Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

“BOJKOTONI MEDIAT!”

Thirrja antipropagandë e Revolucionit të Flamingove

Këto ditë Shqipëria duket se po jeton në tre realitete paralele: në atë të protestuesve që kanë mbushur sheshet, në atë të paneleve televizive dhe në realitetin krejtësisht të njëanshëm të qeverisë në pushtet.

Në panele televizive, analistë, politikanë e gazetarë flasin për një protestë në dukje të rrëmujshme, pa kokë, pa emra konkretë, ironike është se vetë këta janë më të rrëmujshëm se të parët. Ndërkohë që protestuesit kanë të njëjtat thirrje të shkurtra e të qarta: “Rama jep dorëheqjen”, “Rama burg, Berisha burg” dhe “Shqipëri e re”, në panelet televizive po vuajnë të gjejnë kokën, organizatorin dhe herë pas here flasin për agjentura të huaja, gjuhë të cilën e përdor edhe kryeministri i vendit, i cili e cilëson protestën si një luftë hibride të organizuar nga… përgjigjja nuk është e qartë. Organizatorët herë janë agjentët grekë, herë agjentët serbë, herë agjentët iranianë dhe herë të tjera kryeministri i Shqipërisë gjen fajtorë “islamikët që s’kanë as fe dhe as Kuran”.

Kryeministri Rama, me ligjërimin e tij, përveçse tregon mungesën e përhershme të seriozitetit që duhet të ketë një burrë shteti, tenton të mbrojë veten. Fjali të tilla priten prej tij dhe janë legjitime; gjithkush ka të drejtën të mbrojë veten. Të vetëdijshëm për këtë, protestuesit i janë përgjigjur me thirrjen ironizuese dhe tallëse: “Edi Rama o idiot, çfarë agjentësh jemi sot?”. Sjellja e kryeministrit nuk shkakton as habi, as emocion dhe nuk shkakton më as indinjatë, pasi ai po përdor “armët e veta të luftës”.

Nga ana tjetër, kur i njëjti ligjërim si i tij përsëritet në mediat, të cilat do të duhej të ishin aty për të informuar opinionin publik, bëhet më i papranueshëm për protestuesit. Analistë të ndryshëm flasin për praninë e agjenturave të huaja brenda protestës, por njësoj si Rama nuk janë të qartë për këto forca të errëta që kanë shtyrë gratë të marrin karrocat me bebet e tyre e të dalin në protestë.

A thua nuk ka asnjë arsye tjetër për të protestuar përveçse ndonjë komploti të organizuar nga dashakeqës xhelozë për zhvillimin e Shqipërisë? A thua nuk ka probleme në arsim, nuk ka probleme në shëndetësi, nuk ka probleme me rrugët, nuk ka probleme me zaptimin e pronave, me ndërtimet e paligjshme, me shpopullimin, me vjedhjet, me vrasjet në mes të ditës… Probleme të tilla nuk ekzistojnë në Shqipëri, ndaj me siguri protestën e organizojnë të huajt dashakeqë.

Duke dëgjuar diskursin e kryeministrit, të përsëritur nga mediat, të cilat minimalisht do të duhej të tregonin paanshmëri dhe raportim korrekt, protestuesit kanë dalë me thirrjen e prerë: “Bojkotoni mediat!”. Kjo thirrje, ndryshe nga ato që i drejtohen kryeministrit, nuk është ironike e tallëse siç është ajo ndaj kryeministrit, por është e shkurtër e qartë, duke nënkuptuar: “Ju nuk po bëni punën tuaj, nuk po funksiononi si lajmësi që nuk vritet, por po funksiononi si mjeti për të na vrarë ne”.

Një thënie mjaft e njohur në botën e medias thotë: “Nëse një person thotë se po bie shi dhe një tjetër thotë se nuk po bie, detyra e gazetarit nuk është t’i citojë të dy, por të shikojë nga dritarja dhe të zbulojë se kush po thotë të vërtetën”.

Protestuesit në shesh treguan se nuk do ta pranojnë propagandën e ofruar nga pushteti i katërt, i cili fuqinë e tij duket se e ka dorëzuar dhe mjaftohet, në rastin më të mirë, duke cituar të dyja palët; në rastin më të keq, vetëm palën që ka fuqinë më të madhe.

Moderatorët shfaqen të revoltuar ndaj thirrjes së qytetarëve “Bojkotoni Mediat” dhe e quajnë të padrejtë. Grida Duma në Top Story tha se: “Sikur vetëm një çast të vendosin mediat e mëdha ta ndërpresin sinjalin e të mos i japin zë protestës, iluzioni se vetëm rrjetet sociale vlejnë dhe mjaftojnë për t’i dhënë zë asaj është gabim”.

Kjo fjali e saj nuk qëndron, pasi kjo protestë nisi pikërisht nga rrjetet sociale dhe mori zë sepse, kur të gjithë janë në shesh duke postuar nga sheshi, teksa të gjitha mediat e mëdha sytë i kishin te “Skënderbeu AI” i PD-së apo te reklamimi i punës së qeverisë në sektorin e turizmit.

E përmenda “Skënderbeun AI” të PD-së sepse ky ishte lajmi që qarkullonte në mediat kryesore ditën kur një qytetar shqiptar u tërhoq zvarrë, u rrah dhe u rrëmbye gjatë protestës në Zvërnec, ku policia e shtetit shqiptar ishte prezente dhe e pa gjithë skenën pa pasur asnjë reagim. Ndërkohë që kjo ngjarje qarkulloi në rrjetet sociale, mediat e mëdha “e kishin ndërprerë sinjalin”. Kjo ndërprerje sinjali e tyre në atë ditë shkëputi edhe besimin prej kohësh të brishtë të qytetarëve ndaj mediave.

Mediat e mëdha do të duhej ta kishin publikuar dhe ngritur si shqetësim prej kohësh çështjen e Zvërnecit apo të Sazanit. Duhej t’i kishin dhënë më shumë kohë e vëmendje televizive prej kohësh dhe duhej të kishin pasur një reagim të menjëhershëm për rrëmbimin e qytetarit në sy të policisë, e jo të prisnin njoftimin zyrtar të policisë për ta publikuar si ngjarje.

Ndërkohë, një ditë pas kësaj ngjarjeje, fjalimi i kryeministrit Rama mbahej live në të gjitha mediat; çdo fjali e tij shkëputej dhe hidhej në një video më vete në Instagram. Propaganda mendoi që e bëri punën e saj dhe zërat u fikën, pa e parë realitetin paralel në rrjetet sociale, ku njerëzit vendosën të dilnin në shesh e të injoronin të gjitha pushtetet që kanë në dorë fatin e vendit.

Mediat, pushteti dhe ata që e pretendojnë pushtetin u gjetën të papërgatitur për këtë revoltë të qartë kundër tyre.

Kur media mbyll sytë e veshët ndaj shqetësimeve reale të këtij vendi, nuk ka pse të presë që qytetarët të mos bëjnë të njëjtën gjë ndaj tyre.

Televizionet, sidomos ato më të mëdhatë, prej kohësh i trajtojnë shikuesit si njerëz pa intelekt që duan vetëm “show”. Koha televizive ndahet mes spektaklit, skandalit, reklamave, tregimit të punës së qeverisë dhe, po pati hapësirë, flitet ndonjëherë edhe për problemet e shoqërisë. Gen Z ju tregoi në shesh se situatën e kanë lexuar gabim. Të rinjtë i ndjekin spektaklet e tyre jo sepse janë injorantë, por për gallatë, për cirk, për katarsis dhe jo për informim. Informimi i të rinjve merret gjetkë, në rrjete sociale, te gazetarët e lirë shqiptarë dhe të huaj.

Brezi i ri nuk është një brez që ndikohet nga analistët në panele televizive. Propaganda tradicionale ka dështuar, ndaj të rinjtë kanë mbushur sheshet me pankarta “meme”, të cilat tallin dhe sfidojnë të gjitha pushtetet që janë bërë shkak për grumbullimin e pakënaqësive sociale.

Çfarë do të arrijë kjo protestë? Kjo është ende e panjohur, por ajo që ka arritur deri më tani është kthimi i shpresës te qytetarët shqiptarë se ata mund të ndryshojnë fatin e tyre.

Për analistët që ende nuk po e kuptojnë se çfarë kërkojnë protestuesit, mjafton të dalin në shesh dhe të dëgjojnë realitetin prej të cilit duket se janë shkëputur.

Kërkesat kryesore janë të qarta: “Rama jep dorëheqjen”; “Rama burg, Berisha burg”, si thirrje për përgjegjësi politike dhe ligjore; dhe slogani që përmbledh gjithë pakënaqësinë dhe aspiratën e protestës: “Shqipëri e re”.

(c) 2026 Xhensila Buba. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading