Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi

REFLEKSIONE NË UJËT E LUMIT

Këto ditë më ka dalë shpesh përpara, në ekran dhe në përfytyrim, ky distik i Azem Shkrelit:

“Sikur të takoheshim me vetveten sy më sy, do të putheshim apo kishim për t’u pështy?”

I përdorur në kontekste politike, nga njerëz që e kanë mani të krahasojnë të shkuarën me të tashmen dhe ashtu të testojnë integritetin e dikujt.

E kam parë të përdoret kundër Edi Ramës.

Dhe e kam vënë veten në të njëjtën situatë, me një hendek 30 vjeçar mes njërit A.V. dhe tjetrit.

Në fakt, të takuarit të vetes është një topos i nënzhanrit time travel, në fantashkencë dhe fantazi. Ku ndodh q një personazh udhëton në të shkuarën dhe ia korrigjon “trajektoren” narrative vetvetes.

Për shembull, duke shmangur një aksident rrugor. Si rregull, redaktime të tilla të vijës kohore çojnë në pasoja të kobshme – madje, në ndonjë roman, mund të ndeshësh një task force, që nuk e lejon modifikimin e së shkuarës.

Shumë e shumë vjet më parë, kam dëgjuar një radio-komedi në RAI, me titull “L’uomo che incontrò se stesso”[1], ku protagonisti kthehet në të kaluarën dhe përpiqet t’i tregojë “vetes” së vet më të hershme se gruaja po ia dredh.

Nuk di pse e ruaj këtë kujtim; kushedi ngaqë truri do të shpenzonte më shumë energji, po ta kish fshirë nga ekzistenca.

Gjithsesi, po të më qëllonte të dilja përballë vetes sime, do të bëja sikur nuk e njoha. Për ta lënë të qetë, në gabimet, dritëshkurtësitë dhe hallet e veta.

Distikun e Shkrelit e kam parë vetëm të shkëputur; nuk di nëse është pjesë e ndonjë poeme më të gjatë. Por vështrimin krahasues të fotogramave nga celuloidi i jetës politike të Edi Ramës kam vite që e bëj.

Dhe ka një pasazh, te “Refleksionet” e tij me Ardian Klosin, ku gjej të kundërtën – Ramën të riun, që i flet me urtësi këtij të tanishmit, për t’i thënë[2]:

Detyra e parë e artistit, si “i përkëdheluri” i Perëndisë është që të mos e tradhtojë kurrë të vërtetën, detyrë të cilën shpesh duhet ta harrojë që në fillim të rrugës së tij politikani, si i përkëdheluri i një shtrese apo i një klani të caktuar njerëzish.

Kjo është e 11 janarit të vitit 1991, nga fjala në Institutin e Lartë të Arteve; një kohë kur Rama e përfytyronte veten si anarkist dhe me siguri identifikohej si piktor.

Sot mbase nuk do të shprehej më kështu.

Nuk jam nga ata që kërkojnë llogari duke të vënë përpara gjëra që ke thënë para një muaji, një viti ose një dekade. Njeriu ndryshon, bota ndryshon dhe ti vetë nuk thua dot të njëjtat gjëra, edhe sikur të thuash të njëjtat gjëra.

Për shembull, te një letër e hapur drejtuar Ramiz Alisë në 2 shkurt 1991, Rama pat shkruar:

Ëndrra jonë e përbashkët për një rrugë paqësore drejt demokracisë mund të bëhet realitet vetëm në qoftë se ju pranoni një debat politik të barabartë, me respekt të ndërsjelltë… për të nënshkruar një marrëveshje sinqeriteti gjithëkombëtar.[3]

E shqiptuar sot, e njëjta thënie – drejtuar protestuesve – do të kish marrë kuptim tjetër; dhe jo thjesht ngaqë Rama tani është në rolin që ishte atëherë Alia.

Njeriu mund të thotë po ato gjëra, e megjithatë të përcjellë kuptime të kundërta.

Nga viti i largët 1991 e deri më sot Rama ka thënë dhe shkruar me miliona fjalë, të cilat edhe janë ruajtur, edhe kanë humbur; por më shumë janë ruajtur se kanë humbur.

Të rrasura në arkivat e kujtesës institucionale dhe kolektive, këto tekste të panumërta janë kombinuar mes tyre, për të ndërvepruar dhe përftuar avatarin Rama që na flet sot nga videoklipet në mediat sociale.

Përftesa nuk mund të mos më kujtojë atë që bën një LLM, kur vjel një korpus tekstesh, për të distiluar që andej një algoritëm personal probabilitetesh.

Dhe ky avatar vepron njëlloj edhe te burimi i këtij ligjërimi, që është Rama vetë, ashtu edhe te marrësit e tij, që është publiku, përfshi këtu deputetët e PS-së, patronazhistët, protestuesit në rrugë dhe anonimët e trollët online.

