nga Giacinto di Pietrantonio
(Mbi ekspozitën personale Their Lies Survive in Better Uniforms: “The Noise of Medals”, çelur me datë 28 mars 2026, në Galerinë e Qendrës kulturore në Crikvenica, Kroaci)
“Hidh një farë në rërë dhe prit. Prit në breg të detit, me kokën në rërë, ose shiko lart qiellin e kthjellët.” Këto janë të vetmet fjalë në thonjëza që arrita të gjej mbi artin e Arianit Beqirit, por për momentin do të na mjaftojnë, si pikënisje për të shkruar mbi punën e tij. Në këto fjalë ngërthehet poetika e një artisti, që përdor një larmi mjetesh shprehëse, teksa mbjell mes qiellit dhe tokës farërat e pyetësimit të tij mbi të tashmen. Citimi më sipër i takon instalacionit Sunflower, sipas emrit të lules që ndjek lëvizjen e yllit tonë jetëdhënës dhe pra rrugëtimin e tij nga dita në natë, me shpresën se do të rilindë sërish të nesërmen dhe se jeta prapë do të rrezatojë në ciklin e pashuar të rikthimit të përjetshëm të udhëtimit (h)yj(n)or. Basti këtu është fara, mbjellja e saj, e cila, nëse bëhet siç duhet e rritet me kujdes, herët a vonë mbin, rritet dhe jep frute, si ato të mëtimit zanafillor të artit që, mes vizatimit dhe pikturës, trajton jo vetëm çështje të “artit për art”, por edhe ato të artit si mjet kritik për leximin e kohës që jetojmë. Dhe vërtet, Beqiri, edhe pse mjetet shprehëse i ka zakonisht të shumëllojshme, për këtë ekspozitë ka vendosur të paraqesë vepra në telajo të realizuara vetëm me teknikën e lashtë të vizatimit dhe pikturës. Prandaj, përpara se të cek çështjet politike e sociologjike që ngrenë veprat në fjalë, do të doja të thellohesha pak në ato teknike, që gjithmonë kanë rëndësinë e tyre.
Thamë më lart se në këtë ekspozitë paraqiten vepra në vizatim dhe pikturë, por në më të shumtën e rasteve ai që mbizotëron është vizatimi, gjë që na shtyn të hamendësojmë se basti i Beqirit sillet rreth bashkëjetesës së lirë të vizatimit dhe pikturës, në kuadrin e asaj që Raphael Rubinstein e pati quajtur “piktura provizore” (1), sepse e tillë, provizore është vetë koha që jetojmë. Mirëpo, dihet se në traditën themeluese të artit, qysh në zanafillë ka një debat mes pikturës dhe vizatimit, sa i përket epërsisë së secilit. Ky debat zhvillohet kryesisht mes Greqisë dhe Italisë, nisur nga bota greko-romake, ku sfidat legjendare të artistëve lidhur me këto dy teknika i njohim falë dëshmisë së Plinit Plak në veprën e tij Naturalis Historia, në vitet 77-78 të erës sonë. Bëhet fjalë për duelin në artin e vizatimit mes Apellit dhe Protogjenit, që u zhvillua në studion e këtij të fundit në ishullin e Rodit. Apelli vizatoi i pari një shenjë në qendër të telajos, dhe pastaj Protogjeni vizatoi një shenjë të dytë, brenda asaj të Apellit, duke e ndarë vizatimin e tij më dysh; por ky i fundit rivizatoi një vijë akoma më të hollë brenda asaj të Protogjenit, duke ia pamundësuar këtij çdo ndërhyrje të mëtejshme në të dhe duke e detyruar kështu të pranojë humbjen.
Sfida tjetër është ajo në fushën e pikturës, ku u matën Zeuksi dhe Parrazioti në shekullin V p. e. s. Konkursi në fjalë parashikonte që secili nga artistët të sillte një tablo të mbuluar me çarçaf, që do të zbulohej në çastin e fundit para publikut. Zeuksi i pari zbuloi të vetën, ku kishte pikturuar një vile rrushi, me një nivel realizmi të atillë saqë zogjtë, të mashtruar prej imazhit, u lëshuan drejt tablosë t’i çukisnin kokrrat me sqep. I sigurt tashmë për fitoren, Zeuksi i krekosur e ftoi konkurrentin e vet të zbulonte edhe ai tablonë që kishte sjellë; mirëpo ky ia ktheu se s’kishte ç’të zbulonte, pasi çarçafi që “mbulonte” tablonë ishte i pikturuar, por aq mirë sa pati gënjyer jo zogj, por vetë Zeuksin, i cili u detyrua kështu të pranojë humbjen.
Siç mund të vihet re nga këto dy histori, apo mite, marrëdhënia mes vizatimit dhe pikturës ka të bëjë me themelet e artit, dhe ka që rreshtohen në anën e njërit ose tjetrës, siç e lexojmë në fjalët e artistit neoklasik Jean-Auguste Dominique Ingres, kur shkruan se: “Nëse do më duhej të vija një parullë në hyrjen e studios sime, do të shkruaja Shkollë vizatimi, dhe jam i sigurt se do nxirrja piktorë.” Befasues është edhe pohimi i një artisti të iluzionit si Salvador Dalì, kur thotë se: “Vizatimi është sinqeriteti i artit. Ai nuk lë mundësi mashtrimi. O është i bukur, o është i shëmtuar”, duke e nxjerrë pra atë nga sfera e konceptualizmit projektiv.
Në tablotë e tij, Arianit Beqiri tenton t’i japë zgjidhje dilemës pa privilegjuar asnjërën prej teknikave, por duke i mbajtur bashkë të dyja, ngase të dyja i konsideron jo vetëm njësoj të domosdoshme, por edhe jokonfliktuale mes tyre. Dhe nëse dikujt tablotë mund t’i duken të papërfunduara, përshtypja është e pavend, sepse ato jetojnë në fakt brenda dialektikës krijuese që artisti i ka imponuar vetes në rrafshin e përkohësisë së pikturës bashkëkohore. Gjë që sjell në pah një tjetër çështje të artit, që nis që me skulpturat e Mikelanxhelos: atë të mosmbarimit të veprës. Dhe veprat e Beqirit, pjesërisht të vizatuara e pjesërisht të pikturuara, nuk i tremben mosmbarimit, sepse na flasin për brishtësinë e botës ku jetojmë; të një bote ku jeta është e mpakur dhe pa ngjyrë. Një jetë pa ngjyrë, që do të thotë jetë gri, monotone dhe e zbrazur nga emocionet, në kundërshti me ngjyrimet energjike të pikturës. Vepra dhe basti i saj luhen në dialektikën e hapur mes shenjave dhe subjekteve të ndryshme të paraqitura njëkohësisht në të, në njërën anë, të cilët po ashtu vijnë nga tradita, si portreti, autoportreti, figura, peizazhi, natyra e qetë, dhe subjekteve më moderne në anën tjetër, por tashmë të dala mode, si figura e kllounit, arsye për të cilën dhe u braktis shpejt nga artistët. Mirëpo, për artistë të tjerë, si p. sh. Salvo, pikërisht te trajtimi i të tilla subjekteve në dukje prozaike, siç pati bërë Picasso me arlekinët dhe saltimbankët e cirkut, luhet aftësia e pikturës për t’u rishpikur sërish nga e para. Këtë tenton Beqiri me një nga veprat e fundit, Clown, vaj dhe laps në telajo, 2025, ku një klloun i trishtë mbin mes një peizazhi solemn të vizatuar me laps. Sigurisht, kemi të bëjmë me teknikë të përzier, por njëkohësisht me portret psikologjik, ku tregohet vuajtja dialektike e pehlivanit, e artistit që, në një pakt vërtet faustian, zhurit tërë lumturinë e tij për t’i bërë të tjerët të qeshin, duke nxjerrë kështu në pah se si, në fund të herës, arti është një lloj vampiri që ushqehet me energjitë vitale të shpirtit njerëzor. Prandaj, karakteristika e shpeshtë e artistëve është melankolia, që Dürer-i e pati figuruar në veprën e vet të pakapërcyeshme, dhe që këtu, te Clown i Beqirit, shprehet përmes ngërdheshjes.
Megjithatë, për të mos iu larguar artistit, le t’i kthehemi analizës më pranë diskursit të veprës së Beqirit, për të vërejtur se si të gjitha gjinitë e sipërcituara të artit, të gjithë personat dhe sendet bashkekzistojnë e bashkëbisedojnë brenda tablosë, sikundër bashkëjetojnë e dialogojnë brezat nëpër tablo herë më të populluara e herë më pak. Bashkëjetojnë tema si e shenjta dhe profania, dehja dhe mendjekthjelltësia, njeriu dhe kafsha, e mira dhe e keqja, e vërteta dhe iluzioni, që sipas Nietzsche-s, në art, është “përtej së mirës dhe së keqes”.
Mirëpo, në këtë pikë na duhet gjithsesi të japim disa shpjegime lidhur me titullin që artisti i ka vënë ekspozitës së vet: Their Lies Survive in Better Uniforms: “The Noise of Medals”, çka thekson faktin se horizonti fundor i veprës artistike është kritika shoqërore përmes kërkimit të së vërtetës. E tillë është ajo çka vë në skenë tabloja Conversation, në paktin fausto-niçean mes një kleriku me një gotë birrë (?) në dorë, të vizatuar me laps, që nga veshja duket prift jezuit, dhe një kleriku tjetër, pikturuar me vaj, që nga pamja duket klerik më i lartë, por që s’është ndërkohë tamam njeri, sepse është gjysma njeri e gjysma dem: minotaur. Njëfarë Minosi pra, një Luçifer a Satana, që tashmë në kulturën mesjetare kishte statusin e demonit kryegjykatës në ferr, siç e lexojmë në Komedinë e Dantes, apo siç e shohim në afresket e Giovannni da Modena-s në Bazilikën san Petronio në Bolonja. Një dialog mes djallit dhe ujit të bekuar. Vade retro, Satana, nga një dialog ku nuk kuptohet mirë kush do ta bindë tjetrin për vërtetësinë e kauzës së vet. Buzëqeshjet e lehta të shtyjnë gjithsesi të mendosh se mes projektit hyjnor dhe kuadrit djallëzor diç duhet të ketë ndonjë marrëveshje të heshtur. Mos ndoshta kjo vepër e Beqirit do të cekë problemet që rëndojnë mbi Kishën këto dekadat e fundit, apo ndoshta do të sugjerojë se kjo fe s’mund të ekzistojë pa praninë e djallit, dhe luftën e përjetshme kundër tij? Një përgjigje tjetër mund të përvijohej duke rikujtuar se, për botën e krishterë, demi është kafsha e therorisë, që simbolizon pasionin dhe flijimin e Krishtit, ndërsa gjeli, që e gjejmë në një tjetër vepër, Until You Grow Your Horn, ringjalljen e tij. Demi, ndërkohë është edhe simboli ungjillor i Lukës, që mbahet si ati i pikturës, ngaqë pikturoi ikonën mariale, domethënë portretin e Zonjës Virgjëreshë, nënës së Krishtit. Një fe në emër të së cilës janë bërë sa e sa luftëra mes të krishterëve dhe myslimanëve dhe që sot duket sikur ripërsëriten me kah të kundërt. Por demi, që rikthehet në më se një tablo, është po ashtu simbol i Europës së rrëmbyer, ku vendi i artistit, Kosova, synon të hyjë e të bëhet pjesë. Kështu, basti artistik i Arianitit është edhe ai një art që merr në ngarkim fatet e popullit të vet, siç duket qartë po të vëmë re, përtej simbologjive, praninë e ngjeshur të shumë njerëzve të zakonshëm, në jetën dhe veprimtaritë e tyre të përditshme, tek orvaten të driblojnë mes mashtrimeve të pushtetarëve, sepse e dinë se tingëllima e medaljeve të tyre nuk ka më asgjë heroiko-kremtuese, por është vetëm zhurma përjetësisht kërcënuese e pushtetit.
Sidoqoftë, veprat janë plot me personazhe që, si reagim ndaj situatës, pinë, luajnë, dëgjojnë flasin e zdërhallen në hapësira të brendshme apo të jashtme, por gjithmonë në prani të një demi diku. Janë vende që banohen, por dhe vende që braktisen, sepse migrimi është një nga temat e tjera të Beqirit, që me veprat e veta synon t’u japë zë të përjashtuarve dhe të diskriminuarve. Ja ku rikthehet pra Greqia, ky vend në udhëkryq të kulturave, me mitin e Europës së rrëmbyer në vendin e fenikasve nga Zeusi i shndërruar në dem, për ta sjellë në ishullin e Kretës, nga ku do lindë Minotauri, krijesë gjysma njeri e gjysma dem. Ky rrëmbim përfaqëson simbolikisht migrimin nga Lindja në Perëndim, mit blegtoral i përcjellë nga Lindja dhe Afrika drejt Greqisë, dhe ku brirët përfaqësojnë gjysmë-hënat, që edhe sot e kësaj dite figurojnë ndër shumë flamuj të vendeve të Lindjes së Mesme.
Një kompleks i tërë migrator njerëzish e kulturash, një botë trupash e mendimesh që vjen në pahun e veprës së Arianit Beqirit dhe shtrojnë pyetjen e strukturave shtrënguese, ngulfatëse të shoqërisë, duke qenë se basti që luhet është përherë ai i lirisë: i lirisë së rrëmbyer nga mite të rreme heronjsh të rremë, që fshihen pas zhurmës shurdhe të medaljeve të rreme. Arti i Beqirit, me vërtetësinë e vet, synon heqjen e gjithë këtyre maskave.
(1) Raphael Rubinstein, The Turn to Provisionality in Contemporary Art. Negative Work, Bloomsbury, 2023.
Përktheu nga italishtja Orgest Azizi
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.