Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kinema

WUTHERING HEIGHTS

(Mos të të gjettë kurrë Heathcliff-i yt!)[1]

Out on the wily, windy moors
We’d roll and fall in green
You had a temper like my jealousy
Too hot, too greedy

How could you leave me
When I needed to possess you?
I hated you, I loved you, too

Bad dreams in the night
They told me I was going to lose the fight
Leave behind my Wuthering, Wuthering
Wuthering Heights

Heathcliff, it’s me, I’m Cathy
I’ve come home, I’m so cold
Let me in your window[2]

Ndoshta adaptimi i Wuthering Heights[3] i Emily Brontë-s duhej të ish lënë me kaq, me debutin muzikor të Kate Bush më 1978-ën. Teksti i këngës, të paktën, përmbledh mirë pjesën e parë të librit, ndryshe nga adaptimi i Emerald Fennell, i cili ka pushtuar sallat kinematografike që prej 13 shkurtit të këtij viti.

Kur adaptohet një roman, i cili trajton problemet raciale, klasore, si dhe traumat familjare ndër gjeneratave dhe që në përzgjedhjen e aktorëve, merret vendimi për dy të tillë si australianët Jacob Elordi dhe Margot Robbie, me një estetikë perfekte, ndoshta pasi janë tejet të suksesshëm për momentin dhe garantojnë mbushjen e sallave[4], pasi kënaqësia i përket si syrit (gaze) femëror dhe atij mashkullor, mendoj se me një Heathcliff si Elordi, nuk kemi ndodhi tjetër veçse white washing. Duke eliminuar tërësisht pjesën e dytë të librit dhe gjithë sa thashë më lart, mesazhi që na vjen nga regjisorja Emerald Fennell, është, se një histori e tillë, pra mbi problemet raciale, klasore, ndër-gjeneracionale nuk ia vlen të tregohet, pasi imagjinata e saj prej 14 vjeçareje, e përfytyron Heathcliff-in të bardhë. Ndërkohë, që një nga konfliktet kryesore të romanit, është të qenit e Heathcliff-it me ngjyrë, në këtë mënyrë ai perceptohet si tjetër, inferior dhe keqtrajtohet dhunshëm, psikologjikisht dhe fizikisht nga Hindley Earnshaw (i cili në film zëvendësohet me babain). Mungesa e Hindley-t bën që të mos jenë të qarta disa dinamika, si xhelozia e tij e pamasë përkundrejt Heathcliff-it, i cili ishte i preferuari i babait dhe derisa babai ishte gjallë, u rrit si vëlla i adoptuar i Catherine dhe Hindley. Vdekja e babait, i jep Hindley-t më në fund mundësinë të hakmerret dhe ta dëbojë Heathcliff-in nga statusi i të qenit i barabartë, duke e keqtrajtuar mizorisht dhe duke e kthyer në shërbëtor, duke krijur në këtë mënyrë dhe një krisje (të parën) midis marrëdhënies së ngushtë të Cathy-t dhe Heathcliff-it.

Në tekst gjejmë fjalët gipsy[5], apo lascar kur Nelly Dean i referohet Heathcliff-it. Injorimi i këtij fakti, i cili është rrënjësor për të kuptuar pse Heathcliff-i u rrit me ndjenja inferioriteti (p.sh. kur në një moment të brishtë, i rrëfehet Nelly-t se do dëshironte të kishte flokë e lëkurë me ngjyrë të çelët dhe sy blu, si Edgar Linton)[6] dhe u kthye në një person mizor, nuk është i falshëm, pasi heq gjithçka nga personaliteti shumëdimensional të këtij të fundit. Heathcliff-i nuk është hero, por një anti-hero i torturuar, Heathcliff-i nuk është vetëm viktimë e paragjykimeve raciste dhe klasiste (edhe nga Cathy p.sh., e cila zgjedh të martohet me Edgar Linton prej statusit të tij social), por është dhe xhelat – jo xhelat me zemër të butë, por mizor me një moral kompleks, çka nuk arrijmë t’ia shohim as hijen në softporn-on e Fennell, apo wannabe Fifty Shades of Wuthering Heights (emërtim që vjen nga rrjetet sociale).  Xhelozia dhe hakmarrja e tij shkatërrojnë jo vetëm Heathcliff-in vetë por çdokënd rreth tij. Dhe më e rëndësishmja: Wuthering Heights nuk është një histori dashurie e vuajtur, pasi është e penguar nga të tjerë: këtu ka pak dashuri dhe shumë obsesion, posesivitet, kompulsivitet deri në gërmimin e varrit prej Heathcliff-it – përsëris, jo nga dashuria, por obsesioni, ndjenja pa asnjë lloj kufiri (që sot i quajmë toksike), apo në përcaktimin e Heathcliff-it si të sajin nga Catherine, të cilës ky sipas asaj, i përket, jo se ajo do të jetë bashkë me të, por sepse asnjë tjetër nuk duhet ta ketë Heathcliff-in.

Që filmi i Fennell-it «nuk është ekzakt sipas librit», nuk është dhe kritika e duhur sipas mendimit tim, pasi filmi mund të adaptohet dhe të vendoset më se mirë dhe në një epokë tjetër, apo të pësojë ndryshime të tjera, siç guxoi Kubrick me Eyes Wide Shut më 1999, bazuar mbi romanin Traumnovelle të Arthur Schnitzler (1925), apo në rastin e Neil Jordan me adaptimin e Interview with the vampire, më 1994, bazuar mbi romanin me të njëjtin titull të Anne Rice (1976).

Një adaptim i qëlluar, do t’i ndryshojë disa ndodhi, apo personazhe – por gjithmonë duke i shtuar diçka historisë, kuptimit, rrjedhës së ndodhive, në mënyrë që ky të ketë kuptim, si për ata që nuk e kanë lexuar librin, por edhe për kë e ka lexuar – dhe jo duke i hequr çdo nuancë apo kompleksitet të karaktereve, pra disi shtyllën kurrizore, si në rastin e Fennell-it.

Emerald Fennell ka padyshim një sy të mirë për fotografi, nga ky aspekt filmi është shumë bujar, por jo për të treguar një histori kaq të rëndësishme në këtë rast konkret. Jacob Elordi, është një zgjedhje e gabuar për Heathcliff-in, jo vetëm se nuk është me ngjyrë, por edhe se nuk na përcjell për asnjë moment ashpërsinë, thellësinë e Heathcliff-it. Margot Robbie ka një bukuri prej Barbie (siç dhe e pamë më 2023 në filmin e Greta Gerwig), dhe sado e përsosur të duket një 35 vjeçare, nuk mund t’ia falim sjelljen e një adoleshenteje, siç është Cathy Earnshaw – e egër, e llastuar, impulsive, cilësi që mund t’i gëlltisim tek një 16-17 vjeçare, por jo më tek një njeri, që ka jetuar dyfishin e jetës të paktën.

Pasioni dhe hakmarrja janë motorët e librit: nuk ka kufij për ekstremet, në të cilat Heathcliff-i do të gërmojë (fjalë për fjalë), për t’i bërë njerëzit rreth tij të paguajnë për si u keqtrajtua, dhe gjithashtu pse Cathy e tradhtoi dashurinë e tij për një status social. Sipas analizës teorike lacaniane, romani i Brontë-s, i cili përcjell një interpretim të veçantë të feminitetit, e detyron Catherine të zgjedhë midis dy identiteteve të pamundura dhe të dështuara që në rrënjë. I pari, që fillon në fëmijëri, është i rrënjosur në një formë imagjinare të identifikimit me Heathcliff-in ([…] I am Heathcliff! He’s always, always in my mind: not as a pleasure, any more than I am always a pleasure to myself, but as my own being. […] He’s more myself than I am. Whatever our souls are made of, his and mine are the same)[7]. Të dytin e perceptojmë përmes pjesëmarrjes së saj në rendin simbolik si një grua, nënë dhe zonjë e klasës së lartë, të njohur dhe respektuar në klasën përkatëse shoqërore. E paaftë për të gjetur kënaqësi në vetë-ndërmjetësimin e nevojshëm midis këtyre identiteteve, imagjinar dhe simbolik, Catherine-s i mungon në fakt çdo identitet: vetëm në vdekje, Cathy arrin lirinë e vërtetë nga agonia e identifikimit.

Edhe adaptime të mëhershme kanë zgjedhur të përqendrohen te pjesa e parë e librit, deri kur Cathy humb jetën – por hakmarrja e Heathcliff-it intensifikohet në kulm në pjesën e dytë të librit, ku Brontë luan me simpatinë, që ende mund të ketë dikush për Heathcliff-in, duke theksuar tiraninë monstruoze të këtij të fundit. Një shembull në libër është varja e qenit të Isabella Linton (interpretuar nga Alison Oliver), për ta torturuar këtë psikologjikisht. Interesant është këtu vendimi i Fennell-it, e cila vendos të mos e tregojë këtë skenë, por të kthejë Isabella-n në qen, që i nënshtrohet një loje sado-mazokiste. Lind pyetja, a dëshiron Fennell-i të mbrojë me çdo kusht simpatinë për Heathcliff-in, pasi në moralin perëndimor, vrasja e një kafshe shtëpiake perceptohet si më mizore se keqtrajtimi seksual dhe psikologjik i një bashkëshorteje, dhe këtë sjellje të fundit «e falim» më shpejt në një botëkuptim ende patriarkal? Tek Brontë, historia e Isabella Linton-it, është historia e një abuzimi mizor, pa asnjë farë romantizmi, ndërsa në filmin e Fennell-it, gruaja e re, e abuzuar, transformohet në një të nënshtruar të vullnetshme, e cila kryen një akt balancimi midis kënaqësisë dhe tmerrit, e lidhur me zinxhirë (chains of love[8]) si një qen, të cilën Heathcliff-i e bën të lehë. A mund ta kuptojmë këtë cinizëm të Fennell-it si mizogjini? Po edhe jo. Alison Oliver-i është ndoshta personazhi më i gjallë i këtij adaptimi, pasi na rrëfen zgjimin seksual si një zbulim që e çrregullon njeriun, e bën të zymtë, i ndryshon qëndrimin dhe shikimin.

Kur Nelly vjen për të vizituar Heathcliff-in dhe Isabella-n, këta e presin me Isabella-n të lidhur pra me zinxhirë dhe duke u shtirur si qen (për të provokuar gaze (vështrimin, perceptimin dhe kufijtë) e kësaj të fundit) – dhe kur Nelly duket e tronditur, Isabella i shkel syrin. Kjo shkelje syri përmban gjithçka që duhet të dimë për kënaqësinë «e ndaluar» seksuale[9]. Isabella i qaset kënaqësisë së saj libidinale duke lehtësuar flirtimin sado-mazokist të Heathcliff-it me Catherine-n, duke performuar shthurjen e saj për gaze-n e Nelly-t, tronditja e së cilës mbështet pikërisht horizontin kundrejt të cilit loja sado-mazokiste mbetet kënaqësi eksesive[10].

Që kur u botua në mesin e shekullit të XIX, romani i Emily Brontë-s mbi dashurinë obsesive dhe hakmarrjen e pamëshirshme, ka mahnitur lexuesit/et nga njëra anë, por dhe ngatërruar kritikët në anën tjetër. Wuthering Heights u prit me kritika mjaft të kundërta kur u botua për herë të parë në vitin 1847: kush e priti me ashpërsi dhe tmerr nga «mizoria brutale» dhe portretizimi i një dashurie të egër, por edhe pati kush e pranoi forcën dhe zgjuarsinë e librit. Pavarësisht popullaritetit të letërsisë gotike në atë kohë, nuk është për t’u habitur që Wuthering Heights, i cili nuk ka një këndvështrim të qartë moral, i tronditi lexuesit/et në shekullin e XIX-të, në një kohë ku shtypja morale e Erës Viktoriane ishte mjaft e rreptë. Në këtë periudhë industrializimi, kënaqësia seksuale dhe vdekja, dy nga dukuritë më irracionale e të pashpjegueshme të njeriut, u kthyen gjithmonë e më shumë në tabu. Pikërisht nën këtë aspekt, ka kush mendon se Fennell-i është banale apo vulgare, por edhe gjeniale duke e filluar filmin me sekuencën e një ekzekutimi, si dhe pornografinë e ndrydhjen seksuale që mbart kjo skenë. Në këtë sekuencë iniciale dëgjojmë një burrë që rënkon, si në një ekstazë seksuale. Andaj, kur inkuadrohet imazhi përkatës, kuptojmë se në fakt është një burrë që po varet. Më tej vërejmë një grua në turmë, e cila tregon me gisht ereksionin e të dënuarit. Së pari turma shtanget, më tej njerëzit shpërthejnë në çka mund të përshkruhet vetëm si një orgji e eksesit libidinal: kërcehet, shpërthejnë grindje, dehje, madje edhe seks në rrugë dhe është kjo premisa themelore e refuzimit: askund shtypja nuk na tregohet aq e plotë sa në perversitet[11].

Adaptimi i Emmerald Fennell-it është i tëri një formë mohimi, refuzimi: nga njëra anë, ai dëshiron të jetë një ritregim avangard i romanit të Brontë-s, nga ana tjetër është një kiç i keq romantik dhe dëshiron kështu t’i ketë të dyja: provokimin e ekzagjeruar dhe melodramën e mërzitshme[12]. Nën këtë aspekt, ndoshta, Wuthering Heights i Fennell-it është në fakt një film i kohës sonë,  filmi që meritojmë, të bllokuar diku midis një dëshire për të shpërthyer dhe u realizuar dhe fantazisë për të fjetur në gjumë[13].

Dhe diçka mund ta themi me plot siguri: nëse je student/e e anglishtes dhe nesër ke në provim Wuthering Heigts të Brontë-s, të cilin nuk arrite ta lexosh, pasi ndoshta kafetë dhe aperitivet tek blloku t’u dukën më interesante, ky film fatkeqësisht nuk do të të ndihmojë të kalosh provimin. Sorry. Dhe P.S., Të shpresojmë, të mos na gjejë asnjëherë një «dashuri» e tillë.

(c) 2026, Irma C. Të gjitha të drejtat janë të autores.


[1]Ky shkrim përmban spoiler, për aq sa mund të thuhet diçka e tillë për një roman, për të cilin kemi patur 179 vite kohë për ta lexuar.

[2] (Përkthim i lirë, jo zyrtar i tekstit)

Jashtë në kënetat dinake dhe me erë
Do të rrokulliseshim dhe do të binim në gjelbërim
Ti kishe një temperament si xhelozia ime
Shumë të nxehtë, shumë lakmitar

Si mund të më lije
Kur unë kisha nevojë të të zotëroja?
Të urreja, të doja gjithashtu

Ëndrra të këqija natën
Më thanë se do ta humbisja luftën
Se do të lija pas meje Wuthering, Wuthering
Wuthering Hights (Lartësitë e stuhishme)

Heathcliff, jam unë, jam Cathy
Kam ardhur në shtëpi, kam shumë ftohtë
Më lër të hyj nga dritarja jote

[3]Lartësitë e stuhishme, roman i Emily Brontë, botuar për herë të parë më 1847, sjellë në shqip nga Amik Kasoruho.

[4]Më 03.03.2026 hyrjet bruto sipas të dhënave të Box Office, kanë arritur një shumë totale globale prej 197,2 milionë dollarësh.

[5]Nga kjo terminologji (gipsy: e vjetëruar dhe jo më në përdorim, pasi përçmuese dhe ofenduese për popullsinë rome) kuptojmë se Heathcliff ndoshta është rom dhe mund të ketë lindur në Angli si pasardhës i marinarëve (lascar), që punonin asokohe (shekulli XVI-XX) në anijet tregtare që vinin nga Azia, kryesisht India apo Pakistani.

[6]I wish I had light hair and a fair skin, and was dressed and behaved as well, and had a chance of being as rich as he will be! […] In other words, I must wish for Edgar Linton’s great blue eyes and even forehead […] Kapitulli VII

[7]Kapitulli IX

[8]Në psikologji, «zinxhirët e dashurisë» zakonisht i referohen lidhjeve emocionale, që e shndërrojnë dashurinë romantike në një formë robërie, shpesh të karakterizuar nga varësia e ndërsjellë, obsesioni dhe kontrolli në vend të lidhjes së shëndetshme. Këto zinxhirë përfaqësojnë një humbje të vetvetes, ku mirëqenia emocionale e dikujt bëhet tërësisht e varur nga një person tjetër.

[9]Cit. Julian de Medeiros

[10]Ebenda

[11]Cit. Julian de Medeiros

[12]Ebenda

[13]Ebenda


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin