Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kinema / Kritikë

NJI OQEAN MES SYNIT E KAPAKUT TIJ

nga Dea Karakaçi

“There’s life in life, death in death, both accelerating.
An ocean resides between my eye and its eyelid…” [1]

E. Adnan, Conversations with my soul III (2018)

Titulli: Adnan Being and Time
Regjia: Marie Valentine Regan
Viti: 2025
Kohëzgjatja: 70 minuta
Vendi: Francë, SHBA

Me ngjeshë në shtatëdhetë minuta konceptin e të jetuemit, duket si nji sfidë që Marie Valentine Regan përmes ”Adnan being and time”, e trajton me delikatesë e tuj dhanë kohen që i duhet. Ma tepër se nji dokumentari, “Adnan being and time” i përngjet trungjeve e degëve të pemëve që marrin jetë prej poshtë e ngjiten nelt, në kërkim të Tamalpaisit të vet.

Kështu, aspekte të pesë viteve të fundit të Etel Adnanit, përmes ngjyrave, fjalës dhe përvojës, në unikalitetin, thjeshtësinë, qetësinë që thehet prej frymës, natyrës, marrin karakter universal. Përmes historisë së jetës të nji figure të tillë, shfaqen tablo me ngjyra të ndezuna, poezi, ’leporello’ e peizazhe që me hijeshinë e misterin e vet ngjallin dëshiren për me u afrue me to. Çdo sekuencë duket jo shumë e ndërlikueme, por nen sipërfaqe punon nji dendësi mendimi që të shtyn me u ndalë ma gjatë se zakonisht në detaje që përditshmëria i kalon pa i pa.

Etel Adnani nuk pranon etiketa, as përkufizime. N’atë hapësinë ku e thanuna dhe e pathanuna bashkjetojnë, arti dhe dinamizmi i Adnanit funksionojnë si shtytje për me i lëvizë kufijtë e çdo natyre. Në sytë e artistes, përballë veprës së artit e kujtdo që e sodit, shfaqet nji shenjë barazimit që i zhvesh të dy krahët prej kornizave, tuj kapërcye edhe dimensionin “kohë”.

E duket se pikërisht kyt pikëvështrim të Adnanit, regjisorja Regan e përcjell edhe në kyt prodhim, tuj ba të mujtun që raporti që shikuesi krijon me ekranin mos me u bâ i dukshëm saora, por vetëm kur filmi afrohet kah fundi, tuj përfshi gjithsecilin plotësisht, pavarësisht rrudhave e thinjave.

Edhe pse ritmi i kadalshëm nuk i flet tanve njilloj, kânde të ndryshme të ftojnë me reflektue për qylymat që të mungojnë nen kambë, për heren e parë kur ke pa diellin, për ditëlindjet, për Bejrutin, për Ameriken e së fundmi për at’ Paris, që na len pezull; me shijen e të pamujtunes, me dëshirat e parealizueme dhe nji histori që pret me i ardhë fundi.

Bejruti që nis me frymue gjallshëm brenda secilit, kur takohena me Amerikën tonë, asht momenti kur kujtohena me njeh kokrrat e ranës në klepsidren e jetës. Në kyt hapësinë ku pa b’zâ, lajmë gjurmë pa e ditë se kur ka me kenë e fundit, mbulojmë me bojë çdo hapësinë të bardhë në telajo, përherë e ma shumë tuj plotësue tablonë, me frymën që merr hijen e eres, me trupin që me qetësi bahet nji me malin.

N’oqeanin e lirisë për me i ba gjanat avash-avash, vjen nji kohë kur sytë mbyllen. Diku n’ajër, tretet koha, tretet qenia jonë, tuj lanë mrapa nji emën.

Në disa momente, dokumentari duket sikur e sheh vetë Adnanin si peizazh. Flokët e bardhë, rrudhat, duert, hapat e ngaeshëm, zâni, nuk trajtohen si shenja ligshtimi. Edhe heshtjet e saj marrin peshë fizike. Regan nuk merr mundimin me i mbushë ato me muzikë në sfond a narracion të tepërt; i len me marrë frymë vetë. Ndoshta prandaj filmi arrin me tejçue ndjesinë se koha nuk kalon “përreth” njeriut, por përmes tij.

E në fund, kur gjithçka fillon me u tretë, qytetet, kujtimet, ngjyrat, poezitë, vetë zâni, mbeten vetëm akti “të krijuemit”, ARTI, si dëshmi se dikush ka kenë këtu, ka pa botën dhe ka lanë mrapa mënyrën e vet për me e kuptue e me e dashtë atë.


[1] “Ka jetë n’jetë, dekë n’dekë, të dyja n’shpejtim. / Nji oqean rrin mes synit tem e kapakut tij…”

(përkthye prej: D. Karakaçi)

© 2026 Dea Karakaçi. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading