Diskutonim këto ditë në redaksinë e “Peizazheve të fjalës”, se si të gjenim një mënyrë optimale për t’i lajmëruar ata që na sjellin gjëra për botim, që nuk do të lejojmë shkrime të hartuara me AI. Jo se po na vijnë të tilla (mund edhe të ketë ndodhur dhe nuk e kemi kuptuar), por sepse herët a vonë do të na vijnë. Mediat shqip, portalet dhe rrjetet sociale tashmë po përjetojnë një lulëzim të shqipes së mbarështuar me AI gjenerative. Ne e ndiejmë këtë, sidomos po të krahasojmë me çfarë ka nxjerrë i njëjti autor para 2-3 vjetësh – por nuk e provojmë dot. I vetmi kriter që funksionon, paradoksalisht, është se shkrimet që janë krijuar, hartuar dhe përpunuar me AI gjenerative janë me cilësi më të lartë se të tjerat. Mesatarisht. Në rrethanat kur shumë nga ata që shkruajnë e botojnë nuk e dinë mirë shqipen letrare dhe nuk janë në gjendje të lidhin mendimet në mënyrë koherente dhe as të ndërtojnë një argument sipas rregullave të logjikës, ndihma e AI-së gjenerative duhet të ishte objektivisht e mirëpritur, sepse të paktën do ta shpëtonte lexuesin e ndoshta edhe autorin nga idiotizmi.
A duhet t’u dorëzohemi LLM-ve (Large Language Models) dhe chatbot-ëve, kur vihemi të artikulojmë diçka me shkrim që pastaj ta botojmë? Pyetje e vështirë. Etika e botimit nuk lejon që të paraqitim si origjinale një ese a një studim, të cilin e ka prodhuar një inteligjencë artificiale. Kush vë emrin e vet përbri një teksti të tillë, është në keqbesim edhe me lexuesin, edhe me vendin ku zgjedh të botojë, edhe me veten. Në duart e përfituesve shpesh të paskrupullt, dija – ose një surrogato e dijes – e prodhuar nga LLM-të përbën rrezik serioz për të gjithë ne që e shohim veten të paktën si bujq e kopshtarë të mendimit shqip.
Studime të shumta kanë provuar se asistentë të tillë komercialë si ChatGPT, Gemini dhe Claude gabojnë kaq shpesh, në informacionin dhe elaborimet që u ofrojnë përdoruesve, sa nuk mund t’u besohet seriozisht. Veçanërisht në shqipe dhe në kulturën e folur shqip, ku informacioni i thithur nga AI-të gjenerative mbetet i pamjaftueshëm dhe i mangët, rreziku për lajthitje dhe gjepura (halucinacione) është i gjithëpranishëm. Në kultura të tjera kjo sëmundje epistemologjike “degjenerative” i ka bërë palët e interesuara të marrin pozicione rreptësisht përjashtuese, ndaj përdorimit autorial të LLM-ve.
Megjithatë, përditë dëgjojmë për letërsi të shkruar me AI gjenerative, e cila po e mbyt tregun e librit elektronik; siç dëgjojmë edhe për vepra me pretendime shkencore, si artikuj, teza doktorature dhe libra studimorë, të cilët ndonjëherë janë gjeneruar fund e krye nga inteligjenca artificiale.
Problemi këtu është se, po të përjashtohen rastet e gabimeve të rënda, si përmendja e burimeve bibliografike që nuk ekzistojnë, doktorimi i të dhënave dhe shkarje të tjera, detektivët e teksteve të tilla “pa autor” nuk kanë në dispozicion mjete të sigurta për ta kryer punën si duhet. Edhe pse shumë prej nesh e ndiejmë kur një tekst është shkruar me AI gjenerative, mungojnë ende kritere objektive për ta konfirmuar dyshimin. Vetë LLM-të vijnë duke u përmirësuar e rafinuar, kur është fjala për të kamufluar autorësinë e produkteve të tyre.
Në këtë situatë, përvijohet një rrezik tjetër: janë duke u shtuar jo vetëm tekstet e gjeneruara me AI, por edhe ata lexues e përdorues të rrjeteve sociale, që dyshojnë – shpesh pa të drejtë – se ky apo ai tekst është shkruar me AI. Kriteri për të dyshuar kështu është edhe paradoksal: sa më korrekt të jetë teksti, sa më koherent dhe i kujdesshëm, sa më i matur në pretendime dhe i ngjeshur në argumente, aq më të mëdha janë gjasat që një lexues – i mësuar me shqipen e keqe që sot është bërë normë – t’ia atribuojë cilësinë përdorimit të LLM-ve. Sërish, është fjala për një pretendim që nuk mund të kundërshtohet me argumente; sepse askush nuk mund të provojë një negative (“nuk e kam shkruar me ChatGPT”) dhe sepse, siç e ceka më lart, po ndodh tani që një LLM të “shkruajë” shqip më qartë e më mirë se një person.
