Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

DITA QË NUK VJEN

Si nuk po flasim dot për letërsinë shqipe bashkëkohore

Po them nja dy gjëra në vazhdim të esesë së Gazmend Krasniqit botuar në Peizazhe të Fjalës, për mënyrën si e studiojmë sot letërsinë dhe nëse kemi mbetur peng i së shkuarës dhe i doktrinës së realizmit socialist.

Më ka qëlluar edhe mua të mendoj se, përtej recensioneve dhe qokave që bëhen në media dhe portale, për veprat letrare të ditës, na mungon një përpjekje profesionale për të kuptuar se çfarë lloj letërsie po shkruhet në shqip.

Për pjesën më të madhe të autorëve të njohur, emrave që tashmë kanë vite e dekada që popullojnë raftet e librarive dhe të bibliotekave me veprat e tyre, askush nuk di të thotë se cilës shkollë a rrymë letrare i përkasin.

Hidhet tek-tuk ndonjë etiketë, si “realizmi magjik”, por kjo më tepër për të shënjuar një vepër që ka elemente jo-realiste në narrativë.

Ndonjë autor është fatlum, sepse e ka shpjeguar vetë se cilës rrymë i përket ose ia kanë përshkruar të tjerët: vetë Gaz Krasniqi, që i përket kredos postmodernizmit, por edhe Bashkim Shehu – gjithashtu postmodern. E megjithatë: çfarë do të thotë të identifikohesh si postmodernist në një letërsi që ende i falet romantizmit dhe realizmit kritik; dhe si të pozicionon kjo, në raport me një modernist si Idlir Azizi i Terxhuman-it?

Po si i bëhet për autorë të tjerë, madje të mirënjohur? E çfarë lloji është letërsia që ka vite që lëvron Ben Blushi? Po ajo e prozave të Arben Dedja – Author? Po romanet e Artan Fuga dhe të Agron Tufës? Po krijimet e Mira Meksit? Po romani i fundit i Jonila Godole? Çfarë e afron prozën e Shkelqim Cela me poezinë e Arb Elos? Po me rrëfenjat e Pellumb Kulla?

Do të më thonë lexuesit nuk i bëhet vonë për krahasime dhe etiketa si këto, i mjafton që ta shijojë veprën. Mundet të jetë kështu – por përcaktime të tilla, të bëra në mënyrë profesionale, e ndihmojnë zhvillimin letrar, duke zëvendësuar mjegullën me kthjellësi.

Në letërsinë shqipe sikur nuk ka shkolla letrare, as qarqe që t’i japin a t’i imponojnë vetes kritere dhe kufizime krijuese. Përshtypja ime është që shumë autorë thjesht ulen të shkruajnë ashtu siç u vjen, pa e vrarë mendjen se si do t’u klasifikohet vepra; e shumta, duke pasur në mendje një “histori” që duan të tregojnë.

Por ky rrafshim formal është edhe efekt i një dështimi të kritikës që, me kalimin e kohës, përthyhet si mangësi letrare. Të marrim një poet si Ervin Hatibi – ka shumë që e duan, e vlerësojnë lart, e përmendin në lista, e lëvdojnë haptazi. Pyes: cili nga poetët e sotëm shkruan si Hatibi? Jo në kuptimin që ta imitojë, por në kuptimin që ta ketë shndërruar në pikë referimi a në model poetik?

Ose një shembull nga proza: Ervin Nezha ka një stil të vetin të ndërtimit të tregimit, për mua pseudo-folk; duke marrë nga rrëfimi popullor strukturën asindetike, ku lidhjet shkakësore përftohen nga pranëvënia (ky është leximi im). Si krahasohet Ervin Nezha me Arben Deden? Të dy i kanë të ndërlikuara marrëdhëniet me tekste të padukshme, mbi të cilat e ndërtojnë prozën e tyre – por është fjala për ndërlikime të pangjashme mes tyre.

Të marrim Ismail Kadarenë, të cilit të gjithë i referohen (ca nga halli, ca nga malli). Pyetja ime: çfarë lloj intertekstualiteti rrezaton Kadareja sot në letërsinë shqipe? Cilit autor ia ka shtruar rrugën drejt shkëlqimit letrar? Ose – për ta thënë me Borges-in: cili autor bashkëkohor na ka ndihmuar që ta shijojmë dhe ta kuptojmë Kadarenë më mirë? Këtë mund ta kish vënë në dukje kritika letrare, por nuk arrin ta bëjë. Ndoshta po kërkoj shumë.

Në revistë – te “Peizazhe të fjalës” – na vijnë shpesh recensione për libra të rinj. Më duhet të them se shumë nga këto recensione nuk kanë aq profesionalizëm, sa të balancojnë dashamirësisë personale, gati prej qoke. Janë shkruar nga njerëz që me siguri dinë si të jenë lexues, mbase dinë edhe si shkruhet një roman, por që nuk dinë si shkruhet për një tekst letrar, madje edhe në nivelin fillestar të recensionit. Zakonisht i kthejmë mbrapsht, jo pa dhimbje.

Si botues i “Peizazheve të fjalës”, gjithnjë pres e shpresoj që të vijnë, në revistë, analiza të kësaj natyre për veprat letrare, të tilla që t’i shërbejnë organizimit të prurjeve dhe kuptimit të formës. Ndonjëherë përpiqem ta bëj këtë edhe vetë, si me serinë për “Kadarenë dhe Majakovskin” që pata nxjerrë në substack-un Menditime; por unë nuk e shoh veten si kritik letrar, megjithë disa ekskursione që guxoj të ndërmarr në atë fushë (unë lexoj letërsi shqipe, por nuk e studioj atë fushë sistematikisht). Ndonjëherë mendoj se kjo shterpësi intelektuale, në lëmin e analizës letrare, vjen edhe ngaqë mungojnë modelet e duhura. Në shtypin letrar dhe kulturor ndesh shumë shkrime amatoriale për çikërrima historike dhe jargavitje gjithfarësh, të cilat vetvetiu deformojnë. Gjysmakë që shkruajnë për gjysmakë të tjerë.

Ndërkohë, në mediat shoh rregullisht shkrime nga shkrimtarë për shkrimtarë, si ngritje dollish në një klub të imagjinuar të “Lidhjes” – edhe ato zakonisht përpjekje impresioniste, të gërshetuara me vullnetin për solidaritet. Flasin për këtë ose atë vepër, por shumë rrallë për trajektoren krijuese të autorit. Nuk them dot nëse kemi apo jo kritikë letrarë që ta njohin krijimtarinë e dikujt, aq sa t’ia lexojnë një vepër të re në përqasje me çfarë i ka paraprirë; sa janë shanset që kjo të ndodhë dikur?

Përfytyroj një konferencë për letërsinë shqipe bashkëkohore, që të kalojë përtej çështjeve të shitblerjeve, përqindjeve, taksave, kontratave, firmave, kundërfirmave, faturave, shpërndarjes, kamionëve, librarive dhe të tjerave si këto – që janë me interes të madh, por që do t’i lëmë mënjanë për një moment. Si do të flasim për letërsinë bashkëkohore shqipe në këtë konferencë? Mendoni edhe ju për një sekondë. Do të shpallim listat emërore të autorëve dhe të çmimeve që kanë marrë? Do të përmendim Ismail Kadarenë dhe suksesin e tij ndërkombëtar? Do të ndalemi në pjesëmarrjen triumfale të autorëve shqiptarë (dhe botuesve përkatës) në panaire ndërkombëtare dhe në festivale libri? Do të informojmë për sa dhe si është përkthyer letërsia shqipe bashkëkohore në botë? Në fakt jo. Duam të flasim për letërsinë. Si do ta prezantojmë? Si do ta analizojmë, përtej recensioneve shkollareske?

Një rrugë e shkurtër që sugjeron halli, në situata të tilla, është fokusi te tematika: tema e emigracionit, tema e pushtimit osman, tema e malësorit, tema e totalitarizmit… Por analiza letrare sipas temës së veprës është shkalla më e ulët, më elementare e ligjërimit refleksiv për artin letrar. “Për ça flet ky libër?” Gjëra që njeriu pret t’i lexojë në xhaketën e librit, në faqen e pasme, a në një portal kushtuar libërshitjes, dhe që e ndihmojnë të zgjedhë nëse do të blejë apo jo. Por konferenca kërkon diçka më shumë, për të ushqyer po atë arsye që na bën të flasim për letërsi shqipe – edhe në përgjithësi, edhe bashkëkohore. Dhe jo për të kënaqur ndonjë ambicie akademike, por edhe thjesht për të përligjur vëmendjen institucionale ndaj kësaj forme të kulturës.

Ka qenë një kohë kur nuk linim recension të shtypit të huaj, për Kadarenë, pa e sjellë në shqip e pa e afishuar në faqet e kulturës. Deri edhe prezantime të thjeshta që i bëheshin atij autori në vende ku nuk e kishin njohur, të themi në Paraguaj apo në Sri Lanka, dhe ku Shqipëria figuronte si “vendi i shqiponjave”, edhe këto i qëmtonim me zell. “Ismail Kadareja ka lindur në qytetin e Gjirokastrës, afër kufirit me Greqinë”, dhe ne vu e vu, përkthenim. Si për të provuar se letërsi e mirë shqipe është jo vetëm ajo që pëlqehet në anën përtej të botës, por edhe e sidomos ajo që na ngre imazhin kombëtar (vini re: sa pak jemi distancuar nga folk-adhurimi i ikonave). Ky, instrumentalizim i një arti sublim si letërsia, ky zgjedhim i krijimtarisë letrare në kombëtarizëm të aplikuar, ky obsesion me idenë – paranoide – se letërsia më e mirë është ajo që i këndon kombit: ja çfarë na e zë frymën dhe i rrafshon vlerat.

Një kokëçarje tjetër që do t’i dilte asaj konference imagjinare: nevoja për të dalluar shkrimtarët e mirë, nga shkrimtarët më pak të mirë, që është në thelb e kundërta me afshin për të shpallur me çdo kusht Shkrimtarin kampion të momentit, si ishte garë sportive. Kush do ta bënte dot këtë dhe si? Me ç’kritere? Ku do ta gjente guximin? Nisma të tilla ruajna zot mund të rrëzojnë deri edhe qeveri (në vende ku qeveria është ende e rrëzueshme). Madje edhe sikur pyetja të formulohej kështu: cilët shkrimtarë bashkëkohorë na bëjnë krenarë që jemi shqiptarë? Që na mahnitin me bukurinë e artit të fjalës së tyre? Hë mo?

Në realitet, pjesëmarrësit në atë konferencë aq të supozuar nuk do të dinë se nga ta fillojnë – sepse aktivitete të tilla duhen paraprirë nga një punë që te ne nuk është kryer. Disa shkrimtarë janë bërë fytyra të njohura deri në mërzi, dalin në televizor e në mediat sociale deri në kudogjendje (ubikuitet), fyejnë dhe fyhen, prononcohen sa dhe si të munden, shkojnë në podkast me kryeministrin, gëzojnë e shijojnë favorin qeveritar, promovohen si të ishin faktorë, por edhe ata vetë e dinë, nëse e kanë seriozisht shkrimtarinë, se aq nuk mjafton. Sepse ajo që i duhet shkrimtarit, cilitdo shkrimtar, është që ta dijë ku e ka vendin, mes bashkëkohësve dhe në rrjedhë të kohës; që është e kundërta me vendin në tabelën e klasifikimit dhe të afërsisë me pushtetin; dhe për këtë i duhet gjykimi i kritikës. Që në thelb do ta mbrojë nga pabarazia e ballafaqimeve që ia sugjeron turma. Pyetje nga salla: pavarësisht nga promovimi i ekzagjeruar, ç’vend real zë Lea Ypi në letërsinë shqipe? Jo në sallonet e Vilës së Enverit, por në letërsinë shqipe bashkëkohore? Hë mo?

Prandaj nuk ka shpresa për atë konferencë që përsiat.

Midis veprave nga njëra anë dhe lexuesit nga ana tjetër është dekantuar mjegulla e hutesës. Nëse nuk pretendojmë dot nga lexuesi, madje edhe ai i kualifikuar, që t’i zotërojë instrumentet për një shqyrtim qoftë edhe gjysmë-profesional të tekstit – duke qenë, për shembull, në gjendje t’i japë një lexim intertekstual minimal; pra, edhe nëse ia kursejmë lexuesin këtë barrë për një moment, sërish është letërsia, si veprimtari kulturore, që ka nevojë të organizohet përtej botimit të veprës dhe leximit të saj individual.

Po çfarë të thuash, para faktit të kthjellët se ne ende nuk ua kemi gjetur një gjenealogji kulturore autorëve të traditës së afërt, të cilët na bie goja në tokë duke i lëvduar? Nga ka ardhur proza e Kadaresë? Po romanet e Agollit? Ku i ka rrënjët realizmi kritik – edhe pse pak anakronik – i Jakov Xoxës? Po epika e Fishtës? Po vargu i lirë i Migjenit? Si është projektuar hija e Mitrush Kutelit në letërsinë shqipe? Çfarë jehonash sjell proza e Camajt? Po poezia? Deri edhe kujtimeve të Enver Hoxhës do t’ia vlente një analizë intertekstuale, se nuk pat mbetur shqiptar pa i lexuar, me zë dhe pa zë, dhe gjeste të tilla korale, kaq korale, lënë gjurmë të mëdha në logosin kombëtar. Apo do të mjaftohemi me atë kush ia shkruante fjalimet?

Letërsisë i duhet një hartë ku të tregohen lidhjet horizontale mes autorëve dhe veprave më të mira, dhe jo vetëm. Siç flasim herë pas here për marrëdhëniet e Lasgushit me poezinë romantike rumune, ose të Naimit me poezinë perse, duhet të flasim edhe për autorë të tjerë nga ky prizëm – për t’i kuptuar më mirë, ata dhe marrëdhënien tonë me ta.

Një krahasim mund të ndihmojë: le ta përfytyrojmë botën letrare si të ishte një lloj firmamenti, ku secili autor (i parë si tërësi veprash të nënshkruara me emrin e tij) bën dritën e vet. Në këtë qiell të letërsisë disa yje do të shndrisin më fort, ndërsa disa të tjera do të jenë të padukshme për syrin e lirë. Dy gjëra na lejon të rrokim më mirë kjo metaforë: që autorët, edhe ata më të ndritshmit, nuk kanë as vlerë as kuptim jashtë lidhjeve dhe krahasimit me të tjerët; dalja në pah a shquarsia është gjithnjë relative. Dhe, e dyta, që yjet në këtë qiell abstrakt do të organizohen edhe ato në yjësi, me kusht që të mos ketë mjegull dhe syri t’i shohë qartazi dhe kthjellët. Yjësitë janë artifakt i kundrimit tonë, jo tipar esencial i firmamentit, por por njeriun e ndihmojnë që të orientohet në botë më fort e më mirë se astrofizika.

Kemi pasur ndoshta frikë të flasim për intertekstualitet, sepse jemi ende skllevër të dogmës së origjinalitetit, të trashëguar nga romantizmi (ose vuajmë nga ankthi i influencës). Dikur shkruheshin monografi e mbroheshin doktoratura për ndikimet e këtij apo të atij autori nga poezia popullore, nga përralla popullore – me një fjalë, nga gurra e popullit. Ishte koha kur kredencialet folklorike të hapnin rrugën drejt majave. Koha kur përnjëmend besohej se romani Kush e solli Doruntinën ishte frymëzuar nga një legjendë “e lashtë”. Sot mund të vazhdojmë ta bëjmë këtë, por në kërkim kredencialesh të tjera – dhe në mënyrë të tillë që të mësohemi me idenë e shtresave intertekstuale në një vepër, pa të cilat vepra nuk mund të ekzistojë, pavarësisht nga sa djalë i mirë është autori.

Dua të ngul këmbë në idenë se ky lloj leximi – që kërkon jo vetëm dëshirë por edhe zotësi profesionale – nuk e ka vendin vetëm në revistat “shkencore” a në tekstet universitare; i duhet letërsisë vetë, për të njohur veten, për t’u organizuar, për të parë si funksionon. Qasja është në vetvete post-moderne, sepse synon ta bëjë procesin letrar – përfshi edhe leximin – të vetëdijshëm për veten; por njëherazi i vlen edhe autorit edhe lexuesit.

(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me Gemini.

Shënim: Emrat që përmend këtu nuk vijnë nga ndonjë renditje të zgjedhurish prej meje a ndonjë tjetri – në kontekstin e këtij shkrimi, merrini vetëm shembuj, që më ndihmojnë për argumentin.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin