Nga makthet e futurizmit rus te propaganda totalitare
Utopitë po duken shumë më të
realizueshme, se ç’mendonim më parë.
Tani na ka dalë një shqetësim tjetër:
si të parandalojmë realizimin e tyre.
E zhanrit speculative fiction, novela Anthem u pat konceptuar prej Ayn Rand-it kur ajo ende jetonte në Bashkimin Sovjetik, por u përfundua vetëm në vitin 1937, kur autorja ishte vendosur tashmë preij vitesh në SHBA. Ngjarjet e rrëfyera ndodhin në një të ardhme të largët, kur shoqëria njerëzore ka pësuar një regres teknologjik dhe, mes të tjerash, e ka eliminuar individualitetin. Teksti ka formën e një ditari të shkruar nga një djalë i ri, i cili përdor ekskluzivisht përemra në shumës, për t’iu referuar vetes dhe tjetrit: we, our, they. Emri i protagonistit është Equality 7-2521, ndërsa i partneres së tij Liberty 5-3000. Për shkak të një tërheqjeje reciproke të pashpjegueshme, këta të dy fillojnë të ndiejnë edhe nevojën për t’i vënë emra njëri-tjetrit: vajza bëhet ashtu The Golden One (“E arta”), ndërsa djali The Unconquerable (“I pamposhturi”). Protagonisti i drejtohet gjithnjë vetes në vetën e parë shumës: “Our name is Equality 7-2521… We are twenty-one years old”. Kjo përkon edhe me moton e shkruar në mermer, në hyrjen e Pallatit të Këshillit Botëror: “NE JEMI NJË PËR TË GJITHË DHE TË GJITHË PËR NJË. NUK KA NJERËZ TË VEÇANTË, POR VETËM NJË NE TË MADHE, TË PANDASHME DHE PËRGJITHNJË”.[1]
Individualiteti i vjen protagonistit në trajtën e një zbulese – të fjalës “unë” (angl. I), që i hyn në ligjërim bashkë me përemrat shoqërues dhe nocionin e pronësisë (my eyes, my mind dhe sidomos my will). Falë kësaj vetëdijeje të re, ndjesia e sapofituar e individualitetit e vendos personin në qendër të universit. “Unë nuk jam mjeti me të cilin të tjerët mund të duan të plotësojnë synimet e veta”, thotë ai.
Nuk jam vegël që ata ta përdorin. Nuk jam shërbëtor i nevojave të tyre dhe as fashë për plagët e tyre. Nuk jam sakrificë në altarët e tyre. Unë jam njeri. Kjo mrekulli është imja që ta mbaj, imja që ta ruaj dhe imja që ta përdor dhe imja që t’i bie në gjunjë!Dhe këtu protagonisti i kthehet fjalës “ne”, për të shtuar:
Fjala “NE” nuk duhet shqiptuar kurrë, përveçse kur dikush e zgjedh që ta thotë, si prapamendim. Kjo fjalë nuk duhet të vijë kurrë e para brenda shpirtit të njeriut, se përndryshe do të bëhet përbindësh, rrënja e çdo të keqeje mbi dhé, rrënja e torturës së njeriut nga njerëzit dhe e një gënjeshtre të papërshkrueshme.
Fjala “NE” është si betoni që derdhet mbi njerëzit, për t’u forcuar pastaj dhe ngurtësuar dhe për të shtypur gjithçka që ka nën vete, dhe e bardha dhe e zeza njëlloj treten në grinë e atij betoni. Është fjala me të cilën të zvetënuarit vjedhin virtytin e të mirëve, me të cilën të dobëtit vjedhin fuqinë e të fortëve, me të cilën budallenjtë vjedhin urtësinë e të diturve.
Çfarë është gëzimi im, nëse të gjitha duart, edhe të pistat, mund ta prekin? Çfarë është urtësia ime, nëse edhe budallenjtë mund të më diktojnë se ç’të bëj? Çfarë është liria ime, nëse të gjitha krijesat, edhe ato të dështuarat dhe të pafuqishmet, janë zotërit e mi? Çfarë është jeta ime, nëse më mbetet vetëm të përulem, të pranoj dhe të bindem?
Përballë këtij përbindëshi “NE”, të cilin protagonisti e quan “fjalë të skllavërimit, të plaçkitjes, të mjerimit, të rrenës dhe të turpit”, ngrihet fytyra e vërtetë e zotit të vetëm që do t’u japë njerëzve gëzim, paqe dhe krenari. Ky zot, kjo fjalë e vetme: “UNË”.
Protagonisti e gjeti këtë fjalë në një libër të lashtë, te një shtëpi e harruar, në mes të pyllit ku ish arratisur bashkë me shoqen e vet. Kur ia mora vesh kuptimin, thotë ai, libri më ra nga duart dhe qava për herë të parë në jetë. Qava i çliruar dhe nga keqardhja për krejt njerëzimin. Lexova shumë libra, për shumë ditë. Pastaj e thira “Të artën” dhe i thashë se çfarë kisha lexuar dhe çfarë kisha mësuar. Ajo më pa dhe të parat fjalë që i dolën nga goja ishin: “I love you”. Fill pas kësaj, të dy vendosin t’i vënë njëri-tjetrit emra të rinj: Prometeu dhe Gjea. Nuk është rastësi, që kjo dëshirë për emër (name) shfaqet mu në momentin kur përemri tashmë i diskredituar “NE” vjen e zëvendësohet nga “UNË”, ose nga kategoria e vetës së parë njëjës (e cila përfshin përemra dhe folje) – që ndërmjetëson, madje mundëson monologun e mirëfilltë të individit me veten. Aq sa ajo “NE”-ja universale e deriatëhershme rezulton të ketë funksionuar si pretekst, në mos shkas, për t’i identifikuar personat e ndryshëm me numra dhe kode, si të ishin njësi të barasvlershme brenda një bashkësie të sheshtë dhe burokratike.
Përemri UNË, i cili në fakt thjesht shënjon subjektin që e përfton ligjërimin dhe mund t’i referohet kujtdo që flet, vihet në lidhje korrelative me emrin e përveçëm, që me përkufizim shënjon një “individ individual”, unik mes të ngjashmëve. UNI si kategori ligjërimore dhe filozofike nga njëra anë, dhe emri i përveçëm individual nga ana tjetër janë për Ayn Rand-in dy nënprodukte të shpërbërjes së “përbindëshit” NE. Novela e Rand-it është edhe alegori e ideve të saj filozofike, njëlloj si veprat e tjera fiksionale të kësaj autoreje. Neveria e saj ndaj fjalës “WE” (“NE”) shpreh edhe refuzimin prej saj të sistemit socialist-kolektivist, në Bashkimin Sovjetik – ku ajo kaloi vitet e rinisë; një realitet të cilin e kish eksploruar tashmë me romanin We the Living (1936).[2]
Kritikët dhe studiuesit e Ayn Rand-it, si shkrimtare dhe filozofike, e përmendin zakonisht ngjashmërinë e novelës Anthem me romanin Ne (rusisht Мы) të rusit Jevgenij Zamjatin – një vepër e zhanrit distopik, e shkruar në vitet 1920-1921, e botuar për herë të parë në një përkthim anglisht në 1924 në New York, dhe me versionin origjinal në rusisht të botuar vetëm në vitin 1952.[3] Ngjarjet e romanit ndodhin në një të ardhme relativisht të largët, në një qytet-shtet prej qelqi (Shteti i Bashkuar), me qytetarët të organizuar në mënyrë ushtarake dhe të veshur me uniformë. Kjo shoqëri qeveriset nga rregullat strikte të logjikës (arsyes) të shprehura si formula matematike. Në krye të shtetit është Bamirësi (rusisht Благодетель), një gjysmë-perëndi që mbikëqyr dhe siguron mbarëvajtjen e ligjit (mes funksioneve të tij, është edhe që të kryejë me dorën e vet ekzekutimin e të dënuarve me vdekje). Banorët e këtij qyteti e quajnë njëri-tjetrin me kode shifrore – protagonisti është D-503, gruaja që sjell pështjellim në jetën e tij është I-330.
Kritikët kanë folur për ndikimin e romanit të Zamjatinit në krejt zhanrin distopik të lëvruar në Perëndim gjatë shekullit XX – duke përfshirë këtu edhe romanet Brave New World të Aldous Huxley-t dhe 1984 të George Orwell-it; mes veprave drejtpërdrejt të ndikuara, është përfshirë edhe Anthem e Ayn Rand-it – edhe pse nuk është provuar që Rand-i e kish lexuar tekstin e Zamjatinit kur e shkroi novelën e vet. Disa tema dhe motive, si qyteti distopik i rrethuar me mur dhe i ndarë nga “natyra e egër”; uniformiteti social dhe shndërrimi i qytetarëve në bagëti; përdorimi i numrave në vend të emrave, ose numërimi si një lloj kodifikimi për njeriun e ri sovjetik, me funksion alternativ ndaj emërtimit (emrit të përveçëm) dhe, më në fund, theksimi filozofik te përemri i vetës së parë shumës – që Zamjatini e përdor deri edhe si titull të romanit të vet, të bëjnë të mendosh se, edhe sikur Rand-i të mos e ketë njohur veprën e Zamjatinit, këto tema sugjeroheshin vetvetiu, nga tmerri që provonin një kategori intelektualësh liberalë përballë shoqërisë që po përvijohej në Bashkimin Sovjetik (“utopian rigor mortis”, e quan Natasha Randall në parathënien e përkthimit anglisht të romanit[4]) dhe idealeve të kolektivizmit, interesit të përgjithshëm mbi atë personal dhe uniformizimit të mendimit. Distopia e veprës nuk mund të shpjegohet veçse si produkt i utopive që pillte ditë e natë bolshevizmi (futurizmi, Proletkulti), në Rusinë e viteve të para pas revolucionit.
I lindur në 1884, bir i një babai prift ortodoks dhe i një nëne mësuese muzike, Zamjatini u tërhoq në të ri ndaj marksizmit dhe u bë menjëherë bolshevik, por pastaj u zhgënjye shumë shpejt nga projekti politik, social dhe moral i partisë së vet, duke parë se sundimi bolshevik po e shndërronte Rusinë në shtet policor. Për shkak të romanit Ne, që ai e shkroi vetëm katër vjet pas revolucionit të tetorit, por që nuk arriti ta botojë, Zamjatinin e kanë quajtur një nga disidentët më të hershëm sovjetikë – vepra e tij ishte e para që u ndalua nga bordi i censurës sovjetike. Megjithatë, kërkesa e tij për t’u larguar nga vendi u miratua nga Stalini, dhe Zamjatini i mbylli ditët në Paris. Edhe pse mbeti i pabotuar në Rusinë e viteve 1920, romani qarkulloi në qarqet letrare të Shën Petersburgut, në formë samizdati.
Në atmosferën kulturore ku u shkrua romani Ne kontribuonte edhe një poet proletkultist, Aleksei Gastev, i mbiquajtur “Ovidi i inxhinierëve, minatorëve dhe metalurgëve” dhe ideatori i propozimeve të marrëzishme për integrimin e njeriut dhe të makinës. Sipas Randall-it, edhe titullin e veprës (“Ne”) Zamjatini e pat huazuar nga Proletkulti: poetët e atij grupimi kishin hartuar tashmë poema dhe pjesë teatrale, ku kishin eksperimentuar me përgjithësimin e përemrit vetor të vetës së parë shumës. Ne ishte përemri i përshtatshëm për “njeriun robot”[5] që ëndërronte Gastevi; i cili – sipas historianit Orlando Figes[6] – gjithashtu seriozisht kish sugjeruar që individët të zëvendësoheshin nga “njësi proletare”, të identifikueshme me shifra, të tilla si A, B, C ose 325, 075, e kështu me radhë. Këta automatë do të ishin “të paaftë për të menduar në mënyrë individuale” dhe thjesht do t’i bindeshin liderit të tyre. Për proletkultistët, personalitetit individual do t’ia zinte shpejt vendin “një kolektivizëm i mekanizuar”, me trupa në gjimnastikë të sinkronizuar, dhe ku shpirti i njeriut do të matej jo më nga emocionet, por nga një barometër ose shpejtësi-matës.
Mu në faqet e para të romanit, protagonisti D-503 – rrëfimtar në vetën e parë – shkruan, për të shpjeguar pse po e mban këtë ditar:
Unë thjesht do të përpiqem të regjistroj çfarë shoh, çfarë mendoj – ose më saktë, çfarë ne mendojmë. (Po, tamam ashtu, ne. Dhe le të jetë ky edhe titulli i këtyre shënimeve, Ne.) Kultura e qytetit, në roman, adhuron tabelat dhe oraret; Orari zyrtar i hekurudhave, i trashëguar nga e shkuara e largët, konsiderohet si “më i madhi monumentet i letërsisë së lashtë”. Në shembëlltyrën e kësaj tradite të lavdishme, janë ndërtuar edhe “Tabelat” që komandojnë tani jetën e qytetarëve të “Shtetit të bashkuar.
Thotë D-503:
Tabelat transformuan secilin prej nesh, në fakt, në një hero prej çeliku […] të një poeme të madhe. Çdo mëngjes, me precizion prej makine, në të njëjtën orë, në të njëjtën minutë, ne zgjohemi, miliona prej nesh njëkohësisht. Në të njëjtën orë, me miliona si një i vetëm, ne fillojmë punën, dhe me miliona si një i vetëm e mbarojmë. Të bashkuar në një trup të vetëm, me një milion duar, në të njëjtën sekondë, të dizajnuar nga Tabelat, ne i çojmë lugët te gojët; në të njëjtën sekondë ne të gjithë dalim përjashta për shëtitje, shkojmë në auditoriumet, në sallat e ushtrimeve Taylor, dhe pastaj biem të gjithë për gjumë.
Zamjatini pikas një lidhje të drejtpërdrejtë mes taylorizimit të punës në fabrika (Lenini ishte i apasionuar pas taylorizmit, duke e parë si një mënyrë të disiplinimit shkencor të jetës sociale nëpërmjet afrimit tipologjik të njeriut me makinën[7], ritmit “proletar” të ditës, mekanizimit deri në robotizim), dhe përgjithësimit të përemrit Ne. Krahasimi me vizionet e Gastev-it të cituara më lart vjen vetvetiu. Shkruan McCarthy:
Kudo në libër, D-503 [protagonisti, rrëfimtari dhe autori i “shënimeve”] është pothuajse gjithnjë i vetëdijshëm për një dëshirë që të mbështetë strukturën mekanike, të regjimentuar rreptë, të Shtetit të Bashkuar, ngaqë gjykon se jeta ashtu siç është zhvilluar aty është më konsistentja me arsyen dhe ekonominë. Lëvizja e tornove dhe makinerive të tjera që ndërtohen për të ndërtuar Integralin [anijen kozmike, që përfaqëson kulmin teknologjik, A.V.], për shembull, i duket e bukur, “sepse është lëvizje e palirë [“unfree”]. Sepse kuptimi i thellë i valles [së makinave] përmbahet në nënshtrimin e saj absolut, ekstatik, në idealin e jo-lirisë.” Ideali mekanik i jo-lirisë shtrihet mbi krejt shoqërinë; dhe, megjithëse ka ndonjë që herë pas here kthehet në vlerat primitive të lirisë dhe individualizmit, kjo “është vetëm një rast i defektit të pjesëve të vogla, që mund të riparohen lehtë pa e ndalur marshimin e madh të përjetshëm të krejt makinës.
Gjetiu D-503 thotë: “Instinkti për të mos qenë i lirë është i lindur te njeriu, dhe ne, në ekzistencën tonë reale, e bëjmë këtë me vetëdije”. Dhe më tej, në bisedë me partneren e vet, kur vëren se ajo i thotë diçka në thelb identike me çfarë ai kish shkruar më parë në ditar, ai vëren se “edhe mendimet i kemi të njëjta… dhe kjo ngaqë nuk jemi qenie individuale, por gjithsekush nga është një mes shumëve [anglisht: It is because nobody is one, but one of]. I ngjajmë njëri tjetrit kaq shumë…”.
Me gjithë ngjashmëritë e mëdha në temë, fabul dhe filozofi, novela Anthem dhe romani Ne dallojnë mes tyre në rolin që i japin teknologjisë: nëse Shteti i Bashkuar te Ne është i pandashëm nga përsosja teknologjike, deri atje sa ta marrë inxhinierinë si model të organizimit social, te Anthem teknologjia mbahet qëllimisht e pazhvilluar, primitive – dhe protagonisti e zbulon vetveten, si “Ego”, edhe nëpërmjet shpikjes së një aparati që prodhon dritë. Emancipimi i tij kurorëzohet kur e dashura vendos ta pagëzojë si Promete. Në fakt, miti i Prometeut zë vend qëndror në krijimtarinë, dhe jo vetëm letrare, të Ayn Rand-it.[8]
E njëjta teknologji, e bazuar në shkencë, që e ka skllavëruar individin te Ne dhe e ka imponuar përemrin vetor shumës, është agjenci çliruese te Anthem dhe i lejon protagonistit të zbulojë individualitetin deri atëherë të ndrydhur në përemrin “ne”, me të cilin i ish drejtuar vetes deri atëherë, i paaftë për të perceptuar kufirin mes vetes dhe tjetrit. Duke analizuar Ne, McCarthy flet një “vizion dual të makinës, si çliruese potenciale e njeriut dhe si padronia e tij.”
Që para se ta kanonizonte Marksi si shenjtor e martir në kalendarin filozofik, Prometeu ishte hyjnizuar prej romantikëve, si arketipi i gjenisë krijuese, vazhdon McCarthy – por edhe si rebeli që ngre krye kundër zotave. Ky studiues përmend një pasazh në roman, ku bëhet aluzion për Prometeun si një lloj Krishti, çfarë edhe është në harmoni me një hipotezë më të hershme të Zamjatinit, rreth një dallimi për t’u bërë mes Krishtit të kryqëzuar dhe Krishtit të institucionalizuar – duke qenë Prometeu, dhurues i zjarrit, i ngjashëm me Krishtin e kryqëzuar, edhe pse në këtë funksion establishmenti do ta këqyrë si satanik. Nga ana tjetër, Promete është edhe ai që krijon një teknologji dhe ndërton një qytetërim mbi të – duke evoluar, njëherazi, në një sistematizues të rreptë. Por kjo është edhe parabola zbritëse e vetë Revolucionit rus – ku kërkesat e imponuara nga “makina” teknologjike pjellin mediokritet, konformizëm dhe humbje të ndjeshmërisë estetike.
Thotë protagonisti i romanit Ne:
Në botën e vjetër, të krishterët – si të vetmit pararendës tanë (por shumë më të papërsosur) duhej ta dinin se përvuejtnia është virtyt dhe se, përkundrazi, krenaria është ves, dhe se “ne” vjen nga Zoti, ndërsa “unë” nga Djalli.
Dhe pak më tej:
Të ndiesh veten, të jesh i vetëdijshëm për personalitetin tënd, është ajo që i ndodh një syri të inflamuar nga një grimcë prushi, ose një gishti të infektuar, ose një dhëmbi të prishur. Syrin a gishtin a dhëmbin e shëndetshëm nuk e ndien kush – praktikisht nuk ekziston. A nuk është e qartë, pra, se vetëdija e vetes është një lloj sëmundjeje?
Komenton McCarthy:
Makineritë që ne krijojmë – dhe kjo vlen si për makinën e shtetit, ashtu edhe për mrekulli teknologjike të tilla si anija kozmike Integral [e projektuar nga D-503] – janë, në zanafillë, produkte të imagjinatës së gjallë dhe të pacak, paçka se mund të kenë si efekt pengimin e asaj mendësie kureshtare dhe kërkuese, që i solli në ekzistencë.
Ka pra një lidhje mes makinës, mekanizimit të punës, automatizimit dhe teknologjizimit të botës, përfshi këtu edhe riprodhimin mekanik të produkteve të mendjes (arti, khs. Benjamin) dhe imponimit të përemrit ne, në fillim si simptomë dhe pastaj edhe si shkak i rrafshimit të individualiteteve. Kjo, të paktën sipas filozofisë krijuese të Zamjatin-it, sepse Ayn Rand duket sikur mbështet një pikëpamje të kundërt: progresi teknologjik do të shpjerë në konsolidimin e vetëdijes, ose në perceptimin e individualitetit. Ngjashëm me këtë, etja për dije është, për Zamjatin-in, efekt i një pakti faustian me djallin – sa kohë që ushqen individualitetin dhe sëmundjen e vetëdijes individuale; ndërsa për Rand-in është rruga drejt zbulimit të Zotit, në trajtën e vetëdijes dhe vullnetit individual.
Siç mund të merret me mend, vetëdija kolektive – e shprehur përmes përemrit “ne”, si te novela e Rand-it, ashtu edhe te romani i Zamjatinit – ka diçka të përbashkët edhe me mendësinë e krishterë, edhe me atë socialiste. Tek “Anthem”, figura e Prometeut si frymëzues filozofik dhe njëherazi protagonisti i ripagëzuar në fund të novelës, është qartazi heroi që u sjell dritën (“zjarrin”) njerëzve, duke u rebeluar ndaj pushtetit, përfshi këtu edhe pushtetin gjuhësor të vetës së parë shumës. Ky është edhe një rimishërim i Luciferit – etimologjikisht “dritë-sjellësit”, që refuzoi diktatin e Zotit, duke i thënë “NON SERVIAM” – NUK DO TË SHËRBEJ, frazë që përmbledh edhe thelbin e filozofisë së Rand-it (dhe, në analizë të fundit, edhe të Marksit dhe të Iluminizmit, duke qenë ky i fundit i organizuar konceptualisht rreth ndriçimit dhe dritës). Përkundrazi, Krishti i institucionalizuar i Zamjatinit – për të cilin fola më lart – është edhe ai që përfaqësohet nëpërmjet sloganit të kundërt – SERVIAM.[9] Edhe për Zamjatinin, edhe për Rand-in, kolektivizmi është një nga kushtet e domosdoshme të skllavërimit të individit nga pushteti.
Tek Anthem nuk është e qartë se çfarë e ka detyruar njerëzimin t’i kthejë shpinën progresit teknologjik – lihet të kuptohet se një kombinim i pushtetit politik dhe klerikal e ka shndërruar teknologjinë dhe dijen në tabu, duke i dhënë përparësi absolute interesave të grupit (“ne”) përballë atyre të individit (“unë”). Grupi, si njësi sociale elementare, mund të ruhet dhe të mirëmbahet vetëm në rrethanat e frenimit të çdo tundimi ndaj individualitetit, përfshi këtu edhe absolutizimin e përemrit ne (dhe të vetës së parë shumës në përgjithësi), në dëm të formave përemrore dhe foljore përkatëse të njëjësit.
Megjithatë, sa kohë që në ligjërimin e botës së përshkruar tek Anthem kategoritë e përemrave vetorë njëjës nuk ekzistojnë më, ajo ne në gojën e protagonistit dhe të personazheve të tjera nuk ka të njëjtën valencë ligjërimore me përemrin ne në ligjërimin e gjuhëve të tilla si anglishtja, rusishtja ose edhe shqipja. Te këto të fundit, ne përftohet në ligjërim duke iu kundërvënë përemrit unë – duke qenë ne jo aq “shumë unë”, sa “unë dhe të tjerë të grupit tim, që e përfaqësoj ose më përfaqëson”; ndërsa tek Anthem “ne” është përemri që shënjon vetëdijen individuale të maskuar (të përçudnuar) si vetëdije grupi.
Kush thotë ne në shqip fare mirë mund ta zëvendësojë këtë me unë dhe familja ime, ose unë dhe kolegët e mi, ose unë dhe të gjithë ata që identifikohen si shqiptarë (si komunistë, si meshkuj, si ushtarë në llogore, si europianë); kjo unë, ose përemri vetor i vetës së parë, është rrënjësisht i pranishëm në kuptim. Përkundrazi, tek Anthem kjo nuk është e mundshme, sepse për personazhet atje përemri “unë” nuk ekziston; dhe kur këta personazhe thonë “ne bëjmë kështu dhe ashtu”, duke pasur parasysh “grupi bën kështu dhe ashtu”, nuk është se zgjedhin të përdorin ne në vend që të përdorin unë. Vetëdija e grupit e ka absorbuar vetëdijen individuale.
Mes vetorëve në novelë, më problematiku është përemri i vetës së dytë. Për arsye të komplikuara, por të shpjeguara mirë, anglishtja e sotme standard i ka humbur format njëjëse të vetorit të vetës së dytë (thou, thee, etj.) dhe ka përgjithësuar me këtë funksion përemrin you, origjinalisht i shumësit (shqip ju); prandaj në tekstin e Rand ajo you tingëllon po aq normale, sa ç’tingëllon we anormale. Protagonisti i romanit i drejtohet rregullisht partneres së vet me përemrin you, edhe pse ai e sheh qartë që ka përballë një person individual, jo një grup; por këtë e bën pa dalë nga caqet e anglishtes standard.
Te Ne i Zamjatinit, nga ana tjetër, përemri vetor i vetës së parë shumës, ai që i ka dhënë edhe titullin romanit, ka fituar prestigj dhe pushtet, por nuk e ka zëvendësuar kundërvlerën e tij të vetës së parë njëjës – ligjërimi i protagonistit, në atë roman, është tipologjikisht i njëjtë me tonin; dhe qytetarët e Shtetit të Bashkuar, edhe pse ia kanë nënvendosur identitetin e tyre vetjak identitetit të grupit, nuk kanë menduar ende që të modifikojnë strukturën e shifters-ëve, si në Anthem. Ata “e dinë” që nuk janë qenie individuale, por njësi të ndërkëmbyeshme një grupi; paçka se kjo bie ndesh me ligjërimin, që i detyron sipas rastit të thonë “ne” dhe “unë”, “ju” dhe “ti”, “ai/ajo” dhe “ata/ato”. Thjesht organizimi i vetëdijes së tyre nuk përputhet më me organizimin e produksionit të thënies.
Pamë se në shoqërinë dhe kulturën kolektiviste të përshkruar tek Anthem, individët gjithnjë i drejtohen vetes me përemrin ne dhe foljet në vetën e parë shumës – përemri unë dhe format foljore përkatëse janë zhdukur tashmë nga ligjërimi. Me lehtësi të madhe Ayn Rand e shndërron këtë karakteristikë nga ligjërimore në filozofike, duke e parë mungesën e vetës së parë njëjës si shenjë të zhdukjes së individualitetit. Për autoren, përgjithësimi i përemrit ne (we) dëshmon imponimin e mendimit kolektivist dhe të mendësisë së grupit ndaj ndjesisë së vetes dhe të agjencisë individuale.
Rand-i ashtu nuk duket t’i kushtojë vëmendje marrëdhënies së mundshme mes strukturave ligjërimore – në këtë rast përemrave vetorë të anglishtes – dhe organizimit social, duke filluar nga organizimi i pjesëmarrjes në aktet ligjërimore. Njëlloj duket edhe sikur, për autoren, kontrasti mes we dhe I në anglishte është shprehje e një karakteristike universale të mendimit të njeriut: në kuptimin që veta dhe numri (njëjës vs. shumës) janë universale gjuhësore, të cilat modelohen sipas ligjësive të arsyes.
Për gjuhëtarin frëng Émile Benveniste, i cili formuloi për herë të parë një teori të produksionit të thënies dhe vuri në dukje rolin themelor të përemrave vetorë në atë produksion, përemri “ne” – tradicionalisht i njohur si shumësi i “unë” – nuk është shumëzim sendesh identike, por një bashkim (jonction) i “unit” dhe i “jo-unit”, ciladoqoftë përmbajtja e këtij “jo-uni”. Ky bashkim formon një totalitet të ri dhe krejt të veçantë, përbërësit e të cilit nuk janë të barasvlershëm: tek “ne” – vazhdon Benveniste-i – është gjithnjë “uni” që mbizotëron, sa kohë që “ne” mund të ekzistojë vetëm duke u nisur nga “unë”, dhe ky “unë”, për shkak të natyrës së vet transhendente, e nënrendit elementin “jo-unë”. Prania e “unit” është konstitutive për “ne”.[10]
Në gjuhët indo-europiane, përfshi këtu edhe anglishten edhe shqipen, ne nuk do të thotë “shumë unë”, por “unë dhe të tjerë” (khs. Spanjishten nosotros). Sipas kontekstit, kjo “unë dhe të tjerë” mund të përthyhet në “unë dhe ti (që po bisedon me mua)”, “unë dhe ti (ju) dhe grupi ku ne bëjmë pjesë”, “unë dhe grupi ku bëj unë pjesë, por jo ti (ju)”, “unë dhe grupi ku bëj pjesë por jo ata të tjerët” dhe kështu me radhë. Megjithatë, këto janë kuptime të ndryshme që merr fjala ne dhe që nuk përthyhen në forma të ndryshme morfologjike ose leksikore.
Gjuhëtarët kanë vënë në diskutim edhe marrëdhënien mes përemrave unë dhe ne, madje disa kanë sugjeruar që këto dy përemra të mos trajtohen si forma të njëjësit dhe të shumësit të një lekseme të vetme. Të tjerë kanë vënë në dukje se ne nuk është tamam shumësi i unë, në të njëjtën mënyrë si zogj është shumësi i zog. Ka ndonjë gjuhë, që ka dy përemra vetorë në njëjës (të përkthyeshëm si “unë” dhe “ti”), por një premër të vetëm vetor në shumës, me kuptimin “unë dhe ti”. Ndonjë gjuhë tjetër ka një vetor të vetës së parë njëjës (“unë”) dhe dy forma të tjera, sërish njëjës, që tregojnë “përfshirjen” përkatësisht “përjashtimin”. Disa gjuhë, që krahas njëjësit dhe shumësit përdorin edhe dualin (një lloj shumësi specifik që përdoret me dy njësi, p.sh. me sytë, veshët, binjakët), vetorët e vetës së parë shumës kanë forma të veçanta të dualit (khs. Italishten noi due, që i afrohet edhe nga forma një duali; ose shqipen ne/ju të dy dhe që përcjell pastër vetëdijen edhe të një çifti të dashuruar – që nuk është as individuale, as kolektive). D.N.S. Bhat, nga i cili i kam marrë shembujt nga gjuhë të ndryshme më lart, propozon – në vazhdën e hapur nga Benveniste-i – që kategoria e numrit, kur zbatohet ndaj përemrave vetorë, të shpjegohet më mirë si “bashkëlidhje” (conjunction) se si “pluralitet”.[11]
Për Benveniste-in, te ne-ja e gjuhëve indo-europiane – pavarësisht nga format e kluzivitetit që shpreh në kontekst, është e dominuar nga “uni”, deri në atë masë sa, në rrethana të caktuara, shumësi mund t’i zëvendësohet njëjësit. Motivi këtu është se “ne” nuk është një “unë” i kuantifikuar ose i shumëfishuar, por një “unë” i zgjeruar përtej personit në kuptim të ngushtë, i shtuar dhe me kufij të paqartë. Që këtej rezultojnë dy përdorime të kundërta, por jo kontradiktore – “ne” që e amplifikon “unin” duke e kthyer në person më solid, më solemn dhe më pak të përcaktuar – “ne”-ja e mbretërve; dhe “ne-ja” tjetër, që e zbut impaktin tejet të prerë të unit, duke i dhënë një shprehje më difuze, dhe që është “ne-ja” e autorit dhe e oratorit.[12]
Nga pikëpamja diakronike, mund të spekulohet se zëvendësimi i vetorit “unë” me vetorin “ne”, në kontekste të njëjësit, mund të ketë ndodhur në kontekste të degradimit të statusit të “unit” në ligjërimin publik, dhe pastaj të tabuizimit të këtij përemri. Për krahasim, në romanin Brave New World të Huxley-t, përshkruhet një shoqëri që i konsideron tabu fjalë si nënë, baba, vëlla, motër, dhe strukturat sociale të cilave ato u referohen (familjes në kuptimin konvencional të fjalës). Edhe në Shqipëri, pas mbylljes forcërisht të institucioneve fetare dhe dëbimit të fesë nga jeta publike, fjalë si Zot, Krisht, Shën Mëri u penguan të përdoren lirisht, sidomos në kontekste specifike.
Për t’u kthyer te romani i Huxley-t, zhdukja e roleve të babait, nënës, birit, bijës dhe tabuizimi i fjalëve përkatëse sjell edhe ajo dobësimin e vetëdijes individuale, sa kohë që një individ nuk do të mund të thotë dot babai im, nëna ime, gruaja ime, djali im, ku pronori i vetës së parë nuk shënjon ndonjë “pronë”, por një lloj marrëdhënieje tjetër – të krahasohet nëna ime dhe shtëpia ime. E shumta, marrëdhënia gramatikore e pronësisë, siç ndërmjetësohet nga pronori, është metaforë e një marrëdhënieje tjetër, më ekskluzive, më intime, më individuale.
Te bota e Anthem (ngjashëm me Ne), personazhet përfshi këtu edhe protagonistin identifikohen nëpërmjet kodesh: rrëfimtari e prezanton veten kështu: “Emri ynë Equality 7-2521, siç shkruhet te byzylyku prej hekuri që të gjithnjë njerëzit e mbajnë te kyçi i dorës së majtë”. Dy personazhe të tjera quhen Union 5-3992 dhe International 4-8818. Të gjithë këta emërtohen kështu nga shteti – duke u pajisur me një kod identifikues, si të ishin bagëti. Duke gjykuar nga ata pak emra që shfaqen në tekst (Equality, Union, International, Liberty) duket sikur origjina e këtij sistemi emrash është në laike, dhe emrat vetë u bëjnë jehonë koncepteve të perceptuara të paktën dikur si “vlera” morale – nga ana tjetër, numri që pason çdo emër tregon se emërtimi i çdo personi sanksionon marrëdhënien e tij me shtetin (njëlloj si kodi fiskal përfaqëson qytetarin në marrëdhënie me administratën federale, në SHBA; ose, më në përgjithësi, me burokracinë). Kjo lloj “targe” identifikuese (ose numri serie) me gjasë mundëson që çdo njësi individuale të emërtohet ose më mirë të katalogohet në mënyrë unike.
Ajo çfarë nuk kanë personazhet tek Anthem është familja: nëna dhe babai, bijtë dhe bijat, vëllezërit dhe motrat. Njëlloj si te Brave New World e Huxley-t, me rritjen dhe socializimin e fëmijëve merret shteti.[13] Ayn Rand dhe Huxley duken të dy të alarmuar me konceptin marksist për familjen, si njësi sociale që riprodhon kapitalizmin dhe rikrijon pabarazitë sociale; dhe veçanërisht me përpjekjet serioze, që po ndërmerreshin në Bashkimin Sovjetik, për ta fuqizuar rolin e shtetit dhe të institucioneve publike në jetën e fëmijëve, sidomos për t’i shkëputur këta nga ndikimi i familjes – të gjitha këto mishërohen veçanërisht qartë në teorinë dhe praktikën pedagogjike të Makarenkos.
Duke pasur kuptim relacional të ngjashëm me përemrat vetorë (si aktantë në produksionin e individëve), emrat e familjarëve vendosin lidhje të ndërsjellta me vetorët – nëna, babai, vëllai, vajza e kështu me radhë marrin pjesë në formimin, riprodhimin dhe mirëmbajtjen e “vetes”, si strumbullar të vetëdijes. Një shoqëri që e ka shpërbërë familjen, njëkohësisht ka krijuar kushtet e nevojshme për eliminimin e “unit” – siç edhe ka ndodhur tek Anthem.[14]. Në fakt, familja (reale ose surrogato) merr pjesë në ndërtimin e vetes te fëmija, paralelisht me përvetësimin e gjuhës amtare (i cili përfshin, mes të tjerash, edhe përvetësimin e përdorimit të shifter-ëve).
Në monografinë e saj rreth “gjuhës së drunjtë”,[15] Françoise Thom i ka kushtuar një kapitull destabilizimit të unit në gjuhët totalitare, ku i referohet që në krye tezës së Emile Benveniste-it, se polariteti i vetave [“unë / ti”] është kushti themelor që e mundëson gjuhën (langage), duke u ndalur pastaj në implikimet serioze të përjashtimit të subjektit si “EGO” për identitetin individual. Atje ku gjuha e drunjtë e zëvendëson kundërvënien “unë” / “ti” me kundërvënien “ne” / “ata”, vëren Thom, përvijohet një territor ku subjektit i ndalohet të ekzistojë.[16]
Që nga momenti kur vjen e dëbohet nga ligjërimi koncepti gramatikor i “unit” dhe, për pasojë, format gramatikore që i shoqërohen – vetorët, pronorët, format foljore të vetës së parë njëjës – edhe përemri “NE”, që kërkon ta zëvendësojë, si në romanin “Anthem”, e humbet kuptimin “unë dhe ti”, “unë dhe ata”, “unë dhe ju” e kështu me radhë dhe fillon të funksionojë si shënjues – sado fiktiv – i vetëdijes kolektive. Ky përemër nuk është më në shumës, sepse shumësi presupozon njëjësin. Por në tekstin e Rand-it ka të paktën dy NE: njëri me kuptimin “të gjithë ne”, dhe tjetri me kuptimin “një pjesë e jona”, ku hyn edhe agjencia që prodhon ligjërimin.
Forma të ndryshme, edhe pse të papërsosura, të kësaj NE-je si shënjues të vetëdijes kolektive, i gjen në gjuhët e drunjta anembanë, edhe përtej shoqërive totalitare; sa herë që synohet kontrolli i të menduarit nëpërmjet kufizimeve ligjërimore. Për shembull, në ligjërimin kombëtarist, spikat togfjalëshi ne shqiptarët, si në pasazhin tipik më poshtë:
Ne shqiptarët … jemi nga europianët më të lashtë, kemi qenë mbrojtës të Europës, jemi shkëputur me dhunë prej saj, jemi rikthyer në Europë, kemi humbur diçka në shekuj nga europianizmi ynë, por pastaj e kemi rigjeneruar, ashtu siç rigjenerohet një plagë.[17]
Të krahasohet ky paragraf me këtë tjetrin, të cilit ia kam hequr treguesit e vetës së parë shumës:
Cilët janë shqiptarët? Shqiptarët janë nga europianët më të lashtë, kanë qenë mbrojtës të Europës, janë shkëputur me dhunë prej saj, janë rikthyer në Europë, kanë humbur diçka në shekuj nga europianizmi i tyre, por pastaj e kanë rigjeneruar, ashtu siç rigjenerohet një plagë.
Kuptimi mbetet në thelb i njëjtë, por angazhimi i subjektit ndryshon: në rastin e parë, ligjërimi vjen nga një subjekt që identifikohet si pjesë e grupit të cilit i përket: ne shqiptarët, dhe formulohet në mënyrë të tillë që, kushdo që ta lexojë, të përjetojë kalimin e vlerave dhe të virtyteve nga kolektivi te ai vetë si individ. Përkundrazi, në rastin e dytë, kemi të bëjmë me një përshkrim të një grupi etnik, “shqiptarëve”, të lirë nga çdo identifikim me polet e ligjërimit (“unë / ti”, “ne / ata”). Efekt i impostimit të ligjërimit në çelësin e vetës së parë shumës (NE), është që lexuesi të “trajnohet” në përkatësinë e tij etnike.
Thënia “Ne shqiptarët jemi autoktonë” duket sikur e fton dëgjuesin/lexuesin të identifikohet edhe ai si “autokton”, edhe pse autoktonia, për individin, nuk ka asnjë kuptim; ajo që ndodh, në fakt, është që ky dëgjues/lexues të mësohet ta perceptojë veten si pjesë të një grupi (“shqiptarët”). Ky përdorim i vetës së parë shumës, NE, ndryshon mjaft nga përdorimi në thënie të rëndomta si “Ne erdhëm në restorant, por nuk ju pamë”, ku veta e parë shumës, që rimerret tri herë (ne, erdhëm, pamë) shënjon folësin dhe disa të tjerë që e shoqëronin. Kur përdoret me emra grupesh, përemri NE fillon ta humbë lidhjen me UNË; e shumta, referenca ndaj vetës së parë njëjës do të shërbejë si tregues i përkatësisë në grup; në kuptimin që individi do të identifikohet si njësi e një grupi a bashkësie (ne shqiptarët, ne banorët e Kardhiqit, ne futbollistët e Dinamos, ne tironsit, ne punëtorët e uzinës Enver, ne anëtarët e Akademisë së Shkencave, ne myslimanët, ne gegët, ne malësorët).
Si përemër vetor i një grupi/bashkësie NE konstituohet në bazë të një tipari të përbashkët (ne delegatët e Kongresit), i cili tipar i shërben pastaj edhe identifikimit individual – çfarë e dobëson, në thelb, individualitetin; deri atje sa, në raste të skajshme, të eliminojë lirinë e vullnetit.
Veta e parë shumës shënjon në mënyrë tipike ligjërimin publik totalitar – siç e kam analizuar më gjerë te Shqipja totalitare. Në tekste këngësh masash, si ky më poshtë:
Hajt t’punojmë
Djersën ta kullojmë
Të ndërtojmë
Shqipërinë e re
Veta e parë shumës nuk zëvendëson vetën e parë njëjës, por shërben si shënjues i subjektit kolektiv.
Tipike kanë qenë parullat, gjatë viteve të totalitarizmit, që përdornin të ashtuquajturën lidhore-urdhërore të vetës së parë shumës:
T’I BËJMË REALITET VENDIMET E KQ TË PPSH!
TË ÇAJMË BLLOKADËN ME FORCAT TONA!
TË VËMË NË JETË VENDIMET E KONGRESIT VII TË PPSH!
T’U QEPEMI KODRAVE DHE MALEVE, T’I BËJMË ATO PJELLORE SI EDHE FUSHAT!
TË JETOJMË, TË PUNOJMË E TË MENDOJMË SI REVOLUCIONARË!
TË JETOJMË, TË PUNOJMË E TË MENDOJMË SI NË RRETHIM!
Këtu veta e parë shumës i referohet një subjekti gramatikor kolektiv (NE), që identifikohet me masat punonjëse, popullin, klasën punëtore, etj.; ose edhe vetëm kolektivin e një qendre pune ose të një institucioni ku është afishuar parulla.[18]
Veta e parë shumës, në këto tekste, shënon edhe momentin kur vullneti i Tjetrit (i pushtetit) interiorizohet nga konsumatori i parullës dhe shndërrohet në detyrim moral.[19] Njëkohësisht, mbahet gjallë edhe iluzioni se parulla të tilla, dhe parullat politike-ideologjike në përgjithësi, nuk janë tekste të pushtetit, por formulime dëshirash dhe vullnetesh të masave.[20]
Ligjërimi totalitar duket të parapëlqejë ndërtimet eliptike me lidhore, sidomos në kontekste propagandistike dhe formale; sepse ashtu largohet nga ligjërata edhe forma e fundit eksplicite e hierarkisë midis autoritetit dhe subjekteve zbatuese të vullnetit autoritar: folja duhet. Edhe pse folja vetë është e natyrës pavetore, meqë e shenjon domosdoshmërinë si të pavarur nga pjesëmarrësit në ligjërim, megjithatë vetëkuptohet se kjo domosdoshmëri përcaktohet nga personi ose entiteti ligjërimor që e prodhon thënien (personi që flet, ose subjekti i thëniezimit). Nëse unë them “Duhet hapur dritarja”, në rrethana interpretative normale është pak a shumë e qartë se çka dua të them është “Hape dritaren”, por për arsye të ndryshme parapëlqej ta maskoj vullnetin tim prapa modalitetit të detyrimit ose të domosdoshmërisë.
Maskimi i urdhrave pas formash ligjërimore të zhdrejta mund të merret edhe si formë e taktit totalitar. Si edhe në kontekste të tjera autoritare, qëllimi i ligjëruesve është të zbutin efektin lëndues të raporteve vertikale që përftohen sa herë që njëra palë urdhëron palën tjetër për të kryer diçka; si dhe efektin lëndues që ka urdhri mbi ligjërimin vetë, sa kohë që shenjon, sado tërthorazi, edhe nevojën për ta ndërprerë ligjërimin dhe për të vazhduar me veprimin e urdhëruar.
Për t’u shënuar edhe se e njëjta lidhore-dëshirore ndeshet rëndom në titujt e kryeartikujve të gazetës “Zëri i popullit” – ku është pikërisht “populli” që flet në vetën e parë dhe i ekspliciton detyrimet e veta organizative, politike dhe morale (tek e fundit, prandaj edhe gazeta quhet “Zëri i popullit”). Një tjetër instancë, tejet domethënëse, e kësaj dukurie gjendet në titujt e materialeve në veprat e Enver Hoxhës: artikuj e fjalime, por edhe biseda dhe shënime. Për shembull, në veprën 70 (viti 1979) gjen tituj të tillë si: TË INKURAJOJMË NJERËZIT KUR PUNËT SHKOJNË MIRË, POR TË MOS FSHEHIM TË METAT, TË MOS LUSTROJMË GJËRAT; ose TË MBËSHTETEMI NË STUDIMET GJEOLOGJIKE PËR TË PËRCAKTUAR DREJT PROPORCIONET E SHPIMEVE; ose TË GJEJMË RRUGË TË REJA PËR SHTIMIN E PRODHIMIT TË YNDYRNAVE; ose TË JEMI TË MATUR NË GJYKIME E VEPRIME DHE GJITHMONË TË ECIM PËRPARA; ose FRYMËN E DISIPLINËS USHTARAKE TA FUTIM EDHE NË JETËN CIVILE; ose TË MËSOJMË MË SHUMË E VAZHDIMISHT NGA NJËRI-TJETRI; ose NË BAZË TË SHKOJMË TË PËRGATITUR, DUKE NJOHUR MIRË PROBLEMET QË E SHQETËSOJMË ATË; ose T’I RUAJMË DHE T’I VLERËSOJMË OBJEKTET E KULTURËS SONË; e kështu me radhë. Shumë lehtë, disa prej këtyre titujve mund të përdoren pastaj si parulla dhe të afishohen në hapësirat publike.
Në vija të trasha, zëri që e flet parullën është zëri i masave, madje edhe atëherë kur bëhet fjalë për një citat të cilit i identifikohet autori – në këtë rast të fundit, masa e lexon citatin me zë, duke e lartësuar në nivelin e parullës. Parullat, me fjalë të tjera, lexohen gjithnjë në kor, duke marrë kështu atributet specifike të çdo teksti të lexuar nga një kor, duke filluar nga natyra e skriptuar, meqë një kor nuk mund të artikulojë asgjë, përveçse të përsëritë çfarë ka mësuar më parë përmendësh, ose të lexojë nga i njëjti tekst. Ky zë kolektiv – që mishërohet jo vetëm në subjektin në shumës por edhe në intertekstualitetin aq eksplicit – e bën masën të pranishme në çdo hapësirë publike ku është ekspozuar parulla; çfarë është edhe një nga funksionet kryesore të kësaj kategorie tekstesh. Lexuesi i parullës (konsumatori), duke kaluar sytë mbi shkronjat, i bashkohet edhe ai dashur pa dashur këtij kori, bëhet edhe ai pjesë dashur pa dashur e brohorimës së heshtur; dhe në mënyrë subliminale aktivizon, në kompetencën e vet ligjërimore, shprehje dhe fraza parafabrikate të ligjërimit totalitar.
Urdhërorja e përcjellë nëpërmjet lidhores në vetën e parë shumës realizon interiorizimin e menjëhershëm të një urdhri “nga jashtë”, duke e nxjerrë nga skena ligjërimore subjektin urdhërues dhe duke mundësuar kështu që subjekti urdhërues dhe subjekti i urdhëruar të shkrihen së bashku (NE).
Shkruan Françoise Thom:
Për shkak të mobilizimeve të pafund të shpallura nga propaganda zyrtare, qytetari sovjetik është i detyruar të jetojë në të ardhmen e afërt, të ndjekë objektiva konkretë, tamam siç ia kërkon ideologjia […]. Ashtu, qytetari i Shtetit totalitar privohet nga të gjitha format e asaj hapësire për t’u tërhequr, që janë të nevojshme për krijimin e një Uni të vetëdijshëm: ai nuk e koncepton dot më veten si subjekt […].
Për të vazhduar pak më tutje:
Brenda sistemit sovjetik, përdorimi i gjuhës së drunjtë përfaqëson një akt besnikërie; edhe më shumë se përkatësinë në një kategori sociale, ky ligjërim është i pasur me sinjale që tregojnë një “detyrim për të qenë”, ose “detyrim për të bërë”, dhe manifestojnë vullnetin e folësit për t’u identifikuar me një NE që bart të gjitha konotacionet pozitive. Manikeizmi ideologjik vazhdon t’i shërbejë si kornizë referimi individit, i cili flet për të afirmuar pozicionin e vet, jo për të shprehur një pikëpamje. Duke akumuluar ligjërime të Virtytit, qytetari sovjetik projekton para vetes imperativët që sjellin me vete kërcënimin gjithnjë të pranishëm, për shpërbërjen e personalitetit të tij; për të synimi moral […] shpreh brishtësinë e një Uni që nuk mund ta konceptojë veten, përveçse në mënyrën urdhërore – sepse është i privuar nga kohëzgjatja dhe përfaqësimi.[21]
* * *
Me gjasë, përgjithësimi i vetës së parë shumës në ligjërimin e personazheve, në vepra si Anthem e Ayn Rand-it dhe, në masë më të kufizuar, NE e Zamjatinit, duket se ka ndodhur nëpërmjet një faze të ndërmjetme, të interiorizimit të modalitetit urdhëror, nga një kolektiv i militarizuar, që riprodhohej nëpërmjet zbatimit të urdhrave që i vinin nga lart. Këto urdhra, sado formë e subjektivitetit të liderit politik, mbërrin poshtë në trajtën e imperativëve moralë, ekzistencialë ose politikë. Suksesi i tyre, në afat të gjatë, varej nga masa e brishtësimit dhe pastaj e asgjësimit të pjesshëm ose të plotë të EGO-s individuale. Edhe pse gjithnjë do të pranojmë, me Benveniste-in, se te përemri vetor NE, element thelbësor, konstitutiv mbetet “UNI” (si EGO), përemri i subjektit njëjës, ky subjekt tani i është dorëzuar pushtetit, urdhërdhënies, duke u konstituuar si zbatues i një vullneti në dukje të interiorizuar (si imperativ moral), por në fakt të jashtëm – edhe te novela Anthem, edhe te novela Ne, vetori “ne” është përemri ose i skllavit, ose i pushtetarit që i drejtohet skllavit (skllevërve) për t’i mobilizuar, orientuar dhe uniformizuar. Edhe Zamiatini, edhe Rand-i, e pikasën këtë sëmundje të përemrave në ligjërimin publik sovjetik që në krye dhe e ndien rrezikun që ai sillte me vete për vullnetin e lirë dhe agjencinë individuale. Realitete si ai i totalitarizmit shqiptar e konfirmuan këtë në praktikë.
(c) 2025 Ardian Vehbiu & Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është krijuar me Midjourney.
Shënim: Eno Trimçev, në esenë që sapo u botua në Peizazhet, përmendi volumin e 7-të të revistës Publikja shqiptare, që do t’u kushtohej utopive dhe distopive; volum që pastaj nuk u botua. Pata dërguar edhe unë një ese timen për atë projekt, të cilën e kam sjellë tani më lart për lexuesit e Peizazheve.
[1] Të gjitha përkthimet, këtu dhe më poshtë, janë të autorit, nga origjinali anglisht.
[2] Botuar në shqip si Ne të gjallët nga Pegi, me përkthimin e Severina Pashos.
[3] Shih Peter Saint-André, Zamyatin and Rand, The Journal of Ayn Rand Studies, Vëll. 4, Nr. 2 (2003), f. 285-304.
[4] Botimi i vitit 2006, nga Modern Library.
[5] Vetë fjala robot u popullarizua nga shkrimtari çek K. Čapek në 1920, nga tema çekishte robota “punë e detyruar, punë angari”.
[6] Natasha’s Dance, A Cultural History of Russia, f. 463-464.
[7] Patrick A. McCarthy, “Zamyatin and the Nightmare of Technology”, Science Fiction Studies, Vëll. 11, Nr. 2 (1984), f. 122-129.
[8] Marrëdhëniet e Ayn Rand-it me radikalizmin, përkatësisht futurizmin rus, përfshi këtu edhe rrymat artistike moderniste që lulëzuan në vitet e para pas Revolucionit të Tetorit. Shih Chris Matthew Sciabarra, Ayn Rand, The Russian Radical, 2013, The Pennsylvania State University Press, 1999.
[9] Këtë SERVIAM ia atribuojnë Kryeëngjëllit Mikael, i cili, kur dëgjoi NON SERVIAM të Luciferit, u përgjigj SERVIAM, “Do të shërbej!”, në kuptimin “do t’i shërbej Zotit.”
[10] Émile Benveniste, “Structure des relation de personne dans le verbe”, Bulletin de la Société de Linguistique, XLIII, fash. 1, nr. 126, botuar pastaj në Émile Benveniste, Problèmes de linguistique générale, 1, Gallimard 1966.
[11] D.N.S. Bhat, Pronouns, Oxford Studies in Typology and Linguistic Theory, Oxford University Press Inc., New York, 2004.
[12] Benveniste, vep. e cit.
[13] Te romani i Huxley-t, ku fëmijët përftohen në kushte laboratorike, shteti kujdeset edhe për profilin gjenetik të embrionit, i cili pastaj do të përcaktojë klasën sociale të individit të ardhshëm.
[14] Por jo te Brave New World.
[15] Françoise Thom, La langue de bois, Juillard 1986.
[16] Po aty, f. 133.
[17] Ndriçim Kulla, “Cilët jemi ne shqiptarët”, tek Epoka e re, 20 gusht 2023 (https://epokaere.com/cilet-jemi-ne-shqiptaret/).
[18] Të vihet re se lidhorja-urdhërore është e vetmja mënyrë si mund të shprehet modaliteti urdhëror në vetën e parë: TË REALIZOJMË PLANIN EKONOMIK TË SHTETIT NË TË GJITHË TREGUESIT nuk është veçse një formë eufemistike e urdhrit REALIZONI PLANIN EKONOMIK TË SHTETIT NË TË GJITHË TREGUESIT. Në fakt urdhërorja si mënyrë foljore e shqipes është defektive dhe nuk ka vetë të parë, as vetë të tretë. Nga pikëpamja pragmatike, lidhorja-urdhërore tregon një urdhër a komandë të interiorizuar, në kuptimin që urdhri (komanda, porosia, këshilla) është shndërruar tashmë në imperativ moral, ose është bërë pjesë e super-egos kolektive. Jo më kot, parullat me lidhore-urdhërore, të tipit TË JETOJMË, TË PUNOJMË E TË MENDOJMË SI NË RRETHIM! mund të riformulohen duke u shtuar përpara foljen modale duhet: DUHET TË JETOJMË, TË PUNOJMË E TË MENDOJMË SI NË RRETHIM! e cila konfirmon që, nëpërmjet lidhore-urdhërores, urdhri (komanda, porosia, këshilla) është shndërruar në detyrim moral.
[19] Shih për këtë kapitullin Urdhërzimi te Vehbiu, A., Shqipja totalitare, Botime Çabej, Tiranë, 2008.
[20] Për të kuptuar sa artificiale dhe e stilizuar është lidhorja në vetën e parë shumës te ky lloj parullash, le t’i krahasojmë këto me shenja thjesht utilitare, si tabela RREZIK TRENI! NDAL, SIGUROHU, KALO, që vihet ndonjëherë në kryqëzimet e rrugëve automobilistike me hekurudhën. Versioni i së njëjtës tabelë me urdhëroren të zëvendësuar me një lidhore në vetën e parë shumës, RREZIK TRENI! TË NDALEMI, TË SIGUROHEMI, TË KALOJMË tingëllon menjëherë absurd. Po ashtu, le të krahasojmë MOS I FOL SHOFERIT me TË MOS I FLASIM SHOFERIT; e dyta tingëllon si parullë e shkruar në muret e shoqatës së dashamirësve të transportit publik; por e ekspozuar në autobus do të shkaktonte menjëherë hilaritet.
[21] Thom, vep. e cit., f. 40 vijim.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.