Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Totalitarizëm

PRIVILEGJI I PAPËRBALLUESHËM I TË QENIT GREK

Në shoqërinë shqiptare, në diskursin publik por edhe në atë privat, ekziston një perceptim i gabuar dhe i mjaft i përhapur se minoriteti grek në Shqipëri ka gëzuar një status të privilegjuar gjatë periudhës së diktaturës komuniste. Shpesh kam dëgjuar dhe lexuar se “ju keni qenë më mirë në diktaturë”, “juve ju donte Enveri”, “ju kishit shkolla greke”, “ju nuk keni vuajtur” etj. Ky mit, i cili shpesh përdoret për të justifikuar qëndrime të caktuara politike ose shoqërore, nuk mbështetet në fakte historike as në ndonjë të dhënë statistikore. Në të vërtetë, pavarësisht se anëtarët e minoritetit grek mund të kenë pasur një nivel mesatar zhvillimi më të lartë se pjesa tjetër e popullsisë shqiptare përpara dhe gjatë regjimit – siç tregojnë të dhënat historike për arsimim më të lartë, dhe angazhim më të madh në tregti (para 1944) dhe ndërmarrje të vogla – kjo nuk do të thotë se ata kanë qenë të privilegjuar. Përkundrazi, ata kanë vuajtur persekutime të rënda edhe pikërisht për shkak të identitetit të tyre etnik. Shkollat greke u mbyllën pjesërisht, arsimi në gjuhën amtare pësoi një denigrim katastrofik në krahasim me atë të viteve para 1944, identiteti kulturor u shtyp, dhe në zonat minoritare zhvilloi aktivitet intensiv një numër disproporcional i agjentëve dhe informatorëve të Sigurimit të Shtetit.

Vetë Enver Hoxha, në fjalimin e tij të 10 nëntorit 1982, pranoi se minoriteti grek kishte disa nga të ardhurat më të larta në vend, por kjo nuk vinte nga ndonjë trajtim special i regjimit – siç u tha më lartë, ishte një vazhdimësi e nivelit historikisht më të lartë të zhvillimit ekonomik dhe arsimor të këtyre zonave, falë traditave kulturore dhe sociale që nuk do të trajtohen hollësisht këtu. Mjafton të përmendim se niveli i analfabetizmit për meshkujt në komunat e minoritetit grek në vitin 1945 ishte më pak se 38%, kurse mesatarja në vend ishte mbi 70%, kurse analfabetizmi për femrat tek zonat minoritare ishte pothuajse 80% kurse mesatarja në vend ishte mbi 95%! Regjimi totalitar përdori disa zona minoritare si “fshatra Potemkin”: vende të zgjedhura për të treguar një imazh fals të prosperitetit dhe respektit ndaj minoriteteve për vizitorët e huaj ose propagandën e brendshme, ndërsa në realitet shtypja ishte e ashpër. Ky imazh i suksesshëm që iu përcoll shoqërisë shqiptare i mbijetoi edhe rënies së rrëgjimit totalitar. Natyrisht kjo solli si pasojë edhe diçka tjetër që në vetvete ishte pozitive, shqiptarët u njohën me minoritetin grek dhe minoritarët po ashtu u njohën me shqiptarët dhe mësuan diçka të re, të flasin shqip.

Të drejtat bazë, si arsimi në gjuhën amtare, nuk ishin privilegje, por detyrime të shtetit shqiptar sipas konventave ndërkombëtare dhe politikave të brendshme komuniste për minoritetet – dhe këto ishin të kufizuara vetëm në zona të caktuara “minoritare”, pa kompensuar shtypjen e përgjithshme. Nuk mund të them me siguri nëse regjimi i Enver Hoxhës, në gjendje lufte të ftohtë me Greqinë, i konsideronte grekët si rrezik potencial për sigurinë kombëtare, megjithatë, përkatësia greke vështirë se do të përbënte një faktor favorizues në rast të një gjyqi ashtu siç funksionoi shkollimi në Bashkimin Sovjetik për të gjithë ata që u dënuan pas prishjes së marrëdhënieve me sovjetikët. Enver Hoxha kishte pretenduar në fjalimin që përmenda më lart se në të gjithë Shqipërinë ishin vetëm 33 të burgosur nga minoriteti grek, nga të cilët vetëm 4 për vepra politike – një shifër qesharake dhe krejtësisht e pabesueshme, duke marrë parasysh se në disa fshatra të zonave minoritare, si ato në Dropull, Pogon ose Vurg, përqindja e të persekutuarve arrinte deri në 40-50% të popullsisë. Këto persekutime përfshinin burgosje, internime, konfiskim prone, madje edhe ekzekutime.

Grekët vuajtën dyfish: si të gjithë shqiptarët nga represioni i përgjithshëm, por edhe shtesë për dyshimet e tradhtisë. Në burgjet dhe kampet e punës, si ai famëkeq i Spaçit, grekët ishin të pranishëm. Nga letërsia e burgjeve nuk mungojnë. Në kryengritjen e Spaçit më 1973, disa grekë morën pjesë aktive, ndërsa dy të burgosur minoritarë arritën të pamundurën, të arratiseshin nga ky burg, duke kryer një akt heroik dhe sfidues. Ndër gratë me dënimet më të gjata në burgjet komuniste ishte edhe një grua greke, simbol i vuajtjeve të dyfishta të minoritetit.

Në përfundim, ideja se minoriteti grek ishte “i privilegjuar” gjatë diktaturës komuniste është një mit i pabazë, i cili shërben më shumë për të fshehur vuajtjet e vërteta historike sesa për të shpjeguar realitetin. Nga vëzhgimet e mia, del një përfundim paraprak se regjimi totalitar nuk synonte thjesht integrimin e minoritetit grek në shoqërinë shqiptare, por një asimilim të plotë dhe sistematik të tij. Shkalla e rrënimit së bashkësisë shoqërore dhe alienimi i thellë që pësoi komuniteti grek janë dëshmi të qarta të kësaj politike. Gjuha e folur greke filloi të shndërrohet në një kalk të shqipes, për shkak të izolimit absolut dhe presionit asfiksues të imponimit të shqipes në të gjitha sferat e jetës publike dhe private. Siç kisha shkruar prapë dikur këtu tek Peizazhet, shqipja totalitare që ka përshkruar A. Vehbiu prodhoi edhe një produkt tjetër, greqishten totalitare. Për më tepër, ndalimi i plotë i fesë dhe i praktikave fetare goditi grekët në mënyrë disproporcionale më të rëndë krahasuar me pjesën tjetër të popullsisë, pasi besimi ortodoks përbënte një element qendror të identitetit etnik dhe kulturor të tyre – ndryshe nga shumica shqiptare, ku lidhja me fenë ishte më e lirshme ose më e larmishme. Shumica e festave, emërtimeve, traditave dhe ritualeve lidheshin ngushtë me kalendarin kishtar; prandaj, ndalimi i tyre pati një ndikim shkatërrues në ruajtjen e identitetit, duke përshpejtuar alienimin dhe humbjen e trashëgimisë kulturore. Ky realitet kërkon njohje të plotë historike, për të mos lejuar që mite të reja të zëvendësojnë të vërtetën dhe të pengojnë një bashkëjetesë vërtet të barabartë mes komuniteteve.

(c) 2025 Tannhäuser. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me Flux.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

1 Koment

  1. Nje teme shume e rendesishme dhe me vlere e trajtuar ne menyre krejt diletante. Asnje citim, asnje fakt, thjesht hamendje dhe pershtypje personale.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin