Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Teatër

TEATRI DHE NGUCJA VIRTUALE

Zgjohem këtë mëngjes dhe më kishin dërguar të lexoj një faqe të mbirë së fundmi në Instagram nën emrin e “kritikës teatrore”. E hapa dhe pashë se dikush kishte marrë përsipër të rikrijojë një mekanizëm mesjetar – shtyllën e turpit – për njerëzit e artit në Shqipëri. Zakonisht, të hedh sytë në të shkuarën, është një nga nxitjet e kureshtjes për mua, sikur më fton të hapë sirtarë të mbyllur prej kohës. Shtylla e turpit – një shpikje gjykimit publik të shpejtë në ditët e pazarit ku njerëzit dyndeshin dhe bashkë me domatet e patatet përzienin dhe emocionet apo mendimet e trazuara. Në atë faqe me disa portrete kishte një përpjekje për të ndërtuar një shtyllë turpi digjitale. Nëse mendonit se e kemi lënë pas kohën e mesjetës, gaboni, algoritmi i Instagramit sot ka zëvendësuar sheshin e tregut dhe fton për errësirën e gjykimeve kolektive. Kur kam lexuar për herë të parë për gjyqet e Mesjetës, imagjinoja njëkohësisht edhe familjarët e dikujt që shtyhej në errësirë. Sa fuqi mund të kenë pasur ata për të mbrojtur “shtëpinë” e tyre, njeriun e tyre nga ky vrer komunitar?

Ky fenomen, ndonëse mund të duket periferik dhe provincial, është një simptomë e degradimit që po ndodh në hapësirën tonë publike dhe meriton vëmendje. Formati është skematiko-mekanik: një foto e “rrëmbyer” diku dhe një tekst i shkurtër i ngjyer në helmin personal, si një ftesë e hapur për të furnizuar tregun e mllefeve të përditshme.

Po si është transformuar komunikimi publik nga Agora tek Algoritmi?! Besoj se për ta kuptuar këtë mutacion të frikshëm strukturor të komunikimit është e domosdoshme të kthejmë sytë në evoluimin e diskursit publik përgjatë historisë.

Në kohët e lashta oratoria kishte përgjegjësi trupore. Në Agorën e Athinës ose në Forumet Romake, diskursi publik ishte një akt fizik, performativ dhe thellësisht etik. Kur Sokrati zhvillonte biseda në rrugët e Athinës, bërthama e bisedave ishte mbrojtja e së vërtetës, parimeve dhe këtë e bënte me emrin e tij, fytyrën e tij, madje dhe jetën e tij. Madje pranoi edhe kupën e helmit përpara se të mohonte parimet e veta. Po Ciceroni? Edhe ai ekspozohej tërësisht përpara turmës kur mbante fjalimet e mprehta politike. Pra, oratoria e lashtë kërkonte prani fizike dhe guxim intelektual, sepse fjala kishte peshë ekzistenciale – një qëndrim i gabuar apo shpifje mund të kushtonte ekzilin apo jetën.

Po vazhdoj të kujtoj epokën e salloneve dhe autoritetit të mendimit – Iluminizmin, apo epokën e arsyes. Me shpikjen e shtypshkronjës, hapësira publike u zhvendos drejt një sfere ku diskutimi bëhej përmes letrave, gazetave, eseve dhe kritikave me emër e nënshkrim. Që të fitohej autoritet, duhej kompetencë intelektuale dhe mprehtësi argumenti. Që të krijoje një performancë apo zhvilloje një mendim/vizion politik, duhet të zotëroje mjetet përkatëse dhe të mbaje përgjegjësi me firmën tënde.

Ndërsa, arritëm tek Epoka e rrjeteve sociale, apo epoka e guximit burracak. Një hapësirë ritmike si interneti, ku fjala dhe veprimi nuk shkojnë bashkë, premtoi demokratizimin e fjalës dhe njëkohësisht shënoi fundin e debatit qytetar. Kalimi nga oratori që fliste sy më sy me turmën, tek profili anonim që “gjuan me gurë” nga errësira e ekranit, dëshmon se hapësira publike ka rënë në duart e platformave private. Nga dëshira për të gjetur dhe mbrojtur të vërtetën për një shoqëri më të mirë, komunikimi publik kaloi në një treg të pastër të kërkimit të vëmendjes dhe linçimit. Në vende si Shqipëria ku kritika teatrore thuajse asnjëherë nuk ka arritur zhvillim të qëndrueshëm profesional e objektiv – zbërthimin e teksteve, regjinë, simbolet dhe shprehitë skenike, shfaqjen – dhe të konsiderohet një zhanër me peshë, sot po zëvendësohet nga postimi ku autoritetin intelektual e zëvendëson anonimati. Besoj se kritika pushon së qeni një ushtrim intelektual që ka si qëllim përmirësimin dhe zhvillimin e gjerë kulturor dhe shndërrohet në një mjet agresioni ose ngacmimi digjital ad hominem, që ka si qëllim krijimin e një klime tensioni dhe spektakli trazues.

Umberto Eco shkruante me mprehtësi dikur se rrjetet sociale i dhanë të drejtën e fjalës “legjioneve të idiotëve”. Në territorin e artit kjo do të thotë se kritiku profesional është zëvendësuar me grabitqarin digjital.

Në kontekstin tonë, anonimati në rrjetet sociale nuk funksionon si një mjet për të mbrojtur lirinë e shprehjes, por si një leje e rehatshme për të shfryrë frustrime të pashpërthyera të përditshmërisë. Duke u fshehur pas një profili pa emër, pa fytyrë dhe në emër të një fushe që artit i duhet shumë – kritikës teatrore profesionale – individi zhvishet nga përgjegjësitë sociale apo etike që në botën reale e rregullojnë bashkëjetesën. Tregu virtual është gjithnjë i uritur për të parë rrëzimin apo njollosjen. Në pamundësi për të krijuar një vlerë apo për të ftuar në debat dinjitoz, sulmuesi anonim mes profilit fantazmë shpik një tribunal autoriteti që projekton dështimet e veta mbi suksesin e tjetrit.

Edhe eseja filozofike e koreanit Byung-Chul Han In dhe Swarm: Digital Prospects (2017) shpjegon se komunikimi digjital e shkatërron respektin dhe distancën që kërkon hapësira publike, sepse masa digjitale nuk është dot një masë e bashkuar, por një tufë e izoluar individësh, një lloj rrethine digjitale e kthyer në mekanizëm që fokusohet te persona specifikë për t’i kthyer ata në objekte skandali.

Kështu, mendja ime sot u bë pis sapo hyri në tregun digjital të zemërimit, sepse një hije nga errësira kishte vendosur të ecë me këpucë të papastra në mendjet e njerëzve që punojnë në fushën e artit skenik. Ky mekanizëm mesjetar i moderuar me mjet modern nuk do të kishte kaq sukses pa një aleat të fuqishëm si algoritmi. Platformat e mediave sociale nuk janë dizajnuar për të nxitur të vërtetën apo mendimin e thelluar, por për t’i dhënë kohë maksimale harxhimit të jetës së njeriut larg njëri-tjetrit dhe natyrës. Monedhat më fitimprurëse sot janë emocionet – indinjata, zemërimi dhe konflikti. E thotë edhe teoricieni i teknologjisë Jaron Lanier tek “Ten arguments for deleting your social media accounts right now” (2018) se algoritmet janë programuar qëllimisht për të amplifikuar emocionet negative, sepse ato shesin më shumë se sa vlerat që kërkojnë heshtje, prani dhe përqendrim.

Që nga kohët e lashta dhe deri më sot një medium kaq i fuqishëm shoqëror, kulturor dhe artistik si Teatri, e ka traditën e tij që të kërkojnë prani, përqendrim dhe kohë për t’u përtypur. Kjo shpesh i bën profesionistët e Teatrit të gjenden të pafuqishëm përpara logjikës së shpejtësisë ku skandali shet më shumë se sa vlera. Shpesh njerëz të frymëzuar nga oratoria politike kanë rehatinë digjitale si mjet për të rikrijuar tablo mesjetare duke përdorur logjikën toksike të politikës edhe në territorin e artit. Dhe zgjedhin të krijojnë kontekste manipuluese për të nxitur “dyluftimin” e radhës dhe synuar të argëtojnë publikun me dëmtimin e imazhit të individit që drejton një institucion, edhe kur ata po përpiqen të krijojnë struktura të shëndetshme që afrojnë shoqërinë me Teatrin. Mirëpo, qëllon që ky agresion ka tentuar të kthejë në arenë gladiatorësh edhe shtëpinë tonë Teatrin dhe, unë nuk e di çfarë mund të kenë bërë në Mesjetë të afërmit e dikujt që dënohej në shtyllën e turpit, por di që sot kolegët e mi, familja ime profesionale është vendosur në dilemën: të reagoj apo të hesht! Dhe ndoshta kjo dilemë vendoset përpara çdo komuniteti artistik kur përballet me agresion anonim: a duhet të zbres në të njëjtën arenë, apo të vazhdoj të mbroj vlerat që e kanë bërë të mbijetojë. Dhe, me aq sa di, Teatri supozohet të jetë hapësirë e katarsisit dhe reflektimit të thellë dhe i ka mbijetuar shekujve për shkak se ka forcë shëruese dhe bashkuese.

E përmenda në fillim se kur isha e vogël dhe lexoja gjyqet e Mesjetës, imagjinoja me tmerr se si mund të jenë ndier familjet që shihnin njeriun e tyre “në mes të pazarit”. Dhe sot, kjo hije mesjetare ka trokitur të tashmen. Shtëpia jonë po sulmohet nga vreri digjital dhe më bëri të kuptoj diçka që si e vogël nuk arrija ta rrokja: fuqia për të mbrojtur shtëpinë nuk qëndron tek të bërtiturit në të njëjtin shesh të zhurmshëm, as tek “të goditurit me grusht” një hije pa fytyrë.  Guximi ynë është solidariteti mes kolegëve, krijimi i programeve që kanë si objektiv një shoqëri të shëndetshme, guximi i dritave që ndizen çdo natë dhe u japin fuqi aktorëve të jenë të pranishëm për publikun në një ambient të sigurt, guximi për të mbajtur njëri-tjetrin në skenë si ekip edhe nëse para dy orësh kolegu të ka mërzitur, guximi për të qenë të pranishëm edhe kur dritat fiken, edhe kur sallat janë plot, por me të njëjtën fuqi edhe kur në sallë ka pak njerëz, sepse nevoja e tyre është përjetimi Teatror. Mesjeta do të mbetet gjithmonë në errësirën e historisë, ndërsa Teatri, ashtu si në Agorën e Lashtë, do të vazhdojë të jetojë në dritën e së vërtetës.

(c) 2026 Sonila Kapidani. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin