Për dy javë me rradhë rrugët kryesore të Tiranës, si rrallëherë, janë të mbushura me qytetarë që protestojnë. Cdo ditë rituali është gati i njëjtë. Qytetarët mblidhen në bulevardin kryesor të qytetit. Mbajnë në duar parrulla, flamuj, celularët dhe flamingot në letër. Përballë kryeministrisë ngrihet tribuna ku cdokush mund të flasë. Pastaj nis marshimi në rrugët e qytetit. Marshimi nuk është i heshtur por mbushur me parrulla që kërkojnë anullimin e projektit të Zvërnecit dhe dorëheqjen e kryeministrit. Protestë. E megjithatë nuk të krijohet tamam ndjesia që po protestohet, ose më saktë protesta nuk përjetohet saktësisht si e tillë por ndoshta si një pjesëmarrje në një lloj agora-je të antikitetit.
Javier Cercas shkruan që romanet e mëdhenj e kërkojnë të vërtetën nëpërmjet një pike ku asgjë, përfshirë të vërtetën nuk mund të shihet, nëpërmjet pikës së verbër. E megjithatë është pikërisht nëpërmjet kësaj pike të verbër që këto romane mund të ndriçojnë të vërtetën. Gjithmonë në qendër të këtyre romaneve qëndron një pyetje, dhe gjithë romani është në thelb një rrugëtim për ti dhënë një përgjigje pyetjes qendrore. E megjithatë kur rrugëtimi mbaron përgjigja është që nuk ka një përgjigje (ose të paktën nuk ka një përgjigje të vetme) dhe që përgjigja është vetë rrugëtimi, përgjigja është vetë pyetja, përgjigja është vetë romani. Lëvizja e Flamingove është ndoshta e para protestë politike në Shqipëri që në mënyrë instiktive e ka kuptuar këtë. Por cila është pika e verbër e Lëvizjes së Flamingove?
Pika 1. Diçka e re.
Shqipëria ka parë rëndom protesta. Ka parë turma që mbushin bulevardin, ka dëgjuar thirrje para zyrës së kryeministrit, ka parë drejtues të opozitës të ngjiten në tribuna të improvizuara për të denoncuar qeverinë. Por pothuajse gjithçka, që prej ndryshimeve te fillimviteve 90, ka qenë ajo që në politologji emërtohet mobilizim i shtyrë nga partitë, turma të organizuara nga lart, nga selitë e partive, të cilat luajnë një skenar të shkruar nga elita politike që konkurron për pushtet. Njëra parti thërret mbështetësit e saj në rrugë. Tjetra përgjigjet. Ose anasjelltas. Protesta ka qenë gjithmonë, në thelb, një zgjatim i konkurrencës elektorale me mjete të tjera. Politikë partiake e maskuar. Herë të tjera pa maskë fare.
Lëvizja e Flamingove duket të jetë diçka tjetër. Pas saj nuk qëndron një parti. Nuk ka një lider ambiciet e të cilit shërbehen me verbëri. Nuk është e organizuar nga lart, por e iniciuar nga poshtë, nga njerëz që pjesën më të madhe të jetës e kanë kaluar duke i kthyer shpinën me vetëdije klasës politike në tërësi. Kur sociologët përpiqen të përkufizojnë lëvizjet shoqërore zakonisht përdorin disa komponentë siç janë: një veprim i qëndrueshëm kolektiv, një organizim autonom, një repertor i përbashkët simbolesh, kërkesa të drejtuara ndaj pushtetit dhe jo në shërbim të tij etj. Për herë të parë pas shumë vitesh në rastin e Shqipërisë kjo listë komponentësh ngjan e plotë. Paralelja më e afërt në rajon është lëvizja studentore serbe që tronditi Beogradin në dimrin e vitit 2024, edhe ajo një lëvizje pa liderë, me fantazi nga aspekti estetik dhe me vetëdije jopartiake. Lëvizje që e kapi të papërgatitur regjimin autokratik të Beogradit. As ajo lëvizje nuk nisi me një manifest, por me një pakënaqësi dhe dhimbje kolektive. Nuk nisi me një ideologji të qartë, por me një përvojë të jetuar. Lëvizja e Flamingove mbart brenda saj të njëjtën karakteristikë, atë të autenticitetit spontan dhe është pikërisht kjo arsyeja pse realiteti politik në vend është tronditur si kurrë më pare. Qindra mitingje apo protesta të partive opozitare nuk do kishin pasur të njëjtin efekt.
Pika 2. Fuqia politike e të qenit apolitik.
Ky është paradoksi që qëndron në zemër të kësaj lëvizjeje. Protestuesit kanë kërkesa reale. Duan që projekti i Zvërnecit të anulohet. Duan që kryeministri të japë dorëheqjen. Duan që Sazani mos të shndërrohet në një resort ekskluziv për të pasurit. Nuk kemi të bëjmë me shije estetike por me kërkesa politike. E megjithatë këto kërkesa vijnë nga të rinj të cilët i përkasin një brezi që e ka refuzuar politikën si mënyrë jetese.
Për pjesën më të madhe të jetës së tyre, gjenerata Z në Shqipëri e ka përjetuar politikën si një lojë të mbyllur, të luajtur nga të njëjtat fytyra, të njëjtat parti dhe të njëjtat kampe rivale të mbetura peng e një përplasjeje të përhershme. Në këtë kontekst përkatësia politike më shumë trashëgohet sesa zgjidhet, lidhet me rrjete familjare dhe patronazhiste me marrëdhënie klienteliste dhe mëri të vjetra, më shumë sesa me debate reale për probleme konkrete. Të rinjtë që protestojnë prej dy javësh në bulevard duket se nuk e pranojnë këtë lojë. Ata u rritën duke e parë se si kjo mënyrë e të konsideruarit dhe të bërit politikë shkatërroi gjithçka që preku, duke filluar nga arsimit, gjykatat, mediat, dhe hapësirën publike. Me sa duket zgjodhën të mos jenë pjesëmarrës në këtë krim kolektiv. Dhe kjo ndoshta nuk ishte apati por një qëndrim (quasi) politik.
Ajo çka kuptohet për momentin është që kjo gjeneratë ka një energji brenda saj që potencialisht mund të shndërrohet në politike. Por gjenialiteti i veçantë i këtij momenti, ndoshta i pavetëdijshëm, ndoshta instinktiv, çka e bën të sinqertë dhe jo të kalkuluar, është se forca politike e lëvizjes buron drejtpërdrejt nga refuzimi i identitetit politik. Përderisa këta të rinj nuk mbajnë asnjë flamur partie, asnjë etiketë të ngurtë ideologjike, asnjë besnikëri fraksionesh, bëhet e vështirë (megjithëse sic u pa gjatë ditëve të para jo e pamundur) të stigmatizohen si “vegla të opozitës” apo si “vegla në shërbim të të huajve”. Apolitika e tyre në këtë rast shërben si mburojë mbrojtëse. Protesta fiton duke mos u shfaqur si ajo çka pushteti di si ta luftojë.
E megjithatë, edhe në mungesë të flamujve të partive, protesta nuk është e zbrazur simbolikisht. I vetmi flamur që me të vërtetë dominon bulevardin është flamuri kombëtar. Në një peizazh politik ku çdo ideologji tjetër ose është shembur, ose e ka diskredituar veten, flamuri kombëtar është bërë energjia e fundit ideologjike në depozitën e simbolizmit politik. Është ajo çka të frymëzon kur nuk interesohesh më për parti apo ide, por sërish i beson verbërisht iluzionit ngushëllues dhe helmues të nacionalizmit.
Pika 3. Gjuha e pushtetit, e kthyer kundër tij.
Të kuptosh pse ka rëndësi Lëvizja e Flamingove, do të thotë të kuptosh se çfarë lloji pushteti gjendet përballë saj. Nuk kemi të bëjmë me modelin e vjetër të diktaturës, i ndërtuar hapur mbi frikën, burgjet dhe fushatat ideologjike që synonin të politizonin çdo aspekt, jo vetëm të jetës kolektive por edhe asaj private. Është një version më i butë i autoritarizmit, më tipik për shekullin në të cilin jetojmë. Është një formë qeverisjeje që sundon mbi të gjitha përmes imazhit, narrativës dhe kontrollit të informacionit, ajo që studiuesit e shkencave politike sot e kanë përkufizuar si “autokraci informative”. Këto regjime në vend që t’i heshtin kritikët në mënyrë të drejtpërdrejtë, përmbytin sferën publike me spektakël dhe optimizëm të gënjeshtërt por të kuruar me kujdes. Në vend që të ndalojnë disidencën, e mbysin hapësirën publike me argëtim. Politika nuk imponohet në mënyrë brutale por zëvendësohet në heshtje më zhurmë, me imazh, me këngë.
Në këtë kontekst, Lëvizja e Flamingove nuk është thjesht protestë, por një lloj subversioni. Lëvizja nuk përpiqet të fitojë mbi pushtetin (vetëm) nëpërmjet argumenteve juridike apo avantazhit moral. Luan në të njëjtën fushë me të, duke përdorur estetikë, ironi, rrjete sociale dhe humor. Mjetet janë të njëjta, imazhe goditëse, slogane që të mbeten në mendje, video virale, dhe sa shumë meme, por ama drejtimi i qarkullimit të tyre është kthyer përmbys. Kur një turmë e ‘armatosur’ me flamingo prej letre dhe shaka të printuara në A4 mbush bulevardin, flet në të njëjtën gjuhë vizuale që pushteti e ka përsosur prej vitesh. Dallimi është se këtë herë, shakatë nuk janë lajkatare dhe imazhet nuk e mbështesin më narrativën që pushteti dëshiron të tregojë.
Pika 4. Forca e pikës së verbër (dhe brishtësia e saj).
Të gjitha sa më sipër i japin kësaj lëvizjeje një fuqi të jashtëzakonshme. Por, po aq të rëndësishme janë edhe rreziqet. Sepse pikërisht ato çka e bëjnë Lëvizjen e Flamingove të fortë, e bëjnë edhe të cenueshme.
Rreziku i parë është lodhja e thjeshtë, lodhja njerëzore. Një protestë pa liderë, që organizohet kryesisht përmes rrjeteve sociale, merr jetë nga entuziazmi, nga humori, nga ndjenja e (përkohshme) e komunitetit. Por asgjë nga këto nuk zgjat pafundësisht. Edhe zemërimi lodhet. Edhe entuziazmi shuhet. Pushteti këtë e di mirë. Prandaj strategjia më e sigurt nuk është goditja ballë për ballë, por pritja. Ti lemë ditët të kalojnë. Spektakli do humbasë efektin. Flamingot nuk të habisin më. Batutat do të tingëllojnë të përsëritura. Dhe një mbrëmje bulevardi është bosh, jo sepse padrejtësitë janë zgjidhur, por sepse qyteti është kthyer te punët e përditshme. Dhe kur pas protestës nuk ka as organizatë, as strukturë, asgjë nuk e ndalon këtë energji të shpërndarë të mos tretet.
Rreziku i dytë është përthithja e ngadaltë nga vetë sistemi. Regjimet që sundojnë me anë të imazhit dinë shumë mirë si të përqafojnë atë që i kundërshton. Simbolet e protestës mund të kthehen në dekor. Flamingoja mund të shfaqet në një mural të ri. Një thënie ironike mund të përfundojë në një fushatë zyrtare. Prej më shumë se një dekade, kështu është vepruar me jetën kulturore në Shqipëri: artistë, arkitektë, intelektualë janë futur nën ombrellën e projektit estetik të pushtetit, jo duke u mbyllur gojën, por duke u dhënë tribunë. Në këtë kuptim, arma më e fortë e Lëvizjes së Flamingove që është gjuha e saj kulturore, loja e saj me ironinë është njëkohësisht edhe pika e saj më e dobët.
Rreziku i tretë na kthen aty ku nisëm, te Javier Cercas, te pika e verbër. Një lëvizje që e kërkon të vërtetën përmes asaj që nuk thotë, është e fuqishme pikërisht për shkak të asaj mungese në qendër. Por në një moment, të caktuar pyetja do të ketë nevojë për një përgjigje. Nuk ka pse të jetë program partie (ose ndoshta po), por duhet të jetë diçka: një vizion kolektiv se në çfarë vendi duan të jetojnë këta të rinj, një ide se çfarë vjen pas dorëheqjes së kryeministrit, pas shpëtimit të Zvërnecit. Romani, siç na kujton Cercas, e fiton kuptimin e vet përmes rrugëtimit drejt një të vërtete që nuk e arrin kurrë plotësisht. Por një lëvizje politike, ndryshe nga romani, nuk mbaron kur kthehet faqja e fundit (as romanet e mirë nuk mbarojnë në faqen e fundit). Ajo mbaron kur shndërrohet në diçka institucionale, një politikë të re, një kulturë të re qytetare, një set të ri kërkesash, përndryshe shpërndahet sërish në heshtjen nga e cila doli.
Lëvizja e Flamingove është, tani për tani, gjëja më interesante që po ndodh në Shqipëri. Nëse do të jetë edhe një pikë kthese, kjo varet nga ajo që pjesëmarrësit e saj zgjedhin të bëjnë me pyetjen që po refuzojnë (me të drejtë?) t’i përgjigjen.
(c) 2026 Kriton Kuci. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.
Për mendimin tim, lëvizja e ka një kërkesë të qartë: dorëheqjen e Ramës dhe kalimin e vendit në zgjedhje të parakohshme. Nuk e kuptojnë pjesëmarrësit e lëvizjes, përfshirë mua, se si një drejtues, që drejtpërdrejt ose tërthorazi është i përfshirë në skandale me vlerë miliona euro dhe që kanë sjellë dëme për shoqërinë (problemet e shumta me arsimin, shëndetësinë, kostoja marramendëse e rrugëve dhe infrastrukturave të tjera, betonizimi, zhdukja e parqeve, lulishteve, plazheve e hapësirave publike; arroganca e pushtetit, mungesa e transparencës ose e komunikimit me komunitetet lokale (shihni Rrjollin, Zvërnecin, Tragjasin, Thethin etj., etj., se s’kam kohë këtu)), mund megjithatë të fitojë zgjedhjet. Diçka nuk shkon këtu.
Kërkesa kryesore, mendoj, është për zgjedhje të lira dhe të ndershme, përtej trysnive, patronazhimeve dhe llacit elektoral, me një kod elektoral që nuk penalizon aktorët e rinj (proporcional kombëtar).
Për ta përmbledhur, se mos ndoshta u ndala shumë te mjetet (zgjedhjet e lira, aktorët e rinj politikë): luftë kundër korrupsionit dhe vjedhjes së fondeve publike; arsim e shëndetësi cilësore; jetë komunitare e shëndoshë, me hapësira publike, me komunikim të ndërsjellë, jo me arrogancë gangsterësh; jo favoritizma klanorë; jo zvarritje e problemit të pronave. Të gjitha këto çojnë pastaj në paaftësi për marrjen e masave për zhvillimin ekonomik të vendit dhe për hapjen e vendeve të punës, në mënyrë që njerëzit të mbahen këtu (veç Tiranës, Durrësit e ndoshta Elbasanit, qytete që dikur konsideroheshin mesatare, si Vlora, Shkodra e Korça, po varfërohen dhe po shpopullohen gjithnjë e më shumë).
Edi Rama, nga dëshira apo nga paaftësia, nuk ka qenë i zoti t’i adresojë këto problematika. Natyrisht, nuk dua të shumëzoj me zero çdo gjë që është bërë gjatë këtyre 13 vjetëve; gjithashtu, as nuk dua të mohoj se e fillonte nga çfarë kishte lënë prapa një famëkeq si Berisha, përpara të cilit mund të themi se Rama është lule. Por shumë pak, tepër vonë, me shumë abuzime.