(Miku dhe bashkëpunëtori ynë Gjilpëra ka përkthyer dhe përgatitur për revistën një fabul të Ezopit.)
Dhelpra kishte rënë në një pus të thellë dhe nuk dilte dot. Një cjap, që po kalonte atypari dhe kishte etje të madhe, e pa dhelprën brenda pusit dhe e pyeti si ishte uji. “Shumë i mirë”, i tha dhelpra. “Si ky nuk gjen në pus tjetër! Eja ta provosh vetë, po s’më besove”, nuk pushtonte dhelpra së lëvduari ujin. “Dakord”, tha cjapi i etur dhe pa u menduar gjatë, u hodh menjëherë në pus. Piu mirë sa u ngop, pastaj, me dhelprën bashkë, filluan të vrasin mendjen si të dilnin nga pusi. “Dëgjo”, i tha dhelpra, “se më erdhi një ide: sikur ti të vësh dy këmbët e para pas murit dhe të tendosësh edhe brirët, unë ngjitem mbi kurrizin tënd dhe dal lart. Pastaj të tërheq unë, që të dalësh edhe ti nga pusi”. “Dakord”, tha prapë cjapi dhe ashtu bëri. Dhelpra kërceu mbi kofshët e cjapit, prej aty iu ngjit mbi kurriz, u kap pastaj nga brirët e tendosur, doli më në fund nga pusi dhe iku tutje si furtunë. “Po ne kishim një marrëveshje”, bërtiti cjapi i shastisur nga fundi i pusit. Dhelpra e dëgjoi, ktheu kokën dhe i thirri nga larg:”O cjap budalla, sikur të kishe aq mend në kokë sa ç’ke qime në mjekër, ti nuk do ishe hedhur brenda pa u menduar si do dilje prapë nga pusi!”
Ezopi
[Titulli alternativ: Bibi, Rama dhe vizita në Tokën e Shenjtë.]
Ilustrimi është realizuar me Flux.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.