Të gjithë ne që merremi me dijen i përdorim LLM-të si vegla ndihmëse, ndonjëherë të vyera. Aftësitë e tyre për ta organizuar informacionin i tejkalojnë tonat; dhe, veç kësaj, mund të përdoren – dhe po përdoren gjerësisht – për të nisur dhe vazhduar biseda rreth çështjeve me interes. Por këtu shfaqet edhe një paradoks tjetër: shërbimet më të mëdha këto AI ua sjellin atyre studiuesve që janë në zotërim të plotë të temës dhe të argumentit dhe që nuk kanë arsye pse t’u kërkojnë AI-ve gjenerative ndihmë për të shkruar një tekst. Unë, si gjuhëtar, mund ta pyes ChatGPT-në se si e shpjegon, nga pikëpamja e gramatikës historike, që shqipe rasat gjinore dhe dhanore i kanë njësuar mbaresat në më të shumtën e rasteve; por përgjigjen për këtë pyetje, gjithsesi, do të shkoj ta verifikoj në burim – te një gramatikë e mirë historike e shqipes. Nga ana tjetër, nëse i jap një tekst shqip dhe i kërkoj të më llogaritë sa për qind e leksikut atje është me burim drejtpërdrejt nga leksiku i shqipes standarde dhe nuk gjendet në leksikun dialektor, do të marr mbase një përgjigje; por duke e ditur nga sa kritere delikate e të diskutueshme varet kjo analizë, do të preferoja që ta bëja vetë.
Ka autorë – studiues dhe shkrimtarë – që i përdorin LLM-të si testues të teksteve të tyre; duke i ushqyer, për shembull, me draftin e parë të një eseje që kanë shkruar dhe duke u kërkuar një mendim kritik. Edhe pse makina, në situata të tilla, bën analiza tërësore dhe ofron sugjerime dhe komente të dobishme, sërish është e prirë të lavdërojë (një patologji që njihet në anglishte me termin sycophancy, të shkruar ndonjëherë me tallje si sickophancy), duke vënë në dukje arritjet e tekstit a të studimit, por jo mangësitë; veçanërisht kur teksti pretendon të sjellë diçka të re në fushën përkatëse. Përndryshe, kur ti i jep LLM-së një dokument pak a shumë standard, si CV-në, do të marrësh përgjigje kritike më të plotë dhe më të vlefshme në praktikë.
Sa i përket hapësirës ku shkruhet shqipja, mendoj se aftësia individuale për të hartuar në mënyrë koherente dhe cilësore një ese, një tekst studimor ose një libër, po vjen duke u tkurrur, dhe kjo tkurrje nuk ka lidhje me zgjerimin e përdorimit të AI-ve. Për të njëjtën arsye, shumë prej nesh nuk arrijnë dot të mbajnë fokusin e mjaftueshëm, për të lexuar një ese të gjatë, ose një roman. Këtë patologji disa e kanë shpjeguar me revolucionin teknologjik të telefonisë celulare dhe të Internetit nga njëra anë, dhe me rritjen e peshës specifike të imazhit në mass mediat.
Nëse është kështu, atëherë shfaqja e LLM-ve dhe e chatbot-ëve, në gjendje që të ndihmojnë çdo përdorues në hartimin e teksteve, mund të shihet edhe si një orvatje e përgjithshme për korrigjimin e analfabetizmit funksional të përdoruesve dhe të vështirësisë së këtyre për t’u artikuluar mirë, në tekste të gjata. Dhe ashtu, në vend që t’i vëmë vetes objektiva maksimalistë dhe t’u kthejmë kurrizin AI-ve gjenerative, duke ndëshkuar edhe përdoruesit e tyre, do të bënim më mirë që të mbështetnim një përpjekje serioze, shumëplanëshe, për t’i mësuar brezit të ri (të paktën brezit të ri) teknikat e përdorimit të kënaqshëm të këtyre veglave kaq të sofistikuara. Duke treguar se çfarë mund të bëjmë, për shembull me Claude, ChatGPT ose Gemini, dhe si mund t’i vëmë këto inteligjenca në shërbimin tonë.
Është e mirënjohur thënia e anëtarit të Gjykatës së Lartë të SHBA, Justice Potter Stewart, kur e pyetën për kriterin me të cilin duhej dalluar obsceniteti në një film të caktuar, në suazën e një debati për ligjërimin e mbrojtur, që nuk mund të censurohet. Steward u përgjigj kështu:
I shall not today attempt further to define the kinds of material I understand to be embraced within that shorthand description [“hard-core pornography”], and perhaps I could never succeed in intelligibly doing so. But I know it when I see it, and the motion picture involved in this case is not that.
I know it when I see it. Të njëjtën gjë mund ta pretendoja edhe unë si botues, po të më pyesnin si arrij ta dalloj nëse një tekst është shkruar apo jo me LLM. Por unë nuk jam anëtar i ndonjë gjykate të lartë dhe as mund ta mbroj me argument intuitën time. Dhe do të ishte jo-etike madje e papërgjegjshme për këdo, qoftë ky redaktor, botues apo shqyrtues e vlerësues tekstesh, që këto t’i shpëfillte, përçmonte apo refuzonte me argumentin se janë shkruar me LLM. I përdorur kështu, ky lloj argument shumë shpejt mund të katandiset në një sëpatë anti-intelektuale, për të trembur dhe kërcënuar ata që kanë vërtet talent dhe kompetencë.
(c) 2026 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.