Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim / Media

E DREJTA E DEA MISHELIT PËR TË BEZDISUR KRYEMINISTRIN

Çfarë tha Dea Mishel? Kryeministri ngriti pikëpyetje a është ajo serioze, a paguan taksa, a ka të drejtë të flasë për politikë dikush që deri dje fliste për veshje dhe udhëtime. Protesta u zhvendos nga rruga te përgojimi i një vajze të re në takime politike të mazhorancës, emisione televizive të mbrëmjes me opinionistë që e sulmuan se nuk pranoi ftesën t’u bashkohej, deri në postime që deputetja Zegjine Çaushi bëri për pamjen e saj në rrjete sociale e kryeministri që e postoi si portret pa fytyrë, midis portreteve të tam-tamexhinjve të tjerë, siç i thërret ai.

Si juriste e së drejtës së teknologjisë, medias dhe telekomunikacioneve, më nxiti fenomeni si debati politik largohet nga argumenti, dhe kthehet sa hap e mbyll sytë kundër personit që e shpreh atë. Protesta nuk lindi nga influencerët, po nga qytetarë të zakonshëm, të cilët kërkuan nga krijuesit e përmbajtjes digjitale të përdorin platformat e tyre për t’i dhënë protestës më shumë jehonë. Influencerët nuk po ua marrin protestën qytetarëve, ndodhi krejt e kundërta, qytetarët i ftuan influencerët të bëheshin pjesë e saj.

Dea Mishel bëri diçka që në një demokraci funksionale nuk duhet të përbënte lajm, doli nga zona e saj e zakonshme si influencere, dhe shprehu një qëndrim politik. Nuk mori pushtet, nuk mori vendime. Thjesht foli. Reagimi që ajo mori nga politikanët dhe televizioni nuk u përqendrua tek argumenti, po te vetja e saj, mënyra si flet, pamja, çfarë ka bërë më parë, përqeshja e profesionit. Kalimi nga argumentum tek ad hominem mund të ketë pasoja juridike, sepse zhvendos qendrën e vëmendjes nga “a ka të drejtë” tek “a meriton ajo të dëgjohet”.

Nëse e shohim këtë vetëm si një sherr mes Kryeministrit dhe një influencereje, po humbasim kohë, sepse vetëm emrat ndryshojnë. Sot është Dea Mishel, nesër mund të jetë një qytetar që komenton nën një postim zyrtar, po çfarë ndodh kur pushteti vendos të mos debatojë më me idenë, por me njeriun që e ka shprehur atë?

Neni 10[1] i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut nuk bën ndarje në njerëz që meritojnë të japin mendim dhe njerëz që nuk e meritojnë. Liria e shprehjes nuk fitohet me diplomë, dhe nuk hiqet me mënyrën si vishet dikush; ajo i përket çdo personi[2], influenceres e qytetarit të thjeshtë, në po atë masë si gazetarit profesionist.

Ekziston një parim themelor në jurisprudencën evropiane, i artikuluar për herë të parë qartë në vendimin e mirënjohur Lingens kundër Austrisë[3], që thotë se figurat politike, për shkak të vetë pozicionit, duhet të tolerojnë një shkallë më të lartë kritike sesa qytetarët e zakonshëm.

Rasti është historik: Gazetari austriak Peter Michael Lingens ishte dënuar për shpifje pasi kritikoi kancelarin austriak Bruno Kreisky, duke e quajtur oportunist, imoral, të padenjë. Gjykata Evropiane vendosi se dënimi i tij shkelte lirinë e shprehjes, duke bërë një dallim thelbësor mes fakteve që vërtetohen, dhe gjykimeve që nuk i nënshtrohen provës së të vërtetës, sado fyese t’i duken zyrtarit. Pikërisht sepse Kreisky ishte politikan, duhej të pranonte kritikë edhe kur ajo ishte e ashpër dhe subjektive.

Kjo logjikë u zhvillua më tej në Eon kundër Francës[4], ku aktivisti francez Hervé Eon u dënua penalisht për fyerje ndaj presidentit sepse, gjatë një vizite të Presidentit Sarkozy, mbante një pankartë me fjalët që vetë Sarkozy i kishte thënë publikisht një fermeri (“Casse-toi, pov’con” “ik p*rdhu, budall’ i mjerë”). GJEDNJ sloganin ironik, që kishte qarkulluar gjerësisht në media dhe internet, e konsideroi formë legjitime të satirës politike. Dënimi penal për një kritikë satirike, sipas Gjykatës, ishte joproporcional dhe kishte efekt ndëshkues të padrejtë.

Ç’lidhje kanë dy vendime gjykate në rastin e Dea Mishelit? Jo se ajo ka të drejtë në çdo gjë që thotë, po se standardi i tolerancës ndaj kritikës duhet të jetë proporcional me pushtetin që ke. Kryeministri dhe deputeti i mazhorancës janë në krye të institucioneve shtetërore, Dea Mishel nuk është. Prandaj barra e vetëpërmbajtjes nuk është simetrike, bie më rëndë mbi atë që ka më shumë pushtet, jo mbi atë që ka më shumë ndjekës në Instagram.

Paradoksi i kohës sonë është se politikani tanimë bën rolin e influencerit dhe influenceri rolin e politikanit. Politikanët postojnë video të shkurtra e meme, kurse influencerëve po u kërkohet llogari sikur të ishin zyrtarë publikë, kanë pasoja për qëndrimet e tyre, duke pritur prej tyre sjellje me moral të lartë. 

Por ndikimi në rrjete sociake nuk është pushtet. Një milion ndjekës në Instagram nuk i japin askujt të drejtën të miratojë ligje apo të falë tokë e det. Politikani mund t’i bëjë këto gjëra, influenceri jo, prandaj përgjegjësitë juridike nuk mund të jenë të barabarta. Kjo nuk do të thotë se influencerët janë të paprekshëm nga kritika. Përkundrazi, sipas të njëjtit nen 10, kushdo mund t’i kritikojë idetë e Dea Mishelit, madje mund t’i kundërshtojë fort. Problemi është kur kritika e idesë zëvendësohet nga sulmi ndaj personit, sidomos kur ai sulm vjen nga zyrat e pushtetit.

Në të drejtën moderne të medias, reputacioni nuk është thjesht çështje krenarie apo prestigji abstrakt. Për një person publik që jeton nga imazhi i tij, qoftë edhe influencer, reputacioni është kapitali i tij profesional dhe ekonomik. Nëse e përdor protestën për të shtuar ndjekësit, kjo është meritë e saj, po nëse nuk paguan taksat, siç la të kuptohet Kryeministri, është përgjegjësia e tij që administrata tatimore të mundësojë sistemin që takson influencerët për çdo story ku bëjnë reklamë, si ndodh në vendet ku zbatohet ligji i internetit.

Studiuesi australian David Rolph[5] ka argumentuar se dëmtimi i reputacionit në epokën digjitale nuk vjen nga një deklaratë e vetme e rreme. Ky është pikërisht mekanizmi që po vërejmë: jo një akuzë e vetme kundër Dea Mishel, por një grumbullim i vazhdueshëm komentesh, për pamjen, për stilin e jetës, për peshën e fjalës së saj, që të marra së bashku, krijojnë një narrativë poshtëruese. Kur dëmi zhvendoset nga ideja tek personi, pasoja nuk është thjesht morale; mund të jetë profesionale dhe ekonomike, sepse influencerja ha bukë nga perceptimi i publikut ndaj saj.

Në studimet juridike mbi lirinë e shprehjes ekziston një koncept qendror, chilling effect, efekti ftohës, intimidues. Mjafton vetëm perceptimi[6] i pasojave shoqërore, që njerëzit të fillojnë vetëcensurimin, të heqin dorë nga deklarata që ndryshe do t’i shprehnin lirisht. Kur Kryeministri ironizon, kur deputetë të mazhorancës i bashkohen sulmit, kur media e amplifikon dhe rrjetet sociale e shumëfishojnë, krijohet një kosto reale, e dukshme, për këdo që mendon të flasë, jo vetëm Dea Mishel, po për çdo person që e ka parë çfarë i ndodhi asaj dhe do të mendohet dy herë para se të shprehë një mendim politik. Demokracia nuk dëmtohet vetëm kur fjala ndalohet me ligj. Dëmtohet, ndoshta më thellë, kur njerëzit arrijnë vetë në përfundimin se heshtja është rruga më e sigurt. Protesta ka krijuar një klimë ku kush nuk mbështet protestën konsiderohet armik nga një pjesë e protestuesve, ndërsa kush e mbështet rrezikon të bëhet objekt sulmi nga një pjesë e pushtetit. Kjo është një situatë e rrezikshme për debatin publik, se demokracia nuk kërkon mendim uniform. Nuk kërkon që të gjithë të protestojnë. Nuk kërkon as që të gjithë të heshtin. Ajo kërkon që njerëzit të kenë të drejtë të zgjedhin vetë pa u etiketuar si tradhtarë apo patronazhistë.

Kryeministri ka referuar disa herë ndaj Kanunin për qëndrimet e tij. Kanuni, qoftë Kanuni i Lekë Dukagjinit, qoftë variantet e tjera kanunore të traditës shqiptare, është një corpus juris i jashtëzakonshëm nga pikëpamja historike dhe antropologjike, një sistem i plotë normash procedurale, materiale dhe kodesh sjelljeje, që ka rregulluar shoqërinë shqiptare ndër shekuj. Siç duhet ta ketë hasur deputetja Zegjine Çaushi kur ka qenë studente e shkëlqyer e fakultetit të drejtësisë, pavarësisht vlerës së tij juridiko-historike, Kanuni nuk është pjesë e së drejtës pozitive në fuqi në Republikën e Shqipërisë, dhe kurrësesi nuk mund të zëvendësojë ligjet aktuale.

Që të mos i referohemi Kanunit vetëm kur na vjen për shtat, duhet thënë se ai ngre lart konceptin e nderit dhe respektit të ndërsjellë mes njerëzve, pavarësisht statusit shoqëror, si themel i marrëdhënieve brenda komunitetit. Ky parim i barazisë në dinjitet nuk është diçka e veçantë shqiptare folklorike. E gjejmë edhe në traditat fetare dhe filozofike që kanë ndikuar drejtësinë moderne, dhe është pikërisht ajo që Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe KEDNJ-ja e quajnë mbrojtja e dinjitetit njerëzor dhe e barazisë para ligjit. Nëse kjo ide ekzistonte në një kod sjelljeje shekuj para konventave ndërkombëtare, aq më tepër duhet të ekzistojë sot, përndryshe rrezikojmë t’i kthehemi vetëgjyqësisë kanunore, si paralajmëroi deputetja malësore socialiste.

Duke marrë Kanunin si referencë, a është kanunore sjellja e atyre që, duke pasur pushtet shumë më të madh se kushdo tjetër në debat, e përdorin pushtetin kundër pamjes fizike, profesionit dhe jetës private të një qytetareje? Apo Kanuni, në thelbin e tij, do të kërkonte saktësisht të kundërtën, vetëpërmbajtje proporcionale me peshën që ke?

Poeti persian Saadiu tregon historinë e mbretit që merr pa lejë një mollë nga kopshti i një fshatari të varfër. Kur mbreti merr një mollë, oborrtarët e tij shkulin pemën, dhe ushtria do të rrënojë gjithë fshatin. Sjellja e mbretit prodhon sjelljen e oborrit, dhe të gjithë atyre që kur pushteti debaton me një qytetare, ndihen të autorizuar të bëjnë të njëjtën gjë, me intensitet edhe më të madh. Por Magna Carta e 1215 lindi pikërisht si akt i vetëkufizimit të pushtetit mbretëror, ku mbreti pranoi me shkrim, se ekzistojnë kufij që as ai vetë nuk duhet t’i kapërcejë. Sundimtari nuk është mbi ligjin, po i nënshtrohet atij.

Nuk ka pikë rëndësie nëse Dea Mishel ka të drejtë. Po a ka të drejtë të flasë, madje, të bezdisë e zemërojë njerëz, pa u përballur me përçmimin e organizuar të pushtetit shtetëror? Ligjërisht, Dea Mishel ka të drejtë të flasë. Jo sepse ajo është e paprekshme nga kritika, por sepse standardi i vetëpërmbajtjes nuk varet nga numri i ndjekësve të dikujt në Instagram, po nga sasia e pushtetit institucional që ke në dorë. Sa më shumë pushtet ke, aq më e madhe duhet të jetë vetëpërmbajtja jote, jo më e vogël.

Tema meriton, padyshim, një trajtim akademik më të zgjeruar, me analizë krahasuese më të thellë të gjykatave të huaja, po ky rast na bën ne juristët e së drejtës së medias të shkruajmë edhe jashtë teksteve akademike, sepse debati publik nuk zhvillohet vetëm në sallat e gjyqit. Ngaqë mbreti mori një mollë, u shkul gjithë pema nga njerëzit e vet dhe debati zbriti në bulevard.

© 2026 Fiona Kopali. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


[1] Neni 10, Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (KEDNJ) 1950, Liria e shprehjes:
1. Çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informacione dhe ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë.

2. Ushtrimi i këtyre lirive që përmban detyrime dhe përgjegjësi, mund t’u nënshtrohet atyre formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare, integritetit territorial ose sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për mbrojtjen e shëndetit ose të moralit, për mbrojtjen e dinjitetit ose të të drejtave të të tjerëve, për të ndaluar përhapjen e të dhënave konfidenciale ose për të garantuar autoritetin dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor.

[2] Parimi se mbrojtja e nenit 10 nuk është e kushtëzuar nga statusi profesional i folësit, por shtrihet te të gjithë ata që marrin pjesë në debatin publik, është zhvilluar gjerësisht në jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) lidhur me rolin e “vëzhguesve publikë” (public watchdogs), përtej shtypit tradicional.

[3] Lingens kundër Austrisë Apl. 9815/82 (GJEDNJ, 8 korrik 1986)

[4] Eon kundër Francës Apl. 26118/10 (GJEDNJ 14 mars 2013). 

[5] David Rolph, “Reputation, Celebrity and Defamation Law”, botuar nga Ashgate, 2008.
Rolph argumenton se në epokën digjitale dëmi reputacional shpesh nuk vjen nga një deklaratë e vetme e identifikueshme, por ndërtohet në mënyrë kumulative, përmes përsëritjes së stereotipave, ironisë dhe narrativave që, individualisht, mund të mos përbëjnë shpifje, por që në tërësi krijojnë një perceptim publik dëmtues.

[6] Studiuesi Jonathan Penney, në studimin e tij mbi vëzhgimin online dhe sjelljen e përdoruesve të Wikipedia-s, ka treguar se nuk është e nevojshme që dikush të dënohet realisht për të ndryshuar sjelljen e tij.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading