Jetojmë në një dekadë ku imazhet e gjeneruara nga inteligjenca artificiale janë bërë pjesë e pandashme e peizazhit tonë pamor. Ato shfaqen në njoftime protestash, në identitete grafike konferencash shkencore, në kopertina librash, në reklama dhe, së fundmi, edhe në posterët e filmave. Ky fenomen nuk kufizohet vetëm te kinematografitë e mëdha botërore. Nga posterët e restauruar artificialisht të filmave egjiptianë të viteve 1950-1970 deri te kinematografi më pak të njohura të Azisë Lindore apo Amerikës Latine, një valë e re “AI-fikimi” po zëvendëson gradualisht artefaktet grafike historike me simulime algoritmike të tyre.
Siç duket, as kinemaja shqiptare nuk i ka shpëtuar kësaj prirjeje.
Ndërsa inteligjenca artificiale po depërton gjithnjë e më shumë në industrinë e filmit, te kinemaja shqiptare ajo po përdoret edhe për të zëvendësuar posterët origjinalë me versione të sajuara algoritmikisht.
Vepra të krijuara nga piktorë dhe dizajnerë të konkretë, në rrethana historike konkrete, po zëvendësohen me variante të gjeneruara nga inteligjenca artificiale dhe më pas po ngarkohen në databaza filmike si TMDB (The Movie Database). Prej andej, ato përhapen automatikisht në platforma të tjera të njohura si IMDb dhe Letterboxd, duke u bërë për shumë përdorues imazhi i parë dhe shpesh i vetmi përfaqësim vizual i këtyre filmave.
Për një shikues të huaj, i cili e zbulon kinemanë shqiptare përmes këtyre platformave, posterat e gjeneruar nga inteligjenca artificiale rrezikojnë të marrin statusin e përfaqësimit zyrtar të këtyre filmave.

Posterë AI të filmave të Kinostudios “Shqipëria e Re”, ngarkuar në TMDB nga aldowebs.
Estetika e njëtrajtshme e algoritmit
Një vëzhgim i këtyre posterave zbulon menjëherë një uniformitet të habitshëm. Pavarësisht filmit, zhanrit apo piktorit/dizajnerit origjinal, inteligjenca artificiale prodhon pothuajse gjithmonë të njëjtën estetikë.
Disa nga tiparet e përsëritura që i karakterizojnë këta posterë janë tonalitetet kafe-kremoze, kornizat e së njëjtës ngjyrë, kontrastet e zbutura artificialisht, fytyrat e lëmuara dhe pa individualitet, si dhe elementet dekorative që përsëriten mekanikisht nga një poster te tjetri. Të gjitha këto prodhojnë një homogjenizim brutal të kulturës vizuale, ku filma me identitete krejt të ndryshme fillojnë të duken sikur janë prodhuar nga e njëjti studio grafike imagjinare, në të njëjtën ditë dhe nga e njëjta makineri.
Për më tepër, duke qenë se një pjesë e madhe e posterave origjinalë të Kinostudios janë konceptuar në format horizontal, duket se në shumë raste këto imazhe janë futur në sistem me kërkesën për t’u përshtatur apo rikrijuar në një format tjetër. Megjithatë, makina dështon ta kuptojë logjikën kompozicionale të posterit origjinal, duke prodhuar versione të shtrembëruara dhe vizualisht të varfra.

Posteri AI i filmit “Kryengritje në Pallat” (1972), krijuar nga Grok (shih logon poshtë djathtas) dhe posteri origjinal i filmit, pikturuar nga Myrteza Fushekati.
Gabimet që tradhtojnë makinën
Ndoshta aspekti më absurd i këtij fenomeni janë gabimet tekstuale.
Në disa raste inteligjenca artificiale nuk arrin as të riprodhojë saktë titujt, emrat apo informacionet bazë të posterit. Në posterin e “Operacioni Zjarri” (1973), përveç faktit se titulli i filmit është shkruar krejtësisht me shkronja të vogla, vërehen edhe formulime si “regijzori” apo “piktore”. Në posterin e “Brazdat” (1973) lexohen forma të shtrembëruara si “PRODHHIM I KINOSTUDIOS” apo “INTERPRETOJNÉ”, ku edhe shkronja Ë është zëvendësuar nga një shkronjë e huaj, duke dëshmuar paaftësinë e inteligjencës artificiale për të riprodhuar saktë tekstin origjinal.

Posterat e filmave “Operacioni Zjarri” dhe “Brazdat” me gabime të dukshme drejtshkrimore, ngarkuar në TMDB nga aldowebs.
Problemi nuk kufizohet vetëm te gabimet drejtshkrimore. Më shqetësuese janë rastet kur inteligjenca artificiale ndërhyn drejtpërdrejt në vetë përmbajtjen e posterit. Te “Tingujt e Luftës” (1976), për shembull, versioni i gjeneruar fut personazhe dhe detaje të reja vizuale që nuk janë pjesë e veprës së Astrit Totës. Kështu posteri pushon së qeni riprodhim dhe shndërrohet në rishkrim.
Në arkiva, muze, biblioteka galeri, një praktikë e tillë do të konsiderohej falsifikim i dokumentit vizual. Pse duhet të gjykohet ndryshe kur i njëjti proces, përmes internetit, po deformon mënyrën se si paraqitet dhe kujtohet kinemaja shqiptare?

Posteri AI i filmit “Tingujt e luftës” (1976), nxitur nga posteri origjinal horizontal, shton detaje që nuk i ka origjinali si fëmijët në pjesën e poshtme, përmban gabime të mëdha tek teksti krejt në fund.
Kur humbet gjurma e dorës së autorit
Mbi të gjitha, kjo prirje zhvlerëson punën e autorëve që ndërtuan kulturën pamore të kinemasë shqiptare. Shyqyri Sako, Myrteza Fushekati, Astrit Tota dhe shumë të tjerë lanë pas një traditë dhe trashëgimi të tërë artistike që sot po zëvendësohet nga imazhe të krijuara pa autorësi, pa kontekst dhe pa lidhje me veprat që pretendojnë të përfaqësojnë.
Ironia bëhet edhe më e madhe kur në disa prej këtyre versioneve mbeten të dukshme shenjat e gjeneratorëve si Gemini apo Grok. Të vendosura në cep të posterit si vulë e pavullnetshme e origjinës së tyre, ato e bëjnë edhe më të qartë se kemi të bëjmë me një produkt të makinerisë dhe jo me veprën që publiku duhej të shihte. Në vend që ta prezantojnë kinemanë shqiptare përmes identitetit të saj grafik, këto imazhe e kthejnë atë në një vitrinë të varfër të aftësive të një programi që prodhon gjithçka njësoj.
Pyetja nuk është nëse inteligjenca artificiale duhet apo nuk duhet të përdoret në art, ajo për fat të keq tashmë është bërë pjesë e proceseve krijuese dhe me gjasë do të mbetet e tillë. Pyetja është më e thjeshtë dhe më urgjente: çfarë versioni të historisë sonë vizuale po zgjedhim të ruajmë? Nëse databazat më të mëdha të filmit mbushen me versione artificiale të posterave shqiptarë, brezat e ardhshëm mund të mos i njohin më veprat origjinale, por të ndalen te simulakrat e tyre.
Në fund të fundit, këtu nuk bëhet fjalë për disa posterë të ripunuar. Bëhet fjalë për mënyrën se si një kinematografi zgjedh të paraqitet para botës. Dhe do të ishte për të ardhur keq që fytyra me të cilën kinemaja shqiptare hyn në shekullin 21 të mos ishte ajo që krijuan artistët e saj, por ajo që prodhoi një program në pak sekonda.
(c) 2026 Bleart Thaçi. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.