Sot kur ideja e bukurisë vjen më shumë se kurrë nga qendrat estetike, na kujtohet Susan Sontag. Autorja e kishte paraparë këtë, 50 vjet më parë, që rinia do të absolutizohet si vlerë, kurse plakja do të përjashtohej prej lojës sociale. Jo për shkak të procesit natyror, por për shkak të ndëshkimit simbolik të atyre që zgjedhin ta pranojnë pa ndërhyrje.
“Fytyra e gruas është portreti i korrigjuar i vetes së saj” shkruante ajo duke ironizuar presionin për përmirësim të vazhdueshëm. Sot kjo logjikë duket sikur riprodhohet në diskursin e kremrave, trajtimeve dhe ofertave estetike. Mungesa e ndërhyrjes rrezikon të lexohet si neglizhencë . Mosha dhe plakja merren dhe trajtohen si neglizhencë, një defekt që kërkon korrigjim të vazhdueshëm.
Në esenë “Beauty: What Comes Next?” (1975), Susan Sontag analizon mënyrën se si bukuria po shndërrohet nga cilësi e supozuar natyrore në projekt të përhershëm mirëmbajtjeje. Bukuria merret si diçka që duhet të jetë e dhënë, por njëkohësisht kuptohet edhe si diçka që duhet të mirëmbahet, nëpërmjet ushtrimeve, dietës së caktuar, kremrave, losioneve, si dhe tashmë ndërhyrjeve. Paradoksi tjetër që jep Sontag është se të jesh i/e bukur do të thotë të jesh një veçanti, por në të njëjtën kohë duhet të jesh i/e kohës, të përshtatesh me modën dhe me standardin estetik dominues. Sa më të larta të jenë këto investime, aq më e madhe mundësia për t’iu afruar këtij standardi. Prandaj bukuria funksionon edhe si sistem klasor.
Standardet estetike janë gjithmonë të lidhura me strukturat sociale. Dikur, kur puna zhvillohej kryesisht jashtë, toni i bardhë i lëkurës shënonte privilegj. Sot, kur puna kryhet kryesisht brenda, një ton i bronztë është i lakmueshëm. Toni i rrezitur sugjeron mundësi financiare dhe kohore për ekspozim në diell.
Sontag, e njohur edhe për esenë “The Double Standard of Aging” (1972), argumentonte se standardi i moshës është i ndryshëm për burrat dhe gratë. Për burrat, mosha shpesh lidhet me autoritetin; për gratë, më shpesh me humbje vlere sociale. Ky standard i dyfishtë mbetet i pranishëm edhe sot.
Logjika e objektifikimit nuk kufizohet vetëm te gratë. Edhe burrat janë bërë pjesë e këtij regjimi estetik. Sot është normale sidomos për burrat që janë pjesë e ekranit të kryejnë ndërhyrje, jo vetëm transplantime flokësh, por edhe heqje rrudhash në ballë, faqe apo për fshehjen e shenjave të mimikës. Burrat po bëhen pjesë e tregut të rinisë, por mënyra si interpretohet kjo mbetet e ndryshme: tek burrat shpesh shihet si kujdes për veten, ndërsa tek gratë si detyrim për ruajtjen e vlerës sociale.
Kjo diferencë vërehet edhe në hapësirën publike në Kosovë. Në televizione është normale të ketë gra të reja por edhe të moshës së mesme. Por jo më larg se kaq. Ekrani i largon me kohë. Pikërisht atëherë kur përvoja profesionale bëhet më e thellë dhe kur kanë më shumë për të thënë, situatat sillen në atë mënyrë që shumë prej tyre pensionohen nga dukshmëria publike. Ndërkohë, kolegët burra vazhdojnë të drejtojnë emisione apo debate publike edhe në moshë më të avancuar.
E njëjta logjikë shfaqet edhe në politikë. Në çdo mandat të Kuvendit të Kosovës ka burra që vazhdojnë aktivitetin politik përtej moshës standarde të pensionimit 65 vjeç. Për gratë, kufiri vendoset më herët. Nëse e arrijnë moshën reale të pensionimit duke e ushtruar ende mandatin është sukses. Për burrat, mosha mund ta rritë kredibilitetin; për gratë, shpesh e ul vizibilitetin.
Në këtë kuptim, bukuria dhe rinia mund të “blihen”. Kushti kryesor mbetet statusi ekonomik. Diferenca nuk qëndron vetëm te fakti i ndërhyrjes, por te cilësia dhe diskrecioni i saj. Ndërhyrjet më të sofistikuara janë më pak të dukshme dhe më të kushtueshme. Edhe një trup në formë dhe i ushtruar tregon status social: kërkon kohë të lirë, ushqim cilësor dhe investim financiar të vazhdueshëm.
Bukuria nuk është më as mit, është zbërthyer në betejë klasore. Njerëzit me më pak burime shpesh duken më të moshuar se bashkëmoshatarët me kapital më të lartë ekonomik. Në diskursin publik qarkullon shprehja: “Nuk ka të shëmtuar, ka të varfër.” Në këtë kuptim, moshizmi është më shumë gjykim social sesa biologjik.
Dhe pavarësisht diferencave, koha kalon për të gjithë. Ecën vetëm në një drejtim, përpara. Biletat e shtrenjta për t’u kthyer mbrapa e ndryshojnë dukjen tonë por jo kohën.
(c) 2026 Tinka Kurti. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.
e gjithe kjo eshte vetem frike e poshter nga vdekja, tanatofobi dhe ana e tjeter e medaljes, seksomani si rini e perjetshme, binomi eros dhe thanatos.