Citatin që solla më lart:

Detyra e parë e artistit, si “i përkëdheluri” i Perëndisë është që të mos e tradhtojë kurrë të vërtetën, detyrë të cilën shpesh duhet ta harrojë që në fillim të rrugës së tij politikani, si i përkëdheluri i një shtrese apo i një klani të caktuar njerëzish.

E kam të pamundur ta lexoj sot, pa filluar të mendoj se çfarë shkoi keq, gjatë këtyre 35 vjetëve. Pa e ftuar unë, më del parasysh imazhi i një njeriu në përfytje për jetë a vdekje me avatarin që e nguc nga e shkuara e vet.

Dhe gjatë kësaj përfytjeje, që ndonjëherë më duket sikur ka zënë fill prej dekadash, më duket sikur Rama nuk është më në kontroll të narrativës. Ka një dyluftim që inskenohet rishtas çdo ditë, në një skenë të teatrit të tij të mendjes – por regjisori tashmë “është larguar në drejtim të panjohur”.

Edhe pse nuk besoj se ka pasur asnjë çast të vetëm, kur njeriu Rama ta ketë ndier – si ngecje a si shkëputje në përjetimin e vetes – kalimin nga roli prej murgu shërbesëtar të së vërtetës, te roli prej beniamini të mase besnikësh.

Vijueshmëria e subjektit nuk qenka, pra, kusht i integritetit, i cili u dashka themeluar nga e para dita-ditës.

Për t’ia shkoqitur këtë vetes dhe, me shpresë, edhe lexuesit, po kthehem në sigurinë e kujtimeve të mia.

Më ndodh që të rilexoj vepra që i kam admiruar, kur i kam lexuar dekada më parë. Vepra që më kanë formuar mendjen, ma kanë plazmuar kur ajo – mendja – ishte ende e butë dhe e përkulshme dhe mund të merrte lehtë forma të reja.

Shpesh kam mbetur i zhgënjyer – shpesh, jo gjithnjë. Për shembull, Me syrin e një klouni të Böll-it, e kam shijuar edhe më fort herën e dytë. Ose Solaris-in e Lem-it. Njeriun që qesh, të Hugo-it. Emrin e trëndafilit të Eco-s. Ndonjë roman të Kadaresë. Zylon e Agollit.

Por të tjera vepra më janë dukur të mërzitshme herën e dytë, në mos të palexueshme. Pa sjellë këtu lista të kota, po mjaftohem të them që zhgënjimin nuk e kam pasur aq me veprat, sa ç’e kam pasur me veten.

Jam përpjekur të marr me mend njeriun që e ka pëlqyer dikur këtë vepër që unë tani po e lë përgjysmë. I bindur, megjithatë, se fajin nuk e ka rileximi, madje as mungesa – herën e dytë – e surprizës narrative.

Më shumë gjasë ka që leximi i djeshëm nuk është gati që t’i bëjë vend të sotmit. I reziston. Diçka që mbase ka të bëjë me lumturinë e leximit.

Herakliti thoshte që nuk mund të futesh dy herë në të njëjtin lumë. Në kuptimin që edhe uji do të ketë rrjedhur, edhe ti do të jesh plakur.

Platoni e rimerr këtë ide në dialogun e vet Kratylus, dhe më pas Aristoteli, duke komentuar dialogun e Platonit, thotë se Kratylus-i e çoi një hap më tutje metaforën e Heraklitit, duke shpjeguar se është e pamundur që të futesh në të njëjtin lumë edhe një herë të vetme.

Por ekziston edhe një mundësi tjetër – të futesh në lumë dhe të kujtosh se ke dalë dhe pastaj të futesh sërish, duke e kujtuar lumin të njëjtë ose të ndryshuar; por në fakt ajo që ka ndodhur është se pasi je futur në lumë, nuk mund të dalësh më që andej.

Je bërë pjesë e lumit. Rrjedh edhe ti me ujin.

Shqipja ka një thënie, që e sjellin ndonjëherë me shaka: “Të bëhesha edhe një herë nuse, pa do të dija si të nusëroj…”

Kjo mund të interpretohet në disa mënyra, por mua më pëlqen ta shpjegoj kështu: eksperienca nuk është veçse fryt i hidhur i pamundësisë për të mësuar nga rrjedha e kohës.

Edhe distiku i Azem Shkrelit tani do të marrë kuptim tjetër:

“Sikur të takoheshim me vetveten sy më sy, do të putheshim apo kishim për t’u pështy?”

Meqë takimi nuk do të ndodhte dot – në kuptimin që avatarët nuk do ta njihnin njëri-tjetrin.

(c) 2026 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.


[1] Tani shoh se veprën e ka shkruar Luigi Antonelli në 1918 dhe mund të lexohet falas këtu.

[2] Ardian Klosi, Edi Rama, Refleksione, botime Albania, 1991, f. 49.

[3] Vep. cit. f. 129.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading