, një fenomen që nuk vërehet në të njëjtën masë në rajonet fqinje. Mostrat më të hershme të tri haplogrupeve Y-DNA më të lidhura me shqiptarët janë gjetur pikërisht në territoret historikisht shqiptare dhe datojnë që nga Epoka e Bronzit. Përzierja gjenetike sllave, kur ndodhi, u transmetua kryesisht përmes linjës amtare, çka nënkupton se gratë sllave u integruan në komunitete shqiptare, ndërsa vijimësia e linjave atërore mbeti kryesisht e pandërprerë. Thënë ndryshe, dëshmitë biologjike flasin për një vazhdimësi tre deri në katër mijëvjeçare në Ballkanin Perëndimor, pavarësisht trazirave të shumta si pushtime, migrime dhe ndryshime politike. Ky nuk është profili i një populli që u “ndërtua” në shekullin XV, por i njërit prej prezencave me vazhdimësinë më të thellë historike në Evropë.

Një shtyllë tjetër e kësaj vazhdimësie është Kanuni, kodi zakonor që për shekuj me radhë rregulloi jetën e pjesës më të madhe të shqiptarëve. Sot ai ruhet kryesisht në traditën e Gegërisë, por dikur zbatohej, në forma të ndryshme, pothuajse në të gjitha krahinat etnografike shqiptare. Përmes transmetimit gojor ai organizoi jetën shoqërore për shekuj të tërë. Elementet e tij të forta parakristiane dhe paraislame dëshmojnë vazhdimësinë e së drejtës zakonore shqiptare. Studiues të së drejtës krahasuese kanë vënë në dukje ngjashmëritë e Kanunit me traditat juridike të Indisë Vedike, Greqisë dhe Romës së lashtë.

Këto krahasime sugjerojnë një trashëgimi të mbartur nga kultura juridike zakonore indo-evropiane, dhe jo një shpikje lokale në një moment të identifikueshëm, ngjashëm me mos maiorum-in e përmendur më herët. Kanuni operonte si kushtetutë e një sistemi shoqëror pa shtet: vetëqeverisës dhe i pavarur nga çdo institucion i jashtëm, detyrimet e të cilit ndaj individit shkonin përtej kufijve fetarë. Ai përbën një deshmi te rëndësishme se identiteti etnik shqiptar funksiononte në një nivel më themelor sesa çdo strukturë e jashtme e imponuar.

Traditat gojore të shqiptarëve e përforcojnë këtë interpretim. Mitologjia e tyre ka trashëguar zhanrin epik indo-evropian të përqendruar tek luftëtarët e lashtë, në formën e njohur si Kangë Kreshnikësh – të cilat ngjajnë dukshëm me traditat e Greqisë së hershme, Indisë klasike, mbretërive anglo-saksone, Gjermanisë mesjetare dhe sllavëve të jugut. Edhe pse subjektet e disa këngëve gjenden tek homologët e tyre sllavë, elementet e versionit shqiptar vijnë nga një origjinë paleo-ballkanike, të mbarsur me motive kozmologjike parakristiane. Gjysmë milion vargje të ciklit të Kreshnikëve janë mbledhur pas shekujsh trasmetimi gojor nga rapsodë të aftë, pa asnjë mbështetje institucionale – një arritje e jashtëzakonshme sipas çdo kriteri.

Këto struktura fuksiononin si biblioteka të padukshme të popullit shqiptar – një mekanizëm transmetimi mbi të cilin konstruktivizmi tradicionalist i Bikajt duhet bazuar në një mënyrë të nënkuptuar, për të shpjeguar se si ndërgjegjja etnike mbijetoj mes, dhe madje edhe para – rënies së strukturave politike shqiptare në mesjetë dhe artikulimit të saj nga humanistët. Ky mekanizëm, sapo njihet si i tillë, shemb dallimin e brishtë të lartëpërmendur mes “diskursit të ndërtuar” dhe “identitetit primordial.”

Së fundi, siç trajtova në një artikull mëparshëm, konvertimi fetar ofron një nga dëshmitë më bindëse për thellësinë dhe qëndrueshmërinë e ndërgjegjes sonë etnike. Kur shqiptarët u konvertuan në masë në Islam gjatë periudhës osmane – pa dyshim nën trysninë e shtypjes ekonomike të Portës së Lartë – ata e ruajtën identitetin e tyre, duke u dalluar në këtë mënyrë nga grupet e tjera etnike të rajonit. Shumë prej grupeve të tjera të islamizuara, si pomakët dhe boshnjakët, zhvilluan një lidhje aq të ngushtë me fenë e re sa kjo pati një ndikim të dukshëm tek vetëperceptimi i tyre etnik – pavarësisht origjinës bullgare të pomakëve dhe lidhjes historike të boshnjakëve me degë të ndryshme të krishtërimit para pushtimit osman. Shqiptarët, përgjithësisht, nuk e ndoqën këtë udhë, dhe e mbajtën përkatësinë e tyre krahas bashkëkombasve katolikë dhe ortodoksë.

Vetë Barleti tregon një vetëdijshmëri të tillë mbi këtë dinamikë në përshkrimin e shqiptarëve, ku thekson se edhe kur ata “bëhen turq” – domëthënë, kur konvertohen në Islam – nuk tregojnë asnjë përkushtim të vërtertë ndaj fesë dhe kurrë nuk bëhen “turq të mirë.” Edhe pse mund të argumentohet se Barleti synonte të kënaqte venedikasit me një karakterizim të tillë, qendrimi dukshëm liberal dhe sjellja sinkretike ndaj Islamit e vërejtur gjerësisht tek shqiptarët – ku përhapja e Urdhërit Bektashi është një shembull tipik – i jep peshë historike pohimit të tij. Pra, as forca asimiluese e fesë nuk arriti ta shpërbëjë identitetin shqiptar. Kjo dëshmon një ndërgjegje etnike që operon në njëthellësi aq të konsiderueshme sa asnjë humanist – sado i aftë – nuk mund ta kishte ngritur nga hiçi.

Përballja me kundërargumentin

Bikaj, pa dyshim, do t’i kundërvihej tensionit teorik të përshkruar më sipër. Sipas tij, vazhdimësia kulturore e mbështetur në zakonet shoqërore dhe izolimin gjeografik nuk përbën domosdoshmërisht dëshmi të vetëdijes etnike. Me fjalë të tjera, vetëdija mbi përkatësinë në një bashkësi me emër, histori dhe kufij që e dallojnë nga popujt përreth nuk është e barasvlershme me ekzistencën e një kombi. Një popull mund të flasë të njëjtën gjuhë dhe t’u përmbahet të njëjtave norma zakonore për shekuj me radhë, pa zhvilluar domosdoshmërisht atë lloj identiteti kombëtar të strukturuar dhe mirëmenduar që Bikaj e gjurmon te humanistët.

Sipas kësaj qasjeje, materiali i trashëguar kulturor kërkon një akt të mirëfilltë përpunimi intelektual për t’u bërë plotësisht i artikuluar dhe i kuptueshëm. Pikërisht këtë proces, sipas Bikajt, e realizuan humanistët arbërorë. Një pjesë e madhe e forcës shpjeguese të konstruktivizmit të tij mbështetet mbi këtë dallim thelbësor. Pa të, humanistët do të zvogëloheshin në regjistrues pasivë të një realiteti që ekzistonte para tyre, dhe jo si krijues aktivë të një forme të re të diskursit kombëtar, gjë që do të vinte në pikëpyetje tezën qendrore të librit.

Megjithatë, në rastin shqiptar, ky dallim nuk duket se mban aq peshë sa kërkon modeli konstruktivist. Një shqyrtim i kujdesshëm i dëshmive të paraqitura nga Bikaj nxjerr vazhdimisht në pah një bashkësi, sjellja e së cilës dëshmon ekzistencën e një vetëdijeje etnike funksionale. Vazhdueshmëria gjenetike e vëzhgueshme e përforcon këtë vetëdije dhe këta kufij etnikë, duke përfaqësuar një shprehje biologjike të ruajtjes së dallimeve shoqërore dhe etnike. Fakti që përzierja gjenetike sllave në Mesjetë hyri në fondin gjenetik shqiptar kryesisht përmes linjës amtare dhe jo asaj atërore, si edhe ruajtja e një përqindjeje të lartë të trashëgimisë paleo-ballkanike, përbëjnë tregues biologjikë të një endogamie të qëndrueshme, pra të praktikës së martesave brenda grupit. Kjo dëshmon për një komunitet që, gjatë shekujve të depërtimeve dhe pushtimeve sllave, ruajti në mënyrë aktive një kufi kulturor ndaj të huajve. Një shkallë e tillë endogamie nuk është rastësi, por rezultat i një mekanizmi shoqëror që mbronte dhe riprodhonte kufijtë etnikë.

Kjo mënyrë është e gdhendur edhe në vetë gjuhën shqipe, e cila ka ruajtur një term të veçantë për të emërtuar të huajin, zakonisht pjesëtarin e një grupi etnik fqinj. Gegët përdornin termin shkja për sllavët, arvanitasit përdornin shkla për grekët, ndërsa arbëreshët i quajnë folësit e gjuhëve romane të gadishullit Italian shklan, që flasin shklerisht, pra, flasin një gjuhë të pakuptueshme, në dallim nga shqiptari, ai që “flet shqip,” domethënë qartë dhe kuptueshëm. Edhe pse disa prej këtyre termave perceptohen sot si fyes, funksioni i tyre historik si shënues të dallimit etnik është i qartë, ashtu siç dëshmohet edhe nga ekzistenca e termave të ngjashëm në shumë gjuhë të tjera.

Është e vështirë të krijosh një koncept të qëndrueshëm për të përkufizuar “tjetrin” pa patur më parë një vetëdije funksionale për “veten”. Ky dallim i paraprin shkrimit, diskursit politik modern dhe madje edhe vetë humanistëve. Më e rëndësishmja, historikisht ai nuk ka pasur vetëm një funksion përshkrues, por edhe normativ, duke mbrojtur kufijtë e komunitetit dhe nënkuptuar ekzistencën e një identiteti të sanksionuar shoqërisht, e jo thjesht një perceptim të ndërtuar në mënyrë retrospektive.

Duhet të kemi parasysh se kontributi i Barletit nuk qëndronte në krijimin e identitetit kombëtar arbëror. Siç do të argumentohet edhe më tej, ai e shndërroi një identitet ekzistues dhe të vetëdijshëm në një formë që mund të kuptohej dhe të pranohej nga oborret mbretërore dhe akademitë e botës së krishterë. Prandaj, dallimi vendimtar nuk është nëse ekzistonte apo jo një vetëdije etnike domethënëse, por midis vetëdijes si praktikë e jetuar e komunitetit dhe vetëdijes si artikulim klasik letrar. Të dyja janë domethënëse, por vetëm e dyta kërkonte ndërhyrjen krijuese të humanistëve.

Të mbash dy ide njëkohësisht

Pas paraqitjes së këtyre dëshmive, dua të jem i qartë për çfarë po argumentoj dhe çfarë nuk po argumentoj. Forma më e gjerë ose tradicionale e interpretimit primordialist në vete nuk do pasqyronte plotësisht rolin që luajtën humanistët arbërorë dhe do të rrezikonte keqinterpretimin e pozicionit të Bikajt. Autori ka të drejtë kur pohon se humanistët kryen diçka që shkonte përtej dokumentimit të thjeshtë të një realiteti ekzistues. Megjithatë, mendoj se kjo veprimtari u zhvillua në dy drejtime të ndryshme, secili me rëndësinë e vet.

Së pari, humanistët përkthyen një identitet arbër tashmë ekzistues, të lashtë, me rrënjë të thella biologjike, të ruajtur përmes një mekanizmi popullor juridik të vetëqëndrueshëm dhe një gjuhe të veçantë, në idiomën klasike humaniste që Europa e Rilindjes kërkonte nga popujt që dëshironin të merreshin seriozisht.

Së dyti, ata e modeluan këtë përkthim në mënyrë strategjike, duke iu përshtatur nevojave politike të komunitetit të tyre në mërgim dhe audiencës venedikase e evropiane. Pa dyshim, ky proces përmbante elemente autentike ndërtuese: zgjedhjen e paraardhësve historikë që duhej të viheshin në qendër të rrëfimit, paraqitjen e qëndresës arbërore si mbrojtje të Krishterimit dhe theksimin e besnikërisë ndaj Venedikut. Këto zgjedhje mbartën pasoja afatgjata në mënyrën se si Europa do t’i perceptonte shqiptarët.

Por pikërisht këtu tensioni mes konstruktivizmit tradicionalist dhe dëshmive empirike bëhet më i dukshëm. Sipas Bikajt, identiteti kombëtar ka rrënjë të thella historike, por merr formë vetëm përmes një procesi të gjatë zhvillimi. Në plan teorik, ky është një pozicion i arsyeshëm dhe i mbrojtshëm. Megjithatë, rasti shqiptar shtron një pyetje themelore: sa i gjatë duhet të jetë ky proces zhvillimi dhe sa të thella duhet të jenë këto rrënjë që termat “ndërtim” dhe “zhvillim” të humbasin vlerën e tyre shpjeguese përballë një vazhdimësie të pandërprerë historike? Kur shndërrohet ndërtimi gradual në një mënyrë tjetër për të përshkruar diçka që, në çdo kuptim domethënës, ka ekzistuar prej kohësh? Në rastin shqiptar kemi të bëjmë me një vazhdimësi gjenetike që gjurmohet deri në Epokën e Bronzit, me një gjuhë që ka mbijetuar për mijëra vjet në të njëjtin territor, me një sistem juridik tradicional të vetëqëndrueshëm dhe me tradita gojore me rrënjë pagane që i kanë mbijetuar edhe konvertimeve në fe të fuqishme universale.

Nëse e shtyjmë deri në përfundimet e tij logjike, pozicioni i Bikajt, të paktën në rastin shqiptar, i afrohet në një shkallë të konsiderueshme primordializmit. Kjo nuk ndodh sepse Bikaj gabon në vlerësimin e kontributit intelektual të humanistëve, por sepse substrati mbi të cilin u mbështet veprimtaria e tyre është aq i lashtë dhe aq i qëndrueshëm, sa bëhet gjithnjë e më e vështirë të dallosh se ku mbaron materiali i trashëguar dhe ku fillon ndërtimi intelektual. Sipas mendimit tim, këta autorë i dhanë popullit arbëror një zë që Evropa mund ta dëgjonte; por vetë identiteti arbër, gjuha, trashëgimia gjenetike, strukturat farefisnore, traditat gojore dhe sistemi zakonor, nuk pritën lindjen e Barletit për të marrë formë. Në kohën kur ai lindi, në mesin e viteve 1450, ky identitet ishte i lashtë dhe, me shumë gjasa, do t’u mbijetojë edhe teorive që studiuesit do të vazhdojnë të zhvillojnë për ta shpjeguar atë.

Shpresoj të jetë e qartë se ky argument nuk synon t’I ulë vlerën e punës së kujdesshme të Bikajt. Përkundrazi, ai synon të tregojë se sa të thella janë implikimet e dëshmive që vetë autori ka mbledhur. Duke rindërtuar me kaq hollësi jetën kulturore, politike dhe institucionale arbërore të shekujve XV dhe XVI, si dhe duke gjurmuar gjenealogjinë intelektuale të diskursit kombëtar shqiptar përmes qasjes së Hirschit, Bikaj ka prodhuar një vepër, dëshmitë e së cilës shkojnë përtej kufijve të kornizës teorike që ai vetë propozon. Prandaj, mbetet ende nevoja për një model teorik që të mund të ndërthurë në mënyrë koherente diskursin humanist, mekanizmat e transmetimit të identitetit paramodern dhe thellësinë e jashtëzakonshme të vazhdimësisë gjuhësore e gjenetike shqiptare, pa na detyruar të zgjedhim në mënyrë jo bindëse midis konstruktivizmit dhe primordializmit. Pikërisht në këtë drejtim, vepra e Bikajt e bën kërkimin e ardhshëm njëherazi më të mundur dhe më të domosdoshëm.

Përfundim

Zanafilla e mendimit kombëtar është një studim me rëndësi të veçantë në disa drejtime: për historiografinë shqiptare, për studimin e humanizmit të Rilindjes evropiane dhe si një kontribut serioz në debatet më të gjera mbi nacionalizmin, të cilat shpesh e kanë lënë në hije rastin shqiptar, pavarësisht interesit të jashtëzakonshëm që ai paraqet. Bikaj shkruan me rigorozitet, ndershmëri intelektuale dhe një zotërim të admirueshëm të burimeve, duke e ngritur ndjeshëm nivelin e kësaj fushe studimore. Megjithëse libri është aktualisht i disponueshëm vetëm në gjuhën shqipe, një përkthim autoritativ në anglisht do të ndihmonte ndjeshëm në përfshirjen e tij në debatet akademike dhe kulturore ndërkombëtare.

Tensioni teorik që libri hap ndërmjet konstruktivizmit, qoftë në variantin modern apo atë tradicionalist, dhe primordializmit nuk përbën një dobësi. Përkundrazi, sipas mendimit tim, ai është pikërisht elementi më frytdhënës i veprës, sepse na drejton drejt një kufiri të ri kërkimor në studimin e identitetit arbëror, një kufi që vetëm tani po del në pah plotësisht. Duke mbledhur dhe sistemuar një burim të pasur dëshmish, si edhe duke shtruar pyetje të rëndësishme teorike, Bikaj i ka pajisur studiuesit e brezit të ri të botës shqiptare si me bazën empirike, ashtu edhe me sfidën intelektuale të nevojshme për ta kapërcyer këtë kufi. Nuk është trashëgimi e vogël për një libër të vetëm dhe jam i bindur se dhe vetë Barleti do ta kishte vlerësuar.

Arbanon Magazine mirëpret reagimet e lexuesve dhe të studiuesve të historiografisë shqiptare dhe atë mesjetare, nacionalizmit, sociologjisë, psikologjisë dhe gjenetikës lidhur me këtë recension. Ju ftojmë të ndani mendimet tuaja në një koment më poshtë dhe të na kontaktoni në adresën arbanonmedia@gmail.com.

Rreth autorit

Valton Vuçitërna është student i vitit të katërtë në programin e Financës në Eli Broad

College of BusinessMichigan State University. Ai ka lindur dhe është rritur në Grand Rapids, Michigan, nga prindër me origjinë nga Kosova. Është zv. Kryeredaktor i Arbanon Magazine dhe themelues i The Anadrini Project, një bazë të dhënash që synon të dokumentojë historinë dhe trashëgiminë gjenetike të familjeve të krahinës së Anadrinit në Kosovë, si edhe historinë e qytetit të Rahovecit. Fushat e tij kryesore të interesit janë historia evropiane dhe trashëgimia kulturore e popullit shqiptar.

 Ky punim u publikua fillimisht në anglisht te Arbanon Magazine, një platformë mediatike e pavarur e udhëhequr nga të rinj të diasporës shqiptare, ku autori, Valton Vuçitërna, shërben si zv. kryeredaktor. Përkthimi i mëposhtëm u punua nga Albert Bikaj dhe Valton Vuçitërna, ekskluzivisht për revistën Peizazhe. Ripublikime të tjera janë të mundshme vetëm me lejen e autorit.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading