Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Përkthim

MUHABET ME ZOGJ

Ftesë për prezantimin e Kuvendimit të Zogjve të Feriddudin Attarit

Në traditën islame poezia njihet si “magjia e lejuar”. Magjia si formë manipulimi, mashtrimi, e si shkaktar dëmi e dhimbjeje ndaj tjetrit ndalohet nga kadilerët e ligjit të shenjtë të fesë. Poezia mbart të njëjtin potencial nxitjeje, motivimi, manipulimi, dhimbjeje e transformimi emocional, e për rrjedhojë është magjike, edhe pse e lejuar. Ndër magjistarët poetikë të traditës islame, Feriddudin Attari përbën pjesë të një parie eklektike. Një “komshi” i tij në këtë shoqëri të rrallë, Hafëzi, e quan poezinë që krijuan mjeshtërit persë si Attari, “poezi e freskët”, asnjëherë arkaike, premtim për lexuesin potencial, për të qenë dëshmitar i momentit të ngjizjes poetike, një poezi e gjallë e me frymëmarrje që premton ekspericën e drejtëpërdrejtë të dashurisë, takimin me të dashurin, vetë Zotin.

Siç tregon llagapi i tij – Attar – ai ishte tregtar parfumesh dhe përgatitës barnash. Ashtu si në rrëfenja të ngjashme shenjtorësh, Attari përjetoi zgjimin e tij shpirtëror gjatë takimit me një dervish endacak, i cili sfidoi qëndrimin gafil të Attarit ndaj jetës së kësaj bote kalimtare, dynjasë, dhe vdiq në çast, përballë tij. Ky kthjellim kërkonte pothuaj përherë ndërmarrjen e udhëtimit të zbulimit, harmonizimit të udhëtimit fizik nëpër troje të tjera me udhëtimin e brendshëm shpirtëror, që sjell pashmangshëm zbulimin e vetes. Siç do të përsërisnin mjeshtrit mistikë të Islamit, nga Gazali e të tjerë, “kush ka njohur El Hak (Të Vërtetën, Zotin), ka njohur veten.”  Attari la pas Nishapurin e tij të lindjes e udhëtoi për në Mekë, Egjipt, Levant e troje të tjera të Azisë Qendrore. Nëpër udhëtime takohet me mjeshtra sufi, mistikë, e pelegrinë. Vepra e tij më e rëndësishme, kontributi i tij më i vyer në poezinë islame, “Kuvendimi i Zogjve”, fton lexuesin pikërisht në këtë udhëtim shpirtëror të udhëhequr nga zogjtë.

Krijimtaria e Feridudin Atarit, së bashku me poetë të tjerë të mëdhenj persë si Xhelaludin Rumi, Saadi Shirazi, Hafizi dhe Xhami, ishte thellësisht e ngjizur me kulturën e Perandorisë Osmane. Gjuha perse nuk shërbente vetëm si një gjuhë letrare, por si një nga gjuhët kryesore të kulturës së lartë, krahas osmanishtes dhe arabishtes. Medresetë osmane, teqetë e sufinjve dhe rrethet letrare të elitës studionin rregullisht vepra si Manṭik et-Ṭajr (Kuvendimi i Zogjve), apo Mesnevinë e Rumit, Gylistanin e Saadiut dhe Divanin e Hafizit. Këto tekste formësuan konceptimet osmane mbi etikën, spiritualitetin, qeverisjen dhe estetikën letrare, duke u kopjuar, përkthyer, komentuar dhe recituar gjerësisht në mjediset kulturore osmane.

Shqiptarët morën pjesë gjerësisht në këtë botë letrare persiane. Dijetarë, sufi dhe poetë shqiptarë të periudhës osmane u formuan në një mjedis intelektual që përfshinte letërsinë perse. Shembulli më i njohur është sigurisht ai i Naim Frashërit, libri i parë i botuar i të cilit, Tehajjulat (1885), u shkrua në gjuhën perse. Kjo vepër dëshmon jo vetëm zotërimin e gjuhës, por edhe përthithjen e thellë të figuracionit, simbolikës dhe temave metafizike të traditës së sufizmit pers. Naimi barti më vonë shumë prej këtyre motiveve edhe në krijimtarinë e tij shqipe. Rasti i tij tregon se kultura letrare perse nuk ishte një ndikim i largët. Ajo ishte një pjesë e gjallë e formimit intelektual të elitave shqiptare të periudhës së vonë osmane.

Shembuj të tjerë të rëndësishëm përfshijnë autorë bektashinj shqiptarë si Baba Abdullah Melçani, Dalip Frashëri dhe Shahin Frashëri, veprat e të cilëve dëshmojnë ndikimin e letërsisë mistike perse, veçanërisht në trajtimin e historive profetike, figurës së Imam Aliut, Qerbelasë dhe simbolikës së sufinjve. Përdorimi i gjerë i fjalorit pers në poezinë fetare shqiptare dhe qarkullimi i dorëshkrimeve perse në teqetë e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dëshmojnë gjithashtu integrimin e shqiptarëve myslimanë në atë që historianë si Marshall Hodgson dhe Nile Green e kanë quajtur “bota persianate”. Përmes këtyre rrjeteve, vepra si Kuvendimi i Zogjve i Attarit u bënë pjesë e një trashëgimie të përbashkët intelektuale osmane dhe ballkanike, duke i lidhur lexuesit shqiptarë me një traditë letrare që shtrihej nga Ballkani deri në Iran, Azinë Qendrore dhe Indi. Kjo ishte pjesë e një ndërlidhjeje kulture globale që studiuesi Shahab Ahmad do ta emërtonte si pjesë e paradigmës nga “Bengali në Ballkan”, që përfshinte pjesë të Kinës, Azisë Qendrore, dhe botën osmane.

Ndoshta si vazhdimësi të kësaj tradite, Instituti Konak ka ftuar në Tiranë përkthyesin nga persishtja, Artan Sadikun, për të prezantuar përkthimin e tij shqip të Kuvendimi i Zogjve, një udhëtim mirëfilli përzbulues edhe i Artanit prej shtatë vjetësh. Takimi i ditës së Premte, me datë 5 Qershor, do të mbahet në ora 20:00 tek oborri i Sarajeve, ku rënia e natës do të mundësojë projeksionin e video-instalacionit të Bujar Sylejmanit.

Me rënien e Nishapurit, gjatë rrethimit mongol më 1221, Attari vritet nga një ushtar i Tolui Khan, djalit më të ri të Xhenxhis Khan-it. Mazoleu ku gjendet varri i tij vizitohet sot e kësaj dite nga ashikët e poezisë. Nishapuri asnjëherë nuk e rimori veten si qendër madhore metropoli. Rrënojat e mbetura janë dëshmi e shkëlqimit të dikurshëm. Deri më sot, qyteti duket t’i ketë shpëtuar më së fundmi bombardimeve të rënda amerikano-izraelite në këtë rrethim të ri. Por teksa shkruaj këto rreshta, lajmet njoftojnë se iluzioni shpresëdhënës i “bisedimeve të paqes” ka marrë fund. Muze e qendra të rëndësishme kulturore janë raportuar ndërkaq të dëmtuara në të gjithë Iranin, një nga qendrat më të pasura të trashëgimisë kulturore botërore. Mundësia e ri-fillimit të luftimeve sjell mundësinë e një vrasjeje të re të Attarit, atë që shqiptarët do quanin “varr i vramun”. Por siç premtoi Hafëzi, poezia e tij mbetet “poezi e freskët”, e përjetimit të drejtëpërdrejtë dhe të menjëhershëm. Bujrum, pra, në këtë muhabet me zogj, e muhabet me Attarin.

(c) 2026 Besnik Sinani. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading