“Një ishull privat i pabesueshëm, i bukur, prej 1,400 hektarësh në mes të Mesdheut. Ishim duke udhëtuar në jahtin e një miku dhe ndaluam për të bërë not… Notuam drejt ishullit, bëmë një ecje këmbëzbathur deri në majë të tij dhe u mrekulluam… Territori është aq i bukur sa arkitektura duhet të jetë plotësisht e integruar me të, pothuajse sikur të dalë prej vetë tokës… Për mua, ky projekt është kulmi i gjithë përvojës sime në pasuritë e paluajtshme, i të gjitha udhëtimeve dhe reflektimeve të mia mbi mënyrën se si ne duam të jetojmë.” [5]
“Ky ishull është mjaft i madh dhe shumë i sheshtë, me pemë shumë të gjelbra, shumë ujë dhe një liqen të madh në mes, pa male, dhe i gjithi kaq i gjelbër sa është kënaqësi ta shohësh… Pemë të gjata, më të bukurat që kam parë ndonjëherë, me gjethe po aq të gjelbra sa ato të Castilla-s në muajt prill dhe maj, dhe shumë ujë… Ata duhet të jenë shërbëtorë të mirë dhe të zgjuar, sepse shoh që përsërisin shumë shpejt gjithçka që u thuhet; dhe besoj se do mund të bëhen të krishterë shumë lehtë, sepse më duket se nuk kishin fe… me 50 veta, të gjithë do mund të nënshtrohen dhe mund të bëjmë me to çfarëdo që dëshirojmë.”
Citimi i parë është shkëputur nga intervista e Ivanka Trump në lidhje me projektin e saj për ishullin e Sazanit dhe lagunën e Vjosë-Nartës në Shqipëri, ndërsa citimi i dytë i përket ditarit të Kristofor Kolombit marrë nga libri i Tzvetan Todorov “Konkuista e Amerikës – Çështja e Tjetrit” [10]. Në të dyja citimet mund të vërejmë një prapavijë të njëjtë: tokat zbulohen nga protagonistët në fjalë dhe më pas këta të fundit numërojnë planet e tyre në lidhje me ndryshimet që duan të kryejnë në këto toka dhe vendasit e tyre bazuar në një vizion të ngritur në vlera ashtu si i njohin ata.
Zbulimi
Në të dyja rastet nuk kemi të bëjmë me “zbulim”, pasi të dyja tokat kishin qenë tashmë të zbuluara nga popujt vendas. Në rastin e Kolombit, zbarkimi tij në tokat e Amerikës Veriore njihet në histori si “Zbulimi i Amerikës” për faktin e vetëm se Kolombi ishte përfaqësues i mbretërisë spanjolle të atëhershme e cila krahasimisht me popujt vendas të Amerikës Veriore, ishte një shoqëri e cila zotëronte një superioritet dërrmues ushtarak dhe teknologjik, me armë çeliku, forca të blinduara, armë zjarri, kuaj, etj., duke nënshtruar kësisoj popujt vendas e duke e rishkruar më pas historinë me në qendër nocionin e “zbulimit”. Në rastin e Ivanka-s “zbulimi” është estetik pasi ai natyralizon pronësinë përmes përvojës personale në vend të pretendimit ligjor; nuk është më e nevojshme t’i vendoset flamuri tokës së “zbuluar” si në rastin e Kolombit, por pronësia tanimë deklarohet nëpërmjet përvojës idilike teksa hidhesh nga jahti për të notuar e rastësisht përfundon në një ishull të cilin e cilëson si “privat” dhe vendos ta transformosh atë duke injoruar faktin se ai ishull i përket një shteti sovran.
Ndryshimi
Në të dyja rastet nuk kemi të bëjmë me “ndryshim” por kemi të bëjmë me përvetësim të tokave dhe popullatës vendase në bazë të interesave të protagonistëve dhe grupeve të tjera të lidhur me ta. Përvetësimi në fjalë arrihet nëpërmjet imponimit. Në librin e tij “Konkuista e Amerikës – Çështja e Tjetrit”, Todorov bën dallimin ndërmjet komunikimit të “propozuar” dhe atij të “imponuar”. Kolombi nuk e pyet “tjetrin” se çfarë dëshiron, por i tregon se çfarë i nevojitet. Nga ana tjetër, Ivanka na paraqet një projekt për ishullin e Sazanit dhe zonën Vjosë-Nartë, i cili përfshin një vendpushim luksoz prej 1.4 miliardë dollarësh në një zonë të mbrojtur, mbështetur në ndryshimin ligjor të vitit 2024 që përjashton vendpushimet luksoze me 5 yje nga mbrojtjet mjedisore. Imponimi në këtë rast nuk vjen më nëpërmjet urdhrit të drejtpërdrejtë ndaj viktimës, si, për të cituar Kolombin: “me 50 veta, të gjithë do mund të nënshtrohen dhe mund të bëjmë me to çfarëdo që dëshirojmë”, por vjen nëpërmjet instrumentalizimit të shtetit i cili imponon një kuadër të ri ligjor për të akomoduar një vizion dhe jo një dialog me vendasit dhe me ekspertët e mjedisit. Pas imponimit fillestar, vijon faza e kolonizimit – te Kolombi, ajo merr trajtën e një prej fushatave më brutale në histori përgjatë së cilës tokat e Botës së Re grabiten sistematikisht, ndërsa popujt vendas përballen me vrasje, skllavërim dhe nënshtrim të dhunshëm ndaj rendit të pushtuesve, në krye të të cilit qëndronin interesat ekspansioniste të kurorës spanjolle. Ndërkohë, pas imponimit përmes ndryshimeve ligjore, te Ivanka ky proces rishfaqet në formën e një fushate neokolonialiste, sigurisht, jo aq barbare sa ajo e lartpërmendura, por që përdor mekanizma bashkëkohorë për të arritur të njëjtin qëllim: përvetësimin e tokave dhe të realitetit vendas, për t’i shndërruar ato në oaze për miliarderë, në një prej shteteve më të varfra të Evropës.
Vendësit
Kolombi ja njihte ekzistencën popullsisë vendase vetëm kur bëhej fjalë për konvertimin e tyre në kristianizëm ose nëse shfaqeshin si pengesa në procesin e fushatës kolonialiste. Cortési gjithashtu i shquante vetëm përgjatë luftës kundrejt tyre dhe kur shfrytëzonte përçarjet e brendshme në avantazh të tij. Pra, vendasit transformohen në “tjetrin” i cili ekziston vetëm në raport me pushtuesit e vetëm në rastin kur duhet mohuar realiteti i tyre; pushtuesit mund të vazhdojnë ekzistencën e tyre vetëm nëse ndalojnë ekzistencën e “tjetrit”. Ivanka nga ana tjetër i referohet në intervistë ishullit të Sazanit si “ishull privat” dhe nuk e përmend askund emrin e Shqipërisë si shteti të cilit i përket ky ishull aq sa të krijon përshtypjen se për të Shqipëria nuk ekziston as në dimensionin e “tjetrit” për tu nënshtruar. Ndërkaq, projekti tjetër i çiftit Kushner-Trump është vizualizuar të kryhet në peizazhin e mbrojtur Vjosë-Nartë, shtëpi për mbi 200 lloje zogjsh e fokash të rrezikuara duke rezultuar kësisoj në dëme të pakthyeshme për ekosistemin, dhe teksa ambientalistët ngrenë zërin për këtë çështje, qeveria mohon se ka një projekt të përfunduar. Qeveria shqiptare merr rolin e mohuesit në këtë rast duke mohuar realitetin ekzistues aty, duke mohuar të drejtat e ekosistemit, si dhe të drejtat e vendasve e duke i transformuar kësisoj këta të fundit në “tjetrin” që po pengon zhvillimin.
Vlerat
Kolombi e shihte “Botën e Re” përmes këndvështrimit një-dimensional të shfrytëzimit i cili në fund materializohej në ar dhe burime. Todorov thotë se dëshira e tij për pasuri i nënshtronte të gjitha vlerat e tjera. Projektet e çiftit Kushner-Trump justifikohen nëpërmjet potencialit ekonomik duke premtuar vende pune për vendasit dhe derdhje miliardash. Kësisoj kemi të bëjmë me justifikimin nëpërmjet vendeve të punës që përpiqet të nënshtrojë çdo vlerë demokracie dhe ambientaliste. Pra vlerat përqendrohen në vjeljen e fitimeve nëpërmjet transformimit të tokës në pasuri, duke e parë këtë të fundit si një mundësi “të frikshme” në pamje të parë, por ama të jashtëzakonshme.
“Motte and bailey”
Ky justifikim në kuadrin ekonomik, i cili nënshtron të gjitha vlerat e tjera në emër të fitimit, nuk është thjesht një deklaratë e hapur, porse ai mbështetet në një strategjinë retorike të “motte and bailey” [7] për t’u mbrojtur nga kritikat. “motte and bailey”, pra kalaja dhe oborri, është një koncept i përkufizuar nga filozofi Nicholas Shackel, përshkrues i një strategjie ku debatuesi tërhiqet në një pozicion të lehtë për t’u mbrojtur kur sulmohet për një pretendim radikal, dhe më pas i kthehet përsëri pretendimit radikal pasi sulmi në fjalë të ketë mbaruar. Struktura e këtij argumenti qëndron si në vijim: debatuesi bën një deklaratë kontraverse nga “oborri i ideve” (bailey); kur kjo deklaratë sulmohet, debatuesi tërhiqet në “kala” (motte), pra në pozicionin e lehtë për tu mbrojtur, duke pretenduar se ishte duke thënë thjesht diçka të pakontestueshme nëpërmjet përdorimit të termave objektiv por të rremë si ndryshimi e zhvillimi. Pasi sulmi të ketë mbaruar, ai i rikthehet deklaratave fillestare kontraverse. Ivanka Trump shprehet se projekti do të zhvillohet “me respekt të plotë për mjedisin duke u integruar organikisht me natyrën” dhe se po punon me “arkitektë me integritet absolut”; ky lloj argumenti pra, është “kalaja” e saj estetike, një pozicion të cilin askush nuk mund ta kontestojë pasi të gjithë biem dakord me të paturit respekt dhe integritet. Por “oborri” i saj radikal është ndërtimi i një vendpushimi luksoz në një zonë të mbrojtur dhe në një ishull të pabanuar, ku, për të cituar vetë zonjën, “nuk ka energji elektrike” dhe ata do të “ndërtojnë gjithçka nga e para”, duke e cilësuar si “projekti i jetës sime”; ndërkaq kur ambientalistët vënë në dukje dëmin ndaj ekosistemit, ajo tërhiqet në “kala”: “po punojmë me arkitektë të njohur ndërkombëtarë”, “respekti për mjedisin është thelbësor”. Më pas, kur debati të qetësohet, ajo kthehet tek “oborri” i saj: “do të kemi hotele, resorte dhe wellness, gjithçka; është pothuajse e frikshme madhësia e tij (projektit)”.
Kryeministri Rama gjithashtu tërhiqet në “kalanë” e tij burokratike nëpërmjet argumenteve si “nuk ka asnjë marrëveshje për shitjen e ishullit”, “nuk janë dorëzuar ende lejet e ndërtimit” dhe “ndikimi mjedisor është duke u studiuar”, por oborri i tij janë faktet si në vijim: janë dhënë dy leje zhvillimi për zonën Vjosë-Nartë, nisën punimet në të pasi zona u gardhua e u asfaltua, dhe ndryshimi ligjor i vitit 2024 që përjashton resortet luksoze me 5 yje nga mbrojtjet mjedisore.
Opulenca
Por kjo retorikë nuk funksionon vetëm në nivelin e deklaratave kontradiktore me njëra-tjetrën. Ajo arrin të përforcohet më tej nga një gjuhë tjetër, ajo e luksit dhe pasurisë, gjuha e opulencës [3]. Fuqia e opulencës nuk qëndron pas bollëkut, por pas estetikës së bollëkut; opulenca është pikërisht estetika e të zotëruarit të gjithçkaje. Nëpërmjet këtij dallimi mund të kuptohet më tej projekti i Sazanit dhe projekti i zonës Vjosë-Nartë, pasi vendpushimet luksoze nuk janë thjesht hotele me 5 yje, ato janë një deklaratë simbolike e pushtetit, një “flex” për të pasurit dhe të fuqishmit. Opulenca është një demonstrim i pasurisë dhe i fuqisë së të pasurve dhe të fuqishmëve, e ndërkohë një simulacrum [1] e pikërisht kësaj pasurie dhe fuqie të mohuar për të margjinalizuarit dhe të varfrit. Në rastin e Shqipërisë, opulenca funksionon për të dyja palët; për Ivanka Trump dhe Jared Kushner ajo është një “flex”, pra një demonstrim i fuqisë së tyre globale, ndërsa për qeverinë shqiptare dhe qytetarët e saj ajo është një simulacrum: premtimi se Shqipëria, një nga vendet më të varfra në Evropë, mund të hyjë në elitën globale përmes këtij projekti. Por ky premtim fsheh pas tij realitetin e hidhur se shqiptarët nuk do të jenë pronarët e kësaj opulence, në rastin më të mirë do të jenë shërbëtorët e saj. Ata shqiptarë që do të jenë akoma në Shqipëri pas valës gjithmonë e në rritje të emigracionit, do të jenë ata që pastrojnë dhomat, servirin ushqimin dhe mirëmbajnë këtë parajsë për të pasurit, njëjtë si Kolombi i shihte vendasit e Amerikës si “shërbëtorë të mirë” dhe “të zgjuar”.
Neokolonializmi
Nëpërmjet këtyre paralelizmave, që prej përdorimit të katër shtyllave të rreme: zbulimi, ndryshimi, vlerat, vendasit, dhe strategjisë retorike të “motte and bailey” dhe gjuhës së opulencës, vërejmë se nuk kemi të bëjmë me një ekuivalencë të drejtpërdrejtë midis Konkuistës së Amerikës dhe projekteve në zonën Vjosë-Nartë dhe në ishullin e Sazanit në aspektin e dhunës apo shkallës së madhësisë së tyre, por me një paralele në strukturë, gjuhë dhe pasoja negative për vendasit. Këto paralele ngrihen mbi procesin e nisur me një të huaj të fuqishëm i cili “zbulon” një vend e në mënyrë krejtësisht arbitrare deklaron të drejtën për ta transformuar atë. Këto paralele operojnë brenda kuadrit neokolonial [6] të ndikimit dhe dominimit të ushtruar nga kombet dhe korporatat e fuqishme mbi ato më pak të fuqishme përmes mjeteve ekonomike dhe politike në vend të pushtimit të drejtpërdrejtë ushtarak. Në rastin konkret, ndikimi po ushtrohet nga një familje politike amerikane me akses në kapitale të mëdha. Procesi i këtij neokolonializmi në Shqipëri ka nisur me qasjen politike të familjes amerikane nëpërmjet kryeministrit në detyrë i cili hyn në varkën e investitorit, qasja pasohet nga manipulimi ligjor nëpërmjet ndryshimit të ligjit mjedisor për t’iu përshtatur projektit, dhe në fund kërkon të përmbyllet nëpërmjet fuqisë ekonomike, pra shkallës së madhe të investimit që kërkon të mposhtë rezistencën vendase e cila paraqitet nga kryeministri si pengesë për progresin. Këto procese nuk janë të rastësishme, porse ato janë të ndërtuara mbi një sistem retorik që fsheh realitetin pas një fasade fjalësh boshe. “Respekti për mjedisin” fsheh shkatërrimin e tij, “zhvillimi” fsheh përvetësimin, “vendet e punës” fshehin varfërimin e mëtejshëm, dhe “zbulimi” fsheh faktin se toka kishte zotëruesit e saj para se të vinte vizitori i huaj. Pikërisht kjo është arsyeja pse protestuesit në Shqipëri thërrasin “Shqipëria nuk është në shitje”, sepse modelet e vjetra të pushtimit nuk kanë vdekur, por kanë ndryshuar aq sa ka qenë e nevojshme duke u rimishëruar me një formë të re, një formë që flet nëpërmjet gjuhës së opulencës dhe “zhvillimit”, por që në thelb mbetet e njëjta logjikë e përvetësimit dhe mohimit të tjetrit.
Rishkrimi i historisë
Gjuhët paralele të Kolombit dhe Ivanka Trump nuk operojnë në boshllëk, porse ato janë armët gjuhësore të proceseve kolonialiste dhe neokolonialiste, fitorja përfundimtare dhe më e fshehtë e të cilëve është rishkrimi i historisë. Tanimë është aksiomë fakti se historia shkruhet nga fituesit. Në kontekstin e Konkuistës Amerikane, Todorov argumenton se triumfi i konkuistës nuk ishte vetëm një fitore ushtarake, por një fitore epistemologjike, ku mënyra evropiane e të parit të botës iu imponua “tjetrit”. Ky akt i imponimit të një botëkuptimi është themeli i shkrimit të historisë nga perspektiva e fituesit. Realiteti i popujve vendas dhe mijëvjeçarët e historisë së tyre u fshinë për t’i hapur rrugë narrativës së “zbulimit” evropian. Fshirja e historisë është një mekanizëm kyç i fuqisë kolonialiste; fituesit jo vetëm që fitojnë luftën, por fitojnë të drejtën për të përcaktuar se çfarë do të thoshte ajo luftë si dhe gjithçka që ka ndodhur para saj. Projektet për Sazanin dhe rajonin e Vjosë-Nartës veprojnë me të njëjtën logjikë të fshirjes, ku alarmi i parë ka qenë pikërisht ndryshimi ligjor i qeverisë për të përjashtuar vendpushimet luksoze nga mbrojtjet mjedisore dhe mohimi i mëvonshëm i detajeve të projektit si përpjekje për të rishkruar realitetin e vetë tokës me qëllim transformimin e tokës nga një ekosistem i mbrojtur në një parajsë për të pasurit. Në këtë skenar të ri, populli shqiptar, ambientalistët dhe ekosistemi nuk paraqiten si protagonistë të historive të tyre, por pushteti kërkon t’i rishkruajë si “tjetri” i cili pengon të ashtuquajturin progres.
Lëvizja globale
Ky fenomen është një model i përsëritur në mbarë botën, duke prekur komunitete të tëra në Afrikë, Azi dhe Amerikë latine, të cilat gjithashtu përballen me të njëjtat taktika të përvetësimit të tokave nën pretekstin e investimeve të mëdha duke lënë pas shkatërrim mjedisor dhe varfërim të skajshëm. Në Barbuda, një ishull i Karaibeve, projekti luksoz “Paradise Found” me vlerën 250 milionë dollarë u reklamua si mundësi e artë për të sjellë prosperitet [9], por si pasojë e atij projekti u shkatërruan dunat e rërës, ligatinat dhe plazhet ku breshkat shtronin vezë dhe qeveria anuloi të drejtat komunale mbi tokën për t’u hapur rrugë investitorëve të huaj teksa vendasit përballeshin me gardhe sigurie që i përjashtonin nga plazhet e tyre. Në Mauritius, modeli i turizmit elitar krijoi një enklavë ku familjet euro-mauritiane dominonin pronësinë e resorteve dhe shumica e qytetarëve u përjashtuan nga bregdeti i çmuar [2]. Në Botsvana, delta e Okavango-s reklamohet si kurora e luksit afrikan me kampe që kushtojnë 1,500 dollarë për natë [8], por 82% e objekteve akomoduese janë në pronësi të huaj dhe vetëm 11% e kompanive turistike i paguajnë taksa qeverive vendase. Në Bali, fenomeni i “New Moscow” në zonën e Canggu ka shndërruar një fshat të qetë turistik në një enklavë për të huajt, duke shkaktuar zhvendosjen e vendasve për shkak të çmimeve të papërballueshme të qirave dhe duke shkatërruar ekosistemin tradicional të ujitjes Subak [4]. Raste të këtilla numërohen me shumicë nëpër vendet e varfra dhe studimet e bëra në këtë fushë argumentojnë se ekziston një korrelacion i fortë midis zgjerimit të pronave të huaja dhe rritjes së hendekut social, ku banorët vendas përjetojnë degradim mjedisor dukshëm më të lartë krahasuar me popullsinë e huaj.
Por në Shqipëri kjo histori është ende duke u shkruar përmes kundër-narrativës kundrejt neokolonializimit. Qëndresa e shqiptarëve në Shqipëri e më tej nuk është një reagim i izoluar, por pjesë e një lëvizjeje globale të vendasve që i thonë “Jo” përvetësimit të realitetit të tyre. Këto protesta të vazhdueshme janë refuzim për të pranuar historinë e rishkruar, pasi protestuesit janë duke pohuar se historia e tyre, lidhja e tyre me tokën dhe e drejta e tyre për të formësuar të ardhmen e tyre nuk janë në shitje.
(c) 2026 Klejda Rrapaj. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.
Referenca
[1] Baudrillard, J. (1994). “Simulacra and Simulation”. University of Michigan Press.
[3] Berger, J. (2008). “Ways of seeing”. Penguin Books.
[5] David, S. (2026). “Ivanka Trump on Building an Authentic Life” [Video]. YouTube. https://www.youtube.com/watch?v=VhsiMd9ZFNk
[8] The EastAfrican. (2025). “The other side of luxury tourism in Africa”. https://theeastafrican.co.ke/tea/business-tech/the-other-side-of-luxury-tourism-in-africa-5240808
[9] The Irish Times. (2025). ’Colonisation 2.0’: inhabitants of unspoilt Caribbean island Barbuda push back against Robert De Niro-linked development”. https://staging.irish-times.com/world/americas/2025/07/06/colonisation-20-inhabitants-of-unspoilt-caribbean-island-barbuda-push-back-against-robert-de-niro-linked-development/
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.